Jump to content

Kujtime për filmin “Skënderbeu”

Nga Wikibooks

Regjizori i njohur Ylli Pepa me të cilin kam bashkëpunuar që në vitin 1971,-( si skenarist i dokumentarit të parë televiziv në TVSH me titull “Sirenat e trenave”, realizuar nga ky regjizor, tepër i ri në moshë në atë kohë,) – më takoi para ca kohe dhe bisedoi me mua për film të ri dokumentar, të cilin e kishte në proçes, kushtuar pikërisht historisë se si u konceptua dhe u bë filmi artistik për Skënderbeun në fillim të vitit 1953.

Ky film që qe një bashkëpunim midis “Mosfilmit (Kinostudio Sovjetike)” dhe Kinostudios “Shqipëria e Re”, kjo e fundit e themeluar në të njëjtin vit me xhirimet e filmit.

Regjizori i filmit për Skënderbeun qe Sergei Jutkeviçi, një nga nxënësit e Enzejshtejnin të famshëm.

Ky film që u shfaq në kinematë e Shqipërisë më 28-29 nëntor 1953 pati një sukses të jashtëzakonshëm.

Dihet që rolin e Skënderbeut në këtë film e luajti një artist shumë i talentuar gjeorgjian i quajtur Akaki Horava.

Qe një artist shumë i famshëm për kohën, dhe si të thuash krijoi në ekran shëmbëlltyrën e një Heroi Kombëtar të shqiptarëve, kaq të spikatur dhe të papërsëritshëm si Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Filmin për Skënderbeun e kam parë për herë të parë në moshën 9 vjeç në kinemanë e Durrësit dhe të them të drejtën më ka bërë një përshtypje kaq të madhe saqë më dukej se emocionet për filmin por edhe për muzikën e tij të jashtëzakonshme më krijonin në parandjenjën vizione inkandeshente dhe të lëvizëshme të një eposi sa historik aq dhe legjendar.

Sidomos sekuencat muzikore të këtij filmi gjatë gjithë jetës sime më kanë shoqëruar dhe madje i kam përsëritur me fishkëllimë, që nga rinia deri më sot.

Në lidhje me filmin Skënderbeu si çdo shqiptar edhe unë kam disa kujtime ndër të cilat do të veçoja dy të tilla si më të veçanta.

Në vitin 1972 isha redaktor në gazetën letrare “Drita”. Redaksia qe në katin e sipërm të godinës që për shumë dekada dhe kohë qe edhe selia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Në atë kohë të tërë redaktorët rrinin bashkë në një sallë nëpër tavolinat e tyre dhe mua më kujtohen sidomos Thanas Binoja nga Gjirokastra i cili qe emëruar në të njëjtën kohë me mua tek Drita dhe poeti Viktor Qurku.

Unë vija në Tiranë nga Durrësi çdo ditë dhe kthehesha në mbrëmje.

Në Durrës kisha shtëpinë dhe familjen.

Në Tiranë ishte shumë e vështirë të gjeja strehim.qoftë edhe të përkohshëm.

Kështu që rrija shpesh mbasdite në redaksi për të lexuar ose për të shkruar diçka ndërkohë që redaktorët dhe gazetarët e tjerë, mbas mbarimit të orarit të punës largoheshin.

Gjatë një mbasditeje të tillë ra zilja e telefonit (e tërë redaksia kish vetëm një telefon).

E ngrita receptorin dhe dëgjova që më foli një zë duke më pyetur: “Gazeta Drita?”

“Po,” u përgjigja.

Ahere zëri vazhdoi. “Jam Ramiz Alia, po ju kush jeni”.

U përgjigja se jam një redaktor i gazetës.

Ahere Ramiz Alia pyeti nëse ishte në zyrën e tij kryeredaktori, Ibrahim Uruçi.

Unë e dija që nuk ishte dhe u përgjigja se jam krejt i vetëm në redaksi dhe nuk kishte njeri tjetër. Ahere Ramiz Alia, i cili qe një nga sekretarët e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, më tha mua që të lidhesha me kryeredaktorin dhe ai të përgatiste një shkrim për të nderuar aktorin gjeorgjian Akaki Horavën, i cili kishte luajtur rolin e Skënderbeut në filmin e njohur nga të gjithë, sepse ky aktor sapo kishte vdekur dhe për të duhej bërë patjetër një artikull përkujtimor dhe nderimi.

“Është porosi nga lart”, shtoi Ramiz Alia.

Ishte hera e parë që unë bisedoja, për më tepër nëpërmjet telefonit me një funksionar kaq të lartë politik.

Kaq ishte e gjitha çfarë u tha në këtë bisedë.

Unë mora në telefon pastaj Ibrahim Uruçin tek telefoni i tij i shtëpisë, dhe ia përcolla porosinë.

Kështu në numurin e së dielës të gazetës “Drita” u botua në një faqe edhe shkrimi për Akaki Horavën si dhe një fotografi e madhe që e tregonte atë në rolin e Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Kujtimi i dytë lidhet me muzikantin e madh Çesk Zadeja. Gjatë kohës kur isha student, por sidomos kur punoja tek Gazeta “Drita” unë krijova një njohje dhe miqësi krejt të veçantë me kompozitorin Çesk Zadeja.

Në bisedat me të unë flisja për muzikën por përgjithësisht në formë pyetjesh kureshtare, për t’a ngacmuar Çeskun i cili fliste në mënyrë të sinqertë duke i thënë fjalët disi me shpejtësi, por gjithmonë duke reflektuar një kulturë të madhe.

Çesku kishte studiuar për kompozim muzikor në Moskë.

Ai kishte njohur muzikantin e madh rus Shostakoviçin, por shpesh biseda vërtitej edhe rreth motiveve të Çesk Zadesë të muzikës së filmit “Skënderbeu”.

Gjatë persiatjeve dhe ligjërimeve të tij Çesk Zadeja më tregoi edhe këtë histori pak të çuditshme:

Një ditë vere, me një Diell përvëlues regjizori i filmit Sergei Jutkeviçi duke treguar një padurim të madh ndaj vapës së bashku me Çesk Zadenë shkuan nga Tiranë drejt plazhit të Durrësit.

Jutkeviçi i mbushur me djersë gati ngulçonte.

Vapa i dukej e tmerrshme dhe e papërballueshme dot.

Sapo mbërritën në plazhin e Durrësit, tek godina e Turizmit Jutkeviçi, siç ishte megjithë rroba ,u hodh menjëherë në ujin e detit për t’u freskuar.

Çesku u habit nga një gjest i tillë por për ta zbutur sadopak përshtypjen që shkaktonte futja në det e një njeriu me gjithë rrobat e tij, edhe Çesku u fut njëlloj si Jutkeviçi në det.

Jutkeviçi pasi u qetësua, duke fërkuar fytyrën dhe ballin me ujë e shikoi me ngulm Çeskun dhe i tha në mënyrë të papritur:

– Kur të vdesësh ti Çesk, në gurin tënd të varrit mos shëno asnjëherë emërin dhe mbiemrin, as vitin e lindjes dhe të vdekjes, por shëno patjetër notat muzikore të filmit për Skënderbeun.

Pikërisht prej tyre nuk do të harrohesh asnjëherë.

Çesku u trondit në fillim, aq më tepër që ai i përmëndi në kohën kur ai ishte shumë i ri pikërisht vdekjen e ardhëshme.

Por e mori me të qeshur këtë ngjarje e cila dukej gati groteske por në mënyrë absolute e papërsëritshme më.

Për mua kjo rrëfenjë e vogël kur e dëgjova nga Çesku më krijoi një simbolikë me një kuptim të habitshëm.

Çesk Zadeja ka vite që ka vdekur.

Në një ditar timin në vitin 1970, që e botova pjesërisht dhe në mënyrë të përzgjedhur në librin “Labaratori i ëndërrës” përmëndi edhe takimet me Çesk Zadenë sidhe bisedat e tij për muzikën moderne, madje dhe për muzikën dedakafonike, dymbëdhjetëtoneshe të Alfred Shënbergut, Alban Bergut etj.

Padyshim që Zadeja është muzikanti ynë më i shquar deri më sot, por në një kohë të demonizuar nga politika dhe marrëzitë, korrupsioni dhe banaliteti gati gati njeriu e ka të mjegullt vetëdijen, dhe duket sikur triumfon alibia për të mos e kujtuar dhe harruar edhe një artist të tillë të muzikës siç është Çesk Zadeja.

Por në të vërtetë muzika e Çesk Zadesë sa herë të dëgjohet është e tillë që na rrëmben dhe na koncentron në indet tona shekujt dhe lëvizjet e tyre dhe në rastin e muzikës për Skënderbeun ai është dhe do të mbetet një triumf i fshehtë por dhe gati sekret i një nderimi dhe i një moshumbjeje të qartësisë për vehten dhe identitetin tonë.

S’ka nevojë të pyesim si e ka emrin kompozitori i kësaj muzike, ndonëse që të gjithë e dinë se ajo qe e Çesk Zadesë dhe të përfytyrosh që epitati më i rëndësishëm madje dhe testamenti më i pashpërbërshëm dot mund të jenë notat e shkruara na pentagram të një muzike të pavdekshme.

Të dyja këto dy dëshmi të përmëndura më sipër unë i thashë në një sinkron, i xhiruar pikërisht për dokumentarin që Ylli Pepo ka kohë që po e trajton, po e bën, dhe mbase në këto momente e ka mbaruar për filmin e Gjergj Kastriot Skënderbeut 63 vjet më parë.


Moikom Zeqo