Kadare dhe Ukshin Hoti!

Nga Wikibooks

Bedri Islami

Mbrëmë, deri pas mesnatës, po lexoja librin “Bisedë mes hekurash”, dialogu i dy figurave të shquara të kombit tonë, Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti, njëri ndër të cilët vazhdonte të ishte ende i burgosur politik në burgjet serbe, për më tepër, si cilëson Kadare, i burgosuri politik më i rëndësishëm i kohës në trevat euroatllantike.

Natyrisht është një dialog viganësh të mendimit dhe të shëmbëlltyrës së kombit, në të dy anët e kufirit shqiptar, në të cilin përshkëndijon madhërishëm kombi, vetëdija kombëtare, e shkuara dhe e nesërmja, gjithnjë nën dritësimin e mendimit politik.

Ajo që më befasoi më tej, është jo vetëm kujdesi i shkrimtarit tonë të shquar, Kadare, për zhvillimin e një bisede të pazakontë, por në fillesën e këtij libri që përbën edhe qëllimin kryesor të dialogut.

“Ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit”, kështu shkruan Kadare në rreshtin e parë të fillesës dialogiane.

Kjo ndodhte pasi Kadare kishte dërguar një seri letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ministrave të punëve të jashtme të vendeve kryesore perëndimore, dhe pastaj, vjen ky dialog në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe anglisht, për t qenë më efikas dhe për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.

Këtë e ka bërë një njeri i vetëm, të cilin kur e pyeta tre javë më parë, më tha se gjithçka ishte nisur nga instinkti i shkrimtarit, i kolegut, i nderimit dhe i përqasjes së një kombi ndaj një personaliteti të shquar.

Kur e mbylla faqen e fundit t këtij libri – dialog, mendova dhe ndjeva keqardhje:

Një njeri i vetëm, ndonëse i përmasave të njohura në të gjithë botën, ka bërë aq sa ka mundur për fatin e mendimtarit filozof më të shquar të kombit. Ka bërë atë që i ka lejuar fusha e tij, njohjet, emri.

Po të tjerët çfarë kanë bërë dhe çfarë kemi bërë për Ukshin Hotin?

Pak, ose aspak. Nga mungesa e njohurisë, nga hallet, nga smira, nga mendimi se ai do të vijë dhe do të përmbysë një elitë të krrusur, të mjerë, amorfe?

Ku ishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës, qeveria e shtetit shqiptar londinez, ” liderët presidencialë dhe qeveritarë të Kosovës” që kishin shpallur veten president e kryeministër? Ku mbetën ata? Po apelet e tyre ku janë?

Përse në Rambuje nuk vendosëm kusht që Ukshin Hoti të ishte pjesëtar i bisedimeve në trupën përfaqësuese të Kosovës apo kishim frikë nga mendja e tij brilante?

Një shkrimtar i shquar ka bërë i vetëm më shumë se gjithë ne të tjerët…më shumë se institucionet e luftës dhe të paqes, m shumë se akademitë dhe universitetet, më shumë se qeveritë dhe liderët…

Ukshin Hotin e vrau regjimi policor serb. Ai qëlloi mbi të.

Heshtja jonë nuk shfajëson askënd.

Dialogu i dy titanëve dëshmon se çfarë i mungon sot Kosovës me mungesën e njërit prej tyre.

Të atij që ishte në burg.

Që bëri burg për lirinë e Kosovës.


19 tetor 2018