Komiteti i Kosovës, gazeta “Populli” dhe Sali Nivica

Nga Wikibooks

Prof. Gazmend SHPUZA

Në mbarim të Luftës I Botërore në Shkodrën, e vendosur nën një administratë ushtarake ndërkombëtare, nga viset shqiptare u mblodhën mjaft atdhetarë, shumica prej Kosove. Ata nuk kishin arritur të kurorëzonin me sukses nismën e filluar në Durrës për konsolidimin e organizatës së porsakrijuar të quajtur “Krahu Kombëtar”. Ata iu bashkuan përpjekjeve të suksesshme të atdhetarëve kosovarë për legalizimin dhe organizimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (KMKK).

Synimet e veta të mirëfillta politike që i takonin perspektivës së çështjes kosovare që lindi me vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës më 1913, Komiteti KM i Kosovës dhe anëtari i kryesisë së tij ia nënshtruan nënshtroi pa asnjë mëdyshje interesave themelore urgjente të atdheut dhe të mbarë kombit shqiptar. Ish anëtarë të “Krahut Kombëtar” e gjetën veten pranë organizatës legale KMKK. Ndërsa Sali Nivica e Sejfi Vllamasi u angazhuan në organizimin e tij dhe u zgjodhën të kryesisë. Saliu vuri në dispozicion të tij projektin e vet për ribotimin e gazetës “Populli” dhe e shndërroi atë në organ të Komitetit.

Sali Nivica vitet e fundit të jetës i kaloi në Shkodër, në trevën ku bashkëfshatari i tij Hodo Nivica dhe labi tjetër Zenel Gjoleka luftuan dhe dhanë jetën për mbrojtjen e trojeve më veriore shqiptare prej sulmeve të shovinistëve fqinjë. Kauzën për sigurimin e tërësisë së trojeve shqiptare ai po e vijonte në kushte të reja. KMKK ideologjikisht dhe organizativisht përfaqësonte një repart të organizuar e të përparuar të Lëvizjes sonë Kombëtare, i vetmi brenda trojeve shqiptare. Në këto hulli ai luajti një rol shumë të rëndësishëm në organizimin e zhvillimin e lëvizjes nacionalçlirimtare antiimperialiste të viteve 1918-1920 në shkallë kombëtare, në momentet vendimtare për fatet e atdheut dhe të kombit tonë.


Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, gazeta “Populli” dhe labi Sali Nivica, qëndruan në ballë të përpjekjeve për përballimin e detyrave madhore që kishin dalë para Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në mbarim të Luftës së Parë Botërore.

Mbarë populli ynë po kalonte momente tejet të vështira dhe vendimtare për fatet e veta. E ardhmja, pavarësia, sovraniteti dhe tërësia tokësore e tij ishin vënë në pikëpyetje nga vendimet e fuqive të mëdha fituese të luftës për të venë në jetë nenet e Traktatit të Fshehtë Londrës të vitit 1915. Koha nuk priste. Detyrat kryesore që i vuri vetes Komiteti i Kosovës në “Programin themeltar” të tij, u shprehën qartë në gazetën “Populli”. Komiteti shpallte: “me i dalë zot vetësundimit (pavarësisë) e tanësisë tokësore të Shqipnisë”, si dhe “me përdorë çdo mjet për me librue (çliruar) Kosovën e Dibrën e çdo vend ku flitet shqip e me i bashkue nën sundim të Shqipnisë së lirë”, ndërsa “në politikë të brendshme me i dalë zot përparimit e bashkimit kombëtar”.

Gazeta në luftën për çlirim e bashkim kombëtar përçoi optimizmin që e karakterizonte Komitetin. Atë ajo e mbështeti me besim të plotë në forcat e popullit të vet, i cili “para çdo rreziku asht mësue me besue që Atdheu ka me shpëtue vetëm e vetëm nëpër vullnesë e fuqi të kombit”. Prandaj nëpër faqet e gazetës jehonte mbi gjthëshka thirrja: “Me i dal zot, me sa të na mërrin fuqia, flamurit, vetqeverimit e lirisë së tokavet të Shqipnisë si kah Gegnia, ashtu kah Toskënia”.

Gazeta nën drejtimin e S. Nivicës mbajti, në përgjithësi, një qëndrim shumë të drejtë ndaj problemeve më shqetësuese të kohës, duke i trajtuar ato me kompetencë, me zgjuarsi dhe me kurajo. Tematika e saj ngërthente probleme kyçe, të cilat kishin të bënin me sendërtimin e synimeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin: rrugët e shpëtimit të Shqipërisë; përcaktimi i rrezikut kryesor midis disa rreziqeve që kishin pllakosur vendin tonë, në raport dhe njëkohësisht me to, edhe përcaktimi i drejtimit kryesor të luftës së popullit tonë; bashkimi, mobilizimi dhe organizimi i tij në këtë luftë; demaskimi i politikës imperialiste të fuqive të mëdha dhe i demagogjisë së tyre, në mënyrë të veçantë, demaskimi i politikës italiane dhe asaj të monarkive shoviniste; nevoja e sigurimit jo vetëm të pavarësisë politike por edhe të asaj ekonomike të vendit, si edhe probleme të tjera.

Përballë qëndrimit, përgjithësisht, kapitullant dhe disfatist të elementëve të moderuar dhe sidomos të atyre reaksionarë që kaluan në pozitat e tradhtisë kombëtare Komiteti i Kosovës dhe organi i tij “Populli”, mbështetur në traditat historike të popullit shqiptar me optimizëm konsekuent deklaronin: “Shqipnia pa hall (pa tjetër) ka me u ba!”

Gazeta “Populli” në kundërshtim me mendime mosbesuese shprehej se vendi i kishte elementët e duhura për të organizuar administratën e vet dhe se Shqipëria e periudhës së pasluftës së parë botërore ishte, sipas saj, shumë më e përgatitur për një jetë shtetërore të pavarur sesa vendet e tjera ballkanike në kohën e formimit të shteteve të tyre. Përballë pikëpamjesh, të cilat koha i tregoi se ishin të gabuara, për të mos thënë dhe joatdhetare gazeta “Populli” arrinte sërishmi në konkluzionin kategorik, optimist dhe revolucionar, se “Shqipnia ka me u vënë e duhet të vihet në rregull vetëm prej nesh; … kjo punë ka me qenë e randë po shqiptarët do e barin… se kjo asht puna e jonë: se këtu e kështu asht shpëtimi ynë.” Kjo ide përshkon të gjitha faqet e gazetës “Populli”. Ajo kishte lindur dhe ishte ngulitur sigurisht jo aq lehtas tek përfaqësuesit më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si rezultat i revolucionit kombëtar të viteve 1909-1912. Vlen të theksohet, në radhë të parë, faktori i brendshëm, sepse në historiografinë tonë në të kaluarën jo të largët është mbivlerësuar sado pakuptueshëm për arsye politike, ndikimi i revolucionit rus të tetorit 1917, i cili nuk ka qenë, aso kohe, i pandjeshëm në botë.

Gazeta “Populli” e S. Nivicës qe në gjendje të çmonte realisht rëndësinë e botimit nga ana e qeverisë sovjetike të traktateve të fshehta që Rusia cariste kishte nënshkruar me fuqitë imperialiste aleate.

Megjithë frikën për fatet e pronës private, e cila po kërcënohej nga revolucioni Bolshevik, gazeta “Populli” e Sali Nivicës shprehte mirënjohjen për Rusinë Sovjetike dhe Leninin për botimin e Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915: “Kah semestri i pare i vitit 1918 i përmenduni Lenin qiti një hap guximi tue botue traktatin e mshehtë që u nënshkrue në Londër 1915…Pra hapi i Leninit vritte keq e telashi i Italisë nuk ishte i paarsyeshëm. Këtu mund të kërkohet shkaku që e shtyti Italinë me shpallë të famshin Proklamacion në Gjinokastër.”

Megjithëse njohja e shqiptarëve me përmbajtjen e Traktatit të Fshehtë të Londrës pati rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e shtetit shqiptar dhe tërësinë territoriale të tij, S. Nivica dhe bashkëpunëtorët e tij ngulnin këmbë, se “Shqipnia lirinë dhe pavarësinë e vet ia detyronte vullnetit dhe gjakut të bijve të saj të derdhur shekuj me rradhë”.


Gazeta “Populli” ngulte këmbë që për krijimin e Shqipërisë të mos mbështeteshin në fuqi të huaja, por në forcat e veta, se këto “sado të vogla e të pakta, ishin e vetmja forcë e besueshme e shqiptarëve”. Ideja e mbështetjes në fuqinë kombëtare dhe koncepti popull nuk ishin për gazetën “Populli” gjëra të përgjithshme, pa formë dhe përmbajtje të caktuar.

Gjergj Fishta në një letër që i dërgonte Vinçens Prennushit, më 20 prill 1920, nga Parisi përpiqej ta përligjte qëndrimin e tij politik të deriatëhershëm: “ishim thellësisht të bindur se Shqipëria nuk i kishte elementët e nevojshëm për t’u themeluar si shtet i pavarur…Unë nuk them që italianët do ta shpëtojnë, por them dhe pohoj se askush nuk do të mund ta humbasë Shqipërinë pa pëlqimin e qeverisë italiane. Kjo është teza ime dhe, mjerisht, faktet do të na japin të drejtë.”

Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria me ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma të përcaktojnë një formulë tjetër politike që t’i zërë vendin së parës. Të thuash se ne do ta formojmë Shqipërinë vetëm me forcat tona, është në mos tjetër marrëzi.” Në krye të këtyre të ashtuquajturve nacionalistë autori i letrës vendos, jo rastësisht, pikërisht atdhetarin Hoxha Kadrinë Prishtinën, kryetarin e KMKK-së.

Siç shihet, kemi një hendek të thellë midis qëndrimeve të Gj. Fishtës dhe bashkëmendimtarëve të tij dhë e qëndrimeve të Komitetit të Kosovës. E megjithatë është po ky patër Gjergj, i cili bën ndër vlerësimet më të larta për bashkëpunëtorin më të ngushtë të kryetarit të Komitetit të Kosovës. “Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujtë me e bremun kërkund”. Ky vlerësim realist rrjedh, për mendimin tim, prej një qëndrimi të thellë vetkritik.

Botuesit e gazetës “Populli” nuk i mbështetnin shpresat për fitoren e çështjes shqiptare në persona të veçantë të dalë nga aristokracia, në një njeri të vetëm “çfarë do me kenë randësia e madhnia e tij”, qoftë ky Esad pashë Toptani apo ndonjë tjetër si ky. Gazeta ngrihet me forcë kundër përfaqësuesve të kësaj rryme, të cilët kujtojnë ende që “Shqipnia asht nji çiflik, se kombi duhet të jetë, ka borxh me kenë çifçi, e me ecë mbas qejfit të tyne”.

Sali Nivica bën pjesë midis pendave të rralla të kohës dhe madje dhe të mëvonshme, i cili arriti të bënte një analizë të saktë të të ashtuqujaturit “vit i mbrapshtë”. Ai që në vitin 1915 te “Populli” i parë, në një cikël shkrimesh të titullur qartë “Essad Pasha, ehl-i kijam (populli kryengritës) dhe kombëtarët” argumentoi se kush ishin shkaktarët e rebelizmit. Në to bëri dallimin midis rebelëve të vërtetë, esadistë e turkomanë, dhe kryengritësve antiesadistë. Analizon drejtë regjimin e Vidit dhe rolin pak të thuhet kontradiktor të KKNK-së, duke mos lënë më një anë dhe përgjegjësinë e intelektualëve, pa përjashtuar as veten. Që në krye të ciklit të shkrimeve te sipërpërmendura del me konkluzionin se “shqiptari më i mirë” në gjithë atë “vit të mbrapshtë” ishin katundarët e Shqipërisë së Mesme.

Nisur nga premisa të tilla bashkëpunëtorët e gazetës shpëtimin e atdheut e shikonin vetëm në një lëvizje të bazuar në “themele demokratike tue iu pëshshtetë fuqisë sonë kombëtare, tui e adhurue popullin e tui e shtye atë me i besue vedit e kërkuj tjetër në kët dhe”. “Me kritikue popullin”, nënvizonte gazeta me këtë emër duke e përligjur plotësisht atë, nuk mund të jetë kurrësesi shfaqje apo shenjë e patriotizmit e aq më pak demokratizmi.

Përballë pikëpamjesh tërësisht nihiliste apo dhe qëndrimesh të rezervuara gazeta lëshonte thirrjen për të punuar “tui e adhurue popullin e tui e shtye atë me i besue vedit e kërkuj tjetër në kët dhe”. Në këtë vazhdë gazeta kërkonte nga intelektualët shqiptarë, që dijet dhe kulturën të cilën e kishin fituar nëpër shkolla ta venin në shërbim të lëvizjes kombëtare.

Gazeta “Populli”, duke patur besim në patriotizmin dhe shpirtin luftarak të popullit të vet, në përgjithësi, qëndroi në pozita revolucionare e antiimperialiste dhe u tregua optimiste për fatin e atdheut.

Pas publikimit të traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915, shqiptarët u bënë të vetëdijshëm,veç të tjerash, edhe mbi gjendjen e vërtetë të gjërave dhe të fakteve duke mprehur vigjilencën e tyre. Ata panë se ç’fshihej prapa “miqve” dhe “mikeshave” të Shqipërisë, siç shprehej gazeta “Populli” në artikullin e titulluar qartë dhe me kurajo “Çfarë mikeshë ka pasë Shqipnia!…”, duke pasë parasysh Italinë. Pikërisht këtë fakt rrethet filoitaliane nuk e kishin parasysh dhe kishte nga ata që as që donin ta konsideronin problem.

Qarqet sunduese greke dhe ato serbe, sipas gazetës, nuk ishin në atë moment edhe “aq armiq”, sa ç’mundohesh t’i paraqiste propoganda e imperialistëve italianë, për të argumentuar “bashkësinë e interesave” që ekzistonte, gjoja, aso kohe, midis Italisë dhe Shqipërisë. Në këto përfundime arrinte një organ shtypi i një organizate, e cila si synim final kishte çlirimin e tokave shqiptare të pushtuara nga shteti serbo-kroato-slloven i porsakrijuar në Versajë.

Duke pasur parasysh këtë situatë, gazeta “Populli” theksonte me forcë se shqiptarit “e mira dhe e liga” që mund t’i vinin, aso kohe, e kishin “çerdhen në Vlonë”. Ky ishte një përfundim shumë i drejt, i cili rridhte nga vetë kushtëzimet e Traktatit të Fshehtë të Londrës. Edhe në rastet kur rreziku grek apo jugosllav mbi Korçën e Gjirokastrën apo Shkodrën e krahinat e verilindjes dilte në plan të parë, patriotët e grumbulluar rreth gazetës “Populli” paralajmëronin që të mos largohej vëmendja nga rreziku kryesor, i cili siç qartësonte “Populli” përfaqësohej nga synimet grabitqare të imperializmit italian. Gazeta këmbëngulte “që çdo protestë shqiptare me një natyrë të tillë për pikë të nisuni duhet të ketë Vlonën…”.

Edhe politika e qarqeve sunduese të Athinës ndaj Shqipërisë së Jugut, që ajo e quante “Çështje e Vorio Epirit” nuk mbeti jashtë vëmendjes së redaktorëve të gazetës “Populli”. Gjendja këtu po bëhej edhe më e rëndë, për shkak të mundësisë së bashkëpunimit midis imperializmit italian dhe shovinizmit grek, të konkretizuar në marrëveshjen Titoni-Venizelos.


Qysh me formimin e tij, një vend shumë të rëndësishëm në veprimtarinë e Komitetit zuri lufta për t’i bashkuar me shtetin e lirë e sovran shqiptar, sipas parimit “një komb një shtet”, të gjitha tokat shqiptare që, si pasojë e traktateve të ndryshme të padrejta, kishin mbetur nën zgjedhën e monarkive fqinje. Për këtë qëllim ai iu drejtua edhe Konferencës së Paqes në Paris, por kërkesat e tij për të drejtat e shqiptarëve nuk pati kurrfarë jehone. Në tryezat e saj, nuk paten vend, megjithëse ishin shpallur me bujë “principet” uilsoniane të “autodeterminacionit’.

Në këtë vazhdë, bashkëpunëtorët e gazetës edhe kur u drejtoheshin me shpresë “principeve të Uilsonit”, deklaronin, jo pa të drejtë, se më parë do të mbështeteshin në forcat e veta e pastaj në këto parime. Ata e kishin të qartë se çështja shqiptare nuk gjente zgjidhje të plotë dhe, për më tepër, 14 pikat e presidentit amerikan nuk po përfilleshin nga aleatët evropianë.

“Nji konferencë për çudë, nji pështjellim qi nuk po din e nuk po don me marrë fund: Vetëm emni i sajë – shkruanin nëpër faqet e gazetës “Populli”, – flet për paqë; krejt puna po rriedhë me pregatitë nji shesh luftash e ngatrresash të pakufishme”. Një vlerësim realist e largpamës për vërtetimin e të cilit nuk u deshën më shumë se dy dhjetëvjeçarë për ta dëshmuar. Gazeta krijoi bindjen se “principet e lirisë, autodeterminationat, të shqimunit e imperializmit të shpalluna me aq bujë”, nuk ishin gjë tjetër veçse “prralla e dokrra të hijëshme, andrra t’errta për t’pafuqishmit”.

Organizata Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, e cila më përpara kishte hedhur parullën për organizimin dhe ripërtritjen e Lidhjes së Prizrenit, si organin më të përshtatshëm për të mobilizuar vrullin patriotik e antiimperialist të masave popullore, tashti, pas vendimit të fundit të fuqive të mëdha për copëtimin e mëtejshëm, pothuajse të plotë, të Shqipërisë hodhi parullën “Atdheu në rrezik!”. Gazeta “Populli” shkruante: “Shqipëtarët luftuan e po luftojnë rreptësisht e pa pikë kursimi në Vlonë pse iu ka mbushë mendja ngultas qi fati i tij lidhet me atë të Vlonës”.

Gazeta si organ i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dha një kontribut të rëndësishëm jo vetëm në organizimin e Kongresit të Lushnjës, por edhe në përkrahjen e mbështetjen e qeverisë kombëtare të dalë prej tij. Udhëheqësit e Komitetit të Kosovës, një pjesë e mirë e të cilëve në periudhën pasardhëse u vunë në krye të lëvizjes demokratike shqiptare, duke i qëndruar besnik vijës atdhetare dhe demokratike të ndjekur deri në atë kohë, kërkonin që të dënoheshin shkaktarët dhe organizatorët e vërtetë të kësaj lëvizjeje tradhëtare, pavarësisht se çfarë “shkalle a shpije” i përkisnin. Duke parë listën e të dënuarve nga gjyqi politik i Tiranës, i cili shqyrtoi veprimtarinë tradhtare të esadistëve, gazeta vërente se në të “nuk jena tue i pa hala organizatorët e vërtetë të lëvizjes tradhëtare. Besojmë se për së afërmi gjithkush ka me u bindë qi nuk kanë me kenë vetëm katundarët që do t’i paguejnë gjynahet”.

Kështu, gazeta “Populli”, si shprehëse e ideve dhe mendimeve të anëtarëve të organizatës Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, u bë një nga përfaqësueset më të denja të rrymës së vendosur patriotike të Lëvizjes sonë Kombëtare me prirje të theksuara antiimperialiste dhe demokratike. Në ato ditë të vështira dhe vendimtare për fatet e Shqipërisë, ajo dha një kontribut të rëndësishëm për sqarimin e opinionit publik, për demaskimin e politikës antishqiptare të fuqive imperialiste dhe, në radhë të parë, të Italisë dhe të fuqive shoviniste fqinje, si dhe në demaskimin e veprimtarisë kapitullante të qeverisë së Durrësit dhe qëndrimin tradhtar të disa prej anëtareve të saj Ajo kontribuoi në mobilizimin luftarak të popullit shqiptar për të kapërcyer të gjitha rreziqet që kishte përpara.

Duke pasur besim dhe duke u mbështetur në vrullin patriotik, në pjekurinë politike dhe në fuqinë e masave popullore, gazeta “Populli” përfaqëson atë rrymë, e cila me veprimtarinë e vet bëri të mundur mbledhjen dhe përfundimin me sukses të Kongresit të Lushnjës dhe fitoren e madhe në Luftën e Vlorës dhe më pas në Luftën e Dibrës dhe në Luftën e Koplikut. “Populli” qëndroi në pararojë të kësaj rryme.

Siç del qartë, gazeta “Populli” si zëdhënëse e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” detyrën për çlirimin e Kosovës e të tokave të tjera që ishin shkëputur padrejtësisht nga trungu i Shqipërisë, nuk e pa, çka vlen të ritheksohet, të veçuar nga lufta për sigurimin, në radhë të parë, të pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Madje, Komiteti i Kosovës dhe më tej këtë luftë nuk do ta shihte të veçuar nga përpjekjet këmbëngulëse për forcimin e demokratizimin e Shqipërisë së pavarur. Anëtarët dhe aktivistët e këtij Komiteti qëndruan përkrah forcave demokratike kundër reaksionit feudal vendës.

Gazeta “Populli” e drejtuar nga Kryesia e KMMK-s personalisht nga Sali Nivica përfaqëson një nga faqet më të shkëlqyera të publicistikës shqiptare dhe të mendimit politik shoqëror shqiptar jo vetëm të kohës së vet. Shumë probleme të trajtuara ne faqet e saj dhe sidomos mprehtësia dhe thellësia –


Në faqet e gazetës “Populli”, më 1919-1920, u shpalosen mjaft mendime vërtetësia e të cilëve u provua nga zhvillimi i ngjarjeve në vendin tonë në vitin 1920 dhe më pas. Për më tepër, atëherë janë hedhur dhe argumentuar edhe mendime të cilat e ruajnë aktualitetin e tyre edhe sot e kësaj dite.

Mesazhet që përcjell veprimtaria shkencore kushtuar 100-vjetorit të krijimit të KMKK në kuadër të Vitit ndërkombëtar të Skënderbeut, e zhvilluar në fillim të muajit maj, mbeten aktuale. Rezultatet e saj janë dhe një peng nderimi jo vetëm për drejtuesit e KNKK, për anëtarët dhe veprimtarët e tij si dhe për të gjithë ata që punuan dhe luftuan e madje dhanë dhe jetën në luftë për kauzën e shenjtë të Komitetit të Kosovës deri në ditët tona.

Trajtimi i veprimtarisë shkencore kushtuar KMKK në Kosovë për arsyet plotësisht të kuptueshme ka qenë temë tabu. Por nuk mund të pajtohesh me ndonjë pohim, i cili ia vleka edhe për t’u theksuar, se edhe në Shqipërinë e kufijve administrativë, kjo teme paska qene e ndaluar deri më 1990. Kjo temë ka zënë vend në Historinë Shqipërisë që më 1965. Për të ka folur lirshëm në sesionin shkencor kushtuar 50-vjetorit të Kongresit të Lushnjës i paharruari prof. Zekerja Rexha. Më 1988 u bë një sesion i posaçëm në Shkodër me rastin e 70-vjetorit nuk erdhën studiues nga Kosova. Punimet e tij patën jehonë të dukshme në shtypin monist dhe në televizionin e vetëm të kohës dhe kumtesat u botuan në revistën “Studime Historike”.

Ndërsa në Konferencën e fundit nuk pati asnjë kamera, as në shtypin e përditshëm nuk pati asnjë njoftim. As nga organet shtetërore të paktën ata kulturore, as nga ata partiake nuk pati pati ndonjë përfaqësues.

Për përcjelljen e mesazheve të historisë mediet dhe shtypi periodike mund të bëjnë shumë më tepër dhe shumë më mirë. Kapja e tyre pas sensacioneve dhe të lidhur vetëm pas burimeve të dorës së dytë ka ecur shpesh në kurriz të së vërtetës historike me pretekstin për të dhënë një histori ndryshe. Edhe vrasja e Sali Nivicës të cilin Shkodra e përcolli si rrallë kend deri në atë kohë, ka pësuar këtë fat.

Në ditët tona mbështetur në ndonjë pohim, të bashkëluftëtarit të Saliut kolonjarit Sejfi Vllamasi, të pretenduar se qëndroka më afër së vërtetës, ritheksohet me shumë force se vrasja e Salih Nivicës “më tepër se një krim politik, ishte një vrasje ordinere”. (?!). Kjo “dëshmi” shkëputet nga vlerësimi qe autori i kujtimeve i bën shokut të vet të paharruar. Ia vlen të citohet i plotë ai: “Populli i Shkodrës, i pikëlluar në kulm, ditën e varrimit mbylli dyqanet e qytetit. Me mijëra persona vizituan trupin e tij në qendrën e Komitetit të Kosovës dhe e përcollën deri në banesën e fundit. Italianët u gëzuan nga zhdukja e një armiku të pamëshirshme me gazetën: “Populli”. S. Vllamasi, në kundërshtim të plotë me vetveten, gabon kur pohon se vrasja e Sali Nivicës na ishte një vrasje ordinere. Porse nuk i lejon vetes té gabojë, kur konkludonte, përsëri në kundërshtim me vetveten, se ajo vrasje kishte “dëmtuar shumë politikisht”. Anëtarit të KMKK-së edhe pas afro 70 vjetësh, kur shkroi kujtimet veta, ndonjë luhatje e vogël e kujtesës, nuk ia ka cenuar fare vlerësimin për Saliun.

Këto shënime për anëtarin e Kryesisë së Komitetit Mbrojtja e Kosovës labin Sali Nivica, menduam t’i mbyllim me vlerësimin e lartë të atdhetarit shkodran Luigj Gurakuqi, i cili e quante “intelektuali ma i aftë dhe ma konsekuent i kohës”.