Jump to content

Kolonizimi Serb i Kosovës/11

Nga Wikibooks

KOLONIZIMI SLLAV GJATË JUGOSLLAVISË SOCIALISTE: Planet për zbatimin e kolonizimit


Faqe 10
faqe
- 11 -

Faqe 12
Qëndrimi i Serbisë ndaj kolonizimit të Kosovës dhe ndërrimit të strukturës etnike të saj nuk ndryshoi as pas dëbimit të pushtuesve gjermanë. Për zbatimin e projekteve të njohura antishqiptare, udhëheqja jugosllave përdori po ato mjete dhe metoda, që ishin përdorur edhe përpara luftës. Ndryshonin vetëm pretekstet. Përpara vitit 1941, shqiptarët u trajtuan si të huaj e të rrezikshëm për ekzistencën e shtetit jugosllav. Pas luftës kjo politikë e këto masa u justifikuan e u paraqitën si veprime që drejtoheshin kundër “shqiptarëve reaksionarë”, kundërrevolucionar”, “bashkëpunëtorë të okupatorit” e “banditë” etj.


Përpjekjet për spastrimin etnik të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, së pari filluan në zonat periferike, por shpejt u shtrinë në mbarë trevat shqiptare. Në operacionet e tilla të organizuara morën pjesë disa divizione me një efektiv prej 40.000 vetash.[1] Menjëherë u hap çështja e kthimit të kolonëve. Këto veprime luftarake, veç formave të tjera, u shoqëruan me projektin e ri antishqiptar të Vasa Çubrilloviqit “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”, datë 3 nëntor 1944. Çubrilloviqi, në projektin e tij, në fillim pranon faktin se serbët, pas Luftës së Parë Botërore, përkatësisht pas formimit të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (Jugosllavisë) me 1918, fituan një pjesë të territoreve me popullsi të huaj, të cilat u bënë rrezik për Jugosllavinë, jo për shkak të kundërpeshës së tyre ndaj popujve sllavë, por për shkak të trevave ku jetojnë dhe të vazhdimësisë gjeografike që kanë këto treva me vendet e tyre amë.[2] Ai në mes tjerasht thekson: “Shqiptarët duhet akuzuar për bashkëpunëtorë të okupatorit dhe satelitëve të tij. Në bazë të asaj akuze, një pjesë të shqiptarëve duhet thjesht shpërngulur (dëbuar), një pjesë duhet transferuar në brendi të vendit që ata përgjithmon aty do të humbin, sepse atje nëpërmjet të “integrimit” ata do të bëhen ata çka nuk janë, ku nëpërmjet të fejës gradualisht do të serbizohen”. Në anën tjetër, thekson më tutje Qubrilloviqi, “pronat shqiptare duhet t’i marrin kolonët”.[3]

V. Çubrilloviqi, para udhëheqjes më të lartë të LNÇJ e të UNÇJ, i propozon shpërnguljen masive të miliona njerëzve, sepse, sipas tij, “zgjidhja e vetme dhe e drejtë e kësaj çështjeje është shpërngulja e këtyre pakicave”. Mbështetje dhe shembull për një veprim të tillë ai merrte veprimet e Rajhut të Tretë dhe dëbimet e kolonizimet e shumë popujve në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet tjera evropiane. Autori i projektit parashihte edhe hollësi për realizimin e këtij projekti. Për sendërtimin e projektit, V. Çubrilloviqi parashihte edhe kohën, mjetet dhe mënyrat e veprimit. Sipas tij, koha më e përshtatshme për shpërnguljen efikase ishte lufta, pra shpërngulja më e suksesshme ishte shfarosja fizike dhe e plotë e njerëzve. Rol vendimtar, sipas Çubrilloviqit, kishte ushtria, prandaj ai propozonte që në Shtabin e UNÇJ të formohej një seksion i posaçëm për këtë çështje. Në rast se nuk arrihej shfarosja e plotë fizike, ai parashihte edhe masa tjera, siç ishte mohimi i të gjitha të drejtave, krijimi i kampeve të përqendrimit, plaçkitja e pronave, shfarosja e intelegjencies dhe e shtresave të pasura shoqërore dhe pastaj kolonizimi i menjëhershëm i viseve me elementin sllav.[4] Për këtë qëllim, ai propozonte formimin e një ministrie të veçantë, apo së paku, një komisariat në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Pastaj, që bartësit kryesorë të misionit të bëheshin këshillat nacionalçlirimtare, prej instancave më të ulëta deri tek ato më të larta, ndërsa kolonët të zgjidheshin nga radhët e luftëtarëve më të dëshmuar dhe, sipas mundësive, serbë e malazezë që më parë nuk ishin kolonizuar. Për bartësit e këtij misioni, sipas tij, duheshin siguruar rroga të larta, poste dhe status më të privilegjuar në shoqëri.


Në mes tjerash ai propozon: “Ushtria në kohën e opercioneve luftarake, duhet t’i spastrojë me plan dhe në mënyrë të pamëshirshme... ato vise që dëshirojmë t’i kolonizojmë me elementin tonë kombëtar....” “Ne duhet t’i përzëmë të gjitha pakicat nga tokat tona. Për këtë duhet punuar. Gjithë këtë që e them për Vojvodinë, Sllavoni, Serbi të Vjetër (Kosovë) dhe Maqedoni, ky është minimumi që duhet të arrihet nëse duam t’i sigurojmë për të ardhmen vetës pronën e atyre tokave”... “Tash për tash po theksoj vetëm se gjermanët duhet të spastrohen patjetër nga Vojvodina, kurse shqiptarët nga Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe Pollogu....”; “Çfarë mund të them së pari: luftërat japin mundësitë më të mëdha për zgjidhjen e këtyre problemeve. Ato si tufan, duke kaluar nëpër shtete, nxjerrin me rrënjë popuj. Atë që duhet bërë me dhjetëvjetësh e shekuj, gjatë luftës bëhet për ndonjë muaj apo ndonjë vit”. “Duhet bërë plane detaje, se cilat fshatra dhe cilat rrethe në Serbi të Vjetër dhe në Maqedoni duhet të spastrohen, dhe në bazë të atij plani duhet vepruar....”. “Përpos spastrimit nga ana e ushtrisë gjatë operacioneve, duhet përdorur edhe mjete të tjera që pakicat kombëtare të detyrohen të shpërngulen. Para së gjithash, për shkak të qëndrimit të tyre në këtë luftë, minoriteveve duhet t’u merren të gjitha të drejtat. Duhet të nxirren pamëshirshëm para gjykatës së luftës të gjithë ata anëtarë të pakicave kombëtare që në çfarëdo mënyre kanë qenë në shërbim të okupatorëve. Për këtë duhet të formohen kampet e përqëndrimit, pasuritë e tyre duhet t’u konfiskohen, familjet duhet t’u dërgohen në kampe dhe në rastin e parë të dëbohen”.[5]

Me planin terrorist të Çubrilloviçit parashihej amnestia e përgjithshme e çetnikëve, që u bë nga Kryesia e AVNOJ-it më 21.XI.1944. Pas amnestisë, formacione të tëra çetnikësh u transferuan në Kosovë për të realizuar planin e Çubrilloviqit. Për t’i pasur duart të lira në zbatimin e terrorit dhe të gjenocidit mbi popullin shqiptar, udhëheqja jugosllave mobilizoi me dhunë forcën më vitale të shqiptarëve. Shqiptarët e moshës madhore u mobilizuan me dhunë në formacionet ushtarake dhe u dërguan në Srem të Vojvodinës, në Bosnje e në Kroaci. Të rinjtë shqiptarë u nisën në front pa armë. Në rrugë për në Tivar u vranë me dhjetëra shqiptarë të mobilizuar në Ushtrinë Jugosllave, kurse në Tivar të Malit të Zi vetëm brenda një nate u vranë dhe u masakruan nga trupat përcjellëse serbe rreth 1500 shqiptarë të mobilizuar.[6] Si rrallë ndonjëherë në histori, vetë komandantët, pa asnjë shkas, kishin urdhëruar të hapet zjarr ndaj ushtarëve të tyre - vetëm pse ishin shqiptarë. E vrasja e të rinjve shqiptarë të mobilizuar vazhdoi edhe më tej në “udhëtimin” e tyre në “front”, kështu që as sot e kësaj dite nuk dihet numri i saktë i atyre që janë ekzekutuar nga ushtria jugosllave ose që vërtet janë vrarë si “mish për topa” në ndonjë front. Sepse, ishte ky edhe motiv për ndjelljen e frikës e të pasigurisë në tërë popullsinë shqiptare, që kishte mbetur në Jugosllavi.


Shtabi Suprem i Luftës Nacional-çlirimtare dhe armata jugosllave, që në muajin gusht 1944 iu kishte drejtuar popullit shqiptarë në Kosovë dhe me gjerë me këtë porosi kërcënuese: “Ju shqiptarët, bashkë me pushtuesit fashistë, çuat dorë kundër popujve fqinjë dhe u turpëruat keq … Nga sjellja e tillë deri më tash ju nuk keni ftuar të drejtën të jetoni vëllazërisht dhe të barabart më popujt e tjerë të Jugoslavisë”. Me shkuarjen nga Kosova të luftetarëve dhe rekrutëve shqiptarë dhe me ardhjen e njësive ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase, në Kosovë u ndryshua përbërja e forcave ushtarake në dobi të elementit serb. Që atëherë filluan aksionet e këtyre njësive ushtarake për pastrimin e Kosovës nga “bandat shqiptare”. Në të vërtetë, këtu ishte fjala për hakmarrje kundër popullit shqiptarë, për shkak se gjatë luftës nuk kishte lejuar depërtimin e forcave çetnike në Kosovë.[7]

Edhe pse Jugosllavia në mënyrë publike pas vitit 1944 ishte deklaruar për “barazi të përgjithshme dhe lirinë e të gjithë qytetarëve”, politika serbomadhe ka shkuar disa hapa më tutje në aspektin e programimit të shfarosjes së popullit shqiptarë. Një program të ri të tillë kundër shqiptarëve me titull “Tajni cirkular za istrebljavanje svih albanaca Kosova 5.II.1945” (Qarkorja serkete për shfarosjen e tërë shqiptarëve të Kosovës më 5.II 1945), e kishte shkruar një mësues nga Vushtrria. Edhe ky program, sikurse të tjerët nuk kishte risi në aspektin e metodave dhe mënyës së shfarosjes së shqiptarëve, nga programet tjera.[8]

Para ardhjes së njësive ushtarake nga territoret fqinje, hakmarrjen e kishte filluar OZN-a, si dhe disa njësi kosovare nën komanden e komunistëve serbë e malazez. OZN-a filloi me likuidimin e njerëzve që gëzonin autoritet të cilët nuk ishin nën armë, por ishin njerëz kryesisht të nderuar. Kjo bëhej me qëllim të lënies së popullit shqiptarë pa njerëz që mund t’i pritnin atij. Njerëzit merreshin nga shtëpia, kryesisht natën, dhe dërgoheshin në burgje dhe atje pas “marrjes në pyetje” vriteshin të shumtën e herës me armë të ftohta. Familjeve të të vrarëve nuk u kumtohej asnjëherë për fatin e tyre dhe as që u dihen varret e sot e kësaj dite. Me ligjin për amnistinë, të datës 20 tetor 1944, pjesëmarrësitë e njësive çetnike të Drazha Mihajloviq, kriminelët e të gjitha ngjyrave, jo vetëm që u amnistuan, por atyre u jepej edhe mundësia për t’u futur në aradha partizane, dhe ashtu si më parë me kokardën çetnike, tani me yllin pesëcepësh të vrisnin “kundërevolucionarët shqiptarë”.[9]


Në rrethana të tilla shfarosëse shqiptarët organizuan rezistencën e armatosur për t’u mbrojtur nga terrori dhe për të kundërshtar riokupimin e viseve të tyre nga komunistët serbë. Për të thyer rezistencën e fuqishme demokratike e liridashëse, si dhe për të justifikuar zbatimin e mëtejshëm të gjenocidit, me 8 shkurt 1945, në Kosovë u vendos administrimi ushtarak, me arsyetimin për ta normalizuar gjendjen. Tani, vazhdimi i terrorit dhe krimit mbi popullatën shqiptare u legjitimua edhe zyrtarisht. Pushteti ushtarak, që iu imponua popullit shqiptar të Kosovës, nuk ishte formë e panjohur represioni, gjenocidi e terrori ndaj shqiptarëve, sepse pushtuesit jugosllavë e kishin zbatuar atë edhe më parë. Kështu kishte ndodhur sa herë që trupat serbe, malazeze apo jugosllave kishin pushtuar e ripushtuar viset shqiptare. Në vitin 1913, në viset shqiptare, që iu aneksuan Serbisë, organizimi i pushtetit iu ngarkua ushtrisë dhe administratës ushtarake.[10] Kjo u bë në bazë të propozimit të Komandës së Zonës III të Armatës, datë 12.XII.1912. Në këto treva, Komanda Supreme e Ushtrisë serbe e drejtonte vendin nëpërmjet organeve të sistemit ushtarak e policor.[11] Në vjeshtë të vitit 1918, krahas ripushtimit të Kosovës dhe të viseve të tjera etnike shqiptare u vendos diktatura ushtarake-policore e gërshetuar me pushtetin civil serb, i cili ushtroi gjenocidin shfarosës mbi popullin shqiptar. Në trevat shqiptare nuk vlente kurrfarë legjislacioni, “rregullin” dhe “qetësinë” e siguronte ushtria serbo-jugosllave me ndihmën e aparatit policor.[12] Administrimi Ushtarak, që u vendos në Kosovë në vitin 1945, të cilit iu besua udhëheqja ushtarake e pushtetit civil dhe gjyqësor “deri në rregullimin e rrethanave”, përkatësisht deri në aneksimin e saj nga Serbia.


Në korrik të vitit 1945, në një kuvend të organizuar në Prizren, Kosovës, në vend të pavarësisë, përkatësisht të bashkimit me Shqipërinë, iu njoh vetëm autonomia e kufizuar në kuadër të Serbisë dhe Jugosllavisë dhe iu caktuan kufijtë e sotëm. Trojet Shqiptare u copëtuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Duhet shtuar se gjatë luftimeve kundër forcave ushtarake gjermane dhe italiane në Kosovë u vranë reth 6.100 vetë, nga të cilët, pothuajse tërësisht ishin shqiptarë.


Për t’i mashtruar disa qarqe të brendshme përparimtare e internacionaliste dhe mbarë opinioni ndërkombëtar, serbomëdhenjtë, me ndikim të dukshëm në mbarë Jugosllavinë, emërtimit Ministria e Kolonizimit i shtuan atributin sintagmor reformë agrare, kështu që kjo ministri më vonë do të quhet Ministria e Reformës Agrare dhe e Kolonizimit. Se kjo ministri nuk kishte kurrfarë karakteri agrar dhe nuk punonte fare për ndonjë reformë agrare shihet edhe nga fakti se kjo “reformë” dhe ky kolonizim u zbatua vetëm në Vojvodinë, në Kosovë e në Maqedoni, pra në territoret ku jetonin kryesisht nacionaliteti shqiptar, hungarez, gjerman, maqedonas etj. Po këtë konstatim e vërteton edhe e dhëna se revizioni i reformës agrare u bë mbështetur në Dekretin jugosllav dhe në “Ligjin për revizionin e ndarjes së tokave kolonëve dhe të interesuarve të tjerë agrarë në Maqedoni dhe në Kosovë e Metohi” me 5 nëntor 1945.[13]


Rikolonizimi - kthimi i kolonëve në Kosovë

Çështjen e rikolonizimit dhe kinse të reformës agrare në Kosovë në muajt e parë të vitit 1945, Serbia nuk e aktualizoi, përkundrazi Drejtoria e Punëve të Brendshme të Jugosllavisë Fedrative Demokratike me vendimin e datës 5 mars 1945, përkohësisht ua ndalonte kthyerjen e kolonëve në vendet e vendosura gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave botërore.[14] Kjo e bëri atë, jo pse ajo nga ky synim kishte hequr dorë, por nga se në këtë kohë në Kosovë zhvilloheshin luftëra të rrepta, sepse shqiptarët nuk pajtoheshin me ripushtimin dhe ngase pozita e Kosovës ende nuk ishte e qartë. Mirëpo, edhe përkundër kësaj ishte marrë Direktiva e Politbyros së KQ PKJ e datës 1 prill 1945 për kthyerjen e të gjithë kolonëve në Kosovë (përkundër qëndrimit të 5 marsit 1945). Pasi kundërvënia e shqiptarëve u shua me gjak dhe deri diku u ndriçua pozita e Kosovës, çështja e kolonizimit të Kosovës në mbledhjen prej 6-8 shtatorit 1945 të Këshillit agrar u fut në procedurë të shpejtuar, duke sqaruar se Kosova futet në kuotën e Serbisë dhe se në këtë krahinë me kolonizim e reformë agrare do të përfshihen 28.750 hektarë ose 50.000 jutë.[15] Po në këtë mbledhje u miratua Ligji për revizionin e reformës agrare për Maqedoni dhe Kosovë e Metohi.[16]

Në kohën kur në qarqet jugosllave heshtej çështja e reformës agrare dhe e kolonizimit, në Kosovë dhe në Serbi zhvillohej veprimtaria e madhe e përgatitjeve për kolonizimin e serishëm të Kosovës. Këtë konstatim e vërtetojnë depeshat e shumta të kolonëve dhe autoriteteve serbe, që ua dërguan Këshillit Agrar me kërkesa që edhe në këtë krahinë të fillojë kolonizimi dhe reforma agrare, të cilat u shqyrtuan në mbledhjen e 5 tetorit të vitit 1945. Po të kësaj fryme ishin vendimet e Këshillit Agrar të mbedhjes së tij më 16 tetor 1945. Në këtë mbledhje, veç të tjerash, u vendos që kolonët serbo-malazezë të vendosur në Vojvodinë të kthehen në Kosovë, ndërsa “kolonët” e Shqipërisë sa më parë të shpërngulën nga Kosova. Veprimtaria e organizuar mirë në Kosovë për kolonizimin e saj u hetua edhe në Këshillin Agrar të Ministrisë së Kolonizimit. Në mbledhjen e këtij këshilli me 7 dhjetor 1945, veç të tjerash, u trajtua çështja e zbatimit të Ligjit të revizionit dhe të ndarjes së tokave në Kosovë dhe për referim sa më të shpejtë u autorizua njëri nga ministrat e kësaj ministrie. Veç kësaj për sendërtimin e këtij qëllimi ky këshill, në mbledhjen e njëjtë, kolonëve të Kosovës ua ndau 5.000.000 dinarë, që për atë kohë paraqiste një shumë të madhe të hollash.[17]


Veprimet e organizuara në të gjitha shkallët për kolonizimin e Kosovës gjatë vitit 1946, veçanërisht pas angazhimit të madh të Serbisë, nuk mbetën shterpë. Qysh në fillim të vitit 1946 u përgatitën të dhënat për kolonët e interesuar të rretheve të ndryshme të Kosovës, të cilët kërkesat e tyre ua kishin dërguar “Komisionit agrar të Kosmetit”, Komisionit të revizionit agrar dhe Ministrisë për kolonizim. Kërkesat e tyre ishin shqyrtuar dhe pothuajse për të gjithë ishin miratuar vendimet përkatëse nga organet kompetente. Ndërkohë në terren vepronin komisionet kolonizuese agrare në punën e të cilëve pati shumë vërejtje dhe ankime në organet e shkallëve të ndryshme. Punë të vështirë patën veçanërisht organet të cilat duhej të vendosnin për pasurinë e patundshme, tokës dhe shtëpive për banim. Një punë e tillë “bëhej më e vështirë”, veçanërisht kur kontestet ishin serbo-malazeze - shqiptare. Në të vërtetë në kohën e kolonizimit pas Luftës së Parë Botërore ndaj shqiptarëve u bënë aq lëshime sa asnjë komision në çfarëdo përbërjeje qoftë në rrethana të reja nuk mund t’i kapërcente këto padrejtësi. Mirëpo, në këtë kohë kishte kundërshtime të mëdha rreth korrigjimeve të këtyre padrejtësive. Veç kësaj, për një veprim të tillë nuk u treguan të interesuara as organet e atëhershme krahinore e republikane dhe as organet fedrative. Për këtë arsye shumica absolute e pasurive të patundshme gjatë punës së komisioneve nuk preken fare (të 1.515 familjeve), apo u preken vetëm pjesërisht (1.253), ndërsa vetëm disa kolonëve iu mor toka e tërë (445), që kurrsesi nuk mund t’u takonte as me këto ligje diskriminuese. Shumë më lehtë e kishin organet e angazhuara për rikthimin e kolonëve dhe vendosjen e kolonëve të rinj. Për rikthim të kolonëve duhej vetëm angazhim i veçantë në aspektin organizativ-administrativ për grumbullimin e të dhënave dhe popullarizimin e krijimit të gjendjes së re në Kosovë. Këto organe u angazhuan mjaft, madje, edhe në bindjen e kolonistëve që të ktheheshin në Kosovë, që ishin vendosur në Vojvodinën e pasur e të cilët ishin të sigurt për ardhmërinë e tyre. Mirëpo, kolonizimi i Kosovës me të interesuar të rinj bëhej shumë më lehtë. Ata vendoseshin kryesisht në pronat shoqërore e të interesuarit për kolonizim ishin thuajse të gjithë nëpunës e punëtorë.[18]

Duke u bazuar në shënimet statistikore, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kishin mbetur 3.150 familje të cilat ishin kolonizua në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore. Ishte e dukshme edhe dukuria e kthimit të kolonëve para fundit të kësaj lufte (5.545 familje), përkrah numrit të madh të kolonëve që u shpërngulën nga Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore (7.397 familje). Mjaft kolonë, edhe pse nga Komisioni revizor fituan vendimet e rikolonizimit, nuk u kthyen në Kosovë deri me 11 korrik 1947 (2.471 familje të kolonizuara). Kolonët e tillë, kishin vendosur të jetonin në Vojvodinë apo gjetkë, ku perspektiva e jetës së tyre ishte më e dukshme. Duhet shtuar se në katër rrethet e Kosovës (Pejë, Vushtrri, Llap dhe Gjilan) deri në kohën e përmendur u kthyen më shumë kolonë sesa ishin shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Marrë në përgjithësi nga të gjithë kolonët e shpërngulur gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u kthyen sërish në Kosovë më tepër se 1.500 familje apo afër 7.500 veta, nëse supozohet se çdo familje në këtë kohë kishte nga pesë anëtarë.[19]

Në Arkivin e Kosovës ka ekzistuar fondi i Revizionit të reformës agrare, mirëpo pushteteti serb gjatë kohës së masave të dhunëshme në Arkivin e Kosovës edhe këtë fond dhe shumë dokumentet rreth konfisikimit, eksproprijimeve etj. të pronave i ka marrë dhe dërguar në Serbi me qëllim që të humbën gjurmët e pronësisë, të bëhen falsifikime dhe që pronarët e vërtetë mos të mund t’i realizonin të drejtat e tyre pronësoro-juridike.


Siç po shihet, pushteti i ri vazhdoi reformën agrare në këtë periudhë. Ai, përveç dispozitave ligjore për reformën agrare dhe kolonizimin, nxorri dispozita të shumta ligjore e nënligjore, në bazë të të cilave prona private u bart në pronë të ashtuqujtur gjithëpopullore – shtetërore, e cila më vonë u shndërrua në pronë shoqëore, si p.sh. nëpërmjet të sekuestrimit, konfiskimit, nacionalizimit, eksproprijimit, arondimit, marrjesë së pronave kinse si tepricë dhe shumë forma të tjera.


Në këtë kontest përkitazi me reformën agrare dhe kolonizimin duhet përmendur Ligjin mbi revidimin e ndarjes e tokës kolonistëve dhe interesentëve agrarë në Maqedoni dhe në Krahinën e Kosovës e Metohisë,[20] Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin,[21] Ligjin mbi ndarjen e tokave të braktisur të kolonistëve në KAKM,[22] Ligji mbi reformën agrare dhe kolonizimin e brendshëm,[23] etj.


Në këtë kohë filloi edhe konfiskimi i pronave të ashtuqujtur armiqëve të popullit, sidomos të atij shqiptarë. Përkitazi me këtë duhet përmendur – Vendimin e AVNOJ-it mbi kalimin në pronësi shtetërore të pasurisë së armiqëve, mbi administrimin e shtetit me pasurinë e personave që mungojnë, dhe sekuestrimin e pasurisë të cilën pushteti okupues e ka tëhuajsuar me dhunë,[24] Ligji mbi sekuestimin e profilit të luftës të arritur gjatë kohës së okupimit të armikut,[25] Ligji mbi kalimin në pronësi të shtetit të pasurisë së armiqëve dhe sekuestrimin e pasurisë së personave të arratisur.[26] Ligji mbi konfiskimin e pasurisë dhe ekzekutimin e konfiskimit;[27] Ligji mbi vërtetimin dhe ndryshimet e plotësimit e Ligjit mbi konfiskimin dhe ekzekutimin e konfiskimit,[28] Ligji themelor mbi veprimin me posedimet pyjore të eksproprijuara dhe të konfiskuara,[29] Ligji mbi veprat penale kundër popullit dhe shtetit.[30] Pra, Konfiskimi ishte instrument juridik me të cilin pasuria private merret në favor të shtetit, pa kurrfarë kompensimi. Zakonisht konfiskimi vjen si dënim aksesor ndaj personave të cilët janë dënuar për vepra penale të caktuara, dhë atë dënin e shqiptonte gjykata. Në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore shumë persona ishin shpallë armiq të popullit dhe gjykatat e formuara për këtë qëllim ua kishte konfisuar tërë pasurinë. Fshatarëve iu ishte konfiskuar pasuria edhe në raste kur ata nuk ishin në gjendje të përmbushnin detyrimet, dorëzimit të “tepricave të prodhimeve bujqësore”. Deri në vitin 1965, iu konfiskua pasuria të gjithë qytetarëve të nacionalitetit “turk” ose jevrej, të cilët ishin shpërngulur nga Jugosllavia dhe kishin marrë shtetësi tjetër. Në këtë kategori bien shumë familje shqiptare nga Kosova dhe viset e tjera, por edhe boshnjakë, të cilat kishin marrë shtetësi turke, me qëllim për t’u shpërngulur në Turqi ose në vende tjera.[31]

Me rëndësi është të përmendet se në këtë kohë shumë fshatarëve shqiptarë iu kshin konfiskuar edhe pronat me arsyetim se nuk paguanin të ashtuqujturën “tepricat” e prodhimeve bujqësore të cilat nuk ishin në gjendje t’I siguronin, si p.sh. të prodhimeve bujqësore, blegtorale etj.


Në këtë kohë filloi edhe nacionalizimi i pronave. Duhet përmendur Ligjin mbi nacionalizimin e ndërmarrjeve ekonomike dhe private.[32] Nacionalizimi (ose shtetëzimi) në kuptimin juridik ishte akt i njëanshëm i pushtetit shtetëror, sipas të cilit në mënyrë të dhunshme merret nga pronari privat dhe kalon në pronësi të shtetit pasuria e një dege të ekonomisë së caktuar, me ose pa pagesë. Në vitin 1958 bihet edhe Ligji mbi nacionalizimin e ndërtesave dhë dhëna me qira dhe të tokës ndërtimore.[33]

Për nevoja të ndryshme bëhej edhe eksproprijimi i pronave private të bazuar në Ligjin themelor mbi eksproprijimin.[34]

Sa i përket ardacionin e pronave është pruar Dekretligji mbi arondacionin e tokës ekonomike bujqësore.[35] Ky ndërrim i pronave është bërë në formë jo reale. Shpesh merrej prona e cilësisë së lartë dhe ipej prona e cilësisë shumë më të ultë.


Duhet theksar se banorët e vendbanimeve fshatare në këtë periudhë i kishte goditur mjaftë edhe i ashtuqujturi kooperativizmi. Me ligjin mbi Kooperativat,[36] ishin paraparë tri modele të kooperativizimit dhe tri lloje të kooperativave: kooperativat e përgjithshme bujqësore ; kooperativat e specializuara dhe kooperativat punëtore-fshatare. Këto të fundit ishin ato të cila e goditën një pjesë të banorëve shqiptarë. Koperativat punëtore-fshatare ishin kooperaiva tipike socialiste, sipas modelit të sovhozeve dhe kolhozeve sovjetke. Ato kooperativa ndër të tjera kishin për qëllim të thyenin mentalitetin patriarkal të familjeve, dhe të unifikonin interesat individuale me ato kolektive. Me bashkimin e tokës, të kafshëve, të punës dhe të mjeteve në kooperativa, tentoej të formoheshin ekonomi të mëdha bujqësore e të tjetërsohej prona private. Për këtë qëllim zhvillohej propagandë politike, sikur kooperativat të ishin parajsë. Propagohej se aty punon kush sa mundet, ndersa merr kujt sa i nevoitet. Jo vetëm këso fjalë joshëse, por propaganda përmbante edhe kërcënime, se po të mos pranonin hyrjen në kooperativë – kolektivizim, do të burgoseshin dhe do t’iu konfiskohej pasuria. Natyrisht se kërcënimi i tillë ishte në kundërshtim me proklamimin ligjor, se kolektivizimi është në bazë të vullnetit të lirë. Edhe përkundër propagandës që zhvillohej për kolektivizimin, familjet shqiptare nuk dëshironin të bashkoheshin në kooperativa të tilla. Ndonëse popullsia shqiptare e Kosovë ishte më se trefish më e madh se popullsia tjetër, vetëm 29% e anëtarëve të kooperativave ishin të nacionalitetit shqiptarë. Ata nuk kishin besim në pushtetin dhe fikoheshin se do t’i humbnin tokat e tyre të mbajtura gjeneratë pas gjenerate. Ndërkaq, serbo-malazezët që tokat i kishin marrë falas nga reforma agrare, dhe ndiheshin të sigurt nga shteti i tyre, nuk hezitonin të hynin në kolektivizim të tillë.[37]


Ndërsa sa i përket marrjës së pronave dhe ndarjes së atyre organizatave bujqësore ishin pruar dispozita të shumta. Duhet përmendur Ligjin mbi fondin e tokave bujqësore të pasurisë së përgjithshme popullore dhe ndarjen e tokave organizatave bujqësore.[38] Këtyre organizatave iu kishte dhënë edhe prona që konfiskohej kinse si tepricë toke mbi 10 ha, kryesisht të banorëve shqiptarë, të cilët ishin në numër të madh të anëtarëve. Ata jetonin në familje patriarkale, ndërsa serbët e malazezët ndaheshin dhe kishin numër të vogël të anëtarëve me qëllim të përfitimeve të pronave. Këto prona pushteti serb prej vitit 1990 e deri në vitin 1999 ua kishte pronësuar në masë të madhe pronarëve serbë e malazezë. Këta të fundit pas vitit 1999 filluan në masë të madhe që pronat e ish kooperativave t’ua shesin banorëve shqiptarë me çmime të larta, siç është rasti me fshatrat Çagllavicë, Llapllasellë e shumë të tjerë në Kosovë.

Referencat
  1. Dr. M. Shatri, Kosova ............., v. e c., fq. 207.
  2. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, “E vërteta mbi Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi”, Tiranë, 1990, fq. 546-550; Dr. M. Shatri, Kosova ........., v. e c., fq. 207.
  3. V. Čubrilović, “Mišljenje o manjinama”, 1945; Plenum CK KPJ, 1.IV 1945, Zaključci.
  4. E vërteta mi Kosovën ............, v. e c., fq. 546-550; Dr. M. Shatri, Kosova ......, v. e c., fq. 209.
  5. “Bujku”, Dosja jonë, 7 nëntor 1998.
  6. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, BULETINI, nr. 14, janar-mars 2000, fq. 20.
  7. Dr. Lush Culaj, Një përvjetor i krimit dhe terrorit, “Koha ditore”, 4 dhjetor 2004.
  8. Material në dorëshkrim i prof. dr. Hakif Bajramit, dhën autorit më 15.07.2005.
  9. Dr. L. Culaj, Një përvjetor i krimit dhe terrorit, “Koha ditore”, 4 dhjetor 2004.
  10. Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës (shtator 1944-korrik 1945), Tiranë, 1994, fq. 163.
  11. Zekeria Cana, Socialdemikracia serbe dhe çështja shqiptare, Prishtinë, 1984, fq. 75.
  12. Liman Rushiti, Rregullimi administrativ-territorial i Kosovës gjatë viteve 1919-1929, Kosova 1, Prishtinë, 1972, fq. 253.
  13. Dr. Izber Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
  14. “Sl. List DFJ”, nr. 56/1945.
  15. Dr. I. Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
  16. “Sl. List DFJ”, nr. 56/1945.
  17. Dr. I. Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
  18. E njëjtë.
  19. Milovan Obradovic, Revizija agrarne reforme na Kosovu, “Kosova”, nr.3/1974, Prishtinë, fq. 411; Dr. I. Hoti, “Fjala”, 5 korrik 1993.
  20. Sl. List DFJ, nr. 58/45, nr. 89/46 dhe Sl. List NRFJ, nr. 101/47.
  21. Sl. List DFJ, nr. 64/45, nr. NRFJ br, 24/46; nr. 101/47; Sl. Glasnik Srbije, nr. 39/45 dhe nr. 4/46.
  22. Sl. List FNRJ, nr. 9/47.
  23. Sl. Glasnik NRS, nr. 5/48, 1/49 dhe 34/56.
  24. Sl. List DFJ, nr. 26/45.
  25. Sl. List DFJ, nr. 36/45.
  26. Sl. List NFRJ, nr. 63/46 dhe 74/46.
  27. Sl. List DFJ, nr. 40/45 dhe 70/45.
  28. Sl. List FNRJ, nr. 61/46.
  29. Sl. List FNRJ, nr. 61/46.
  30. Sl. List DFJ nr. 66/45 dhe FNRJ nr. 86/46.
  31. Përkitazi me këtë në gazetën “Kosova sot”, fejton, dhjetor 2005 ka shkruar Adil Fetahu.
  32. Sl. List FNRJ nr. 98/46 dhe 35/48.
  33. Sl. List FNRJ, nr. 52/58.
  34. Sl. List FNRJ, nr. 28/47.
  35. Sl. Glasnik NRS, nr. 99/46.
  36. Sl. List FNRJ br. 59/1946.
  37. Adil Fetahu, Frika nga Kooperativat, fejton (V), “Kosova Sot”, 24-25 dhjetor 2005.
  38. Sl. List FNRJ, nr. 22 dhe 27 të vitit 1953, nr. 4/57, 46/62, nr. 10/65 (Sl. List SFRJ).

Faqe 10
faqe
- 11 -

Faqe 12