Kap. VIII Kufijt e Shqipnís në Mesjetë; Dr. Milan v. Sufflay: ''Die Grenzen Albaniens im Mittelalter'', 288-293

Nga Wikibooks

Konferenca e Ambashatorvet përgjithsisht u muer vesht për kufîjt e Shqipnís s'ardhshme. Sulmimet e ndërmarra prej Malazezvet e Sërbvet kundra Shkodrës, kallat e veprimet e mënishme sërbe në Shqipní s'kanë mâ qyshë kaherë ndonji lidhje me luftën e Shtetetvet balkanike kundra Tyrqís, ato nuk sillen tash vetëm kundra vëndimit të Pushteteve të mëdhá, jo veç kundra parimit ethnik të theksuem në fillim të luftës balkanike prej vetë Beslidhunvet, por edhe kundra së drejtës historike të Shqipnís, pra jo vetëm kundra s'ardhëshmes, por edhe kundra së shkuemes së Shtetit qi po lén.

Për dijetarin âsht nji gjâ tepër e mërziçme, kur edhe vetëm dukën të ketë se po don me e vûmë shkencën në shërbim të politikës; prandej atij zakonisht i pëlqen mâ fort me e rrahun frytin e punës së vet në rivista shkencore e makar, në rasë nevoje, ndër fletët e posaçme të gazetave të mëdhá, por jo ndër shtyllat politike të fletoreve të përditëshme. Me gjithë këtë, nji vepër përmbi Shqipnín sod për sod natyrisht duhet të përbâjë nji përjashtim, dhe kjo vepër sidomos, përfundimet e pakontestueshme e tepër aktuale të së cilës po due me i paraqitun përsri këtu, do të shërbejë edhe me zhdavaritun do paragjykime mjaft të përhapuna, veçan me fashitun nj'ato vërshime të zbukurueme e të fryme me gënjeshtra historike të nji palë shtetistave e letrarve sërb, të cilët po kujtojnë se Evropa perëndimore shi prej tyne duhet t'a mësojë zhvillimin historik të Balkanit ! Për të mos mujtun me i u bâmë ksaj vepre munshtimi se âsht shkrue ad hoc, mjafton nga nji anë vetë lânda monumentale qi ka mbrênda, e cila ka lypun nji punim të vazhdueshëm shumë vjeç dhe pështet mbi dokumenta zyrtarë nxjerrë kryesisht nga arqivat e Naplit, Vatikanit, Raguzës e Venedikut; nga tjetra anë garantojnë emnat e auktorvet, ndër të cilët njâni (Jireèeku), shkrues'i historís së Bullgarvet dhe të Sërbvet, quhet edhe ndër sy të Slavëve të Jugës e të Rusvet mâ i miri njohës i Balkanit; dhe tjetri (Thallóczy), ai qi i ka dhânë shkas ksaj vepre, njihet mirë edhe jashta kufîjve t'atdheut të tij si kërkues i shquem e i palodhshëm i rrethit të fuqís së Shtetit mesjetuer të Hungarís në Balkan.

Rindërtim'Shqipnís mesjetore (paratyrke) duhet të përbâjë edhe nji pikpështetje arqimedjane të vërtetë për të çinteresuemit në gjykimin se cili âsht bash minimumi objektiv i kufîjve të Shqipnís s'ardhëshme dhe se pikpamja e kujt i afrohet mâ tepër postulateve t'objektivitetit; e jo vetëm të mbëshojë mbi kupën e pesharit me s'dij ç'farë peshet. Kjo âsht edhe ana mâ interesante e ksaj vepre.

Ethnos-i i Shqiptarvet âsht shumë i lashtë edhe mâ i qëndrueshmi i sinisís balkanike. Gjatë mâ se njimijë vjetsh ai ka qênë pjestar i të njâtit fat me racat slave e helene qi sod janë tue gzue lirí të plotë. Në kohën paratyrke Shqipnija eksistonte kamot, ndonse jo si nji tânsí politike, por prap se prap eksistonte si nji koncept gjeografik e ethnik paralelisht me konceptin politik të Bullgarís e të Sërbís, tue lânë mbë nj'anë Malin e Zi, i cili nga pikpamja historike mund të quhet si nji bir i bastardhuem i Shqipnís.

Shqipnija âsht formue në mesjetë mû si Bullgarija e Sërbija, sado qi lânda ethnike e saj âsht tepër e vjetër. Kjo âsht nji krijesë thjesht mesjetore, koncepti shkencuer i së cilës kishte mbetun me u themelue vetëm tash mbi trollin e gjithë lândës historike qi i përkiste pjesës perëndimore të gjysishullit balkanik. Karta e Shqipnís mesjetore qi gjindet e ngjitun në të parin blê të veprës âsht përfundim'i nji punimi, të cilit âsht dashun me i kushtue nji kujdes të madh. Elementat e methodës shkencore të përdorun për tê janë tregue në parathânje e atje do të shihet se koncepti shkencuer dhe kufîjt e vizatuem kartografisht të Shqipnís mesjetore janë nji resultante qi del themelisht nga nji komponente kryesore dhe katër komponente të dorës së dytë. Komponentja kryesore përbân historín e zhvillimit të këtij koncepti në mesjetë, domethânë nj'atë shumicë paraqitjesh, shpesh herë mjaft të gabueme, qi gjinden te Grekët, Sërbët, Napolitanët, Raguzanët e Venecjanët e mesjetës për sa i përket gjânsís gjeografike të Shqipnís. Katër komponentet e dyta përfshijnë së pari vëndosjet e vjetra shqiptare, së dyti caktimin e sferave të fuqís së princave të vogjël, por thjesht shqiptarë, së treti kufîjt mesjetorë të qarqevet kishtare, dhe mâ në funt konfiguratën toksore.

Emn'i fisit të motshëm ilir t'Albanvet përmêndet në kohën imperjale të Romës, por mbandej zhduket krejt e vetëm në qv. XI del prap në shesht ndër burime byzantine dhe shi si emën i banorvet malsorë ndërmjet Shkodrës, Durrsit, Ohrit e Prizrenit me qytezën e Krujës në qêndër. Prej këndej ai emën shtrihet dalakadalë tue mbetun ethnikisht i patrazuem. Raban-i i Sërbvet në qv. XIII âsht shumë mâ i madh se Arbanon-i i Byzantinvet në XI. Ai përfshîn po nën të njâjtin emën dhe popullsít e Pultit t'epër e të poshtër qi shtrihen ndërmjet bregut linduer të lëqênit të Shkodrës e Drînit të Bardhë. Në të njâjtën kohë, veç, ase pak mâ vonë (1255) Arbanon-i i Byzantinvet âsht nji koncept me nji aftësí të veçantë zgjânimi kah Juglindja. Edhe kah Juga emn'i Shqipnís ka çamë rrugë qyshë herët, sepse princi shqiptar Karl Thopija, i cili e quen veten në 1381 "Zotnija i gjithë Shqipnís", zotnon ndërmjet lumit të Matës e të Devollit (Dieval, Semeni). Kështu spjegohet qi në dokumentat raguzanë të qv. XIV Shën Shirgji (Sird_i) në breg të Buenës, n'ata të qv. XV Tivari, kuvend'i Rtacit (Rotezo), deri Lustica pranë Katorrit shënohen si vise të Shqipnís dhe qi në përshkrime venecjane po t'atyne kohnave Shqipní quhet qyshë prej Ulqini deri në Vlonë.

S'ka dyshim qi fis'i Albanvet, së paku në mesjetë, rronte me grumbullime kompakte në gjithë nj'atë tokë qi merrte emnin prej tij, n'Albaní, me qytetin e Krujës për qêndër. Po të pranohet kjo bazë, atëherë edhe kufîjt e Shqipnís mesjetore mund të caktohen me nji përpikní të mjaftueshme; sidomos po të merret para sysh sfer'e fuqís së secilës familje fisnike thjesht shqiptare, zotnim'i të cilavet, tue qênë aq'e spikatun ndiesija e fisit ke Shqiptarët, vetëm në rreth shqiptar mund t'ishte i qëndrueshëm. Pra kur burimet mesjetore na ndiçojnë fare qartas e jashta çdo dyshimi, tue thânë se në qêndër me qytetin e Krujës në qv.XIII zotnon për shumë breza (Progon, Gjin, Mitër, Golem) nji skotë thjesht shqiptare gati e pamvarun e rreth ksaj qêndre në Veri familjet Dukagjin, Suma, Jonima, Dushman, në fushë gjatë bregut të detit e në Jugë Matarango, Thopija, e Muzaqi gjithashtu; kur shihet sheshit se prej Shkodre e përmbi Koplik deri në Tuz mbërrîjnë grumbullime kompakte Albanësh dhe se Raguzanët raportojnë në qv.XIII sulmime Shqiptarësh mû në breg të Cemit (Cevna), kur prej dokumentavet sërbjanë merret vesht kthjellt se ndërmjet Vlonës e dy Drinjvet mbizotnojnë fiset shqiptare e prej burimesh greke edhe se Dibra âsht ethnikisht shqiptare, kur në qv.XIII rreth Vlonës banojnë familje fisnike shqiptare shumë të greqizueme, atbotë mundet njeriu me besue e me pohue qi koncepti gjeografik i Shqipnís mesjetore, ashtu siç âsht zhvillue deri në qv.XV, ishte për njimênd nji koncept ethnik par excellence e se pra ishte bloku auktokton shqiptar-ethnik qi mbushte materjalisht kufîjt e këtij koncepti.

Koncepti gjeografik-ethnik i lemë në këtë mënyrë, âsht fisikisht nji vênd i damë prej fqinje të vet gjithkund me kufîjtë natyrshëm gati të papremë. Ky vênd âsht përgjithsisht ai që Romakët quejshin Illyricum proprium, por edhe mâ mirë Epirus nova i Grekvet, Thema Dyrrahachion e në fillim Dukat'i Durrsit i Venecjanvet. Kufîjt e tij bien bashkë me ata të kryepeshkopís së Durrsit qi në qv. X kishte mâ se 15 sufragana, dmth. ata të Stefanaskës (në Mat), Kunavís (në breg të Matës), Krujës, Leshës, Djoklés (afër Podgoricës në breg të Moraçës), Shkodrës, Drishtit, Pultit, Glavinicës (afër Vlonës), Vlonës, Ulqinit, Tivarit, çermnikës (Cernik, afër Elbasanit); Beratit e Gradacit (afër Vlonës). Âsht e vërtetë se në qv. XI Tivari qe damë nga Durrsi e pat shkuem me Kryepeshkopin e Raguzës, por mbas nji grindjeje të gjatë me këtê u bâ vetë kryepeshkopí përmbi Shkodrën, Drishtin, Ulqinin et. Përveç parimit ethnik, arsyeja qi na s'e përjashtojmë Tivarin (qi sod âsht nën Malin e Zi) nga koncepti gjeografik i Shqipnís mesjetore qëndron në këtë rrethanë kishtare e gjithashtu shkaku për të cilin nuk mund t'a quejmë shtratin e Buenës si kufî të Veriut bregdetuer.

Mbas gjithsa u tha deri këtu, koncepti shkencuer gjeografik i Shqipnís mesjetore mund të përcaktohet shkurt kështu: Shqipnija mesjetore âsht katërkândshi Tivar-Prizren-Ohër-Vlonë. Por kufîjt e saj mâ të përpikët shkojnë përmbi Tivarin nëpër qafën e Sutormanit e shul përmbi lëqênin e Shkodrës e në Moraçë. Mbasandej gjatë Cemit (Cevna) përpjetë deri ke burim' i këtij, nëpër Prokletí, malin e Kakinjës (Nyja shqiptare) dhe burimin e Valbonës te lum'i Erenikut2. Nën Gjakovë kah Drin'i Bardhë mbi Prizren, Lumë, Drî të Zi, dmth. nëpër vargun e malevet qi zgjaten paralelisht mbi luginën e Drînit n'anën lindore deri ke lëqên'i Ohrit, mbasandej mbi bregun linduer të këtij lëqêni e në Devoll3 përpjetë lumit të Tomorricës e kah Osumi nën Berat, Osumit përpjetë, te Përroi Sels e në bërrylin krysuer të Vjosës, prej këndej në Shushicë nën Vlonë ku mbërrîjmë n'Adrijatik. Nji rreth qi do të kishte për rreze vín Krujë-Vlonë përpiqet shumë herë me këta kufîj dhe i merr të gjithë mbrênda.

§§§

Konferenca e Ambashatorvet i caktoi kufîjt e Shqipnís s'ardhëshme. Auktor'i këtij artikulli natyrisht nuk e din vín e vërtetë të tyne. Nji gjâ din ky, qi krijim'i nji Shqipnije të rrueshme âsht i nevojshëm, dhe tue u pështetun mbë këtê ai mundet me thânë qetsisht qi bërthamën e Shqipnís s'ardhëshme mohamedane-katholike mund t'a formojë vetëm Shqipnija historike Tivar-Prizren-Ohër-Vlonë, nga e cila s'ka si përjashtohet kurrsesi Shkodra. Shqipnija, qi sundimi tyrk e ka çue shumë poshtë në rrafshin e zhvillimit të naltë të jetës së saj mesjetore, duhet të përtrihet në konceptin gjeografik, ku dikur reflektohej gjithë bota balkanike si në nji monade leibnizja.