Jump to content

Kolonel Nuredin Dushani nga Bolena, si kalaja me bedena

Nga Wikibooks

Me rastin e 90-vjetorit të lindjes

Nga Dhimitër Shtëmbari

Në një pyll me drurë të moçëm ta ka ënda të ndalesh më gjatë përpara ndonjë druri trungtrashë, duke medituar se çfarë historish mund të kenë ndodhur nën kurorën e degëve të tij pa gjethe.

Kështu të bëhet kur ndodhesh para ish ushtarakut madhor, Nuredin Dushani, dikur si sorkadh mali e tani i ngadaltë, tepër i ngadaltë, për shkak të moshës e, sidomos, të sëmundjes.

– E çfarë do të shkruani për mua! – na drejtohet. – Kemi kohë që e kemi mbyllur kapitullin; na mbetet vetëm të vendoset kopertina e fundit…

Ndërsa na thotë kështu, ndihemi edhe më të detyruar të shkruajmë diçka, qoftë edhe modeste, për këtë Kolonel në pension, (çuditërisht, jo gjeneral), që më datën 10 të këtij muaji mbush plot nëntëdhjetë vjeç.

Stërgjyshit i ishte ngritur këngë

Pema familjare nga ka dalë Nuredin Dushani atje në Bolenë të Vlorës ka rrënjë të thella. Gjyshi i gjyshit të tij, Kasëm Mullahaj, ka qënë ushtar trim i çetës së Zenel Gjolekës. Siç kanë pas treguar, teshat e Kasëmit binin erë barot. Edhe sot është e njohur një këngë popullore, që bën fjalë edhe për këtë kapedan të kohës.

Edhe gjyshi i Nuredinit pushkën e mbante kurdoherë të varur në mur. Të varur dhe me fishek në gojë. Më shumë kujdesej për armën, se sa për plugun.

Edhe gjyshi i së ëmës, Hodo Isuf Bushi, kanë pas dhënë jetën në luftën kundër turqve. Madje, edhe dy xhaxhallarët e tij, Shahe e Nuro Mullahaj, kanë bërë të njëjtën gjë në luftën kundër turqve, njëri në Meçovë të Greqisë dhe tjetri në Peshkëpi të Vlorës.

Edhe i ati i Nuredinit, Dushani, si dhe njëri xhaxha, Zeqiri, kanë pas qënë aktivë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.

Kalendar i lavdishëm historie. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Pushkët ndërronin duar në breza.

I ati, Dushani, emrin e të cilit Nuredini e mban për mbiemër, ishte nga ata burra që nuk duronte dot pluhur në vesh. U bashkohej shokëve kur ishte puna që ngriheshin kundër padrejtësive shoqërore.

Kur pushtohej Shqipëria nga fashistët italianë, Dushani vuri pushkën në sup dhe bëri tutje, por… çdo gjë kish marrë fund. I vetquajturi mbret i kishte bërë me kohë llogaritë!

Që në fillim të LANÇ Dushani u përfshi në çetën vullnetare të zonës së Bolenës.

“Rebeli” i familjes

Ndërsa këshillohej në familje që të ruante bagëtitë, se donin të hanin njerëzit e shtëpisë, Nuredini i ri rrinte sa rrinte dhe bënte tutje nga mesi i fshatit. Takonte e bisedonte me moshatarët e vetë. Nuk i bëhej të qëndronte mënjanë.

Në mars të vitit 1942, kur ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç, pranohet në gjirin e Rinisë Antifashiste të zonës. Sekretar i organizatës ishte Kamber Aliko, vëllaj i Asim Alikos – Hero i Popullit.

– Mirë që u pranuat në Rini, po a e dini se çfarë detyrash ju dalin tani? – na drejtohej herë mbas here Kamberi, – tregon Nuredini.

Ia kuptonin nëntekstin e pyetjes që u drejtonte sekretari i organizatës së Rinisë. Dhe Nuredini tregon, se që në këtë kohë nisi të kryente detyra që ia ngarkonin militantë politikë të ardhur deri edhe nga qyteti i Vlorës. Mirëpo, siç tregon, gjeti belanë në shtëpi: Jam unë, janë edhe vëllezërit e tu – Raiti e Malo me pushkë, prandaj qendro përqark shtëpisë, vazhdonte ta këshillonte i ati.

Kur i qe vrarë në Qarrisht të Librazhdit njëriu i shtëpisë, Maloja – partizan i Brigadës I Sulmuese, Nuredini nuk kishte pritur më.

– Bëni si bëni, – u kishte thënë njerëzve të familjes, – tani kam vendosur: do të shkoj partizan. Më vjen turp të qendroj pranë vatrës.

Dhe kishte nxituar për t’u bërë pjesëtar i Batalionit të parë të Grupit Partizan Vlorë – Gjirokastër.

Përgjegjës i Rinisë së Brigadës VIII Sulmuese Partizane

Më 25 prill të vitit 1944 Nuredini kishte qënë i pranishëm në Sheper të Gjirokastrës teksa zhvillohej ceremonia e krijimit të Brigadës VII sulmuese Partizane. Aty kishte dëgjuar të flitej edhe për emrin e kësaj njësie të lavdishme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Kishte nga ata që dëshironin ta quanin Brigada e Vëllazërimit. Sepse në gjirin e saj kishte edhe mjaft djem e vajza nga minoriteti grek.

Kishte syresh që dëshironin ta quanin Brigada Partizane e Rinisë. Sepse mbi 90 përqind e efektivit përbëhej nga të rinj e të reja.

Por kishte edhe nga ata që kërkonin që formacioni partizan që krijohej rishtaz të quhej Brigada e Labërisë. Sepse pjesa dërrmuese e saj përbëhej nga lebër.

– Edhe pse vija nga formacione të tjera partizane, – tregon Nuredini, – u rreshtova si një partizan i thjeshtë. Kuptohet, para meje ishin dhjetëra e dhjetëra të tjerë, që gjatë luftimeve që kishin bërë iu ishin përzhitur flokët nga flakët e barotit.

Është e vështirë t’i shkulësh Nuredinit mbresa për veten e tij, sidoqoftë arritëm t’i shkëpusnim diçka:

Gjatë një përpjekjeje të bërë me nazistët te Ura e Kardhiqit Nuredini plagoset rëndë. Shokët i shkojnë menjëherë në ndihmë.

– Ku je plagosur? – nxitojnë ta pyesin ata që iu gjënden pranë.

– Ja, këtu…

Dhe Nuredini u bën shënjë kokën, nga i rridhte gjak, i cili i kishte skuqur krejt fytyrën.

– Po ty të janë mbushur edhe këpucët me gjak! – i thotë dikush.

Dhe ia ngre pak pantallonat dhe, ç’të shikonte?! Diku posht shpinës i qe hapur një plagë e thellë.

Cifla e predhës në kokë iu hoq në një nga spitalet e Beogradit

Ndërsa luftohej kundër nazistëve për çlirimin e qytetit të Gjirokastrës, një grupi partizanësh, në përbërje të të cilit ishte edhe Nuredini, i qe ngarkuar detyra që të zinte një pozicion të përshtatshëm diku lart Qafës së Pazarit.

– Ecnim me shumë kujdes që të mos diktoheshim nga armiqtë, – tregon Nuredini, – kur… ndjej sikur të më kishte shpuar ndonjë bletë.

Dhe vazhdon tregimin:

Detyrohem të ulem, kthej sytë nga pantallonat, kur shikoj që këpucët më ishin mbushur me gjak! Ndërkohë më nisën dhimbje therëse. Me zvarritje shokët vijnë drejt meje që të më tërheqin. Në çast shikoj para meje dy gra gjirokastrite, që vazhdonin të më afroheshin duke qarë. Me të mbritur pranë meje, u drejtohen shokëve të mi që të më mernin në shtëpitë e tyre. Ndërkohë që shokët vazhdonin të më ndalonin rrjedhjen e gjakut, nënat gjirokastrite nuk hiqnin dorë nga kërkesa e tyre: “Na e lini djalin, se e shërojmë ne”, vazhdonin të thoshnin ato.

Sakaq pat mbrritur aty komandanti i batalionit, Kadri Aliu.

– I ka lezet plaga partizanit, – i ishte drejtuar Nuredinit. – Në luftë jemi; nuk jemi në shëtitje…

Dhe pat urdhëruar që i plagosuri të dërgohej pa vonesë në spitalin më të afërt partizan.

Vet Kadri Aliu, që gjatë Luftës pat mbrritur deri komandant Brigade Partizane, qe plagosur disa herë.

Kur qe vrarë Pano Xhixho Nuredini pat ndjerë dhimbje mbi dhimbje

Luftohej për çlirimin e Vishegradit. Ishte një përpjekje që bëhej në kuadrin e luftës që zhvillonte Koalicioni i madh Antifashist Botëror me moton: ta ndjekim nazizmin deri në Berlin!

– Ne, një grup partizanësh, ndodheshim pranë një shtëpie të bukur në një lagje të Vishegradit, – tregon Nuredini.

Komisari i batalionit, Pano Xhixho, minoritar, djalë tepër i zgjuar dhe shumë trim, na afrohet e na thotë se duhej të bënim shumë kujdes, sepse nazistët kishin vendosur mina gjithandej.

Sigurisht, e dëgjuam me shumë respekt dhe vazhduam të lëviznim me kujdes të madh. Nuk vonoi shumë, veçse disa minuta, kur… një buçimë e madhe na shurdhoi veshët!

Ajo çka kishte ndodhur atyre çasteve, qe treguar prej një partizan që kishte rastisur të ishte aty pranë: Panoja i kishte rënë derës së shtëpisë së bukur me shkelmë dhe pikërisht në atë çast kishte ngjarë ajo që nuk ishte pritur të ndodhte: kishte plasur një minë!

– Kur shkuam pranë kufomës së komisarit tonë, – tregon Nuredini, – nuk i përmbajtëm dot lotët. Pati ndonjë prej nesh që nuk u përmbajt dot dhe ia filloi të qarit, por menjëherë ndërhyri zëvendëskomisari që foli prerë:

– Trimat nuk qahen, prandaj mbahuni fort!

Dhe ashtu, me lot të nxehtë në sy, e kishin marë në krah trupin e pajetë të komisarit.

O shkollohuni, o zhvishuni nga Ushtria!

Mbas kthimit nga lufta, mjaft nga ish partizanët u mbajtën në radhët e Ushtrisë Popullore. Nga këta, disa syresh nuk kishin asnjë gram shkollë! Mirëpo erdhi një kohë, kur u shtrua kërkesa: ose vazhdoni e mbaroni shkollat, ose xhvisheni rrobën ushtarake!

– Kisha mbaruar katër klasë në vendlindje, – tregon Nuredini, – dhe me këtë arsim munda të kryej detyrën e Përgjegjësit të Rinisë së Brigadës VIII Sulmuese.

Menjëherë mbas çlirimit ia filloi shkollimit. Kuptohet, pa shkëputje nga puna. Ndërkohë që ishte përgjegjës i Rinisë në Garnizonin Ushtarak të Tiranës mbaroi Uniken. Sapo kreu këtë, ia nisi e vazhdoi Gjimnazin. Madje, u regjistrua dhe vazhdoi edhe studimet e larta me korrespondencë në Universitetin Shtetëror të Tiranës.

– I ndërpreva këto studime, – tregon Nuredini, – sepse më nisën për studime të larta në Akademinë Ushtarake “Lenin” në Moskë. Si student, epror kishim Dilaver Poçin, një ish kuadër me kontribut të çmuar gjatë Luftës për çlirim dhe njëri tepër fisnik.

Në fund të studimeve prej katër vjet e gjysëm, iu desh ta mbronte diplomën me një temë nga Shqipëria. Për këtë iu desh të kthehej në Shqipëri dhe të shkonte në Përmet, ku shkroi temën, duke mbajtur parasysh gjithçka që kishte të bënte me trupat ndërluftuese, terrenin…

– Tema u vlerësua shkëlqyeshëm, – na thotë Nuredini. – Dhe le të kemi parasysh faktin, se pedagogët ishim marshallë e gjeneralë; teoricienë të shquar të artit ushtarakë, por edhe strategë, kalitur Luftës së madhe Patriotike në ish Bashkimin Sovjetik.

Nga partizan i thjeshtë, në komisar Korpusi

Pas kthimit prej Luftës në Vishegrad, Nuredin Dushani caktohet përgjegjës Rinie në Garnizonin e Ushtarak të Tiranës, më pas – punonjës në Drejtorinë Politike të Ushtrisë, përgjegjës Rinie në një Brigadë Ushtarake në Korçë, shef i degës politike në Divizionin e Gjirokastrës, komisar Brigade në Librazhd.

– Në Librazhd kam punuar me Veip Alikon komandant të Brigadës, – tregon Nuredini. – Veipi ishte tepër i zgjuar dhe mjaft i shkathtë.

Kohë më pas Nuredini caktohet komisar i Korpusit Ushtarak të Burrelit, një Korpus që kishte shtrirje shumë të gjërë.

– Këtu kam pasur fatin të punoj me dy kuadro vërtet të përgatitur, më parë me Sotir Filton dhe, më pas, me Veli Llakajn.

Dhe Nuredini vazhdon të tregojë tërë atë punë të madhe që ishte bërë për të garantuar kufijtë veriorë të Shqipërisë.

– Në praktikë nuk i kishim të ndara detyrat, – tregon ish komisari i Korpusit. – Kur zbriste nëpër reparte Veli Llakaj, fliste edhe në emrin tim. Të njëjtën gjë bëja edhe unë në emër të tij kur ndodhesha para efektivave nëpër reparte të ndryshme ushtarake.

Para Enver Hoxhës, në Byronë Politike

Ishte njoftuar Komiteti i Partisë së Korpusit Ushtarak të Burrelit se së afërmi do të merrej në analizë veprimtaria e tij nga ana e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë.

– Ia filluam punës në Burrel për përgatitjen e raportit që do të dërgonim në Byronë Politike dhe ndiheshim disi të sikletosur, – tregon Nuredini. – Ajo çka do të mund të thuhej në mbledhjen e Byrosë Politike varej edhe nga informacionet që i ishin dërguar Udhëheqjes së lartë nga rrugë të tjera.

Varianti përfundimtar i raportit i ishte dorëzuar edhe Drejtorisë Politike. Hito Çako, ish drejtues kryesor i asaj Drejtorie, kish vënë dorë fare pak.

– Po hë, more komisar, ç’do të na thuash për Korpusin që drejtoni? – i qe drejtuar Enveri në mbledhje.

Nuredini kishte vënë përpara disa gjysma letrash dhe kish nisur t’i lexonte.

Me buzën në gaz, Enveri kishte ndërhyrë me takt:

– Leri menjanë ato kartëra dhe na fol lirisht, për të na thënë se çfarë nevojash keni nga Partia.

Komisar Nuredini kish vazhduar me gjuhën e atyre që kishte shkruar në shënimet që mbante përpara, por Enveri kishte ndërhyrë sërish:

– Dëgjova këtu ca kritika ndaj jush, po ju a keni kritika ndaj ministrisë që ju drejton, apo… edhe ndaj nesh. Flisni lirisht!

Dhe Nuredini i kishte rënë drejt e drejt. Enveri e kish dëgjuar me vëmendje dhe pat tundur kokën.

– A, kështu po. Partia duhet t’i dijë gjërat ashtu siç janë, – pat ndërhyrë, – dhe jo ashtu siç na e do zemra të jenë…

Kur doli jashtë, Nuredini u kujtua se kishte harruar kapelen brënda. Trokiti, hyri brënda dhe…

– Ma falni, kam harruar kapelen këtu.

– Merreni, – i qe drejtuar Enveri. – Vetëm pushkët mos na harroni.

Në çdo bisedë zbulohej një mësim

Erdhi një ditë dhe komisari i Korpusit Ushtarak të Burrelit zgjidhet Sekretar i Komitetit të Partisë të Shkollës së Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”. Këtu do të gjente mjaft kuadro të mirënjohur, mes të cilëve edhe shokët Rustem Peçi e Agron Dushku, respektivisht komandant e komisar të kësaj Shkolle.

Në një festë të Shkollës shkojnë për të gëzuar bashkë me studentët e pedagogët edhe Enver Hoxha e Mehmet Shehu.

– Vijnë dhe ne i presim në hyrje të Shkollës, – tregon Nuredini. – Pasi takojnë e përshëndeten me komandantin dhe komisarin e Shkollës, Enveri më zgjat dorën. E takoj. Në çast më zgjat dorën edhe Mehmeti, duke menduar se të njëjtën gjë do të bëja edhe unë, por Enveri, që nuk e kishte parë këtë veprim të Mehmetit, vazhdoi të mos ma lëshonte dorën.

– Partia duhet të jetë në komandë, – m’u drejtua. – A ia ke zbërthyer ndonjëherë vetes këtë parrullë të Partisë?

– Vetes, kuadrove dhe tërë studentëve të Shkollës, shoku Enver.

– Shumë mirë!

Më lëshoi dorën dhe u kthye nga Mehmeti:

– Kjo është fidanishtja e Ushtrisë sonë.

– Po, shoku Enver, – ia ktheu Mehmeti, – prandaj edhe kujdesi i Qeverisë është rritur ndaj kësaj Shkolle.

Kryetar i palodhur i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ

Me daljen në pension, si bashkëshortja – Hysnia, ashtu edhe fëmijët – Agimi e Liljana e këshilluan Nuredinin që të qetësohej pranë familjes. Po ku mund t’i rrihej Nuredinit! Menjëherë u përfshi në Organizatën Kombëtare të Veteranëve të LANÇ dhe në Shoqatën Kombëtare të Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar.

Së pari u zgjodh kryetar i degës së Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ të Popullit Shqiptar për rrethin e Tiranës. Mbeti lagjeve të kryeqytetit dhe fshatrave të rrethit të Tiranës! Ikte në mëngjes dhe veç kur kthehej mbrëmjeve!

– Nuk je më i ri, për më tepër – edhe i sëmurë, – e këshillonte edhe vet kryetari i Shoqatës, Esat Molla.

– Shoku Esat, për dy muaj mbyllet afati i pranimit të dokumenteve për të njohur Statusin e Invalidit të Luftës. Është gjynah që të mos u njihet ky Status gjithë të të plagosurve gjatë Luftës! – ia kthente Esatit.

Qenë të shumtë ata që e patën falënderuar Nuredinin për kujdesin që pat treguar ndaj të plagosurve gjatë LANÇ, për t’u pajisur me Statusin e Invalidit të Luftës.

Aktualisht Nuredini është kryetar i Shoqatës Kombëtare të Invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. I lodhur, por i padorëzuar.


Në një pyll me drurë të moçëm ta ka ënda të ndalesh më gjatë përpara ndonjë druri trungtrashë, duke medituar se çfarë historish mund të kenë ndodhur nën kurorën e degëve të tij pa gjethe.

Sa shumë fsheh historia e jetës së Nuredin Dushanit, e këtij nëntëdhjetëvjeçari! Jeta e tij është një roman me shumë kapituj. Kapituj interesantë, shkruar deri edhe me gjak.


6 Shtator 2018