Jump to content

Kodi Civil/4

Nga Wikibooks

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
(nenet: 79, 80, 81, 82, 83, 84, 85, 86, 87, 88, 89, 90 dhe 91)

Faqe 3
faqe
- 4 -

Faqe 5
Përkufizimi i veprimit juridik

Neni 79 - Veprimi juridik është shfaqja e ligjshme e vullnetit të personit fizik ose juridik, që synon të krijojë, të ndryshojë ose të shuajë të drejta ose detyrime civile. Veprimi juridik mund të jetë i njëanshëm ose i dyanshëm.


Format e veprimit juridik

Neni 80 - Veprimi juridik mund të kryhet me shkrim, me gojë dhe me çdo lloj shfaqje tjetër të padyshimtë të vullnetit. Shkresa mund të jetë e thjeshtë ose akt noterial.

Neni 81 - Veprimi juridik me shkresë duhet të nënshkruhet nga personi që e kryen atë.

Neni 82 - Personi që nuk di, ose që për shkak sëmundje ose të metash fizike nuk mund të nënshkruajë, ngarkon një person tjetër për këtë qëllim. Nënshkrimi i këtij personi duhet të vërtetohet nga noteri, duke u treguar shkaku për të cilin personi që ka kryer veprimin juridik nuk ka mundur t'a nënshkruajë vetë. Për veprimet që kryhen në bankat dhe në institucionet e tjera të kreditit, në zyrat postare apo doganore, nënshkrimi i këtij personi vërtetohet nga një nëpunës i autorizuar i këtyre institucioneve.

Neni 83 - Veprimi juridik për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe të të drejtave reale mbi to, duhet të bëhet me akt noterial dhe të regjistrohet, përndryshe nuk është i vlefshëm. Eshtë i pavlefshëm veprimi juridik që nuk është bërë në formën e kërkuar shprehimisht nga ligji. Në rastet e tjera veprimi juridik është i vlefshëm, por nuk mund të provohet me dëshmitarë.


Veprimet juridike me kusht

Neni 84 - Veprimi juridik është me kusht kur lindja ose shuarja e të drejtave dhe e detyrimeve të parashikuara në të, varen nga një ngjarje e cila nuk dihet në se do të ndodhë.

Neni 85 - Kushti është pezullues kur të drejtat dhe detyrimet lindin po të ndodhë ngjarja. Kushti është zgjidhës kur të drejtat dhe detyrimet shuhen po të ndodhë ngjarja.

Neni 86 - Kur vërtetimi i kushtit është ndaluar me keqbesim nga pala që do të perfitonte nga mos vërtetimi i tij, kushti quhet se është vërtetuar. Kur vërtetimi i kushtit është shkaktuar me keqbesim nga pala që do të përfitonte nga vërtetimi i tij, kushti quhet se nuk është vërtetuar.

Neni 87 - Kur e drejta që varet nga vërtetimi i kushtit cënohet ose humbet nga veprimet e palës së detyruar me kusht, kjo duhet të shpërblejë dëmin e shkaktuar në rast se kushti vërtetohet.

Neni 88 - Pasojat që lidhen me vërtetimin e kushtit fillojnë nga çasti që është vërtetuar kushti, përveç kur nga përmbajtja e veprimit juridik del se këto pasoja duhet të fillojnë në një kohë të mëparshme.


Veprimet juridike me afat

Neni 89 - Afati i veprimit juridik është çasti i caktuar, nga i cili fillon ose pushon fuqia juridike ose disa nga efektet e tij.

Neni 90 - Afati është pezullues kur në veprimin juridik është parashikuar se pasojat e tij fillojnë nga një kohë e caktuar. Afati është zgjidhës kur në veprimin juridik është parashikuar se pasojat e tij pushojnë në një kohë të caktuar.


Llogaritja e afateve të veprimeve juridike

Neni 91 - Kur afati është caktuar me ditë, nuk llogaritet dita në të cilën takon ngjarja ose koha nga e cila ai duhet të fillojë. Afati që është caktuar në javë, në muaj ose në vite, mbaron,me kalimin e asaj dite të javës së fundit ose të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës që ai ka filluar. Kur një ditë e tillë mungon në muajin e fundit, afati mbaron me kalimin e ditës së fundit të këtij muaji. Kur dita e fundit e një afati bie në ditë pushimi, afati mbaron në ditën e punës që vjen pas asaj të pushimit.


Faqe 3
faqe
- 4 -

Faqe 5