Kiço Negovani, simbol i një brezi idealistësh

Nga Wikibooks

Prof. Dr. Edmond Pinguli

Është detyrim i veçantë për të gjithë ne, që na jepet mundësia për të shprehur me krenari dhe dinjitet konsideratën e lartë për një nga figurat e mëdha intelektuale dhe me emër të madh në fushën e “Inxhinierisë së Ndërtimit”, për Prof. Dr. Ing. Kiço Negovani, i cili ndërroi jetë në moshën 93 vjeçare në 11.07.2018 në Amerikë. Ai dha një kontribut të çmuar në zhvillimin bashkëkohor të arsimit të lartë në Shqipëri. Euripidi thoshte: “Kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep atdheut”.

Ai është përfaqësues i denjë i asaj klase intelektuale, e cila me vullnet, pasion, dashuri, këmbëngulje dhe përkushtim, përballoi me sakrificë dhe vetëmohim, sfidat më të forta që kombi ynë ka kapërcyer me sukses gjatë gjithë ekzistencës historike të tij të lavdishme në shekuj, pikërisht atë të programit madhështor mbarëkombëtar të arsimit. Kjo luftë titanike u bë realitet, duke qenë e pranishme kudo sot. Drita e saj rrezatohet me forcë në çdo skaj të atdheut tonë të dashur, duke mbështetur çdo celulë të zhvillimit politiko-shoqëror dhe tekniko-ekonomik të tij. HEGEL thoshte: “Intelektual i vërtetë është ai që i përkushtohet kombit”.

Ky bir i çmuar dhe i thjeshtë i familjes së tij me tradita të mëdha patriotike, e cila ka lënë gjurmë gjaku të thella dhe të pashlyeshme, në historinë e përhapjes së arsimit të parë në gjuhën shqipe, tregoi me veprimtarinë e gjithë jetës së tij, se ai u bë një luftëtar i flaktë i mbështetjes së zhvillimit të arsimit të lartë. Profesor Negovani ruajti me fanatizëm dhe çoi më përpara këto tradita të shenjta të familjes se tij, duke treguar edhe një herë, se ai është një pasardhës i denjë me përmasa poliedrike i një mësuesi, luftëtari dhe martiri të paharruar të popullit tone. Vlerat e tij sa fisnike aq edhe mëmëdhedashëse, si dhe gjaku i tij që shërbeu si ushqim në kandilin e dritës, u bë simbol i kësaj drite. Ai ndriçoi me madhështi errësirën e plotë, duke zënë vend sa të çmuar, po aq dhe të pashlyeshëm në altarin e historisë së përhapjes së shkrim-këndimit të gjuhës tonë të bukur dhe të lashtë amtare. Amaneti i këtij atdhetari të shquar, martir i përhapjes së gjuhës shqipe, Papa Kristo Negovanit, ishte: “Mua më vrisni, po gjakun ruajeni, sepse ai do t’u duhet, për të shkruar gjuhën e bukur shqipe”.

Horaci thoshte se “Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe, por edhe më kënaqësi është të jetosh për të”. Në këtë piedestal monumental madhështor e meriton të ketë një vend të nderuar përgjithmonë edhe mësuesi jonë i dashur, i çmuar dhe i pa harruar Prof. Negovani, nipi i denjë i një njeriu të martirizuar për këtë qëllim, heroit të paharruar dhe luftëtarit trim Papa Kristo Negovani.

Nga historia e popullit tonë kanë dalë shumë figura sa të shquara po aq edhe të çmuara, të cilët me veprat dhe punën e tyre kanë treguar, se ky vend i lashtë ka patur, ka dhe do të ketë gjithmonë përfaqësues të denjë për potencialin energjetik, mendor si dhe për fuqinë e tyre shpirtërore, në nivelet më të larta të prodhimit gjenerues të racës njerëzore. Ata kanë mbetur gjithmonë monumente të gjalla të një pune titanike.

Ky është një mësim i madh sa historik po aq dhe filozofik, i cili tregon edhe njëherë shumë qartë, se shoqëria nuk duhet te harrojë vlerat e saj, të prodhuara në kohë.

Ky popull shquhet për zgjuarsi natyrale, duke u renditur në elitën e kombeve me inteligjencë të lartë. Kjo është një pasuri kombëtare me vlera të pa llogaritshme, e cila duhet ruajtur me fanatizëm, por njëkohësisht duhet shfrytëzuar me efektivitet maksimal, në dobi të zhvillimit dhe përparimit me ritme të larta të vendit. Gjithashtu ne duhet të kujdesemi për të vazhdimisht, duke e zhvilluar dhe propaganduar në mënyrë që të kryejmë një punë të mirëfilltë edukuese, për brezat që vijnë. Ne nuk jemi të pasur që t’i biem me shqelm kësaj pasurie, sepse një ndër parimet bazë të përparimit cilësor të shoqërisë moderne, i shprehur simbolikisht, është se që shkretëtira të kthehet në një oaz begatie, duhet të zbatohet me konsekuencë ekuacioni matematik i thjeshtë në dukje, por i vështirë në zbatim, i cili përmban nga njëra anë “mendjen e ndritur” dhe nga ana tjetër “punën vetëmohuese”.

Ne nuk duhet të lejojmë, qëndrime të pa përgjegjshme, si ato të rrjedhjes së trurit, siç po ndodh edhe sot, por duhet të krijojmë me çdo kusht kondita të favorshme në këtë drejtim. Duhet të ngrihemi me forcën e dinjitetit tonë kombëtar, patriotik dhe intelektual, që t’i pritet rruga kësaj të keqeje të madhe, e cila ka marrë përmasat e një sëmundjeje galopante. Në këtë vend sa të bukur aq edhe të pasur ka vend për të gjithë, që të jetojnë mirë. Po t’i referohemi historisë tonë të vjetër dhe të re, do dallojmë menjëherë lakminë e madhe të vendeve të tjera, për ta pushtuar atë dhe për ta shfrytëzuar atë.

Pikërisht këto kanë qenë mendimet, sugjerimet, shqetësimet dhe detyrimet, që mësuesi i jonë i madh i tregonte me përkushtim. Atij i dhimbsej atdheu i tij dhe populli i tij, se trishtohej kur shikonte në çfarë gjendje ai ndodhej .

Ne nderojmë me dashuri dhe respekt të thellë luftëtarin e madh, patriotin e madh, shkencëtarin e madh, mësuesin e madh dhe mbi të gjitha njeriun e madh. Ai është i vetmi “Dekan” nga të gjithë ata, që u emëruan në vitin 1957, me krijimin e “Universitetit të Tiranës” deri sot, duke shtuar akoma më tepër, nderimin dhe konsideratën për të. Kujtimi i tij do të mbetet i pa harruar në breza, duke u ngritur në piedestalin memorial të figurave më të çmuara të popullit tonë.

Prof. Negovani i përket atij brezi idealistësh, që me dashuri, përkushtim, vetëmohim dhe sakrifica sublime, si edhe me thjeshtësinë dhe karakterin e pastër që pasqyronin, dhanë gjithçka, që ju kërkua dhe nuk morën asgjë, duke i dhënë kështu një mësim, sa të pa harruar po aq edhe konkret zhvillimit historik dhe shoqëror vendit tonë në të ardhmen.

Ky edukator i brezave të tërë te “Inxhinierisë së Ndërtimit”, ishte luftëtar i vendosur i realizimit të programeve shkencore, po edhe aq madhështore të rimëkëmbjes dhe përparimit të vendit tonë në fushën e arsimit dhe ndërtimit me kontributin e shquar dhe te çmuar te tij . Po ashtu, ky intelektual erudit, me shpirt dhe zemër të artë do të mbetet shembulli më tipik dhe një ndër përfaqësuesit më dinjitoz të armatës të ndërtimit. Të gjitha këto ai i ka bërë për lavdinë e atdheut të tij të shtrenjtë, pa ditur, se një ditë, ato do t’i kthehen në lavdi për emrin e tij, i cili do të mbetet si fener ndriçues në jetë të jetëve, duke u kujtuar me admirim të thellë në brezat e ardhshëm.

Gjithashtu, ky është një gjest fisnik, i cili e meriton këtë shërbesë modeste, por shumë kuptimplote për të gjithë ne nxënësit e tij të fushës së ndërtimit sot. Nderimi për jetën dhe punën e këtij njeriu, është njëkohësisht, nderim për punën dhe jetën e secilit prej nesh, duke përbërë kështu gurin e çmuar të veprimtarisë njerëzore. Mirënjohja e thellë ndaj një kujtimi, përmban në vetvete obligimin më dinjitoz, që shpreh në veprimtarinë e saj jetësore një shoqëri e emancipuar. Ne të gjithë duhet të kujtojmë me krenari dhe respekt të madh këta njerëz, sepse tek ata ne gjejmë frymëzim të pashtershëm në veprimtarinë tonë, për zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e popullit.

Ne miqtë, kolegët dhe nxënësit e tij e kujtojmë me dashuri dhe krenari, duke shprehur në këtë mënyrë respektin dhe mirënjohjen e thelle për Profesorin, njeriun tonë të shtrenjtë e të pa harruar , shkencëtarin e madh të artit të Inxhinierisë së Ndërtimit , ku me plot të drejtë është quajtur si “Babai i inxhinierëve të ndërtimit”.

I pa harruar do të mbetet në kujtesën tonë brez pas brezi figura aq e dashur, frymëzuese, edukative dhe e respektuar e mësuesit tonë, Profesor Kiço Negovani.


22 Korrik 2018