113. Jehuditë thanë se të krishterët nuk kanë të mbështetur në asgjë (nuk kanë fe të vërtetë). Edhe të krishterët thanë se jehudit nuk janë të mbështetur në asgjë, e duke qenë se ata të dy palët e lexojnë librin. Po kështu si thëniet e tyre, thanë edhe ata që nuk dinin (idhujtarët për Muhammedin). Po në ditën e gjykimit për atë që ata nuk pajtoheshin, All-llahu gjykon ndërmjet tyre.
114. E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e All-llahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hyjnë vetë në to, vetëm duke qenë rrespektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh.
115. Të All-llahut janë edhe (anët nga) lindja edhe perëndimi, dhe kahdo që të ktheheni, aty është anë e All-llahut. Vërtetë, All-llahu është i gjerë (në bujari) e i dijshëm.
116. Ata (ithtarët e librit) thanë: “All-llahu ka fëmijë” I pastër është Ai nga kjo e metë! E Tij është gjithçka në qiej e në tokë, gjithçka i është nënshtruar Atij.
117. Ai është shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: “Bëhu!” në atë moment bëhet.
118. E ata që nuk dinë (kurejshitët politeistë) thanë: “Përse të mos na flasë neve All-llahu, ose të na vijë ndonjë argument!” po kështu, thëniet e tyre në mënyrë të njëjtë i patën përsëritur edhe ata që ishin para tyre. Të njëjta janë zemrat e tyre. Ne tanimë sqaruam argumentet për një popull që dëshiron të bindet.
119. Ne të dërguam ty (o Muhammed a. s.) me të Vërtetën (Islamin), përgëzues dhe nedhir (vërejtës, qortues, paralajmërues), e ti nuk je përgjegjës për banuesit e Xhehennemit.