Kap. I Shqipnija në të kalueme, Dr. Konstantin Jireçek-ut: ''Albanien in der Vergangenhei'', 63-93

Nga Wikibooks

(Dalë së pari në Österreichischen Monatschrift für den Orient, botuem në Vjenë prej K.K.Handelsmuseum, moti 40; kallnuer-fruer 1914) Paraqitja e historís së këtij vêndi s'âsht gjâ e lehtë. Shqipnija qyshë prej kohnave të moçme e këndej s'ka formue kurrë nji Shtet të madh kombtar t'unjishëm. Nga kjo pikpamje Shqiptarët dallohen nga Grekët e mesjetës, nga Bullgarët, Sërbët e madje edhe nga Boshnjakët. Historija e Shqipnís âsht pjesë e historís së Shteteve të ndryshme të hueja, të princnive të vogla lokale dhe të fisevet malsore autonome. Të parët e Shqiptarvet kanë qênë Ilirët e moçëm ( Illyrët, Hilurii të Latinve të vjetër), të cilët banojshin në bregun linduer t' Adrijatikut prej Epirit e kah veriu deri në Panoní (A) të damë ndër shumë grupe. N' Italí, Venetët dhe fiset e Apulís (Mesapët, Japygët, et.) numrohen prej sish. Simbas gjuhës ata zânë nji vênd mesatar ndërmjet Helenvet e Italikvet. Emnat personalë ilirë të njohun prej mbishkrimesh afrohen mâ fort kah italikja se kah helenikja. Nuk janë dyrrânjsha si e shumta e emnavet helenikë, gjermanikë, slavë ase iranikë, por mâ tepër njirrâjsha, si p.sh. Bato, (shkruem Baton, prej Grekvet), Apo, Tato, Verzo, Plares (gjenitivi Plarentis), Dassius, Plassarus, Pleuratus, et. Edhe emnat e vêndeve t'Ilirís e t'Italís kanë shumë karakteristika të përbashkta. Populli ishte i damë ndër shumë njisí të vogla, sikur Dalmatët ke Salona, nga të cilët vjen emn'i Dalmatís, Vardejt (për Grekët Ardjejt) ke Makarska, Dokleatët në Malin e Zi të sodshëm, Pirustejt dhe Desaretët në Shqipní të Veriut, et. Mâ e shumta ishin fise barijsh, të cilët me prét e tyne detare i kanë mërzitun mjaft Grekët e mbrapa edhe Romakët. Në Damastion, në tokë të Dasaretvet (ndoshta në Dibrën e soçme) ka pasun cehe argjêndi. Mbretnija ilire e Agronit, e mbretneshës Tevta dhe e pasardhësve të tyne në të III e të II qv.p.K. i kishte qândrat e veta në Shkodër e në Rhizon (Risano), por nuk i përfshinte fiset malsore të Dalmatís verijake. Romakët e hoqën (168 p.k.) mbretin e fundëm Genthios, të njohun edhe nga paret e preme prej tij (me mbishkrim greqisht) si beslidhun të Maqedonvet, po për me shtrue Ilirët e Veriut u desh shumë kohë e lufta t'ashpra qi vazhduen deri në kohën e Augushtit. I fortë ka qênë ndëkim'i i qytetnimit helenik. Qytetarët e Korqyrës (B) themeluen në bregun e fushës së Shqipnís së mesme të soçme dy koloní, paret e argjênta të të cilave gjinden sod kudo në të tâna vêndet qi shtrihen deri në Danub e Transilvaní. Durrsi ka qênë nji qytet me rândsí, në fillim i ndërtuem mbi nji gjysishull shkâmbi, gjatë gjithë shekujvet nji kryevênd i bregut shqiptar. Mâ poshtë Pojani qe shkretue qyshë në kohë të Perëndorit Justinjan (C) për shkak të moçalevet qi bâjshin pa prâjtun grykat e lumnave t'afër. Gërmadhat e përshkrueme prej Dr. K. Patsch-it gjinden në grykë të Semanit afër manastirit grek "Panagia tis Apollonias" (D) dhe fshatit të Pojanit, të banuem prej Kucovllehvet. Trashigimtare e Pojanit u bâ Vlona e soçme (greqisht Aulon-gropë,kanal,hendek) qi gjindet mâ në jugë nën qytezën e madhe të Kaninës e me nji liman të bukur të natyrshëm. Nji koloní syrakusjane ishte në kohën e vet edhe Lissos-i (Leshja) me qytezën Akrolissos-it përmbi qytetin . Gjeografi aleksandrin Ptolemeu (E) përmend në të II qv.mb.K nji fis t'Albanvet në lindje të Leshës me qytetin Albanopolis, vêndi i të cilit Hahni beson se janë gërmadhat e Zgurdheshit në rrânxën perëndimore të malit të Krujës. Emn'i këtyne Albanve, për shkak të rândsís strategjike të vêndeve të tyne të vështira me u shkelun, qyshë prej qv. XI i u dha gjithë tepricave tjera t'Ilirve të moçëm. Vêndi rreth Krujës e Elbasanit prej të XI qv. deri në të XV u quejt prej Byzantinvet Arbanon ase Albanon, latinisht Arbanum e në sërbishte të vjetër Raban. Populli quhej, tue ndërrue vazhdimisht l-ja e r-ja njâna me tjetrën, Albanoi, Arbanoi ase Albanitai, Arbanitai , latinisht Arbanenses ase Albanenses. Prej formës latinishte ase romane ka lemë edhe slavishtja Arbanasi dhe mâ në funt prej greqishtes së re Arvanitis erdh tyrqishtja Arnaut. Albanezët e quejnë veten Arbër ase Arbën. Emni Shqiptarë âsht mâ i ri (mbas Gustav Meyerit prej latinishtes excipio); këtê as Shqiptarët e emigruem në të XVqv. n'Italí e në Greqi s'e njohin (F). (.................) .Në kohë të Romës perëndorake gjymsa verijore e gjysishullit balkanik dahej dysh, njâna e romanizueme e tjetra e helenizueme (F-1). Kufini ndërmjet këtyne shquhet mjaft mirë mbas mbishkrimesh e paresh të qytetevet. Ai fillonte në Lesh e shkonte kah lindja nëpër malet e Shqipnís dhe tue i u sjellë qytetit të Shkupit në Maqedoní kah an' e jugës mbërrinte në tokë të Haemus -it ( të malit Balkan) ndërmjet Nishit (Naissus) e Pirotit të sodshëm. Edhe kolonizimi romak dahej në dy pjesë. Kolonizimi civil në Dalmatí, ku tepricat e djalekteve mesjetore romane ruejshin forma shumë të vjetra, ka qênë mâ i lashtë; kurse kolonizimi ushtarak rreth fushimeve të mëdhaja të legjonevet (G) në Danub, ku dalkadalë u formue rumenishtja, ka qênë mâ i ri. Në mest, ndërmjet Dalmatís, e Romakve të Danubit, gjindej nji zonë gjyslatine, e banueme prej Ilirvet malsorë. Shqipja âsht sod plot me elementa romanë, pa dyshim tue fillue prej latinishtes së vjetër e deri ke venetishtja. Miklosich-i ka gjetun 930 ksi elementash e Gustav Meyeri 1420, qi thuhet se përbâjnë mâ tepër se të katërtën e gjithë thesarit të gjuhës. Schuchardti e Gustav Meyeri e qesin shqipen si nji "gjuhë të përzieme gjysromane". Fjalët për kuptimet mâ të zakonshmet janë latinishte: mik, amicus; print, parentes; vërtyt, virtutem; mort, mors; qytet, civitatem; ngusht, angustus; numroj, numerare; këndoj, cantare, et. [Gustav Meyer: Die lateinischen Elemente in Albanesischen , punuem rishtas nga Meyer- Lübke në Grundriss der romanischen Philologie të Gruberi-t, botim i dytë, Strassburg, 1906, I, 1038-1057] (H) Edhe terminologjija kristjane e Shqiptarvet rrjedh prej kohës romake, ashtu si dhe ajo e Rumenvet. Në Shqipní na kujton Dalmatín e Heladën numr'i madh i katundevet me emna shênjtash, i emnave të vjetër të kishavet qyshë prej mesjetës së hershme; gjâ kjo, qi në Bosne, në Serbí e në Bullgarí mungon gati krejt. Koloní romake ka pasun dikur edhe në zonën gjysgreke në jugë të kufînit qi u përmend mâ nalt. Nji qytet i madh typit latin ka qênë Durrsi, për shumë shekuj nji stacjon i rândsishëm mbi udhën prej Rome nëpër Brindisi e deri në Selanik kah Lindja. Romakë banojshin edhe në Byllis (ase Bullis), nji vênd kodrinash në lindje të Vlonës. Ndryshime të mëdhaja kanë sjellë rrebeshet e mërgatave të popujvet qi u përfunduen në gjysishullin balkanik vetëm në të VII qv.mb.K. Provincjalët e vêndevet danubjane, e shumta barij, u tërhoqën dalkadalë kah juga. Nji lagje Romanësh mbërrîni deri në Thesalí e n'Epir. Gjithashtu u shtynë pa dyshim edhe tepricat ilire kah juga, ndër provincat qi përpara ishin mâ fort greke. Zona e Danubit u zû prej Slavëvet në qv.VI deri VII, në Veri me turma të mëdhá e në Jugë, ku disa fise të shkëputuna të tyne kishin mbërrîmë deri në Greqí, mâ të pakët. Prej fisevet sërbohërvate të bregut t'Adrijatikut ata mâ jugorët ishin Djoklitët ase Djoklejt, të vëndosun në Mal të Zi të sodshëm e të quejtun kështu prej qytetit romak Doclea, afër Podgoricës së soçme; kjo zonë dikur ishte e banueme prej Dokleatvet ilirë e prej këtyne rridhte edhe emn'i qytetit. Nga Maqedonija pat mbërrîmë nji rrêmb i kolonizimit slav në breg të detit ndërmjet Durrsit e Vlonës, ku shihen shênjat në nji tog të madh emnash vêndi. Atje ka edhe qytete të mëdhá e selí peshkopësh me emna slavë, mâ i pari "Qytet'i Bardhë", "Beligradi i Romanís" për Italjanët, "Bellagrada" për Byzantinët, Berati i sodshëm i Myzeqés. As n'Epir s'ka qênë i pakët kolonizimi slav, siç kuptohet nga emna vêndesh të përmêndun ndër dokumenta byzantinë. Qêndra e pronavet byzantine n'Adrijatik ka qênë Durrsi, vêndi ku leu Perëndori Anastasios I (491-518), nji nga parardhsit e Justinjanit; rreth'i këtij qyteti ka shkue tue u voglue shumë herë, sikurse shihet nga tepricat e murevet, vijat e të cilavet janë ngushtue gjithmonë e mâ tepër. Kufîni verijak i provincës, i "themës" byzantine, të Durrsit gjindej ende në qv.X n'anën e veriut të qytetit të Tivarit. Në këtë pjesën e Veriut të provincës, popullsija romane ka qëndrue mbë kâmbë edhe për nji kohë të gjatë në shumë qytete të mëdha e të vogla, afër njâni-tjetrit, si Shkodra, Drishti, Soacia (sërbisht Svaç), Ulqini, Tivari, et. Qyshë prej të XV qv. këta Romanë u zhdukën, mâ e shumta tue u shqiptarosun, por nji shumicë kujtimesh romake vazhdon të rrojë nëpër emna vêndesh: lum'i Valbonës , në malet kah lindja e Shkodrës, ai i Rijollit (rivulus), ndërmjet Shkodrës dhe Podgoricës, banorja Fundina (fontana), et. Qyshë me plasjen e luftës për fuguret (ikonat) në të VIII qv. perëndorët e Stambollit i dhanë fund lidhjes qi kishte kisha e ksaj zone me Romën. Peshkopët e krahinës së Shkodrës figurojnë ndër katalogë të vjetër të peshkopivet orjentale si nënurdhnorë të metropolitvet grekë të Durrsit. Me gjithë këtê mbas luftës së Djoklitvet kundra Byzancit, në të XI qv., në Tivar u ngreh nji kryepeshkopí e re katholike, e cila qëndron edhe sod. Ksaj kishe kryepeshkopore i përkasin shumë peshkopí ndër qytetet e krahinës së Shkodrës e ndër malsina t'afra ku kishin selín e tyne "episcopus Polatensis (peshkop'i i Pultit) dhe "episcopus Arbanensis". Përkundrazi në Shqipní të mesme qëndronte i gjallë e mbë kâmbë ndëkimì'i kishës greke, sidomos me anën e kryepeshkopís autoqefale t'Ohrit, e cila vetëm në 1767 qe bashkue me patrijarkín e Stambollit. Në mesjetën e hershme Shqiptarët kufizoheshin në nji qark të ngushtë. Zêmr'e tyne përmblidhej në katërkândshin Shkodër-Prizren- Ohër- Vlonë me disa të shtrime mâ përtej kah veriu. Në të XIV qv. përmênden ndër dokumenta, medis katundarësh të vëndosun afër Katorrit, "Arbanenses" me emna personalë shqiptarë, dhe gjithashtu në luginën e Cërmicës, në veriperëndim të lëqênit të Shkodrës, qi sod âsht thjesht sërbe. Nji komune barijsh afër Stolacit në Herzegovinë e përmendun qyshë në 1330, Burmasi ase Burmazoviqi, e ka emnin e vet prej Burrmadhit (burr'i madh), emën personal shqiptar i mesjetës. Në Mal të Zi ka emna vêndi shqiptarë ndër krahina ku sod askush nuk e flet mâ këtë gjuhë: Shingjon, Goljemade, e dokumentueme qyshë në 1444 si gulae magnae, pra shqip golëmadhe , sod gojemadhe; mbandej Shekulare ( për t'u shqiptue-llare ), nga saeculum, shqip shekull-botë, et. Âsht për t'u shënue nji gojdhânë mbas së cilës disa fise shqiptare e sërbe rrjedhin prej së parësh të përbashkët, b.f. si Vasojeviçi, Piprri, Ozriniqi, të cilët sod janë sërb, dhe Krasniqi e Hoti, shqiptarë, dalë prej pesë vllaznish. Kuçët në Lindje të Malit të Zi sod janë sërb orthodoks, por Mariano di Bolizza nga Katorri i përmênd në përshkrimin qi i bân vêndit të tyne në 1614 si "Chuzzi Albanesi", "del rito romano". Në krahinën e Prizrenit e të Pejës gjêjmë ndër letrat e kryepeshkopit t'Ohrit, Demetrios Chomatianos (rreth 1230-s) e në dokumentat shumë të hollsishëm të monastirevet sërbe, sidomos të Deçanit (1330) dhe të monastirit të Kryêngjëllit në Prizren, nji popullsí të dêndun bulqish me qinda emnash personalë slavishtje të vjetër, ndër të cilët vetëm disa janë shqiptarë, si Llesh, Gjon ase Gjin et. Shqiptarët vetë ishin në mesjetë shumë mâ afër me Grekët e Romanët e Dalmatís se sa me Slavët qi ishin kthye rishtas në kristjanizëm. Ata ishin nji popull i krishtênë qyshë moti, me nji kulturë qytetare mâ të madhe. Secili Shqiptar bante dy emna. I pari ishte zakonisht nji emën i krishtênë, si Pjetër, Pal, Gjon, Gjin, Llesh, Mitër, Lazër, Mavric, et. e rrallë nji emën kombtar, si Burrmadh, Bardh, Progon, et. I dyti ishte nji emën fisi a katundi, sikur sod të mirnjohunit Tuzi, Shkreli, Kastrati, et. Edhe fiset e Shqipnís së Veriut fillojnë e njihen heret, p.sh. Hoti qyshë në 1330. Nji sqyrtim të hollsishëm na e siguron mâ së miri kadastra venecjane e vjetës 1416 në qarkun e Shkodrës, e cila shënon pronarët e shtëpivet të katundevet e natyrisht edhe gjithë fisnikët. Historija e këtyne vêndeve bâhet plotsisht e qartë vetëm në qindvjett e fundit të mesjetës. As në luftat e Byzantinvet me mbretnín e vjetër të Bullgarvet nuk bâhet fjalë për Shqiptarët, sado qi pra Symeon'i Bullgaris nji herë (rreth 896-s) ka pasë pushtue 30 kështjej afër Durrsit dhe në qv.X e XI Ohri ka pasë qenë kryeqytet i Bullgarvet e Car'i fundit Gjon Vladislavi (1017) ka qënë vramë në nji rrethim të Durrsit. Mâ vonë Djoklitija u bâ qêndra e Sërbvet, mbret'i të cilvet Bodini e kishte selín në Shkodër. Nji shumicë lajmesh mâ e madhe fillon në kohnat e luftave të Byzantinvet me Normandët e Italís së Jugës në qv.XI e XII, qi zakonisht kishin për qëllim zotnimin e Durrsit (H-1) Mun aso kohe përmenden Shqiptarët për të parën herë prej Mhill Attaleiates-it (1143-1180) në qv.XI. I mbrapmi perënduer i madh grek Manuel Komnenos-i përtrin edhe nji herë zotnimin byzantin si në Veri të Dalmatís me qêndër në Spalato, ashtu edhe në Jugë mbi Shkodër, Tivar, Ulqin e rrethe. Mbas dekës së tij e me ligshtimin e perëndorís së Stambollit kjo krahinë kufitare u pushtue prej princit sërb Stefan Nemanja dhe në paqën me Perëndorin Isak Angelos (1190) ai pushtim u njoh. Prej asaj kohe e mbrapa Nemanjajt sërb zotnojshin Shkodrën e Tivarin sidhe krahinën e Pultit (Polatum, sërbisht Pilot) në malsí mbi udhën e Shkodrës për Prizren. Qytetet muerën prej mbretënvet sërb privilegja të mëdhaja e gjithashtu kryepeshkopija e Tivarit, peshkopít e së cilës bash atëherë u shtuen me selí të reja në Balezo, Denjë, Sappata, et. Trashigimtarët e thronit sërb banojshin zakonisht në Djoklití, e cila u quejt gjithnji mâ tepër Zeta, mbas emnit të nji lumi të Malit të Zi të sodshëm. Selija e tyne ishte nji pallat afër Shkodrës, qi mbas kohës së Stefan Dushanit ka qênë i njohun si "corte de lo imperador". Edhe të vejavet mbretnore sërbe shpesh herë pasunija për mbajtjen e tyne u shënohej n'Ulqin. Pushtim'i Stambollit nga an'e kryqzatavet e e Venecjanvet suell ndryshime të mëdhá (1204). Por perëndorija latine nuk i përfshinte të gjitha provincat e mbretnís byzantine (H-2). Nji Shtet grek i ri leu në Perëndim, despotat'i Epirit me selí në Nartë e në Janinë, i sunduem prej burrash të fortë, të cilët rrallë vdisshin prej deke të natyrshme. I pari i këtyne Despotve, Mhilli I, nisi madje (rreth 1215-s) edhe nji rivëndosje të zotnimit grek mbi Shkodrën, e cila, veç, mbas dekës së tij, u pushtue prap prej Sërbvet. I vllai, Theodori, u bâ mâ i fuqishmi sundues në gjysishullin balkanik. Mbasi dëboi Frankët nga Selaniku (1223), u kunorzue perënduer, si rival i perëndorit grek të Niqés n' Asín e Vogël, veçse u mujt mbandej prej Bullgarvet dhe ra rob në dorë të tyne (1230). Famën e tij e shpall ende nji mbishkrim mbi nji pirg të Durrsit. Klasën fisnike të vêndit të përbâme prej Grekësh, Sërbsh e Shqiptarësh, sidhe klerin, qytetarët, bulqit e barijt, i njohim prej korrespondencës së kryepeshkopit t'atëhershëm t'Ohrit Demetrios Chomatianos, qi ka qênë nji jurist i përmendun (rreth 1217-1234-s), me shumë hollsina mbi jetën shoqnore t'asaj kohe. E para familje princore shqiptare del prej këtij burimi në krahinën Arbanum me qytetin e fortë të Krujës; janë dy djelm të Progonit: Mitri, i dhândrri të "parkunorzuemit" mbret serb Stefani, qi ishte i biri i Nemanjës, dhe Gjini. Pak ngjati zotnim'i Carvet bullgarë Gjon Asênit II (+1241) dhe i të birit Kalimanit (+1246) n'Ohër e n'Arbanum. Mbrapa u shtynë deri n'Adrijatik Grekët e Niqés nën perëndorët Gjon Duka Vatatzes dhe Mhill Paleologos, i cili shpejt përzu edhe "Latinët" nga Stambolli (1261). Despoti Mhill II u sigurue me anën e nji beslidhjeje me Manfredin, mbretin e Dy Siqilivet, të cilin e bâni dhândërr tue i dhânë të bijën Helenën e, si pajë të ksaj, qytetet mâ të rândsishmet të Shqipnís së mesme (I): Durrsin, Vlonën e Beratin (1259). Qe fillim'i zotnimit të gjatë të Napolitanvet në brigjet e Shqipnís (I-1). Shtatë vjet mâ vonë mbreti Manfred mbet në luftë pranë Beneventos (1266) kundra Karlit t'Angjovinvet. Ky vëlla energjik i mbretit të Francës, Luigjit IX, të të Shênjtit, në beslidhje me perëndorin latin të dëbuem, Balduinin II, ndoq n'Orjent plane të mëdha. Pronat e Manfredit në Shqipní, mbas nji qëndrese t'antarve të të mbramit Staufen, (J) dhe t'Epirotvet, ranë në duer të trupave të Karlit, pikë së pari Qerfosi e Durrsi (1272), ku aty e mbrapa ngrehu selín e vet nji sundimtar i përgjithshëm (Kapedan i Përgjithshëm) i zotnuesit të ri. Nj'atë herë del mâ së pari emni i nji mbretnije shqiptare, i nji "Regnum Albaniae". Veç Durrsit, qi e kishte prishun nji tërmet i madh, i përkitshin ksaj mbretnije edhe Butrinti (greqisht Buthroton), kundruell Qerfosit, Himara, Vlona, e, përmbrênda, Berati e Kruja. Për të parën herë zânë vênd ndër dokumenta edhe emna familjesh fisnike shqiptare qi aty e mbrapa përmênden shumë dêndun: Topijajt, Arjanitajt, Gropajt, Skurajt, Muzaqajt, Matarangajt, Jonimajt, et. Me Shqiptarët e malevet qi ishin të paqëndrueshëm, luftohej shpesh; edhe familjet fisnike qenë shtrëngue me dhânë njerëz peng e këta u internuen e u mbajtën ndër qytete t'Italís jugore. I lidhun me Epirotët, Serbët, Bullgarët e Venedikasit, Karli I përgatiti mbandej nji ushtrí të madhe për me mbësymë Stambollin. Por Vesprat Siqiljane (1282) (K) dhe shkelja e Aragonasvet n'Italí të poshtër, të lidhun me Byzancin, i a përmbysi njâjze të gjitha planet. Gjatë ksaj kohe trupat e Perëndorit kishin pushtue Beratin (1274) e shumë qyteza të vogla, shpejt edhe Krujën. Durrsi me tepricat e pronave të kunorës së Napolit u bâ mbandej trashigim i nji dege të dytë t'Angjovinvet, pronë e Dukve të Durrsit. Nën Perëndorin Andronikos II (1282-1328) toka byzantine hynte si nji pylkë deri n'Adrijatik ndërmjet Napolitanvet e Sërbvet nga njâna anë dhe Epirotvet nga tjetra. Vlona ishte limani mâ me rândsí i perëndorís në Perëndim. Ndër këto lufta parija shqiptare lëkundej herë në nji anë e herë në tjetrën ndërmjet Frankvet, Sërbvet e Grekvet. Ata u mbajshin gjithmonë me mâ të fortin e çasit, të cilit mbandej i kthejshin shpinën në rasën mâ të parën. Këto ndërrime shfaqeshin edhe ndër juridikcjonet kishtare. Durrsi vetë qe zotnue edhe nji herë prej Byzantinvet, por mbandej shpejt ra në duer të mbretit sërb Stefan Urosh II Milutin (1296) e prap t'Angjovinvet. Prej asaj kohe e mbrapa Angjovinët shtinë në dorë kunorën e Hungarís dhe në Shqipní u bânë kundrështarë të Sërbvet, mbretnat e të cilvet patën fillue me e quejtun veten edhe si mbretën të Shqipnís. Popullsija malsore ishte aso kohe shumë mâ e dêndun e mâ e fortë se ajo e katundarve të fushës qi ishte rrallue e dobsue ndër lufta të papreme. Kjo gjâ shkaktoi nji vërshim malsorësh, nji dyndje Shqiptarësh kah Juga, pikë së pari kah Thesalija. Bashkë me Shqiptarët muerën pjesë në këtë lëvizje edhe Rumenët (Vlleht). Nji tregim të qartë për këtê e jep në nji letër të vjetës 1325 nji bashkëkohës, venecjani Marino Sanudo Torsello. Shqiptarët zdrypin prej maleve me grá e fëmijë bashkë kah Thesalija, shkretojnë fusha, qytete e qyteza "et ad presens consummunt et destruunt taliter, quod quasi nihil remansit penitus extra castra". (tashti shkatrrojn e rrenojn aq fort, sa s'ká mbetë kurrgjâ tjetër posë fortesavet.) Qe e kotë çdo qëndresë e Grekvet e Katalonvet, këta të fundit aso kohe zotnuesa të dukatit t'Athinës. Nji princ grek, Mhill Gabrielopulos, në nji traktat të qytetit thesalik Phanarion shtrëngohet me premtue qartazi se as ai vetë e as trashigimtarët e tij s'do të vëndoseshin "Albanitën" në tokë të qytetit. Sukceset e mëdhaja të Perëndorit të ri Andronikos III, i cili në 1330 pushtoi për Byzancin krejt Thesalín e shpejt edhe të tânë despotatin e Epirit nuk e ndaluen këtë lëvizje. Barijt shqiptarë të maleve shkretuen aso kohe rrethet e qytetevet greke Berat e Vlonë. Perëndori nisi personalisht nji fushatë deri afër Durrsit dhe u lëshoi mbë shpinë Shqiptarve të pashtrueshëm trupat e veta, sidomos rrogaçat tyrq, deri ndër kreshtat e malevet. Grigjat e mandrat e mëdha të tyne, dhên, gjedhe e kual, u dhanë qytetevet për shpërblim të dâmevet qi kishin psue. Ndër qytetet greke mbretnonte gazmêndi, por Shqiptarët bluejshin në zemër shpagim e turfullojshin prej zëmrimit. Perëndori Andronikos III vdiq në 1341, e mbas dekës së tij lufta partizane ndërmjet Paleologvet e Kantakuzenvet i a kishte gërrye themelat deri në funt mbretnís byzantine. Mbreti i ri sërb, Stefan Dushani e shfrytoi gjallsisht këtë rasë për vete.Mbas pushtimit të Maqedonisë (vetëm Selaniku mbet grek), ai u kunorue në Shkup "Car i Sërbvet e i Grekvet" (1346). Pikë së pari muer Shqipnín, Krujën në 1343, Beratin e Vlonën në 1345. Vjetën e murtajës (1348) pushtoi gjith'Epirin edhe Thesalín deri te kufîjt e dukatit t'Athinës. Trupat e tija në jugë përbâheshin mâ e shumta prej Shqiptarësh. Arhondat dhe stratiotat grekë të despotatit u dëbuen nga pronat e tyne dhe këto me gjithë ç'kishin vu dhanë krenvet e luftarvet shqiptarë deri në krahinë të Nartës. Në këtë mënyrë Epiri u bâ nji vênd gjysshqiptar. Vetëm disa qytete të bregut u patën mbetun Frankvet: Angjovinvet Durrsi, Butrinti e Lepanti; Briennevet Vonica. Sundimtarë u vûnë disa gjiní të Carit sërb: në Berat e në Vlonë i kunati, Despot Gjon "Komnenos Asên", nji i vllai Carit bullgar Gjon Aleksandrit; n'Epir i gjysvëllai Symeoni. Që të dy këta ishin martue me princesha epirote. Mbi gjêndjen e mbrêndshme s'kemi shumë lajme për këtë kohë. Deri në të XIII qv. ka mbizotnue ndëkimi grek. Edhe zyrtarët e qytetit të Durrsit kanë bajtun, për nji kohë të gjatë tituj byzantinë: prokathimenos, kastrofilax , (Kryetar, komandant kështjelli). Zotnimi i Angjovinvet shkaktoi nji zgjânim të latinishtes e të kishës katholike. E shumta e dokumentave të ruejtun të parís shqiptare ndër kohnat e mâvonshme (1350-1470) janë të shkruem sërbisht. Mbasandej të trija këto gjuhë kanë ecun ndër dokumenta krah për krah: greqisht, slavisht e latinisht. Në shoqní vêndin e parë e kishin familjet fisnike, shpesh me pasuní të madhe e me parti të gjânë, aty-këtu, por, kishte ndër ta edhe krejt të vorfnuem, të rritun ndër lufta me deshirin e armvet. Nji qytetnim të vjetër na dëshmon nji shumicë e madhe ndërtesash kishtare të vêndit në stilin grek, roman e gotik e me teprica fresqesh të vjetra, sod e shumta të rrenueme. Qytet'i Durrsit ishte në teposhtë për shkak të moçalosjes së gjolit qi e përpjek me tokën. Përkundrazi Vlona gjindej në përparim. Gjatë bregut të detit, qi Hahni ende e dëften si "Lombardí t'egërsueme", ka pasun aso kohe nji bulqsí të lulzueme, me gjithë qi e dijmë nga lajmet venecjane se bulqit u ripshin e u ndrydhshin prej zotnivet fisnikë. Në tokën e ngrohtë bregdetase ka qênë e madhe edhe kultura e ullîjvet e e mëndafshit. Barijt e malevet ishin nji popull i lirë. Në marredhânjet juridike luente nji rol të madh kullota e fushës e cila as sod s'e ka humbun rândsín. Për cehet s'ka lajme nga mesjeta, sidomos nuk dihet nëse zhbartohej serë nga Vlona. Kurse lulzonte në qv.XIII e deri në XV tregtija e drithnavet nëpër gjithë grykat e lumnavet, sod aqë të shkretueme. Tregu mâ i njohuni ishte kuvêndi i Benediktinvet në Shën Shirgj të bregut të Buenës, qi ka qênë liman'i Shkodrës. Artikulli kryesuer i Durrsit ishte kryp'e detit, e cila zhbartohej tutje për det. Nëpër lumejt barej lândë nga vêndet e mbrêndshme, veçan lândë lisi prej Venedikasve, Raguzanve, Puljezve e tjerve. Aty-këtu ndërtoheshin edhe anije të vogla. Zhbartimet tjera, posë prodhimevet pyllore ishin pemë e gogla dhe somak për të regjun lëkura, por sidomos prodhime blegtorije si bagtí, mish, lëkura. Veç këtyne zhbartohej peshk, sidomos njala e "scoranze" (caraga) prej lëqêni të Shkodrës sidhe butarga. Nga Vlona dilshin edhe falkoj gjuetie. Ndër mbartime vijshin në radhë të parë vena e Dalmatís, mall metali gjithë farësh, veçan armë sidhe pëlhurna nga Italija, gjâna arit, erza et. Nji trazim për tregtín ishte preja e detit. Kjo nuk bâhej vetëm prej atyne Shqiptarve qi dilshin natën me barkat e tyne nga bisht'i Muzhlit e bisht'i Pallës për të kapun lundra të vogla, por, nga nji herë edhe prej qytetarve të Durrsit e t'Ulqinit me gjemí të mëdha. Edhe në tokë shpesh u sulmojshin e u plaçkojshin karvana kualsh barrtorë. Shpejt i a mbërrînë kohnat e teposhtes e të vorfnimit. Mbas dekës së Carit Stefan Dushan (1355) plasën në Sërbí luftat partizane qi shkaktuen coptimin e mbretnís në nji tog principatesh të vogla. I vllai Dushanit, Symeoni s'e njohu djalin e tij Uroshin si perënduer, por mundi të qëndrojë vetëm në Jugë (n'Epir e në Thesalí), ku për kryeqytet kishte Trikalën. Nji trashigimtar i mâ së mbrapmes dynastí epirote u përpoq me shtimë në dorë shtetin e të parve të vet, por u mund prej princavet shqiptarë ke lumi Acheloos (Aqeloí, sod Aspropotami) e u vra (1358). Ai qe Despoti Niqefor, prej dynastís s'Orsini-vet me origjinë italjane, por kryekëput i greqizuem, qi në fillim ishin kontat palatinë të Qefalonís e të Zantes. Despoti Symeon i a la mbandej Epirin të dhândrrit Thoma, qi ishte i biri kryekomandantit sërb Preljub e qi sundoi deri në 1385, me selí në Janinë. Por fuqija e këtij mbet e kufizueme prej Shqiptarvet, prinjsi mâ i shquem i të cilve ishte despot'i Nartës Gjin Spata. Këta s'i a danë asnji herë gverrilet e tyne. Në Djoklití ase në Zeta u shquen gjatë luftimevet ndërmjet Symeonit e Uroshit tre vëllazën nga nji familje fisnike e ulët, tre Balshajt (1360), siç duket prej origjine Rumenësh të Jugës dhe gjiní me parín shqiptare. Këta u bânë shpejt të zott e vêndit deri në Prizren. Njâni prej sish, Balsha Balshaj, me nji martesë futi në dorë edhe Vlonën e Beratin. Afër Durrsit njeriu mâ i forti i asaj kohe ishte Karl Topija, "Princeps Albaniae" (1359-1388), i cili në nji mbishkrim tri gjuhësh, greqisht, latinisht e sërbisht të monastirit të Shën Gjonit afër Elbasanit shënohet si pasardhës "prej gjakut të mbretënve të Francës". Ishte anmik i Balshajvet, qi e kishin shtimë në mest nga veriu e nga juga, sidhe i Angjovinvet, të cilvet u përlau Durrsin në 1368. Sundimet e përsrituna të Durrsit nga an'e kryekomandantave t'Angjovinvet me ndihmën e kompanjivet rrogaçe "navarreze" të përbâme prej Spanjollve e Baskve nuk ngjatën shumë. Simbas librave t'arqivavet raguzane, i mbrapmi prej tyne qi sundoi këtë qytet ka qênë Duka Robert d'Artois (1379). Por edhe Balsha Balshiqi shkruhej Duka i Durrsit (duka draèki). Në funt, Durrsi u mbet Topijajvet. Nga Lindja ishte tue u afrue nji rrezik i madh, i cili do të shkaktonte mbrênda nji shekulli shêmbjen e plotë të gjithë Shteteve të vjetra të krishtêna të gjysishullit. Tyrqit osmanllij, tue përfitue nga luftat civile byzantine, shkelën për të parën herë në tokë t'Evropës dhe u vëndosën në Gallipoli (Gjelibollu) në 1354. Shpejt pushtuen edhe Dimotikën e Edrenen, të cilat sado qi Mbreti sërb Vukashin me të vllán Ugljesha u përpoqën t'i pruejshin, mbetën që të dy të vramë në bëtejën e madhe të Çirmenit ke lum'i Maricës afër Edrenes (1371). Mbas ksaj fitorje kalorija tyrke u ra pré gjithë fushavet deri në Greqí e Shqipní. Princat sërb në Maqedoní, mâ së pari djal'i Vukashinit Kral Marku në Përlepe, u shtrënguen me u bâmë vasalë të Tyrqís. Balsha Balshiqi mbet në nji bëtejë kundra Tyrqvet (1385). Shumë fisnikë, n'atë hutim e trazim e sipër i ofrojshin pronat e tyne Venedikut për me gjetun nji strehë ndër kolonít venecjane. Bëteja e madhe e popujve në Fushë të Kosovës afër Prishtinës kundra Sërbvet e Boshnjakvet (1389) vëndosi zotnimin othoman në mbrêndsinën e gjysishullit për 523 vjet deri në ditt e soçme. Sulltan Bajazidi I zû kudo qytetet e qytezat mâ me rândsí, pikë së pari Shkupin (1391), për me sigurue rrugën për Adrijatik e Bosne. Pushtim'i Thesalís (1394) u hapi udhën Tyrqvet për në principatet e vogla të Greqís. Gjergj Balsha ra rob në duer të tyne dhe mbandaj u la i lirë për shpërblim të dorzimit të Shkodrës. Në Shkodër, Drisht e në liman të Shën Shirgjit të bregut të Buenës u vëndos për dy vjet (1393-1395) si sundimtar i Tyrqís Shahini (L), gjâ qi i shqetoi shumë Venedikasit. E vërteta, Gjergji i qiti prap Tyrqit prej këtyne vêndeve, por s'ishte në gjêndje me i pruejtun e prandaj i u desh me ua lëshue Venedikasvet tue marrë prej tyne për shpërblim nji pension. Shkodra mbet atëherë nji qytet i Republikës së Sh. Markut për 83 vjet (1396-1479). I njâjti fat i ra në krye edhe Durrsit, i cili mâ në funt mujti me qëndrue vetëm me ndihmën e Venedikut. I biri e trashigimtar'i Karl Topís, Gjergj Topija ishte i sëmunë e ia dorzoi qytetin Republikës, qi e mbajti mâ se njiqind vjet (1392-1501). Qyshë në 1403 i u ngushtue rreth'i murevet, mbasi qytetarët e tij s'ishin në gjêndje me dhânë aqë njerëz sa duhej për t'a pruejtun. Venedikasit u munduen me e kthye qytetin në nji ishull. Ingjenjerët e tyne punuen shumë vjet me puntorë të mbledhun prej gjithë Shqipnís për t'a lidhun gjolin prap me det. Fisnikët e familjevet Topija, Spata, Muzaqi, Skura, Sakati et. banojshin herë në qytet e herë ndër shtëpít e tyne në katund. Konti Niketa Topija (M) qëndronte në Krujë si vasal i Venedikut, por mbas dekës së tij qyteza ra menjiherë në duer të Tyrqvet (1415). Në Berat dhe Vlonë u bâ trashigimtar i Balshës prap nji Sërb qi u martue me motrën e tij Ruginën; këtë Serb e quejshin Mërksha (1396-aty kah 1414) e ishte i biri kryekomandantit të njohun në kohë të Stefan Dushanit, Zharko-s (1356-1357). Mbas dekës së tij e shoqja Rugina desh t'u a shesë këtë vênd Venedikasvet, por në 1417 ia mbërrînë Tyrqit e e dëbuen andej, dhe menjiherë u vûnë me ndërtue anije në Vlonë, qi mbet në duer të tyne 495 vjet. N'Epir sunduen prap princa italjanë: në Janinë nji florentin, i quejtun Esaù de Buondelmonte(prej 1386-deri aty kah 1409), i cili pat marrë për grue të vén e Despotitit Toma; në Nartë kontat palatinë të Qefalonís prej familjes kalorse Tocco nga Benevento, të cilët heret ishin vasalë t'Angjovinvet e tash despota. Por në 1430 Janinën e pushtuen Tyrqit e në 1449 edhe Nartën. Tocco-ve në kontinent u mbetën vetëm disa qyteza të vogla, por ruejtën deri në fund të qv.XV ishujt Qefalonija e Zante. Familja Tocco âsht e vetmja dynastí mesjetare e sinisís balkanike qi nuk âsht shue e sod bân pjesë n'aristokratín e naltë të Napulit: Principi de Achaia e Montemileto, Duca de Popoli, Conti de Montaperto, et. Përparim'i Tyrqvet shkaktoi nji dyndje Shqiptarësh kah juga. Kolonista shqiptarë në dukatin e Athinës qenë thërritun qyshë prej Katalonvet (1387) e mâ vonë prej Acciajuoli-vet (këta të fundit dikur florentinë tash ishin Dukë t'Athinës) dhe qenë vëndosun edhe afër Korinthit e n'Argolide (N) . Tjerë Shqiptarë shkuen në provincat byzantine të Morés, n'Arkadí e Lakoní (O) të qeverisuna prej mbëkâmbsit Manuel Kantakuzenos (+1380). Mâ vonë Theodor Paleologu, i vllai Perëndorit Manuel Paleolog, vëndosi 10.000 familje shqiptare po n'ato vise. Kolonizimi kapërceu shpejt tutje ndër ishuj të sunduem prej Venedikut a të zotnuem prej familjesh venecjane, si Euboea e Andros, et. (P) (1402). Në kohën e pushtimit tyrk (deri në 1460) Moreja ishte plot me koloní shqiptare, të cilat kanë qëndrue kundra Osmanllijvet me nji trimní heroike ekstreme. Teprica të këtyne Shqiptarve kishte ende në qv. XIX gjatë luftavet greke për shlirim edhe n'ishujt Hydra (Q) e Spetsja (Q). Pasardhsit e tyne flasin djalektin tosknisht në formë të vjetër. Shqipnija e Veriut ishte aso kohe shesh luftimesh të mëdhá ndërmjet Venedikut e Sërbvet. Balsha III (+1421) i mbrapm'i Balshajvet, u mundue 18 vjet me i qitun Venecjanët nga toka e Shkodrës. Mâ në funt emnoi për trashigimtar t'ungjin, Despotin sërb Stefan Lazareviq, i cili pat lidhun besë me mbretin Sigismund të Hungarís e përtrimë pushtetin e Sërbís. Për Venecjanët lufta ishte mâ e vështirë me nji fuqí t'atilë se sa me nji princ të vogël malsuer. Prandej u lëshuen Sërbvet me paqë (1423) Tivarin e Budvën, kështu qi Shteti sërb shtrihet tash përsri prej Danubit deri n'Adrijatik. Por kur despotati sërb u pushtue për herë të parë prej Tyrqvet, pronat sërbe të bregut të detit i muer prap Venediku (1442) e nuk i lëshoi mâ as kur Despoti Gjergj Brankoviq mbas pak kohe (1444) mbërrîni me e përtrimë prap Shtetin e vet. Kot u përpoq Gjergji (deri në 1452) me i dëbue Venecjanët. Venediku e dinte qi nji pushtim i ri i Sërbís nga an'e Tyrqvet ishte vetëm nji çâshtje kohe; dhe me ramjen e kryeqytetit të fundit Smederevo në 1459, ai pushtim qe nji pun'e kryeme. Gjatë këtyne luftave princat e vogjël të Shqipnís së Veriut janë përmêndun shumë: Dukagjinajt, qi në 1393 u kishin lëshue Venedikasvet Leshën; Zakarijajt, në qytezën e Denjës afër Shkodrës; Jonimajt e tjerë si këta. Prej fillimesh të vocrra leu pushtet'i Kastrijotvet, kështu me kët'emën grek: kastriotis=qytetar, nga kastron=qytet (prej latinishtes castrum=qytezë, kështjell; sepse polis=qytet, për Grekët ishte vetëm Stambolli, kryeqytet'i Perëndorís). I pari Kastrijot i njohun ka qênë vetëm komandant i qytezës së Kaninës (1368) afër Vlonës. Mâ vonë Pal Kastrijoti zotnonte vetëm dy katunde në luginë të Matës. Mâ i njohun âsht i biri Palit Gjoni (1407-1437), "dominus satis potens in partibus Albanie" (" Zotnues mjaft i fuqishëm ndër krahina të Shqipnís") me nji ushtri 2000 kalorësh e qytetar nderi i Venedikut e i Raguzës, por vasal i Tyrqís. Pron'e tij shtrihej prej bregut të detit ke bisht'i Muzhlit në veri të Durrsit e deri në krahinë të Dibrës. Prej katër djelmve të tij, Gjergji mbas 1422-s gjindej peng në dorë të Tyrqvet e ishte bâmë mysliman me emnin Skanderbeg (tyrqisht Skander për Aleksandër dhe beg, qi aso kohe donte me thânë princ). Nga pikpamja kishtare nji pjesë e vêndit të Gjonit shkonte me peshkopín katholike t'Arbanum-it e nji pjesë tjetër me kishën sërbe. Prandej Gjoni pat dorovitun me vakufe monastirin e Qilandrit, në malin Athos, qi ishte nji themelesë e Sërbit Nemanja. Të gjithë këta princa shqiptarë: Topijajt, Arjanitajt, Kastrijotajt et. ishin lidhun me krushqina edhe me princat e vonë sërb. Despotët e mbrapëm të Hungarís jugore rridhshin prej harkut të nji djali të Despotit Gjergj, të Stefanit të verbuem prej Tyrqvet qi ka qênë martue me të bijën e Arjanitit, Angjelinën, e kështu bâmë kunat (baxhanak) me Skanderbegun. Edhe i biri i Skanderbegut Gjoni kishte për grue Irenen, nji vajzë të Despotit Lazar Brankoviç (+1485) qi ishte i vllai Stefanit të verbuem. Sekretarët e princavet shqiptarë vetëm sërbisht shkruejshin aso here. Raguzanët e lajmojshin Perëndorin Sigismund në 1434 se Ndrekë Topija kishte vetëm "sclavonos cancellarios et scientes sclavicam linguam et litteram" (sekretarë slavë e asish qi dijshin me folë e me shkrue slavisht.); se kur merrte letra të shkrueme latinisht ishte i shtrënguem me i u drejtue "cancellarios latinorum" (sekretarvet për gjuhën latine) në breg të detit e prandaj s'ruhej dot fshehtsija; se për këtë shkak Perëndori duhej t'i shkruente andej e mbrapa vetëm slavisht. Interesim të madh pat zgjue, sidomos n'Oborrin e Sigismundit, qëndresa burrnore e princave të vogjël të Shqipnís së mesme qyshë në 1433 kundra Tyrqvet, me Arjanitin, Muzaqin e Ndrekë Topín në ballë dhe me sukces. Dhetë vjet mâ vonë (1443) mbret'i ri i Hungarís e i Polonís Vladislavi me Gjon Hunjadin e Despotin Gjergj nisën mbësymjen e tyne kundra Sofjes e deri në Slaticë në Bullgari. Kjo luftë shkoi shumë mbarë me fitore mbas fitoresh e pat pasoja me rândsí. Despoti Gjergj, mbas ksaj fushate, e përtrîni edhe nji herë Sërbín. Skanderbegu iku në Shqipní, pushtoi Krujën qi zotnojshin Tyrqit e u bâ prap i krishtênë me emën Gjergj Kastrijoti dhe anmik kryesuer i Tyrqvet (1443-1468). Rreth tij u lidh nji besë ndërmjet shtëpive të para shqiptare e Arjaniti u bâ vjehërr i tij. Historija e luftave të këtyne 24 vjetve vetëm me nji mbledhje të dokumentavet qi i përkasin mund të ndriçohet e të qërohet nga legjendat e mâvona, sidomos nga ajo paraqitje kataremzore qi i ka bâmë prifti Marinus Barletius (Marin Barleci, Barlleci, Bardheci: Përkthyesi) prej Shkodre, libri latinisht i të cilit deri tash vonë ka qênë burimi kryesuer i historís së Skanderbegut. Me Venedikun, qi nji herë pat lëshue edhe pare mbi kokën e tij, Skanderbegu s'pat shkue mirë së pari. Por mâ vonë si ai si i vjehrri Arjaniti kanë qênë mâ të shumtën prinjsa mercenarësh të Venedikut. Ai gjet nji pështetje të madhe te themeluesi i zotnimit spanjoll në Napël, te Mbreti Alfons i Aragonís (+1458). Kur i biri këtij Mbreti Ferdinand I ishte në luftë me anën e Angjovinvet, Skanderbegu përfitoi prej nji armpushimi qi kishte me Tyrqit edhe shkoi në ndihmë personalisht me 3000 Shqiptarë (1461). Për këtë ndihmë qe shpërblye mbandej me prona e të holla të përvjeçme. Fam'e tij u përhap në të gjithë botën e krishtênë kur Sulltan Murati II bashkë me të birin Mehmetin u shtrënguen me u kthye nga nji rrethim i Krujës (1450) i deshtuem. Si ranë Byzanci, Sërbija dhe Bosnja, Shqipnija mbet i mbrapmi Shtet i madh kristjan në Balkan. Mehmeti II e rrethoi Krujën personalisht edhe dy herë tjera (1466 e 1468) pa mujtun me e marrë. Por vênd'i Skanderbegut ishte i vogël, ushtrija e tij, e përbâme prej 12 000 vetësh, mezi mjaftonte për projë, edhe këta vetëm me ndihmën e papës, të Napolitanvet e të Venecjanvet. Për mâ tepër Skanderbegu kishte edhe kundërshtarë e shemra në mes të parís shqiptare. Qytetet e mëdhá rreth e rrotull, si Beratin e Ohrin s'mundi me i pushtue. Për me pasun vêndin nën oró kah an'e jugës, Mehmeti II themeloi nji qytet, Elbasanin e sodshëm të mirnjohun, i cili aso kohe quhej greqisht Neokastron, slavisht Novigrad, italisht Terra Nuova. Skanderbegu vdiq 63 vjeç në Lesh (1468) dhe u vorrue atje në kishë të Shën Nikollit. Kur Tyrqit pushtuen mâ vonë atë qytet, i a çelën vorrin e i a muerën eshtnat për talismana. Tepricat e pronës së Skanderbegut i muerën Venedikasit (R). Ishte nji tokë tëmersisht e shkretueme. Vetëm ndërmjet Gallipolit e Edrenes gjindeshin kaqë shumë qytete të shkretueme në mesjetë sa në krahinën e Shkodrës, mâ së pari selít e peshkopve të Sardës, Drishtit, Balezos, Svaçit, et. qi gjinden edhe sod të rrenueme qyshë prej qv. XV. Venediku s'pat fat gjatë luftës. Kruja, e pruejtun nga Giacomo da Mosto, u shtrëngue të dorzohet në 1478 dhe prej asaj kohe e mbrapa u quejt tyrqisht Ak-Hissar, Qyteza e Bardhë. Ende në qv. XIX të krishtenët e kishin të ndalueme me ndeshkim deket të hymen natën në qytezë. Muret e forta e pyrgjet e kalás, qi formojshin nji trekândsh, kanë qênë shêmbun prej Tyrqvet gati krejt në vitin 1832 për shkak të kryengritjevet shqiptare. Kalaja ishte e pajosun përmbrênda me kroje të plotujshme e rreth e përqark e pruejtun prej greminash të shkâmbta. Mbas nji vjete qi ra Kruja (1479), Venecjanët u shtrënguen me lëshue edhe Shkodrën mbas nji proje trimnore. Durrsi qi ishte i izoluem, mbahej ende. Kalorsi Arnold von Harff nga Kolonja (e Gjermanís ) qi kalonte nëpër atë qytet tue udhtue për Jerusalem si peregrin (1496) e qi ka mbajtun edhe të parat shënime të ruejtuna të "gjuhës shqipe", e quen atê nji qytet të madh "të rrenuem" [1]Ai i duel doret Republikës qyshë në 1501. Tivari e Ulqini i ikën vetëm në kohën e betejës pranë Lepantos (1571) e prej asaj kohe e mbrapa Venecjanët s'kishin mâ asnji stacjon ndërmjetës që nga Budva afër Katorrit e deri në Qerfos. Vdeka e Skanderbegut qe fillim'i nji mërgimi të madh Shqiptarësh N'Italí. Ndër ta ishin edhe pasardhsit e princavet. Djal'i Skanderbegut Gjoni muer në Napël dukatin San Pietro in Galatina dhe markezatin Soleto, por barku i tij mashkulluer u shue qyshë në qv. XVI. Pasardhsit e të vllait Stanisha rruen mâ gjatë, të njohun me emnin Kastriota-Skanderbeg e me titullin Marchese d'Atripalda. Mâ i mbrapmi i familjes, Marchese Federigo, mbas të dhânavet qi ka mbledhun Hopfi, ka dekun në 1873 si ish-kshilltar i oborrit mbretnuer napolitan. Edhe Muzaqt po në Napël jetojshin e këta u shuen vetëm në 1600. Nji prej sish, Despot Gjon Muzaqi, ka shkrue italisht në 1510 nji historí e gjenalogjí të shtëpís së vet, nji vepër me rândsí, qi u zbulue e u botue prej Hopfit e qi ndër hollsina s'âsht gjithkund i besueshëm. Edhe Arjanitajt u shuen n'Italí vetëm në qv.XVI. Prej sish ka qênë Kryekomandanti Constantino Arianit (+1531), i njohun nga historija e markezatit Montferrat (Monferrato) qi ishte nën zotnimin e nji dege të Paleologvet byzantinë. Gjithashtu ka pasun pasardhës të Dukagjinajvet në Venedik e n'Ankonë deri në qv.XVII. Tjerve pjestarë të parís u pëlqeu mâ fort me ndêjtun në shtëpí e me u bâmë muhamedanë. Kështu disa Arjanitaj, Muzaqaj, Topijaj e Dukagjinaj, mbi të cilët kujtimet e Muzaqit apin shumë lajme. Në popull u përhap besimi mysliman shumë mâ shpejt e mâ lehtë se në Bullgarí, Sërbí ase ndër Grekët. Shumë Shqiptarë qi patën marrë besimin mohamedan hypën n'ofiqe të nalta të perëndorís othomane. N'Italí gjinden deri në ditët të soçme teprica të kolonivet shqiptare. Mërgimi n'Itali nisi në 1450 e mbaroi vetëm në 1744, me mërgimtarë nga Himara. Në vjetën 1886 numroheshin n'Italí 196.768 Shqiptarë në 79 komune, të shpërdame ndër vênde të ndryshme: n'Abrucet, fqîj me t'arratisunit dalmatinë: në Kalabrí, pranë tepricavet greke të mesjetës dhe në Siqilí nën Etnën. Ata flasin djalektin juguer, tosknishten. Disa kanë ardhun në qv.XVI nga Greqija, nga Koron e tjera qytete; do tjerë ishin mâ parë si rrogaça n'ushtrín napolitane dhe mbetën në vênt. Ndër këta Shqiptarë t'Italís jugore rrojnë kângë e gojdhâna përmbi Skanderbegun mâ qartas se në pjesën mâ të madhen t'atdheut të kthyem në besimin islamik. Vorfnimin e prapsimin e Shqipnís nën Tyrqín e njohim mâ të shumtën prej aktesh kishtare qi u përkasin katholiqve të vêndit, ndaj të cilët Tyrqit kishin shumë mosbesim. Kryepeshkopët katholiq të Durrsit nuk mujshin mâ me ndêjun në qytet, por në nji katund t'afër. Nji gjêndje kjo, qi ka vazhdue deri tash vonë. Këto akte janë botue ndër veprat e Farlatit "Illyricum sacrum", prej Theinerit "Monumenta Slav. merid. II" e prej historjanit hërvat Dr. Karl Horvat në "Glasnik" të muzeumit krahinuer boshnjak (blêni 21, 1909). Ndër përshkrime udhtimesh ka nji rândsí të veçantë për lajmet qi ep, ai i peshkopit titullar të Tivarit Marino Bizzi, nji Dalmatin nga Arbeja, i cili ka vizitue në 1610 Shqipnín dhe Sërbín e Vjetër. Emnat e familjevet fisnike s'qenë harrue aqë lehtë. N'administratën tyrke nji provincë, prej Leshje deri në Pejë, quhej Dukagjin; nji krahinë malsore ka edhe sod kët'emën, ashtu siç quhet Myzeqé nga Muzaqt edhe fusha ndërmjet Durrsit e Vlonës. (......). Ndër malsít e Veriut administrata tyrke ka qênë mâ tepër vetëm e sipërfaqshme dhe fiset e atjeshme gati të lira e vazhdimisht ndër kryengritje. Te Bizzi (1610) përmênden për herë të parë Mirditasit, katholiq në rreth të nji kuvêndi mesjetar të Shën Lleshit. Por burrat mâ të fortët në Veri ishin në qv.XVII Këlmêndasit, edhe ata katholiq, banues ndër bjeshkët lindore të Shkodrës. Gjys'e lirë ka qênë edhe krahin'e Himarës, në jugë të Vlonës, qi i përket kishës greke. Këta malsorë kanë pasun lidhje të padame me Venedikas e Spanjollë të Naplit. (................... ...). Togjet e forta t'Arnautve" mohamedanë ndër ushtrít e Sulltanit mbas ramjes së Jeniçervet kanë qênë çëmue fort si kâmbsorí e lehtë. "Tash në Bender, tash në Buda "(S) thuhet në nji kângë nostalgjike të vjetër të këtyne rrogaçave, të shënueme prej Hahnit në "Albanischen Studien". Ky shërbim ushtarak e ka favorizue edhe mâ fort të shtrimen e islamizmës. Në vênd të familjevet fisnike të hershme u krijuen në Shqipní të mesme e të Jugës zotní të rij prej mohamedanësh, të cilët banojshin ndër pirgje të forta (kule) me prona të gjâna e partina. Në qv.XVII filloi nji mërgatë e re Shqiptarësh malsorë kah verilindja në zêmër të gjysishullit, në funt fare kah Lindja në Maqedoní. Qyshë prej pushtimit tyrk popullsija sërbe âsht tërhjekun gjithmonë mâ tepër kah Veriu e në 1690 ndodhi dyndja e madhe kah Hungarija. Në vêndin e vjetër të Sërbvet u vëndosën Shqiptarët, jo vetëm bregut të Drínit të Bardhë e në Kosovë, por edhe mâ tutje kah Veriu e kah Lindja, deri në Pazar të Ri e në Nish. Kjo lëvizje e Sërbvet tue u tërhjekun e e Shqiptarvet tue u shtymë u shtue qyshë me kryengritjen sërbe në 1804-1815 e sidomos qyshë me luftën sërbo-tyrke 1876-1878. Në funt, ikja e të krishtênvet prej ksaj pjese të Tyrqís ishte kaqë në shtim, sa qi në mbretnín sërbe të 1912-s u numrojshin deri 150 000 t'ikun prej Sërbís së vjetër. Qyshë prej gjymsës së dytë të qv.XVIII, të shtrimët e Shqiptarvet muer mâ fort drejtimin e lindjes, kah Maqedonija. Në luginën mâ t'eprën të Vardarit bulqit sllavë punojnë pa tokë të veten ndër çifliqet e pronarve të mëdhaj mohamedanë; toka tjetër âsht e banueme prej barijvet shqiptarë. Ana jugperëndimore e lëqênit t'Ohrit tash vonë zotnohej krejt prej Shqiptarësh. Kështu qi andej edhe elementi i krishtënë u zhduk. Ende deri në 1791 përmêndet në perëndim dhe në jugë të lëqênit t'Ohrit peshkopija e Gorës e e Mokrës qi varej prej kryepeshkopit t'Ohrit; sod s'e din kush mâ se ku e ka selín ky peshkop. Afër Kumanovës e Kosturit gjinden disa katunde shqiptare, et. Pa dyshim elementi shqiptar ne Verilindje mbas traktatit të Berlinit, âsht kthye prapë tue u shkulun prej rretheve të reja të Sërbís. âsht nji gjâ karakteristike qi këta Shqiptarë të dyndun tutje kah lindja e dijnë me sigurí se cilit fis të malevet i përkasin: p.sh. ata qi janë afër Kumanovës janë prej fiseve të Gashit e Krasniqes. E shtymja e barijvet mohamedanë t'armatisun kundra bulqve të krishtênë pa armë siell ndërmênd fenomene analoge në Lindje t'Anadollit, të shtymen e Qyrdvet kundra Armenvet. Ajo ka shkaktue edhe teposhtjen e vêndit. Bizzi ende përshkruen (1610) qytetin malsuer Trepça në lindje të Mitrovicës, në të cilin në kohnat e mbretnís së vjetër sërbe ka qênë nisun shfrytim'i ceheve të plumbit e t'argjêndit prej Saksvet nga Hungarija në qv.XIV. Sod gërmadhat e Trepçës i ka mbulue pylli, në të cilin vetëm barijt shqiptarë banojnë. Gjithashtu cehet e argjêndit të Malit të Ri (sërb. Novo-Brdo, it. Novomonte), dikur të njohuna deri larg jashta gjysishullit balkanik, në ditt t'ona janë të lâna e të shkretueme. Peja qi mâ se 600 vjet ka qênë selija e kishës sërbe, vërtet ka ende të përnderueshmin monastir me përmêndoret e kohnave të kryepeshkopve e të patrijarkve të Serbis së vjetër, por rreth'i saj âsht shkretínë. E njâjta gjâ vlén edhe për monastirin e afër e të madh të Deçanit, dokument'i themelimit të të cilit (1330) âsht nji burim aq'i rândsishëm për njohjen e jetës katundare të Sërbve të moçëm. Tue qênë se krejt rrethi âsht i shqiptarosun, në 1902 Sërbët patën thërritun kallogjera rusë nga mali Athos për të pasun mâ shumë projë. Nga veçorít e jetës së vêndit duhen përmêndun prét e Shqiptarvet, të bâme papritmas, sidomos për bagtí. Të tila pré, të bâme me plan, kanë qênë ndërmarrë deri tash vonë, b.f. prej mohamedanve të Lurës në krahinën e Rekës së Dibrës, të banueme prej Shqiptarësh qi i përkasin kishës greke. Ksaj i shtohet edhe shpagim' i gjakut, mbi të cilin Baron Nopcsa ka dhânë hollsina statistike interesante. Poshtramja e përgjithshme âsht shpejtue prej mungesës së fuqís së Pushtetevet tyrke. Mbas udhtimeve të bâme prej gjeologut Boué botanikut Grisebach në 1836-1840, shumë vênde s'janë vizitue mâ prej shtegtarësh shkencorë. Monastiri i Sinait deri në luftën e mbrapme mund të vizitohej mâ lehtë se Peja ase Deçani dhe gërmadhat e Ninivës ase të Persepolis-it mâ lehtë se qyteza e Skanderbegut në Krujë. Në kohë të luftavet napoleonike, në ballë të historís lokale qëndrojshin pashallarët gjysindipendenta si Pasvanoglu i Vidinit ase të mveshunit me pushtet të gjânë si në Syrí e n'Egjypt. Nga kjo kategorí, botnisht i njohun ishte Ali Pasha i Janinës, nji dynast për 32 vjet, mâ i pasun edhe mâ i fortë se vetë Sulltani. Ai ishte nji Toskë prej Tepelene në luginën e Vjosës, prej nji shtëpie të moçme nga agallarët e vêndit, i cili kishte kalue nji riní të duhishme si rrogaç e pretar. Nji bindje fetare të ngultë s'e kishte, fliste mirë greqisht e ishte nji mik i Grekvet. Së pari kishte mbërrîmë në pashallik të Trikalës në Thesalí. Me nji ferman të gënjeshtërt u bâ në 1788 pashë i Janinës. Qyshë atëherë filloi qyteti me lulzue, i cili kishte asokohe nji popullsí 40 000 frymësh. Shpejt hyni edhe Narta nën sundimin e tij. Në vjetën 1802 u bâ Vali ase Bejler-Beji i Rumelís, d.m th. sundimtar i pjesës mâ së madhes së Tyrqís s' Evropës me selí në Monastir. Por menjiherë, në vjetën tjetër, e humbi këtë vênd për shkak të lidhnive të tija me Pasvanin e pabindun të Vidinit. Aliu shfrytoi me nji mjeshtrí të madhe situatat e ndryshueshme të luftavet napoleonike, veçan ndryshimin e zotnimit mbi ishujt e Jonit. Interesante janë raportet e qyrësve të huej, të kolonelit ingliz Leake dhe të mjekut frêng Pouqueville. Në 1812 Aliu mbërrîni në kulm të fuqís së tij. Ishte zot i gjithë Greqís, i Epirit, i Thesalís, i Maqedonís jugperëndimore dhe i Shqipnís së mesme me Beratin deri te kufît jugorë të pashallikut të Shkodrës. Kishte për kundërshtar Sulltanin reformatuer, Mahmudin II. Tekembramja Aliu u mbyll në Janinë i rrethuem prej kryekomandantit të Perëndorit Khurshid Pasha . Në këtë kohë plasi revolucjoni grek, por Khurshidi s'u tund, vazhdoi rrethimin. Aliu u dha në kallnorin e 1822-s, por tue bisedue me ajutantin e Khurshidit në kështjellin e ishullit të leqênit të Janinës i u pre koka e i u dërgue në Stamboll. Në Verí të Shqipnís u shque qyshë në fillim të qv. XVIII familja e Bushatlijvet, prej katundit të Bushatit afër Shkodrës. Kara - Mahmud Bushati pushtoi e dogj në 1785 kuvêndin e Cetinës në Mal të Zi. Por në 1796 u mujt prej Malazezvet afër Krusi-t e u vra. Koka e tij ruhet edhe sod në Cetinë ndër trofejt e vjetër. Mustafa Bushati në kohën e Aliut u mbajt me Sulltanin dhe vetëm mâ vonë u bâ i pandëgjueshëm. Sidomos gjatë luftës ruse në 1829 luejti nji rol të dyshueshëm. Sulltan Mahmudi II kishte nji mëní të madhe kundra krenve të Shqipnís. Kur ata u mblodhën në 1830 ke Vezir'i Madh në Monastir për pagimin e rrogavet, n'atë ças qi ishin tue shkue në gostë, trupat e reja të përgatituna me atë qëllim u vûnë pushkën. Atje duhet të jenë vramë nga 400 e deri 700 krenë shqiptarë. Hahni ka shënue kallzeza e kângë qi i përkasin ksaj ndodhije. Në 1832 Mustafai u mujt mbandej prej Reshidit (T) afër Përlepes e u rrethue në Shkodër. Si ra në dorë u fal e u emnue sundimtar i nji province asjatike, ku diq vetëm në 1860. Nji dynastí shqiptare qyshë prej ksaj kohe sundon mbë tokë afrikane, familja e nënmbretënve trashigimtarë t'Egjyptit. Themeluesi i ksaj dynastije Mehmet Aliu (lemë në 1769) ishte i biri i nji Shqiptari, i Ibrahim Agës qi ishte komandant i rojes së dervênvet në Kavallë, në Maqedonín lindore. E filloi karrjerën e tij si tregtar duhani dhe rrogaç. Vojt n'Egjypt në 1798 si oficer rrogaçash shqiptarë në luftë kundra Frêngjet. E shfrytoi situatën mjeshtrisht për veten e tij dhe në 1805 u bâ ai vetë zot i Egjyptit. Thelbin e trupave të tija në luftat e shumta kundra Tyrqvet, Arabvet, Nubjanvet dhe zezakvet e formojshin gjithmonë bashkvêndsit e tij shqiptarë. Shqipnija ishte aso kohe shesh revolucjonesh perjodike. Namik Pasha qe shtrëngue në Shkodër me u dorzue (1833). Shkaku i këtyne lëvizjeve qenë rekrutimet për ushtrín tyrke t'organizueme rishtas. Dy vjet mâ vonë ndodhi nji tjetër kryengritje kundra Hafiz Pashës. Për nji kohë të gjatë Mirditasit u gjinden mbë kâmbë nën princin e tyne Bibë Dodën (1838-1870), i cili bánte titullin e nji gjenerali brigade të Tyrqís. Mbas traktatit të Berlinit vjen lëvizja e madhe e "Lidhjes Shqiptare", në fillim e drejtueme kundra Malit të Zi e Sërbis. Myshir Mehmet Aliu (nji Gjerman nga Magdeburgu) u vra atëherë (1878) në Gjakovë. Por tekembramja gjithë kjo lëvizje u shue në 1881 prej Dervish Pashës. Krijim'i parlamentit në Tyrqí nuk solli ndonji ndryshim të madh. Shumë mohamedanë të Shqipnís muerën pjesë në tê si deputetën, por fiset e maleve të Veriut s'ishin aspak të përfaqsuem, sepse ata s'paguejshin vergjí toke. I kemi fare të reja në kujtimin t'onë kryengritjet e mbrapme të Shqiptarvet kundra Stambollit në 1909-1911 dhe ndodhít e luftës balkanike të fundit qi u dhanë shkas Sërbvet me pushtue Durrsin mbas Sërbís së Vjetër e Maqedonís, deri qi Pushtetet e Mëdhá dekretuen në konferencën e Londrës krijimin e nji Shqipnije autonome qi pat për kryeqytet të përkohshëm Vlonën. Nji letërsí shqipe ka lemë vetëm prej qv. XVII e këndej me përpjekjen e klerit katholik. Ende Kalorsi von Harff (1496) shënonte qi Shqiptarët s'kishin shkrim. Përpjekjet me sajue nji shkrim të tilë i përkasin shekullit XIX. Letërsija mâ e moçmja e ajo qi ka pasun përhapjen mâ të gjânën â shtypun me shkrimin latin. Janë librat e Propagandës në Romë dhe veprat e Italo-Shqiptarvet, të cilat në gjysmën e dytë të qv.XIX patën bâmë të njohun edhe disa talente të shqueme, sidomos poetin epik Girolamo de Rada, lemë në Kalabrí në 1815, dhe filologun Demetrio Camarda. Shumë mâ i vonë ka qênë përdorim'i shkrimit grek në Jugë: nji përkthim i Testamentit të Ri, shtypun në 1827 në Qerfos, tekste folkloristike të mbledhuna prej shtegtarësh gjermanë (Xylander 1835, Reinhold) në mbretnín greke mbas shlirimit të Greqís, dhe mâ në funt n' Epir prej Hahnit. Mbas këtyne vijnë botime prej mërgimtarësh, si "Albanike Melissa" (Bleta Shqiptare) e Mitkos nga Korça, n' Aleksandrí në 1878 (folkloristike). Nji puntuer i shquem ka qênë Konstandin Kristoforidis, i cili donte të ngrênte në gjuhë letrare djalektin e Elbasanit. Ai përktheu Testamentin e Ri për Shoqnín Biblike dhe shkroi, veç librash shkollorë, nji gramatikë të shqipes në gjuhë greqishte dhe nji fjaluer me gërma greqishte, shtypun n'Athinë në 1904. Shkrimi i përdorun mâ pak se të gjithë tjerët âsht qirilisht. Veprat e shtypuna me këtë shkrim janë gati vetëm libra ligjërimi për Sërb e Bullgarë. Sikurse në Bosne, ashtu edhe në Shqipní shkrimi arab âsht përdorun vetëm pak për gjuhën lokale, sado qi Shqiptarët mohamedanë kanë nxjerrë poetën me shumë talent si Sami Frashërin (U) e të vllán Neimin. Së voni Shqiptarët e të tri besimevet u deklaruen për shkrimin latinisht, por gjetën kundrështim nga an' e qeverís tyrke, e cila donte qi të përdorshin shkrimin arabisht. Prej 1883-s kanë fillue me dalë edhe gazeta shqipe, pa dyshim të shtypuna përjashta Shqipnijet, në Stamboll, Sofje, Beligrad, Bukuresht, Romë, Napël, Palermo, Bryksel, London, Kairo e deri në Boston t' Amerikës. Edhe librat u shumuen shpejt, por edhe këta u shtypshin përjashta, shumë-shumë në Shkodër, ku Shoqnija Bashkimi botoi në 1908 nji fjaluer, disa në Monastir e në Selanik e të gjithë tjerët në Stamboll, në Bukuresht ku qenë formue shoqnija letrare, mbandej në Sarajevë, Vjenë, Paris, et. âsht nji gjâ karakteristike qi nji përkthim i libravet kishtarë ortodhoks për Shqiptarët, bâmë prej Fan Nolit në Boston, â shtypun me pëlqimin e synodit rus, nj'ashtu sikur në ditt t'ona âsht bâmë nji përkthim japonisht i librave të shênjtë me kujdesin e misjonarvet rusë.