Jump to content

Kakavija, aty ku bashkohemi dhe ndahemi me grekët

Nga Wikibooks

Letër drejtuar Aleksandër Kolës, emigrant në Greqi. Një grusht grurë kujtimesh nga lisi i historikut të postës kufitare Kakavijë. Rrëfimi i pazakontë i një ish-ushtaraku. Incidentet, keqkuptimet dhe armiqësia e 40 viteve më parë. Një ngjarje me një grek që adhuronte Enver Hoxhën dhe ngushëllimet që bënë fqinjët për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, kur shqiptarët nuk e kishin marrë ende vesh se çfarë kishte ndodhur. Vizita sekrete e Kadri Hazbiut në postën kufitare dhe enigmat që mori me vete ish-ministri i Brendshëm….

Sefer Pasha

– Ne qëndruam shumë vite bashkë në Kakavijë. Të kam parasysh kur ngrije flamurin në mëngjes dhe ushtari grek të ndiqte që nga vendroja. Shumë vite më parë, aty ku Ti ngrije flamurin, qe vrarë kufitari Llesh Pal Çupi. Ty të kishte hije kur jepje komandën: “Për ngritjen e flamurit Gati Tu!”.

Skuadrës së kufitarëve u thoje: – “Para disa moteve ushtarët grekë e qëlluan me fishekë gjurmëlënës flamurin tonë, që valëvitej në majë të shtizës. Flamuri nisi të marrë flakë. Kufitari roje në pak sekonda u ngjit si shqipe, e rrëmbeu flamurin që kishte marrë flakë e futi në gjoks dhe e shpëtoi”.

Kakavija ishte qyteti më i çuditshëm në botë. Atë pamje ta jepte natën. Qytet me dy ushtarë, një gjeneral të vrarë (afër Kakavijës është vrarë gjenerali italian Telini), dhe një kafshë (qeni i kufirit). Për gjithçka tjetër zbatohej urdhri: – “Të jemi pas çdo fije bari e të mos dukemi kurrkund”. Ndriçimi ishte marramendës (edhe i grekut) me llampa të fuqishme, ku natën dukeshin si në pëllëmbë të dorës të dyja luginat e lumit të Drinos.

– Ti ngjiteshe në katin e tretë të godinës, ku unë kisha zyrën. Dritaret nuk kishin xhama. Ishin të veshur me llamarina hekuri të trasha, që të mos i shponte plumbi i armëve të grekut. As 12.7 – shi. Qenë bërë shumë prova. 6 metra larg zyrës time ishte vendroja e grekut. Në mëngjes kur delte dielli mbi Mavropull hija e rojes së grekut zgjatohej dhe mbërrinte gjer tek fundi i krevatit tim. Ti Aleksandër i ngrysje vetullat dhe e mbyllje dritaren me llamarina hekuri të trasha, që as hija e ushtarit të mos na rëndonte mbi krevat.

– Shkruaj kujtimet. Promovimin e librit tënd do ta bëjmë në tarracën e postës greke e cila është si dikur. Kemi miq. Dhe aty do të ftojmë ish oficerët e ushtarët grekë, që kanë shërbyer në një kohë kur ne komandonim në Kakavijë. Disa nga emrat e ushtarëve grekë i kam të shënuar në ditarët e mi.

– Ta pata treguar disa herë atë takimin befasues me palën greke. Ushtari grek ngriti flamurin e bardhë tek porta me tela. Në orën tetë unë me përkthyesin Pavllo Konomin shkuam në takim. Aty erdhën dy oficerë grekë. Koloneli në emër të Divizionit të Janinës na ngushëlloi për vetëvrasjen e Mehmet Shehut. Unë u bëra gur. Ne nuk e dinim fare që Mehmet Shehu kishte vrarë veten.

– Unë përcolla gruan e shpikësit të penicilinës, Flemingut, e cila kishte qenë për vizitë në Tiranë. Kur të vijë herë tjetër, tha ajo, nuk dua të shoh më tela me gjemba. – Ta tregoja shpesh atë ngjarjen me atë komandantin e ashpër të viteve 60 – të.

Komandanti i rreptë kishte kapur natën një grek në kufi. I gëzuar e çon në zyrë. Greku i lidhur herë pas here i hidhte sytë nga fotografia e Enver Hoxhës. Kur komandanti e pyet grekun ai i përgjigjet se në fotografi ishte Qirjes Enver Hoxha. Greku i tha se e donte Enver Hoxhën. Komandanti i befasuar ia zgjidh hekurat grekut dhe e nis andej nga kishte ardhur. Por kundërzbulimi e mori vesh. Po përgatitej arrestimi i tij. Siç e kam dëgjuar më vonë kur bëra historikun e kufirit, një mbasdite Enver Hoxha duke pirë kafe me Kadri Hazbiun në Bllok i thotë atij, që të mos e arrestonte komandantin nopran të Kakavijës. E transferuan tek antenat e Shijakut.

– Kur i kishim mirë marrëdhëniet me Kinën në faqen e shkëmbit unë kisha shkruar me gërma të mëdha parullën: -“Rroftë Mao Ce Duni”! Shkëmbi me pamje nga Greqia ishte në vijë të kufirit. Me t’u prishur marrëdhëniet me Kinën mua më urdhëruan që ta fshija parullën. Por emri i Mao Ce Dunit nuk prishej as me dinamit dhe as me vare. Gurët do të binin në tokën e grekut dhe krijohej incident.

-Macja e postës së Kakavijës vajti në kuzhinën e postës së grekut. Kuzhinieri grek e leu me benzinë dhe ajo mori flakë. Ishte muaj gusht dhe mori zjarr pylli poshtë fshatit Mavropull nga flakët që mezi po shuheshin në trupin e maces. Erdhën zjarrfikësit nga Janina. U bë problem. Na urdhëruan që të mos mbanim më mace në postë. Macja jonë së cilës i vuri zjarrin kuzhinieri grek u kthye pas dy ditësh e çalë. Ajo mjaullinte me lëngatë në fund të zyrës time.

Ti i thoje: – “Po ç’na bëre moj lanete? Na hape luftën me grekërit.” – Siç po e lexon në këto rreshta e që janë kujtime të një kohe tjetër unë po të ngacmoj me ca ngjarje të bukura. Mund të shkruaja dhe për bëmat si ajo e kufitarit nga Korça, të cilin e vranë në orët e vona të natës njësitet e grekut. Kufitari Bendo Buzo para se të jepte shpirt shkroi në faqen e shkëmbit dy gërma “P. E” (Parti – Enver). Por nuk dua të merrem me këtë temë.

– Na informuan se njësiti në anë të lumit të Drinos kishte kapur një grek. Kur unë mbërrita grekun e gjeta të lidhur në zyrën e Filip Llakës, i cili atë natë u ndodh në Gjirokastër. E pyeta grekun dhe i vetmi shqetësim ishte të mos i preknim pistoletën e tij që ishte mbi tavolinë. Ajo ishte e panjohur për ne dhe mund të vriteshim.

– Ne nuk kishim ardhur në Kakavijë kur organet e drejtësisë varën në litar tek rrapi i Vriserasë terroristin Anastas Marin (aty ku ai kishte minuar mapon e Dropullit të Sipërm), por dëgjuam si nëpër filmat e Hollivudit mënyrën sesi e morën sigurimsat shqiptarë Anastas Marin në Athinë, hotelin ku u mbajt i fshehur, valixhja ku u paketua, ndërrimi i makinave gjatë udhës për në Kakavijë, manovrimi i kalimit të postblloqeve të policisë greke, transportimi i “valixhes” në krah nga fshati Aranistë (përballë Kakavijës), hapja e kufirit në postën kufitare të Katundës dhe varja tek rrapi i Vriserasë, ku terroristi kishte vendosur minën me telekomandë.

– Në ballkonin e postës kufitare u ngjit Dritëro Agolli. Rreth e përqark tij u grumbulluan kufitarët. Njëri prej tyre ishte nga fshati Menkulas i Dritëro Agollit. Dritëroi e përqafoi, e pyeti se i kujt ishte, dhe i kërkoi që ai t’i recitonte ndonjë vjershë të tij. Dhe menkuliotasi i tha këtë vjershë: /Rrap o rrap/ Pi një lum me ujë/E prapë mbetesh trap/Unë me raki qysh në djep/ U rrita si lis e u bëra poet/. Po unë këtë vjershë nuk e kam të shkruar dhe nuk e mbaj mend fare i tha Dritëro Agolli i habitur. Ia ke thënë rrapit të Menkulasit në anë të përroit.

Ata që e dëgjuan nuk e harruan iu përgjigj me të qeshur kufitari. – Afër vendrojes së kufitarit grek ne hapëm një gropë se aty kulloste natën një derr i egër. Gropën e mbuluam me gjethe. Rreth e rrotull gropës vendosëm kallinj me misër, mollë të egra, ftonj e patate. Nuk e vinim në dyshim se aty do të binte në “kurth” derri i egër. Një mëngjes kur vajtëm të dy me pistoleta në duar se dëgjuam zhurmë mbetëm pa mend. Në gropë kishte rënë mushka e një fshatari. – Alarm! Na informuan njësitet e brigjeve të Lumit të Drinos që vjen nga Janina se ai po sjell nëpërmjet dallgëve të tij karikatura me portretin e Enver Hoxhës. U futëm në lumë. Kap me not karikatura e hidh në zall. Morëm vesh se shumë nga ato karikatura i nxori lumi Vjosa tek Ura e Mifolit në Vlorë.

– Nuselalja e kafshoi në vesh ushtarin grek që flinte gjumë në vendroje. Ai e mbante veshin me dorë dhe i bërtiste rojes së kufirit shqiptar se përse nuk e lajmëroi se nuselaja i qe afruar e po i kafshonte veshin në gjumë. Por kufitari bëri sikur nuk e pa “aksidentin” me “komshiun” e shtetit tjetër. – O zot i madh! Ç’ishin kufitarët e diktaturës! Zbulimi i Asfalisë greke u nxirrte femra në piramidë, dhrahmi, dollarë, çamçakiza, tesha, paketa të shtrenjta, edhe flori. Por askush nga kufitarët shqiptarë nuk vuri dorë. Dhe asnjë kufitar nuk u arratis për në Greqi.

– U praktikua vendosja e një pengese me kavo të holla çeliku. Ishin qindra kurthe me “leqe” të mprehtë. Në këtë pengesë që mori dhe “çmim” ra dhe një ndihmës mjek nga Delvina, i cili donte të arratisej. Delvinjotin e kapi “laku” në këmbë dhe ai u tmerrua. Llahtaria më e madhe atij i ndodhi në mëngjes. Kur zbardhi dita i prangosuri nga Delvina vuri re se ngjitur me të kishte rënë në “lak” dhe një çakall. Delvinjoti filloi të bërtasë: – “O ushtar! Jam këtu! Po më shqyen çakalli”. – A të kujtohet ai kufitari nga Vlora, i cili që nga maja e malit e veçoi me ekranin e dylbive një dropullite, që po korrte grurë. Zbriti nga mali, e ndaloi dhe me të u martua. – Kishin ardhur në tarracën e postës një grup fëmijësh nga qyteti i Gjirokastrës. Me fëmijët e shkollës ishte dhe pionieri Roland Çene.

Në sheshin përpara postës greke rrinin vazhdimisht dy mushka. Ato i ngarkonte një ushtarak me zeje nga të lumit të Drinos. Ushtarët grekë me zeje qëllonin me llastiqe çdo vizitor që delte në ballkonin e postës shqiptare. Atë ditë kur ushtarët shqiptarë e ngritën në krah dhe e hidhnin përpjetë pionierin Roland Çene me flamur në dorë kufitarët grekë filluan të qëllojnë me llastiqe me zeje të fortë. Një zall e mori në ballë gjirokastritin e vogël Roland Çenen. Ajo shenjë i mbeti për tërë jetën. – Ëndërroj që Kakavija të kthehet në një muze për vizitorët.

Godina e dikurshme sa duket mbi sipërfaqe është e bunkerizuar dhe nën tokë. Përballë gjarpërojnë shtatë xhade, që i hapën xhenierët grekë për të zbritur tanket pas një fjalimi të Enver Hoxhës kundër monarko-fashistëve grekë. Në shpatin e malit të fshatit Mavropull janë gjurmët e gërmave të parullës “Oqi 1940!”. Paralelisht me lumin e Drinos është udha ku kaloi Bajroni. Janë gjithashtu dy rrugët ku lëvizte për në Janinë Ali Pashë Tepelena.

30 metra nga porta kryesore është lisi ku këndoi Marinela për një manushaqe, të cilën asaj ia dhuroi një kooperativiste nga Kakavija. Poshtë doganës së re janë gërmadhat e Hanit të Bezhanit të Gjirokastrës (Hanin e ruajti gjeneral Telini duke e shtytur kufirin në tokën e grekut në formën e qytës së pushkës).

Gjithashtu janë disa godina të vjetra, ku mbi çati dikur kakaviotët hidhnin gjethurina e demekë me kashtë mbi tjegullat (Grekët qëllonin me gur e me plumba e tjegullat bëheshin copëra). – Ne flinim gjumë tek ajo dhoma e vogël e doganës sa një kasolle. Ishte natë. Nga Janina vjen një stuhi e madhe. Kur u zgjuam në mëngjes pamë një shpend me këmbë të gjata e me sqepin si bajonetë. Qe i zi. S’ishte parë në ato anë. Në dhomë me ne qe dhe Sulo Bilaj nga Drejtoria e Zbulimit.

Po ky shpend nga u fut, thashë unë. E ka dërguar zbulimi i ASFALI– së së Greqisë tha Sulua. Shpendi i trembur nga stuhia ndihej mirë me ne. – Për herë të parë u bë një takim në kafenenë në katin e dytë të doganës së Greqisë. E mban mend “skandalin”. Kamerieri grek solli një tabaka ngjyrë floriri (ujin e nxehtë me një ibrik, tasin e mbuluar me sheqer, një tjetër të mbushur me kafen e bluar dhe filxhanët). Ne nuk dinim t’i përgatisnim kafetë. Unë vjedhurazi imitova veprimet e oficerit grek. Ata ndofta do të na filmonin.

Në këtë takim zgjidhëm “incidentin” për të cilin qesh dhe tani. 50 metra poshtë doganës tonë, në vijën e kufirit, kishte mbirë një kungull, i cili ishte zgjatur e kishte kaluar vijën e kufirit dhe qe qepur mbi një ikonë ku ushtarët grekë ndiznin qirinj. Në takim ushtarakët grekë nuk e bënë të madhe. Farën e kungullit e kishte “mbjellë” era e luginës së Drinos. Ne s’e kishim parë fare “diversantin” kungull. – Mote të shkuara kishte ndodhur kjo ngjarje. Forcat e kufirit shqiptar kishin kapur dy oficerë grekë. Pesë orë më vonë pala greke del në vijën e kufirit dhe lëshon ultimatumin:

– “Në rast se në orën 12 nuk do të dorëzoni dy ushtarakët grek fillon lufta. Përkthyesi shqiptar qe minoritar dhe në telefon komandantit shqiptar i përkthen këtë fjali i tmerruar: – “Shoku komandant! Ora 12! “Bum!” “Bum!”. – Ne kishim “çelësin” dhe hapnim kufirin për oficerët e zbulimit. Në një rast të dy pritëm në pyll “misteriozët”. Por sa e kaluam kufirin njërin prej zbuluesve e kërkoi në telefon Kadri Hazbiu. Prej Athinës kishte shkuar informacioni se zbuluesi kishte marrë një “dhuratë” nga bashkëpunëtori grek. Cila ishte dhurata? Një çakmak!

– Na erdhi informacioni se një kasetë me këngë greke qe marrë nga një kufitar në piramidë dhe ai e mbante atë në çantën ushtarake. Ti Aleksandër bëre rrufeshëm kontrollin. Dhe në çantën e kufitarit gjete një këmborë delesh. – Një ciklon i paparë përpin natën tre kufitarë dhe i shpie në tokën greke. Kufitarët kthehen pas tre ditësh. Thanë se kishin jetuar me rrënjë dhe se kishin ngrënë një lepur të egër të gjallë. Kur u kthyen priten si heronj. Por zbulimi ynë në Athinë dha tjetër përgjigje. Kufitarët nga Shqipëria i kishte kapur ASFALIA greke, i kishte rekrutuar dhe i kishte kthyer mbrapsht. Ata do t’i aktivizonte në shërbim e tyre pas 20 vjetësh.

– Në të djathtë të postës kufitare oficerët e zbulimit (tek përroi i parë i fshatit grek Aranistë) merrnin postën sekrete. Letrat bashkëpunëtorët e grekut i linin në zgavrën e një lisi. Zarfet me dollarë drejt Athinës e skifterët me lajme e mbanin frymën në Tiranë. Ta kam lexuar në Kakavijë tregimin: – “Dollarë dhe skifterë”, të cilin ende s’e kam botuar. – Kapteri i mblodhi kufitarët përballë piramidës dhe u tha: – Lulja që ka mbirë në piramidë i vështron me inat ushtarët grekë. Fija e vetme e barit ka marrë pozicionin: – “Me bajonetë shpo!”. Pika e vesës si të jetë bombë është gati të shpërthejë. Të dyzetë kufitarët shqyenin sytë. – Ushtarët grek kishin një javë që pastronin si asnjëherë tjetër territorin. Nga lyerja me gëlqere dukej sikur kishte rënë dëborë.

Qindra flamuj dhe banderola zbukuronin godinën dhe udhën për në Janinë. Një vizitor që u kthye nga Athina na tha se i kishin thënë grekët se Enver Hoxha ishte për vizitë në Gjirokastër dhe do të vinte dhe në Kakavijë të takonte kufitarët. Por Enver Hoxha erdhi deri në fshatin Grapsh të Dropullit të Poshtëm. – Një koloneli grek që merrej me gjueti i kishte humbur qeni. Ai kishte dërguar fotografinë në ambasadën tonë në Athinë dhe në ambasadën greke në Tiranë. U bë problem. Më në fund qeni u gjet. Por qeni (bushtra) kur u kap nga ne ishte me shtatë këlyshë.

Kur e nxorëm në vijën e kufirit tek porta koloneli nuk pranoi t’i marr këlyshët. Janë “shqiptarë” tha ai. Koloneli mori vetëm bushtrën. Por këlyshët u futën në pyll e kaluan kufirin dhe e rrethuan kolonelin aty ku është edhe sot ajo pisha grumbullore.

– Oficerët me të vjetër thoshin se vijës së kufirit, aty ku lulet dhe bari janë rritur më lart, ka eshtra të vdekurish. Ishin kufitarët e vrarë. Herë pas here vinin familjarët dhe i kërkonin.

– Jo shumë larg vendrojës së ushtarit grek një kakaviot kishte kopshtin me grurë. Djali i tij 7 – 8 vjeçar i binte një teneqeje që të trembeshin korbat. Por një ditë djaloshi qe larguar për të lozur me shokët dhe ushtria e korbave qe futur e po çukisnin grurin gati për t’u korrur. Ati i djalit erdhi me vrap dhe e qëlloi djalin disa herë me pëllëmbë. Këtë skenë e pa ushtari grek. Unë u ndjeva keq.

– Nuk do ta harroj atë natën me hënë kur në oborrin e postës kufitare u shfaq Kadri Hazbiu. Pasi i raportova ai më tha që t’i hapja portën e klonit e cila të çonte në fshatin Kakavijë. Ashtu bëra. Kur ministri iku unë i thashë vetes “po ky djall nga hyri?”. Të gjitha portat ishin të mbyllura. Ngrita supet. Kurrë nuk e mësova të vërtetën. Tani në demokraci kam marrë vesh nga hetuesit pensionistë se në qeli Kadri Hazbiut ia shkulën të gjithë dhembët e dhëmballët, që të mos kafshonte gjuhën e të vdiste nga hemorragjia.

– Më ka mbetur në mendje ai burimi në vijën e kufirit. Një gisht ujë buronte në shkëmb dhe humbiste në guvë. Në të dy anët e kufirit nuk kishte asnjë pikë ujë. Si kufitarët shqiptarë dhe ata grekë mbanin me vete pagure me ujë. Uji nga i nxehti vlonte në pagure. Por asnjë ushtar nuk guxonte t’i afrohej burimit në shkëmb. Ai ishte burim i ndaluar. Po të pije ujë aty vriteshe. Nuk bëhej shaka.

– Një koshere bletësh e fshatarit grek kishte vite që kishte zënë vend tek zgavra e një lisi disa metra në tokën tonë. Bletërritësi grek e dinte që bleta ishte e tija. Ne nuk tentonim që ta merrnim mjaltin. Vështronte roja greke. Por një natë korriku me furtunë ra rrufeja në lis dhe bashkë me të mori zjarr dhe zgavra me ushtrinë e bletëve. Të nesërmen bletërritësi grek u afrua në vijën e kufirit dhe shikonte dëmin që iu bë nga rrufeja. Bletën e quante pronë të tijën edhe pse ajo ishte në tokën shqiptare.


5 Korrik 2018