Krem
- Krem me gështenja
Përbërësit: 1 kg gështenja, 200 g sheqer, 2 dl krem qumështi i rrahur, 2 pako vanilje, kripë.
Përgatitja:Qëroni gështenjat dhe zjejini për 5 minuta. Kullojini hiquni lëkurën e hollë dhe zjejini përsëri për gjysëm ore në ujë të vluar lehtësisht të kripur. Ndërkohë përgatisni një sherbet duke bashkuar në një tenxhere 1/4 L ujë, sheqerin kokërr dhe vaniljen. Treteni sheqerin në zjarr të dobët për rreth 10 minuta. Kullojini dhe kalojini në mulli. Bashkojini puresë së formuar sherbetin, lëreni të ftohet. Shtoni kremin e qumështit , ndajeni nëpër tasa dhe mbajeni në një vend të freskët para se ta servirni në tavolinë.
- Krem me kafe
Përbërësit: Për 4 persona: 1 dl kafe e përgatitur e fortë, 6 të verdha veze, 60 g sheqer, 1 paketë vanilje, 1/5 L krem qumështi.
Përgatitja: Punojini të verdhat e vezëve me sheqerin dhe vaniljen. Shtojini masës kafenë e ftohtë dhe kremin e qumështit. Përzijeni mirë. Lagni një formë hidhni në të përgatesën dhe mbajeni në banjo-mari për rreth 1/4 e orës. Ftoheni dhe futeni në frigorifer.
- Krem portokall
Përbërësit: Për 6 persona: 1 portokall, 3 vezë, 160 g sheqer, 75 g miell misri, 7 dl qumësht.
Përgatitja: Shtrydhini portokallin, mblidheni lëngun në një tas, priteni lëkurën në rripa të hollë, vendosini në tenxhere me 1 lugë sheqer dhe lëreni të formojnë një masë të karameltë. Rrihni vezët me sheqerin e mbetur dhe miellin e misrit: kur përgatesa të jetë bërë e njëtrajtshme, hollojeni me qumështin e ngrohtë të hedhur ngadalë. Lëreni të trashet në zjarr të dobët duke e përzier. Shtojini kremit lëngun e portokalleve dhe pastaj ndajeni nëpër tasa individualë. Zbukurojini me lëkurëzat e sheqerosura dhe lërini të ftohen. Servirini me biskota të lehta.
- Krem limon
Përbërësit: Për 6 persona: 1/2 L qumësht, 100 g niseshte orizi, 4 vezë, 180 g sheqer, 20 g gjalp, 400 g krem qumështi e rrahur, 1 limon.
Përgatitja: Rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin. Treteni niseshten në qumësht të ftohtë dhe hidheni mbi masën e vezëve duke vazhduar ta trazoni. Vendoseni enën në zjarr të dobët. Sapo kremi fillon të marrë valë, shtoni lëngun e limonit të kulluar dhe lëreni të trashet. Hiqeni nga zjarri, shtoni gjalpin, lëreni të ftohet dhe hidhni kremin e qumështit. Ndajeni kremin nëpër tasa dhe spërkateni me lëkurën e grirë të limonit.
- Krem i djegur
Përbërësit: Për 4 persona: dl krem qumështi, 4 të verdha vezësh, 80 g sheqer.
Përgatitja: Hidhni të verdhat e vezëve në një tenxhere. Në një tenxhere tjetër jepini një valë kremit të qumështit dhe hidheni ngadalë mbi vezët duke i përzier me një rrahëse. Ngrohini përsëri pa i lënë të ziejnë. Sapo masa fillon të trashet duke veshur lugën, hiqeni nga zjarri dhe hidheni në 4 tasa që e durojnë nxehtësinë. Lëreni në frigorifer për disa orë. Dy orë para servirjes, spërkateni sipërfaqen e kremit me sheqerin dhe vendoseni nën zgarën e furrës të ngrohur në maksimum, lëreni të marrë ngjyrë karameli. Kur sipërfaqja të jetë kafe e ndritshme, hiqeni dhe servireni të vakët ose kur të jetë ftohur.
- Krem i djegur sipas mënyrës së vjetër
Përbërësit: Për 6 persona: 1/2 L qumësht, 1 dl krem qumësht, 4 të verdha veze, 85 g sheqer.
Përgatitja: Hidhni në një tenxhere qumështin dhe krem qumështin, jepini valë. Në një tenxhere tjetër rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të formohet një masë e fryrë. Hollojini duke hedhur qumështin e ngrohtë dhe duke vazhduar të trazoni. Vendoseni në zjarr në temperaturë të ulët dhe mbajeni gjithnjë duke e përzier, derisa kremi të veshë lugën. Hidheni në enë të gjërë dhe lëreni të ftohet në frigorifer disa orë. Kremi duhet të jetë shumë i ftohtë në momentin e përgatitjes së karamelit. Ngroheni në maksimum zgarën e furrës. Spërkateni sipërfaqen e rrethuar me kuba akulli. Le të formohet karameli. Mbajeni në frigorifer para servirjes.
- Krem me çaj
Përbërësit: Për 6 persona: 1/2 çaj i errët, 1/2 L krem qumështi, 60 g sheqer, 5 vezë, 1 ose 2 limona, sheqer pudër.
Përgatitja:Zijeni krem qumështin derisa të shterojë deri në gjysëm, shtoni sheqerin, çajin, 3 të verdha dhe 2 vezë të plota duke i rrahur mirë me rrahëse. Kalojeni masën në një kullesë me rrjeta fine. Hidheni në një formë dhe mbajeni në banjo-mari në 150°C për rreth 20 minuta, apo deri në momentin që nëse zhytni në krem një kunj të drunjtë e nxirrni të pastër. Përmbyseni në një pjatë servirjeje, zbukurojeni me feta limoni rreth e rrotull dhe spërkateni me sheqer pudër.
- Krem me luleshtrydhe
Përbërësit: Për 6 persona: 1.5 kg luleshtrydhe, 500 g sheqer, 750 g qumësht, 8 vezë, 120 g niseshte orizi.
Përgatitja: Rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të formohet një masë e fryrë. Shtoni niseshtenë dhe pastaj hidhni ngadalë qumështin e ftohtë. Mbajeni në zjarr të dobët duke vazhduar ta trazoni derisa kremi të trashet. Fruloni luleshtrydhet përzjejini me kremin duke e lënë enën mbi zjarr gjithnjë në flakë të ulët dhe kur kremi të jetë bërë homogjen hiqeni nga zjarri dhe hidheni në një tas të gjërë. Servireni të ftohtë.
- Krem i ngrirë pjepri
Përbërësit: Për 2 persona: 1 filxhan tul pjepri + lëng, 3 lugë mjaltë, 1 kuti kos 125g.
Përgatitja: Zgjidhni një pjepër të vogël të pjekur aq sa duhet. Priteni përgjysëm. Pastrojeni nga farat dhe fijet. Mblidhni tulin me një lugë dhe frulojeni. Hidheni masën e përfituar në një tas, shtoni mjaltin, provojeni dhe nëse ju duket e nevojshme ëmbëlsojeni më shumë. Përzijeni dhe shtoni kosin. Trazojini me kujdes dhe hidheni në një enë të cekët me formë drejtkëndëshe. Vendoseni në frigorifer për disa orë dhe hiqeni pak para servirjes. Përmbyseni formën në një pjatë dhe servireni kremin e ngrirë të prerë në feta. Zbukurojeni me sfera tuli pjepri të freskët.
- Krem Anglez
Përbërësit: Për 6 persona: 4 të verdha vezësh, 125 g sheqer, 1/2 litër qumësht, vanilje.
Përgatitja: Aromatizojeni qumështin me pak vanilje, zjejeni lehtë, hiqeni nga zjarri dhe mbajeni në të ngrohtë. Në një tenxhere rrihni të verdhat e vezëve me sheqerin derisa të përftohet një masë dense e homogjene. Hollojeni me qumështin e ngrohtë të hedhur ngadalë. Mbajeni në zjarr shumë të dobët duke vazhduar ta përzjeni derisa kremi të trashet, por pa arritur të marrë valë. Hiqeni nga zjarri dhe lëreni të vaket. Ky krem i shoqëruar me biskota të lehta mund të shërbehet i ftohtë si ëmbëlsirë. Ndërsa e ngrohtë apo e ftohtë përdoret si plotësues dhe mbushje për torta ose ëmbëlsira të tjera.
- Krem i përzier
Përbërësit: Për 6 persona: 120 g bajame të qëruara, 50 g amareta, 100 g sheqer, 4 vezë, një filxhan kafeje, 1/4 L krem qumësht.
Përgatitja: Rrihni vezët me sheqerin. Përvëloni bajamet në ujë të vluar, piqini në furrë pastaj grijini imët. Thërrmoni edhe amaretat. Shtojini të gjitha vezëve të rrahura. Hidhni kafenë duke e përzier mirë. Rrihni kremin e qumështit, shtojini gjysmën përgatesës, hidheni këtë në një tas kristali dhe zbukurojeni me kremin e qumështit të mbetur.
- Krem pastiçerie
Përbërësit: Për 4 persona: 4 të verdha veze, 100 g sheqer, 30 g miell, 1/2 L qumësht, vanilje ose lëvore limoni e grirë.
Përgatitja: Rrihni në një tenxhere të verdhat e vezëve me sheqerin duke përdorur një lugë druri. Shtoni pak nga pak miellin, pa pushuar së trazuari derisa masa të bëhet e njëllojtë. Hidhni pak nga pak , dhe gjithnjë duke e përzier, qumështin e nxehtë në të cilin kemi shtuar pak vanilje ose pak lëkurë limoni të grirë. Vendoseni në zjarr, vazhdoni të trazoni, le të zjejë për 3-4 minuta. Hidheni kremin në një enë dhe lëreni të ftohet duke e përzier herë pas here, që të mos formohet cipë në sipërfaqe. Kremi i pastiçerisë shërben për të mbushur ëmbëlsira dhe shumë torta të tjera. Mielli e bën më kosistent, por më pak delikat se kremi anglez.