Jump to content

Koha e rojtarit të margaritarëve/Gjakova në Netët e Shën Bartolomeut

Nga Wikibooks
Gjakova në Netët e Shën Bartolomeut

Tetor,1999

Ajo çka ndodhi në këtë fundshekull në trevat e mbarë Kosovës, të përkujton rreshtat e Biblës së shenjtë ku përshkruhen vuajtjet e tmerrëshme të njerëzimit. Termi luftë, eshtë i butë për t’a definuar gjithë atë çka ndodhi me popullatën shqiptare në Kosovë. Mendjet e sëmura të elitës aktuale intelektuale serbe, treguan gjithë vrerin dhe urrejtjen patologjike ndaj kombit shqiptar në holokaustin kosovar. Nuk është rastësi kjo që ndodhi pikërisht në fund të shekullit njëzet, ashtu si nuk ishte aspak rastësi ajo që ndodhi në fillim të këtij shekulli me trojet etnike shqiptare ne Nish, Leskoc, Prokuple, Kurshumli… Pra, është transparente vazhdimësia e ideologjisë së shfarosjës së popullatës etnike shqiptare në Kosovë nga serbomëdhenjët. Ishte koha e realizimit të idesë dhe ëndrrës shekullore serbomadhe, për pastrim definitiv të llogarive me shqiptarët. Serbia, deshti të hyjë në shekullin 21, me Kosovë të pastër etnikishtë. Këtë e arriti, mirëpo në kahje të kundërt. Ekuacioni me dy të panjohura, kishte marre kahje të kundërt nga ajo që llogaritej !

Prezenca e popullatës etnike në trojet e veta, është kompleks i pa shëruar i çdo okupatori qe synon të mbaj tokat e huaja. Elaboratet qindëvjeqare të vjetra, të punuara në mënyrë minucioze , nga Sveti Sava, Garashanini, Andriqi, Qubrilloviqi, Milosheviqi dhe shumë viqa tjerë, kësaj radhe, më në fund fituan notën që merituan. U hudhën në shportën e turpit të historisë. Nga të gjitha këto luftëra të ndyera në dekadën e fundit që u zhvilluan në ish Jugosllavi, ata u treguan faqezinjë dhe u turpëruan publikishtë. Rrethanat politike aktuale ndërkombëtare si dhe forca e argumentit, në raport me zgjidhjen e drejtë të çështjës kombëtare shqiptare si dhe të Balkanit në tërësi, kësaj radhe ngadhnjyen ndaj mashtrimeve dhe kurthave të vetë satanës. Vetë Gebelsi do të mbetej i stepur, për atë çka kishin pregaditur mafiozët milosheviqian. Përgjegjësi morale historike mbanë shtresa intelektuale serbe, sidomos Akademia Shkencave Serbe si kreatore dhe ideologe e realizimit të këtij plani monstruoz. Heshtja do të thotë aprovim.

Ekziston një misticizëm në shpjegimin e disa dukurive dhe rrjedhave që ndodhin në këtë botë. Vrasësi, zakonishtë paguan me kokë për krimin e bërë në të njetën formë si viktima. Gjaku i derdhur i shumë fëmijëve, grave dhe pleqëve shqiptar, pra gjaku i atyre që plotësisht ishin të pafajshëm dhe u masakruan në format më barbare, duhet paguar nga ana e atyre që dhanë urdhëra apo ishin vetë autor të këtyre veprave makabre. Në krahasim me viktimat e pafajshme kolektive shqiptare, Serbet si kolektivitet do t’a mbajnë ndër shekuj hipotekën si popull etnocid. Vetëm nëse plotësohen kërkesat e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe dorëzohen të shpallurit në listën e të akuzuarve për krime lufte, atëherë mund t’a zbehin atë imazh që kanë fituar në dekadën e fundit.

Qyteti i Gjakovës nuk mundi të iu ikë veprimeve barbare të okupatorëve serbë. Afër 4 muaj popullata duarthatë e Gjakovës u ballafaqua me rrethim të hekurt, në mesin e së cilës hidhte vallën vetë djalli. Minoriteti serbo – malazias që ka jetuar në qytetin e Gjakovës, është i zhytur aq shumë në krime, sa që duhet kaluar dekada të tëra, që ndonjë nga nipërit e tyre, të mundën lirshëm të ecin rrugëve të këtij qyteti si turist. Emri i kryetarit serb të instaluar të Kuvendit të Komunës, Momqillo (Moma) Stanojeviq, do të mbetet një ndër emërat më të urryer në historinë e qytetit. Vepra e tij kriminale, nuk do të shlyhet kurrë nga kujtesa e qytetarëve të Gjakovës.

Gjakova, në historikun e sajë të gjatë nuk mban mend katrahura të tilla si kjo e fundit. Pastrimi i egër etnik i qytetit të Gjakovës me rrethinë, bëri që ky qytet ato ditë t’i ngjante një kasaphaneje të vërtetë.

Gjakovarët vriteshin në forma nga më të ndryshme. Kriminelët serb, në shumicën e rasteve iu ofronin viktimave “menynë” e llojeve të likuidimeve. Mënyra më e preferuar ishte likuidimi me armë të ftohta. Ishte i priveligjuar ai i cili vritej me armë zjarri. Karakteristikë e veçant ishte mënyra e humbjës së gjurmëve të krimit, kjo bëhej zakonishtë me djegien e shtëpive së bashku me viktimat. Këtë, e ilustron më së miri rasti i familjës Vejsa, ku u dogjën trupat e 22 fëmijëve, grave, pastaj, familja Cana, ku u dogjën 4 familjar, e kështu me radhë. Zhvarrimi i kufomave të viktimave të terrorit serb, ishte pjesë e skenarit të ndyrë të platformës shfaruese antishqiptare. Nga varrezat e qytetit të Gjakovës, kah fundi i muajit maj, u bë zhvarrosja e 87 trupave të likuiduar nga kriminelët serb. Të gjithë, u vranë për së dyti, nga se edhe sot nuk janë gjetur trupat e tyre. Në mesin e tyre ishte edhe trupi i doajenit të kirurgjisë gjakovare, Dr. Izet Hima, i cili u vra dhe u masakrua në natën e 24 marsit. Kjo vrasje shkaktoi efekt mjaft negativ psikologjik në masë, çka ishte padyshim edhe qëllimi i armikut.

Vrasjet, djegiet, dhunimet, plaçkitjet, torturat ç’njerëzore, ishin dekori i qytetit të lashtë buzë lumit Erenik, i cili ato ditë kishte ndërruar ngjyrën! As plaku më i moqëm në qytet, nuk mbanë mend nga kallximet e gjyshërve të tyre, të ketë goditur kaq rëndë këtë qytet ndonjë nga okupatorët e mëparshëm. Shkatërrimi i Xhamisë së Hadumit, e vjetër më shumë se 500 vite, dëshmon për karakterin dhe intenzitetin e shkatërrimeve.

Edhe nata e 16 prillit, bënë pjesë në netët e Bartolomeut në qytetin e Gjakovës. Ishte natë e ftohtë prilli dhe binte shi i imët. Bubullimë nuk dëgjohej, por dëgjohej vaji i foshnjeve nga traktorët e mbuluar me folie najloni të konvojeve pa fund, të cilët kishin marrur rrugën e shpëtimit drejtë kufirit të Shqipërisë. Vaji i atyre foshnjeve edhe sot nuk më lenë të qetë. Këta ishin refugjatët e qytetit të Mitrovicës me rrethinë, që udhëtonin nga Gjakova për në drejtim të Qafës së Morinit. Shikimi nga apartamenti im, nga kati i pestë është në drejtim të rrugës Gjakovë – Prizren. Kjo rrugë, ishte arteria kryesore për deportim drejtë Shqipërisë, për gjysmën e shqiptarëve të Kosovës. Kjo rrugë nuk pushonte nga udhëtarët e dhunshëm në asnjë moment, që nga fillimi i bombardimeve të NATO–s. Pamje të tilla, paralajmëronin të ardhmën tonë shumë të afërt. Me dhëmbje të madhe vështroja nga dritarja zbrazjën e Kosovës.

Kjo natë kishte në vete diçka të veçantë.

Për herë të parë, që nga fillimi i bombardimeve nuk u ndal rryma elektrike! Ishte ora 20.15 min., kur një veturë e policisë serbe u ndal te pompa e benzinës, aty pranë Urës së Llukacit. Njeri nga policët zbriti nga vetura dhe me nxitim fiku poqin që ndriqonte oborrin e kësaj pompe. Ky ishte një paralajmërim i keq për ne që banonim pranë pompës. Kjo përvojë ishte fituar nga aksionet që ndërmerrnin kriminelët serb në lagjet tjera të qytetit. Dëshira për jetë dhe shpresa se ndoshta do të shpëtojmë edhe këtë natë, më përshkojë thellë shpirtin. Vështronim me kujdes çdo lëvizje, mirëpo ishim të pafuqishëm për çfarëdo forme të vetëmbrojtjës. Çdo lëvizje në ato orë të vona të mbrëmjës ishte vetëvrasje. Ishim të rrethuar nga të katër anët.

Pas nja 15 min., katër automjete civile kaluan Urën e Llukacit dhe u drejtuan ne lagjën e parë, në të majtë të rrugës. Tani më ishte e qartë se ajo lagje ishte sonte në shënjestër të forcave serbe. Nuk shkuan shum çaste, dhe nga pullazet e shtëpive filloi të duket flaka e cila shoqërohej me shumë të shtëna armësh zjarri. Flaka dhe tymi shumë shpejtë përfshiu tërë lagjën. Refleksi nga drita e flakës së shtëpive që digjeshin në afërsi, ndriqonte tërë apartamentin tim. Kjo situatë, shkaktoi tendosje psikologjike edhe më të rëndë. Është e pamundur të përshkruash emocionet e atyre momenteve. Ndjenjë e çuditëshme dhe e llahtarëshme! Një trokitje në portë, nënkuptonte vdekjën. Atje, në lagjën fqinjë bëhej masakër. Nuk dinim asgjë për fatin e atyre njerëzve! Sa janë të vrarë dhe cilët janë ata? Rafalët e armëve nuk pushonin. Fishkëllima e plumbave shpërthente errësirën.

Konvoji i refugjatëve nuk ndalej. Në të majtë të rrugës nga ata kalonin, zhvillohej një dramë e vërtetë. Kriminelët serb kishin pregaditur një përcjellje “madhështore” për refugjatët mitrovicas. Për shumë kë në atë turmë njerëzish, këto pamje tani më ishin të njohura. Rreth orës 23.00, konvoji u ndal befas. Nga drejtimi i qytetit erdhi një veturë e policisë serbe, e cila vëzhgonte me kujdes çdo automjetë. Fitohej përshtypja se ata kërkonin dike. Një nga policët serb, zbriti me shpejtësi nga vetura dhe u drejtua kah një makinë e refugjatëve, e cila ishte e ndalur përballë Tyrbës së Sheh Shefqetit. Me sharje vullgare dhe dhunë detyroi vozitësin e automjetit që të zbresë nga makina. Agresiviteti i policit dhe zëri i tij kërcënues, bëri që ata mbrenda në makinë të lëmëriten. Dëgjohej vaji i dhembshëm i fëmijëve dhe gruas. Pas pak, pasoi heshtja!? Vërejtëm një siluetë njeriu si rrëzohej për tokë! Ky ishte vozitësi i automjetit i cili në ato çaste u likuidua në prezencën e bashkëudhëtarëve të tij dhe refugjatëve tjerë në traktorë që ishin pranë. Nuk i besoja syve të mi. Krimineli serb muarr edhe një jetë shqiptari, kush e di për të satën herë? Pas kësaj, kolegu i tij që e priste, erdhi dhe muarr makinën e viktimës së bashku me udhëtarët. Të dy veturat pastaj shkuan në drejtim të panjohur.

Kush ishte viktima? Çka ndodhi me udhëtarët e veturës së viktimës? Për ne të gjithë, mbeti gjerë me sot një mister i vërtetë identitieti i viktimës dhe bashkëudhëtarve të tij! Pak çaste pas kësaj, kolona e gjatë rinisi rrugën në drejtim të Prizrenit. Çdo automjet i cili afrohej te vendi ku ishte e shtrirë viktima, ndalonte për pak sekonda !

Rreth mesnatës, pasi më nuk shifej kolona e refugjatëve, në vendin e krimit, erdhën përsëri të njejtët policë dhe e njejta makinë. Ata ngrehën viktimën zvarrë dhe e futën në veturë. Këtë natë të errët prilli e ndriqonte flaka e shtëpive që digjëshin. Kjo ishte natë e tmerrit. Çdo moment prisnim të na vijnë kasapët serb. Kjo natë për ne ishte diçka me të vërtetë e veçantë, sepse pamë vdekjën me sy!

Të nesërmën erdhi lajmi i tmerrshëm për viktimat e lagjës fqinjë. Këta ishin: Roland Gojani (23) dhe Kastriot Delija (21), që të dy të vrarë në një fushë këtej lumit Llukac, afër 300 metra nga lagja e djegur. Kishin tentuar që të shpëtojnë dhe ishin qëlluar në ikje. Sipas dëshmive, këta ishin të plagosur dhe të gjallë gjerë në ora 05.00 të mengjesit. Atëherë kan ardhur kriminelet serb dhe i kanë ekzekutuar në po atë vend. Mbrenda në lagje, janë ekzekutuar: Myhedin Zeka (53), Mehmet Krasniqi (63), Gani Mehmetaj (49), Deli Hoti (63) dhe Rremë Delija (67). Ky avaz i bishave serbe, vazhdoi me të njejtin intenzitet për më tepër se tre muaj, gjerë në ditën e hyrjës së forcave aleate. Vetëm mrekullia e shpëtoi pjesën e mbetur të qytetarëve në Gjakovë, numri i të cilëve nuk ishte i vogël.

Më kujtohen shum mirë fjalët e një miku të mirë dhe të urtë, i cili kishte kaluar një pjesë të jetës së tij në kazamatet serbe. Gjatë marrjës në pyetje në burgun e Nishit, inspektorët serb para 20 vitesh, i kishin thënë: “ Ju shqiptarët duhet të hiqni dorë nga pavarësia e Kosovës. Më parë do t’a merrni Beogradin se që do të ju lëshojmë Kosovën të lirë. Kjo nuk do të ndodhë pa u derdhur gjaku gjerë në gjunjë “.