Jump to content

Kap. IX Gjêndja Kishtare e Shqipnís paratyrke; Dr. Milan v. Sufflay: ''Die Kirchenzustände im vortürkischen Albanien'', 188-281

Nga Wikibooks

(Përkthyem pjesrisht nëpër tê)

Sikurse ethnikisht, politikisht, e kulturisht, gjithashtu edhe nga pikpamja kishtare, Shqipnija âsht nji zonë kufîtare e pashoqe. E aqë mâ fort ka hije me e vizatue nji profil të saj nga kjo pikpamje, qi formimi i përgjithshëm i themelit shpirtnuer ka shkue këtu qyshë në kohnat mâ të parat thuejse fill e kundruell drejtimit politik të pandërrueshëm. Mâ vonë, veç, kotherja dyfishore byzantine e pushtetit të perëndorís e të patrijarkís, qi dalkadalë kishte fillue me e mbulue Shqipnín, në shumë rasa si Italín e Jugës, kjo kothere u dërmue pa i a damë prej Perëndimit ku me forcën e armvet e ku me veprime të ndryshme të papnís. Nën ndikimin e parë të Perëndimit e nëpër kontaktin e vazhdueshëm me Romën u krijue prej elementit roman që nga Quarnero e deri në Durrës nji mburojë e gjallë katholike, qelzat plot jetë të së cilës mundën, ndër rrethana të favorshme, me shtimë në veprim materjalin heterogjen hërvat e shqiptar deri thellë ndër krahinat e mbrêndshme, madje në të XIV e XV qv. me matarue me meshtarë shqiptarë të tânë Dalmatín jugore; nji mburojë qi me mundimet mâ t'ashprat u bâni ballë sulmimevet t'orthodoksizmës dhe pati vetëm nji çallatë sërbe, ndonse tepër të fortë, në drejtimt Prizren-Katorr (në Mal të Zi të sodshëm) e nji përmbytje të vazhdueshme greke në Durrës. Historija e peshkopivet katholike të nguluna shpeshtas gjatë zonës çame (prej Sërbvet), veprim'i peshkopvet të djoqezeve të vjetra në Shkodër, Sardë, Ulqin, Drisht, themelimi e manovrimi ballë për ballë me rreziqe nga mâ të fortat i kryeshkopís së Tivarit e roli ndërmjetsuer diplomatik i saj, krijim'i kryepeshkopís eksotike të Krajinës, fuqít e padukshme të Perëndimit në Durrës, qi përkrahash me metropolitët grekë mbajtën mbë kâmbë këtu papremas nji arqidjakonat latin e në qv.XIII mbërînë deri n'eksistencën paralele të dy peshkopve katholikë e orthodoks, ngrehja e nji vargu peshkopísh ndër krahinat e mbrêndshme të Shqipnís: Sapa, Baleco, Denja, Kunavija, Skampa-Çermnika-Vrego e deri kah Prizreni e Ohri, nëpër të cilat në gjymsën e dytë të qindvjetës XIV, dmth. mû në parambrâmjen e pushtimit tyrk, leu nji kohë e shkëlqyeshme katholiqizme; këto janë pikat e patundshme mbi të cilat duhet t'i sjellim syt t'anë, sepse këto përbâjnë nji ndihmesë të rândsishme për historín mesjetore të botës.

Por lufta njimijvjeçare ndërmjet papnís e Byzancit në tokën shqiptare s'ka marrë gati kurrë nji formë tepër t'ashpër. Popullsija tepër e përzieme e qytetevet, dygjuhsija e Durrsakvet, shkathtija e katholiqve të qytetevet në shërbim të princavet orthodoks, politika shekullore, antibyzantine e mbretnavet sërb, mâ në funt ndiesija racjale tepër e fortë qi qëndronte përmbi atê të fés ndër Shqiptarët përgjithsisht dhe egoizma e madhe e aristokratís së vêndit nuk e lanë zellin fetar, qi mbase mund t'ishte, me u bâmë fanatizëm. Nga fanatizma fetare qi ndoshta edhe mund të ketë krijue mësim'i vjetër i koranit e propaganda moderne katholike ndër Shqiptarët e sodshëm, në mesjetë s'ka pasun ndonji shênj. Përkundrazi shpesh u dojshin injekcione prej anës së papës për t'i vûmë në beft Shqiptarët katholiq kundrejt orthodoksizmës, rândsin dhe anthitesat e së cilës ata s'i kanë ndie kurrë aqë thellë. Vetëm rreziku tyrk qi kishte hymë thellë në shpirtin e aristokratís bâni për do kohë prej Shqyptarvet nji mburojë të kuptueme të katholiqizmës kundrejt islamit dhe i bâni këta me harrue për nji kohë të gjatë çdo kundresht me vllaznit bashkluftues orthodoks. Me gjithë këtê, deri vetë Skanderbegu qe për do kohë mohamedan dhe mbas dekës së tij nji shumicë aristokratësh u kthyen gjithashtu në fén myslimane. Kjo edhe në mes të popullit u shtri mâ shpejt e mâ lehtë se në Bullgarí, në Sërbí ase te Grekët.

Të përhapunit e kristjanizmës n'Illyricum i përket historikisht të parit shekull të ksaj feje. Shênjat e paganizmës ilirjane u zhdukën fort shpejt tue u zvëndsue me motiva të krishtêna prej të dy kishavet ase tue u shkrimë me ata të paganizmës slave. Ndër burimet e mesjetës gjinden fare pak mbetuní pagane, edhe këto fosile pagane të përzieme në folklorën shqiptare mjaft të pasun mund të spjegohen me nji metodë krahashimtare shumë të thellë si specifikisht shqiptare, sepse s'ka dyshim qi Shqiptarët, për besimet popullore të tyne, janë gjindun nën nji ndëkim të vazhdueshëm e të shumfijshëm prej anës së paganvet slavë të mëvonshëm. Zakoni qi kanë Shqiptarët me flijue shtâzë në themel të nji ndërtese të madhe, u përket elementave të përbashkët të paganizmës së vêndevet balkanike. Gjithashtu e njohun në krejt Balkanin âsht gojdhana qi dikur në vênd tështâzveubâjshinflínjerëz(f.188-191)(................)

(................................).

Në kohën e ndërmbretnimit katholik në Durrës, kshilli kanonik (kapitulli) dhe abatët benediktinë të këtij qyteti me rrethet e tija u përpoqën më sukces me e tërhjekun Shqipnín e mesme me dynastín e vet e me peshkopin e Krujës (Arbanum) n'anën katholike. Kjo punë duel aqë mâ e lehtë, tue qênë se Kruja kishtarisht duket të ketë qênë nji minjaturë e Durrsit. Edhe atje kleri latin gjindej i kryesuem prej nji kryeprifti të mvarun te peshkopi orthodoks. Veçse edhe Kruja, tue ndjekun paralelisht me Durrsin zhvillimin e ndodhivet politike, hyni nën ndëkimin magnetik të mâ të famshmit kryepeshkop t'Ohrit, Demetrios Chomatianos (1217-1234), qi ishte nji ndër mâ të fortët kundrështarë të Romës. Kishat peshkopore të Jugës qi dikur mbaheshin me Durrsin ishin aso here papremas nën jurisdikcjonin metropolitan të tij. Në 1250 u bâ edhe nji sprovim nga Veriu për t'i a shkëputun orthodoksizmës Shqipnín e mesme. Këtë herë qe kryepeshkop'i Tivarit Gjon de Plano Carpini, ai qi kishte vûmë papën në beft për peshkopin e Krujës e shumë meshtarë tjerë të ksaj province, sidhe të Pultit e të Kunavís. Të gjithë këta qenë vetëm parashkuesa, relativisht pa rândsí të së tretës perjodë formimi qi u zhvillue me pushtimin e Durrsit, Krujës e Vlonës (1272) prej anës s'Angjovinve (f. 210-211)(...............).

Bashkë me Durrsin edhe qytetin e Krujës tekembramja e fituen Katholiqt, me gjithë qi Angjovinët e humbën shpejt edhe atê. Peshkop'i Krujës kishte hymë edhe parandej shumë herë në marrdhânje me selín e Romës si "episcopus Arbanensis". Tash duket se emn'i dyfijshëm (grek edhe latin) i ksaj peshkopije ka shkaktue ndërlikime e vështirsina, të cilat Angjovinët menduen me i largue tue kërkue në 1279 prej papës qi të krijonte nji peshkopí romane të posaçme për qytetin e Krujës. Bashkë me këtê mbet mbë kâmbë edhe peshkopija katholike e Arbanumit tue e ngulun selín e vet, si duket diku në nji kuvênd t'asaj krahine.

[Në qv.XVII peshkopi i djoqezave të bashkuem të Krujës e Arbanumit e kishte selín "non longe ab Croia in pago Corbini, ubi templus est. S.Venerandae e solido lapide conservatum" ( jo larg prej Krujet në katundin e Kurbinit, ku gjindet (âsht) tempulli i Shna Prendes i ndërtuem me gur të plotë) (Farlati, 7, 205; Acta Alb. 1, 48). Në qv.XV ky tempull ishte nji abatí benediktinësh, ndoshta i njâjtë me kishën e soçme të Shën Mrís në rreth të Krujës, e cila, simbas gërmadhave sod të rrethueme me nji gardh të dêndun qiparizash në nji vênd krejt të veçuem dhe larg nga çdo udhlidhje, ka qenë nji prej kishavet mâ të bukurat e të mëdhajat qi ka pasun Shqipnija në mesjetë, e ndërtueme në stil roman. Ippen-i kallzon se katholiqt e atjeshëm mendojnë qi kjo ka qênë kathedralja e peshkopit të dikurshëm të Krujës, por mâ drejt, t'Arbanumit. Edhe shënim'i Jorgës (Notes, 2, 25, N.5) qi përmênd nji "archipresbyter ecclesie S.Alexandri in Basilikano Arbanensis diocesis" në 1426 tregon se këtu ka qênë nji selí peshkopi.]

Âsht e vërtetë se i pari peshkop i veçantë i Krujës, Romanus, qe dëbue shpejt prej Byzantinvet dhe rronte (1286-1295) si pensjonist i Angjovinvet bashkë me peshkopin e Vlonës, gjithashtu të dëbuem, në kurí të Romës e t'Anágni-t. Por me gjithë këtë, papnija qe forcue aqë fort në Shqipní të mesme e të Veriut, qi aty e mbrapa mundi me qëndrue në rrugë të vet edhe pa nji përkrahje politike (f. 213-214)(...................).

Me të ramen e parë të Krujës në 1415 peshkopit të saj i u desh me u shpërngulë andej. Mbas ksaj date ai duket i mvarun prej kryepeshkopit t'Ohrit. [Në 1425 përmêndet "Croensis ecclesia olim sub archiepiscopatu Dyrchachino" ( Kisha e Krujës dikur nen arqipeshkvijën e Durrësit)] (Farlati, 7, 415). Në librat provincjalë të kurís e natyrisht edhe ndër regesta e libra detyrimesh del në gjymsë të qv.XIV nji peshkop i "Croacensis, Croyacensis" nën kryepeshkopin e Spalato-s. Në 1476 përmêndet i damë, në 1524 prap me Spalaton. Ky emën i përmêndun ndërmjet 1498 e 1534 si Crojacensis, Crojatensis e deri në Crajonensis" haptas për nji peshkop "in finibus Turcarum et Venetorum in Epiro" (Nder kufij të Tyrqve e të Venedikasvet n'Epir) nuk mund të jetë veçse për atê të Krujës. Për t'a forcue mâ tepër këtë mendim, vjen edhe nji rasë e veçantë me përmêndjen e peshkopit Gualterius si "episcopus Croensis" (1400) dhe të nji "episcopus Croacensis"(1425)(f.218-219).(.................... ...............................).

Si kryepeshkop i tretë i Krajinës del në 1454 nji burrë me talent të shquem e me nji ambicje të pakufishme, pa dyshim nji Shqiptar verijak prej familjes së parë të Dushmanit në Pult. ["Cognomento Dussius" thotë Farlati, 7, 240. Ky mbiemën, mbas mendimit t'em, âsht nji mbërrudhje ase ngatrrim nga Dusmanus, qi âsht emn'i gjyshit të zotnís së Nënpultit në qv.XV. Prap te Farlati (7, 270) përmêndet nji peshkop (1427 deri 1446) me emnin Dussus, qi Eubel (1, 424) e quen Dusmanus2. Ça shkruejnë bijografët e vjetër të Skanderbegut mbi origjinën e Palit prej familjes Angeli të Drishtit, ndonse s'ka mundsí të kontrollohet, sigurisht âsht gabim. Sepse mund të merret si gjâ e saktë qi këtu ka nji trazim ndërmjet këtij Pali e bashkëkohsit të tij Palit qi ishte kryepeshkop i Durrsit në 1460-1469 dhe mik intim i Skanderbegut. Me 20 dhetuer 1478 senat'i Venedikut i caktoi nji pensjon të përmuejshëm prej 6 dukatësh për shërbimet e shqueme të tija "Pjetër Angjëllit nga Drishtit, nji të vllait të të ndjyemit kryepeshkop të Durrsit qi ka vdekun në shërbim të komunes". Pra kryepeshkopi Pal bánte, po, mbiemnin Angelus, por tue qênë qi para se t'u bánte kryepeshkop ishte kryegjakue po në Durrës, duhet pranue qi ka qênë durrsak i lemë e qi prandej kishte shkue jo ai nga Drishti në Durrës, por i vllai Pjetri nga Durrsi në Drisht, ku prej tij mbandej rrodh familja e Angjëjvet, e cila qyshë në qv.XVI i dha vetes titullin dukë (ducibus Drivasti).]

Pali ishte në 1440 famullitar i Sh. Agustinit në Treviso nën Venedikun, mbandej u emnue peshkop i Svaçit e në 1446 i Drishtit. Në 1452 kur u shthronsue i pari kryepeshkop i Krajinës gjindej në Romë dhe në korrik t'asaj vjete e dërgoi papa si legat në Shqipní për të gjetun mënyrën me pajtue Skanderbegun me familjen e Dukagjinit. Dy vjet mâ vonë u bâ kryepeshkop i Krajinës tue mbajtun edhe mbarshtimin e djoqezit të Drishtit. ( 225-226)(...........

................................).

Prashtu, shi para invadimit tyrk, mburesa e madhe katholike n'Adrijatik qe thye plotsisht dhe prej pjesës orthodokse të Zetës, dikur historikisht e ethnikisht të lidhun ngusht me Shqipnín, s'vonoi me lemë nën Crnojeviqt nji Mal i Zi thjesht slav. Mburesa shqiptare qyshë në të XIV qv. u bâ nji ishull katholik. Çallata kishte fillue prej Katorri, ku kisha ordhodokse ka qëndrue deri në ditt t'ona; çau rrugë mbandej përmbi lëqênin e Shkodrës e gjatë Drînit, nëpër hingën hydrografike të Lumës, vojt e u bashkue me grumbullin orthodoks të gjysishullit balkanik, pararojët e të cilit faqe Shqipnís ishin: në Lindje peshkopij'e Dibrës, Struga, qi i përkiste monastirit të Shën Mrís nânë n'Ohër, dhe Ohri vetë me nimbin e tij të mrekullueshëm, monastir'i famshëm i kohnave të lashta Shën Naumi në breg të lëqênit, "nji vênd për ândrrim e gzim artistik", dhe peshkopij'e Mokrës në perëndim të lëqênit, qi ka qëndrue deri në 1761; në Jugë peshkopij'e Beratit me monastrin e Shën Mrís nânë, shumë të nderuem prej gjithë despotvet grekë të qv.XII-XV, monastir'i Shën Gjonit afër Elbasanit, i përtrimë në 1381 prej Karl Thopís, mâ në funt Vlona me princat e vogjël sërb, me popullsín e saj, shumica greke, dhe monastir'i Zvërnecit qi ka qindrue deri sod te bishti Linguetta.

Por edhe në zonën katholike shqiptare, mû në Durrës, ka qëndrue mbë kâmbë deri në zotnimin venecjan nji ishull orthodoks. Mbas zhdukjes së Kryepeshkopit në mes të qindvjetës XIV, mbesin mbrênda e jashta qytetit, plotsisht t'organizuem, dignitarë tjerë të pentadavet gjerarqike orjentale, priftën shekullarë të martuem, monastire e kisha orjentale qi, si duket, mbërrîjshin deri në djoqezin e Arbanumit. Sigurisht nji i këtilë ka qênë monastir'i Sh. Todrit pranë detit në Durrës. (.....)

Shkrimi grek e madje edhe institutat greko-orthodokse kanë pasë depërtue edhe mâ thellë ndër disa rrypa të veçuem të Shqipnís së mesme si prej Durrsi ashtu edhe prej Jugës orthodokse; kështu qi na, nën Gjergj Kastrijotin (Skanderbegun), të parët e të cilit, tue u përshkue nëpër nji lambik slavo-orthodoks, kishin kalue prej nji greqizme të thjeshtë deri në nji katholiqizëm shqiptare e ai vetë pat qênë për do kohë edhe mohamedan, shohim fenomenin e çuditshëm qi ambashator'i tij n'Oborrin e Mbretit t'Aragonvet, peshkop'i Krujës Stefani, në 1451 nënnshkruen me gërma greke nji traktat të rândsishëm të shkruem latinisht, ndërsa do dheta vjetsh mâ parë (1417) abat'i kuvêndit të madh benediktin të Shën Lleshit në Mat e quen veten në Venedik "protosyncellus (prôtosyggellos)". Fenomene, këto, qi tregojnë nji zbutje tepër të çuditshme të kundreshtevet kryesore të dy kishavet mû në zêmër të Shqipnís rreth Krujës dhe shi para pushtimit tyrk.

Pra tue pasun para sysh nji gjêndje të këtilë, njimênd nuk âsht për t'u habitun, nëse elementi katholik shqiptar aq'i vjetër në kohën paratyrke, për sa i përket besimit, u gjind dy herë para lëkundjesh të forta. Në periferí, në Dibër, Berat, Vlonë, elementin shqiptar e thithi orthodoksizma krejt nj'ashtu sikur ka ndodhun n'Ohër. Nji aristokrat shqiptar, Progon Sguros, përmêndet këtu në 1295 si ndërtues i kishës së Shën Kelmêndit; po ky ka përtrimë edhe kishën e Shën Mrís s'Ohrit. Nji i shtëpís princore të Gropajvet, qi së pari kanë qênë sigurisht katholiq e qi në 1273 sundojshin malsít para pushtimit tyrk, përmêndet si i mbrapmi zotnues i krishtênë i Ohrit, natyrisht i grekosun e orthodoks. Në zêmër të Shqipnís ndëkimi grek ka pasë mbërrimë në kulmin e vet nën Epirotët mbas ramjes së parë të Stambollit.

Shkunorzim'i Grigor Kamonës grek me të bijën e Princ Gjinit t'Arbanumit i pëlqyem prej Demetrios Chomatianos-it dhe martes'e tij me të vén e të vllait t'atij princi janë prova të fitimit orthodoks. Me gjithë këtê fortesat katholiqe të kuvêndevet benediktine zûnë rrânjë mirë këtu e propaganda e papve të Romës nën Angjovinët i a mbërrîni shpejt me e bâmë për vete aristokratín shqiptare qi eventualisht mund t'ishte ftohun. Kështu qi në 1219, në vjetën e kryengritjes kundra Sërbvet, aristokratij'e naltë shqiptare prej Vlone e deri në Ulqin (Muzaqt, Matarangajt, Arjanitajt, Blinishtajt, Jonimajt) në dekretet papnore titullohen "dilecti filii" e "viri katholici". Vetëm nji farë "Radislaus comes Albanie" quhet thjesht "nobilis vir", gjâ qi na lên me kuptue edhe se ky Slav i përkiste ritit grek të zonës së thyeme mbi Buenë.

Këtu në zonën e thyeme ndikimi kishtar sërb ka shkue tue u shtue paralelisht me ndëkimin politik, por edhe mbas teposhtes së Nemanjidvet prap se prap nji fuqí pat mbetun edhe pat shkaktue nji lëkundje të dytë konfesjonale qi dalkadalë qe përhapun në tânë Shqipnín. Balshajt e ndiejshin veten trashigimtarë të mbretnís së Dushmanit gjithashtu si Lazareviqt e Brankoviqt. Ata ishin themelisht gjithaqë orthodoks sa farefis'i tyne prej Zete, zotnija i Vlonës Mrksha Zharkoviq (1394), vetëm nga nji herë (1369, 1391) katholiq kur u a donte puna, sikur në luftën e tyne kundra rivalit Thopija. Këta, sidhe Dukagjinajt, ndërmjet Leshës e Fandit, Dushmanajt në Nënpult, Spanajt në Shkodër e në Drisht, Zotnít e Përlatit, Muzaqajt e Arjanitajt në Tomorricë e në Myzeqe rreth Beratit mbetën katholiq deri në zotnimin tyrk kur qenë të shtrënguem ndo me ikun n'Italí ndo me u bâmë myslimanë. Gjergj Thopija quhet prej Vencjanvet shprehimisht "princeps catholicus", dhe sado qi thirret prej Papës Bonifac IX (1391) "iniqiutais filius", këta ndodh vetëm për shkak se ai mbahej me antipapën Këlmênd VII. Kastrijotët në brezin e parë të tyne pranë Oborrit t'Aleksandrit, zotnís së Vlonës e të Kaninës, në 1367 ishin sigurisht ende orthodoks e menjiherë në brezin e dytë i gjêjmë në zêmër të Shqipnís rreth Krujës e mâ fort katholiq, ndërsa Gjon Kastrijoti del për herë të parë ndër dokumenta (1407) si projës i peshkopís s'Arbanumit. Por nga nji anë lidhjet familjare direkte e indirekte të gjith këtyne familjeve me shtëpít princore orthodokse shqiptare, sërbe e greke si Balshiqt, Lazareviqt, Brankoviqt, Crnojeviqt (Gjurasheviqt), Zharkoviqt, Kropas-it, Paleologët, po madje deri me perëndorët e Byzancit; e mb'anë tjetër titujt byzantinë (sebastos, protosebastos et.), me të cilët u krenojshin deri pasardhsit e mâvonshëm të shpërngulun n'Italí; mbandej anmiku i përbashkët tyrk dhe mâ në funt fakti qi mbas zotnimit të Sërbvet dhe princat katholiq shqiptarë përdorshin në marrdhânjet e tyne diplomatike gjuhën e shkrimin slav, të lidhun aqë ngusht me kultin orthodoks, ndërsa në Jugë e rreth Durrsit shkrimi grek ishte i zakonshëm edhe ndër shekullarë, të gjithë këta ka shërbye me e zhdukun prej aristokratís shqiptare të qv.XIV e XV paduresën fetare kundrejt orthodoksizmës. Përkrundazi, kjo aristokratí duket me pasë bâmë mâ të shumtën nji jetë konfensjonale amfibjane e me qênë vërvitun rreth nji qêndre qi ka mujtun me i sigurue mâ së miri interesat e çasme të saja. Në 1414 papa lavdron zotnít e Sapës e Denjës, Koja Zakarín, pse kishte lânë "sektin slav e shqizmatik" e ishte bâmë katholik, por shi e motra e këtij, Boja (Bola) protestonte (1456) sepse papa i kishte dhânë kishën e Shën Mrís nën Dênjë nji prifti latin. Kështu ndodh edhe qi Karl Thopija, në nji kodex të përkthyem sërbisht prej Gjergj Hamartolos-it shënohet me formulën e zakonshme të princavet orthodoks. Kallogjerët e monastirit Chilandar ruejnë nji dokument të vjetës 1421-1422 (6530), ku Ivan (Gjon) Kastrijoti me katër të bijt i falin atij monastiri dy katundet Radostina e Trebishte. Disa aristokratë shqiptarë, nji Arjanit dhe dy nënpunës (èelnik) t'Oborrit të Skanderbegut, Rajan dhe Dimitër gjinden të shënuem në nji përmendore sërbe-orthodokse. Simbas traditës së qv.XVI, "i vllai Skanderbegut Reposhi ka bâmë nji jetë shêjti dhe ka shkue e dekun në malin e Sinait si mungar" [Muzaqi te Hopfi, Chroniques 295].

Ndër kushte të këtila, natyrisht përkrahja qi i epte pushteti politik kishës katholike në Shqipní s'ishte nji natyre e qëndrueshme e gjithmonë e njâjtë. Ajo ndryshonte simbas kohës e vêndit e varej edhe te ndëkimi perëndimuer. Marredhânjet personale të prelatvet katholiq me pushtetin shekullar (veç Byzantinvet në Durrës e në Vlonë) mund të quhen përgjithsisht të mira, edhe mbas krijimit të kishës autoqefale sërbe. (f.236-242) (.....)

Edhe në bisht të Muzhlit (Kep'i Rodonit) gjinden kuvênde t'ishullueme qi ndoshta heret kanë qênë të benediktinvet:Sh.Anastasja përmêndet për herë të parë në 1324, Shën Mrija në 1418. Mungarët e këtushëm, nga shkaku i prevet detare, ishin në nji gjêndje të vështirë, mû si ata të Tremitit. Kûvendet në qv.XV mbetën shkret. Në kohën e Skanderbegut kuvênd'i Shën Mrís del me pasë qenë nën zotnim të Klarisavet edhe i përtrimë. Monastiri qëndron mû në bregt në nji gropsinë të vogël edhe përbâhet prej nji kishe me kumbanaren, vorrezve, nji sallë me hângër, nji për me flêjtun, baçash, zabelash dhe ndërtesash për punë. Në 1488 vu lëshue françeskanvet, në kohën e re u bâ selí e provincjalit, mbandej u la prej fretnet e mâ vonë prap u zû. Kisha i kushtohet Shëna Ndoit, âsht e ndërtueme me qemer gjysrrethuer në stilin roman dhe nji ndër monumentat mesjetorë të Shqipnís nga mâ të bukurit muret e saja qi kanë qênë krejt të pikturuem, sod mjerisht janë të lyeme me këlqere. Edhe monastiri orthodoks i Shën Gjonit qi gjindet ndër malet e Elbasanit në luginë të nji krahu të Shkumbînit, së pari ndoshta u përkiste benediktinvet; ky âsht i famshëm për mbishkrimin tri gjuhësh të princit shqiptar Karl Thopís (1381), i cili ka pasë ndërtue atje, nji kishë të re në stil byzantin, qi âsht ende sod, në vênd t'asaj së vjetrës qi ka qênë rrafshue për tokë prej nji tërmeti.(f. 275)(..)

Në kohën e Skanderbegut krejt urdhn'i benediktinvet ka luftue kundra pushtimit të Tyrqvet mû ndër radhët e para. Simbas Bardhecit proj'e Stefigradit kanë qênë ndër duer të nji abati të Shën Lleshit në zonën e Matës, i cili ishte prej familjes së zotnive të Përlatit.Por qyshë në qv.XIV për kët'urdhën pat fillue teposhtja. Në 1356 abatij'e Shën Gjonit në Drisht qe rrenue krej prej orthodoksvet; në monastirin e Shën Nikollit të Drînit në 1346 s'kishte mâ farë kuvêndi e mungarët u sillshin posht'e përpjetë krejt të lirë. Veçse humbja qi pat kisha katholike kështu pak nga pak prej fuqís shkathtore të saj në Shqipní, u vû në vênt deri diku prej urdhnave tjerë, prej dominikanvet e sidomos prej françeskanvet. Qyshë në gjymsën e parë të qv. XIII, pra shi mbas themelimit të këtyne urdhnave, vojtën në Shqipní me urdhën të papës disa fretën dominikanë e françeskanë prej provincavet fqinj të Hungarís e të Romanís për me forcue besimin katholik. Edhe në fillim të qv. XIV, kur Pushtetet politike orthodokse (Sërb e Grek) fituen prap fuqí në Shqipní, vêhet ró nji dërgesë e re misjonarësh dominikanë. Ndërmjet 1250 e 1370 Kurija i ka marrë dorë gati të gjithë prelatët e Shqipnís prej të këtyne dy urdhnave. Ndër ta ka pasun mungarë të famshëm si minoriti Gjon de Plano Caprini, Kryepeshkop i Tivarit (1249-1252), dominikani Guillelm Adae (1324-1344), françeskani Anton (II), Kryepeshkop i Durrsit (1296-1316) e tjerë.

Dominikanët u pranuen në Raguzë në 1255. Prej këndej shkuen n'Ulqin në 1258, ku muerën kishën e Shën Mavrit me gjithë qelë e baçë. Në 1345 mbëkâmbs'i përgjithshëm i atëhershëm për Dalmatín e Durrsin Dominik Thopija lypi prej Kurís lêjën qi urdhni të vëndosej edhe në Shkodër (njikohsisht me Katorrin e Sebenikun), ku kish'e kuvêndit i u kushtue Shën Llís. Të gjitha këto kuvênde i përkitshin provincës dominikane të Hungarís. Në Durrës dominikanët u vëndosën në 1278, ku për me zmadhue kuvêndin e tyne Karl'i I angjovin u fali nji shtëpí (1283) e me dhuntít e shumta qi mblodhën mâ vonë në 1304 qenë në gjêndje me i a hymë ndërtimit të nji kishe të madhe. Koh'e lulzimit të këtij kuvêndi, "të vetmit në mbretnín shqiptare" (Acta. Alb. I, 666-1320) bie në qv. XIV. Fretnit e këtij kuvêndi të përziem prej Shqiptarësh e Romanësh, ishin aso kohe në marrdhânje të gjalla me prelatët, famullitarët e princat e gjithë Shqipnís së mesme. Ata i a mbërrînë me shtimë n'urdhnin e tyne edhe Dedën (Dominikun), të vllan e përmêndun sa herë të princit shqiptar Tanush Topís, i cili mâ vonë qe bâmë peshkop i Kurclës e si i tilë, tue u pështetun mbi fuqín e familjes së vet e të mbretit të Hungarís Ludovikut I angjovin, pat sajue plane politike të mëdhaja e në 1359 pat ndêjtun nji kohë të gjatë në këtë kuvênd.(.............)

Minoritët qi kishin hymë në Shqipní u gjindën këtu qyshë në fillim nën projë të posaçme të papës. Në 1283 misjonet e tyne në Katorr, Tivar, Ulqin e Durrës ishin nën projën e Raguzës. Prijori dominikan e gardjani minorit i Raguzës si miq të mbrêndshëm të papës, kishin aso kohe në punët kishtare mâ të rândsishmet të Shqipnís së Veriut nji fjalë qi peshonte rândë. Misjonet e sipër pêrmenduna u zgjânuen shpejt me kuvênde t'urdhnave të tyne. E shoqja Uroshit I Lena u ngrehu françeskanvet në Shkodër e n'Ulqin nga nji kuvênd me kishë (Shën Mrija, Shën Marku), në Tivar, kuvênd ‘i Shën Nikollit jashta mureve të qytetit u quejt në 1452 "domus S. Nicolai extra muros civitatis Antibarensis ordinis fratum Minorum"; në 1398, statuti origjinal i qytetit të Durrsit u dorzohet për t'a ruejtun françeskanvet.

Minoritët shqiptarë u danë nga Raguza në 1402 e formuen nji qark për vete (custodia Duracencis) me Durrsin, Shkodrën, Ulqinin e Tivarin. Ky urdhën e filloi veprimtarín mâ të madhen vetëm në kohën e sundimit tyrk, sidomos tue u forcue gjithmonë mâ tepër me peshkopë të dalë prej gjînit të tij. [Në 1376 Papa Gregor XI auktorizoi peshkopin françeskan të Sapës me zgjedhun dy fretën prej urdhnit të vet për ndihmës.] Disa mungarë minoritën kanë luajtun aso kohe role diplomatike të rândsishme ndër marrveshtje ndërmjet Venedikut e krenvet shqiptarë dhe kanë ushtrue edhe nji ndëkim të pamasë në popullsít qytetare në favor të Venedikut. Edhe kur lufta e Venedikut kundra Tyrqvet kishte pushue kaherë, në të cilën fretnit e urdhnit françeskan kishin marrë pjesë me armë në dorë e shpesh herë kishin krye akte heroike të vërteta, këta vûnë dorë në famullít e në monastiret benediktine të mbetuna pa zot, qëndruen të patundun si praparojë e padukshme e Perëndimit në Shqipní, edhe kur interesim'i Evropës për këtë vênd u porrit krejt e regjimi tyrk përpiqej me fshimë çdo shênj të dukshëm të krishtênimit, ata mbajtën mbë kâmbë ndër shumë fise shqiptare besimin katholik deri në ditë të soçme. Ky urdhën âsht në të vërtetë nj'ajo verigë qi lidh jetën kishtare të Shqipnís mesjetore, naltsisht të zhvillueme, me ato barrë qi ka për të çue nê vênt kisha katholike në kohën e ardhshme në këtë krahinë.

[1] .eine grosse "verstörte" Stadt: kështu e citon auktori fjalën verstörte, ndër thojza e pa asnji komentim. Na e përkthyem sikur t'ishte zerstörte, mbasi kështu na duket qi i përshtatet kontekstit, kurse verstört në gjermanishten e soçme don të thotë i trazuem ase i tëmeruem. Nuk dijmë nëse në kohën e von Harff-it përdorej me kuptimin e fjalës zerstört as nëse gjindemi këtu para nji gabimi në shtypjen e veprës origjinale qi ka qênë e shkrueme me dorë. Duket edhe Auktorit t'onë kanë shkue ndër mênd këto dyshime, qyshse e ka citue fjalën ndër thojza . (Përkthyesi)

[2] Boppe, L'Albanie et Napoléon (1797-1814), Paris, 1914. Janë interesante mundimet e Napoljonit për të shtimë në dorë Vlonën. Si shtojsë nji historí e rregjimit shiqptar n'ushtrín frênge 1807-1814.

[3] Kryeziu ? (Përkthyesi)

[4] Gjerman i lemë në Dessau në 1823, profesor n'Oxford, orjentalist i shquem, dekun në 1900

[5] Nji shêmbull shumë mä të vonë i a gjêjmë ksaj these ke fqîjt t'anë Sërbt. Ky emën përfshinte në fillim mbarë racën slave. Të tânë emnat tjerë të popujve të ndryshëm slavë me gjithë këtê të fundit, aty mbrênda edhe ai i popullit të madh rus, janë të pastajmë. Emnin e vjetër të përbashkët sërb, qi mbajshin kur ishin ende të padamë, e ruejti vetëm nji pjesë e vogël fare, ashtu siç po m'a han mêndja mue se do të ketë ndodhun edhe për Arbânët apo Arbnit. (V.Ernest Lavisse et Alfred Rambaud, Histoire Générale f.691, I,).

1 Titulli origjinal: Zwei Urkunden aus Nordalbanien, kumtuem nga Dr. Ludwig Thallóczy e Dr. Kontantin Jireèek-u.- Dalë n'Archiv für slawische Philologie", të botueme prej v. Jagiæ, ble 21, Berlin, 1899.

2 Sod Zgurdheshi

3 Ky urim i shfaqun në 1899 shkoi në vênt në 1913 me botimin e vëllimit të parë të "Acta et diplomata res Albaniae media aetatis illustrantia".

I1 Përkthyesit s'i rezulton ky emën tyrqisht për qytetin t'onë e Auktori s'thotë gjâ se ku e ka gjetun. Ndër vepra gjeografike e histoirke të ksokohshme të Tyrqís âsht shkrue gjithkund Ishkodra. Besojmë se ka me qênë nji ngatrrim qi bân Auktori ase burim'i tij ndërmjet këtij qyteti dhe Yskydarit (Ÿskudar) të Bosforit (Krysopolis-i i hershëm),mbasi që të dyja këto qytete quhen në gjuhnat e Perëndimit Skutari. Nuk âsht çudi qi ndonji auktor i vjetër t'i ketë thanë eshe Shkodrës Yskydar , por jo Iskenderije, kujtojmë na. (Përkthyesi).

2 Në të vërtetë, sod Shqiptarët e asaj krahine e quejnë Dêjë, me e hundore (ê ) e na, si orthografi kombtare, e shkruejmë Denjë. (Përkthyesi).

3 Sigurisht ky emën âsht po ai i lumit Sash të sipërpërmêndun; ndoshta nji gabim shtypi te njâni a ke tjetri në tekstin origjinal. (Përkthyesi).

1 Vetlajmim i veprës: "Acta et diplomata res Alnaniae mediae aetatis illustrantia, collegerunt et digesserunt dr. Ludovicus de Thalloczy, Dr. Constantinus Jireèek et Dr. Emilianus de Šufflay. Volumen I (Annos 344-1343 tabulamque geographicam continens). Vindobonae 1913, typis Adolphi Holzhausen, in 4°. Botuem në Pester Lloyd, 60, 1913, 13 prîll)".

(Aktet e dokumentat tfillojn punët e Shqipnís së kohës së mesme, i mblodhen e i renduen Dr. L. de Thalloczy, Dr. C. Jirecek, Dr. Em. De Šufflay. Ble I (qi përmban vjetët prej 344-1343 e nji tabelë gjeografike). Wien 1913, me shtyp t'Adolf Holzhausen, in quarto (Bleni i dytë, qi përmban vjetët prej 1343 deri 1406 asht botue në vj. 1918 po në Wien) (Përkthyesi)

2 Me këtê lumë kapet mû përmbi Jynik e mbandej gjatë tij kalon për rrânxë Gjakovës tue e lânë këtê jashtë. Piqet me Drînin e Bardhë atje ku ky formon nji kând të drejtë tue u sjellë kah Drini i Zi. Këtu e lên atë drejtim dhe përmbi Prizren kthehet kah juga e mbi kreshtat e malevet paralele me Drînin e Zi, siç shënohet në tekst mberrîn ke burim'i këtij në Strugë. (Përkthyesi).

3 Me Devollin kapet në perëndim të liqênit të Maliqit, e ndjek atê deri ku piqet me Tomorricën, i ngjitet nji copë ksaj dhe mbasandej kthehet shul kah perëndimi deri në veri të Beratit, merr këtê mbrênda e kthehet menjiherë kah juga gjatë Osumit deri te përroi Sels. Përpjetë këtij e gjithnji kah juga, del e zê Vjosën në jugë të Miricës. Vete pakëz mbas Vjosës, i del në të djathtë, kapërcen edhe Shushicën e bie në det në jugë të Vlorës. (Përkthyesi).


1 Ky kapitull n'origjinalt ka për titull të dytë: "Zona e çallimit orthodoks në mburesën katholike" dhe përfund faqes këtë shënim: "Ky asht i IX. kapitull i një historije të Shqipnis qi Auktori âsht tue hartue. Përmbi konceptin historik të Shqipnís vroj tash për tash pârathânën e shkrueme prej të njâjtit Auktori në "Acta et diplomata res Albaniae medíae aetatis illustrantia", blê 1. (Wien, 1913). Lajmimi i nji kompetenti të shquem të historis shqiptare si i ndjyemi Dr. Milan von Šyfflay qi në 1916 kur âsht botue ky libër qi po përkthejmë ishte tue punue në nji historí të Shqipnís, ka për ne mâ të madhen rândsi. Auktori u vra tradhtisht në Zagreb në nji atentat komunist shpejt mbas luftës së dytë botnore e vepra e çëmueshme e tij s'ishte botue aso kohe, dmth. mbas ende tridhetë vjetsh qi kishte dhânë lajmin për tê. Pse vallë s'qe botue? Dashtë Zoti e fat'i Atdheut t'onë qi dorshkrimet e tija të kenë shpëtue e nji ditë të shpejtë të shohin dritën për dobín mâ të madhen të historís së kombit shqiptar. (Përkthyesi)


2 Përkthyesi beson se mbiemnin e këtij peshkopi duhet me e identifikue me emnin e nji katundi Dush e jo me familjen e Dushmanit, qi sod âsht emn'i nji bajraku të Dukagjinit Gjuhsisht duket e vështirë qi nga Dusmanus, si don me e nxjerrë Auktori, të dalë nji kontrakcjon a, sido, nji formë e prishun Dussus e Dussius dhe Eubelin mund t'a ketë çue në gabim emni i njohun i Dushmanit kundrejt Dushit të panjohun ase edhe nji lapsus calami. Ke Dussus lat. për Dush shqip, dhe Dussius lat., për Dushi, formë e shqueme shqip, s'ka asnji anomalí, dhe katund e familje me emnin Dush, Dushi ka edhe sod. (Përkthyesi)