Kadare, kredencialet e fjalës shqipe

Nga Wikibooks

Nga Moikom Zeqo

Më 12 Nëntor 1996, redaktori Gjetan Sinishtaj, i Radiostacionit, në gjuhën shqipe, të New Yorkut, intervistoi shkrimtarin Moikom Zeqo, që tani po jeton dhe po studion në Dumbarton Oaks, të Universitetit të Harvardit, në Washington D.C. për të dhënë mendimet e tij me rastin e pranimit të Ismail Kadaresë, në Akademinë e Shkencave Morale të Francës.

Po botojmë më poshtë për lexuesit, tekstin e plotë të shkrimtarit Moikom Zeqo, mbi krijimtarinë dhe artin e Ismail Kadaresë, dhënë në Amerikë nga Radiostacioni në gjuhën shqipe të New Yorkut:

Kadareja si shkrimtar shqiptar ka arritur atë, që nuk e ka arritur askush gjer më sot nga shkrimtarët bashkëkombas.

Pranimi i tij në Akademinë e Shkencave Morale të Francës duke plotësuar kështu, edhe vendin e lënë bosh, nga vdekja e filozofit të madh Karl Poper, është një nderim i madh, jo vetëm për Kadarenë, – këtë emër emblematik të kulturës sonë, por për tërë kombin shqiptar.

Madje, është një gëzim, që rrezaton edhe në Republikën Europiane të Letrave.

Para pesë shekujsh Marin Barleti, i Skënderbeiadës Kastriotase, qe njeriu i kulturës sonë, që u ndërkombëtarizua si askush dhe u përkthye në shumë gjuhë të botës.

Mbas pesë shekujsh, Kadareja është shkrimtari shqiptar, më i ndërkombëtarizuar dhe i përkthyeri në botë.


Vepra, suma sumarum, e Kadaresë, që po botohet tani në bilingue: në frëngjisht dhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “FAYARD” në Paris, është një ngjarje, sepse kjo vepër është një Kredenciale e Fjalës Shqipe.

Kadareja është shkrimtari, që e ka nderuar dhe përfaqësuar kombin shqiptar, në pikëpamjen e epërme, të Artit të Fjalës.

Ai dëshmon, se një komb i vogël mund të nxjerrë shkrimtarë të mëdhenj.

Se potenca shumëdimensionale e gjuhës shqipe është e mrekullueshme, ndonëse nuk hyn në gjuhët e mëdha botërore – është gjuha e një populli të vogël, – po kjo gjuhë zotëron mundësi të pakufishme për artin edhe në dimensionin botëror.

Jehona e nderimit të Kadaresë është përcjellur me gëzim te të gjithë, – kjo gjë është edhe një herë një afirmim për të tërë shqiptarët, që shikojnë në veprën e kadarejane një nga majat e larta të kulturës kombëtare.

Kadareja e meriton këtë nderim.


Po kështu unë mendoj, pa e tepruar, po në mënyrë realiste, – se Kadareja e meriton edhe Çmimin NOBEL.

Po ta krahasosh me çetën, familjen e nobelistëve ballkanas mund ta krahasosh lehtë dhe të kuptosh nivelet se Kadareja është i denjë , për ta fituar edhe Çmimin NOBEL.

Vepra e Kadaresë është shumë e lidhur në strukturë, – ai është nga të paktit që ka krijuar një strukturë polifonike – shumëzërashe të veçantë të krejt veprës së vet.

Kjo vepër lidhet e tëra në një unitet jo vetëm konceptual të stilit të tij – gjë jo e lehtë dhe e pazakontë – mund të kujtoj me këtë rast se këtë strukturë e ka patur Balzaku si dhe një shkrimtar i famshëm dhe gjenial amerikan Follkneri.

Në tërësi vepra është i njëjti labirint me tërë rrugët dhe udhëkryqet brenda përbrenda vetes dhe personazhet futen dhe dalin nëpër subjektet e shkruara si banorët e planetit të fantazisë së shkrimtarit, të vendbanimit, apo shtëpisë së tij intime.

Kjo strukturë unike është eksperimentuar nga Kadareja vetëm, deri më sot, në Letrat Shqipe.


Vepra e Kadaresë është e shquar në aspektin estetik të gjuhës shqipe në estetikën linguistike të Gjuhës moderne shqipe bashkëkohore e të Njësuar Letrare, që është një fitore kolosale e kombit shqiptar, nga ana tjetër kjo vepër tregon, se si gjuha e një vendi të vogël mund të sendërtojë një imagjinatë të jashtëzakonshme, krijuese, – pa e kufizuar këtë imagjinatë, por përkundrazi ta bëjë, që të shkëlqejë mrekullueshëm.

Kadareja krahasohet me emrat e shkrimtarëve të shquar, të fundit të shekullit XX.


Dua ta kujtoj, se këtu në Amerikë, janë botuar deri tani tri romane të Kadaresë: “Kronikë në gur“, “Pallati i ëndrrave“ dhe “Koncerti“.

Dua të sjell në vëmendjen e të gjithëve vlerësimin e lartë që bëri para disa vjetësh shkrimtari i shquar amerikan Xhon Apdajk – që është aktualisht nga më të mëdhenjtë e Amerikës për librin “Kronikë në gur“ të Kadaresë dhe i mahnitur me forcën artistike të këtij romani hodhi idenë, se nëqoftëse letërsia shqipe ka edhe vepra të tjera si ky libër, nuk ka pse të ndihet inferiore dhe t’ia ketë zili letërsive të popujve të tjerë.

Sidomos nga kritika amerikane është çmuar sidomos “Pallati i ëndrrave“.

Kadareja sot nuk përfaqëson vetëm një krenari të kulturës sonë, – thjesht një manifest kulturor, po më tepër.

Me emrin e Kadaresë lidhet dhe Çmimi Ndërkombëtar “Ismail Kadare“, që vitin e kaluar në 1995 e fitoi shkrimtari i madh argjentinas, po me origjinë arbëreshe – shqiptare Ernesto Sabato.

Librat e Kadaresë janë një FATA MORGANA e kulturës sonë.


Kadareja në këto momente të komplikuara historike dëshmon se niveli i lartë intelektual i një shkrimtari i një letërsie është njëkohësisht edhe thelbi e esenca e shpirtit të popullit.

Koncepti i urryer i inferioritetit të shqiptarëve nuk duhet të mitizohet të gurëzohet dhe të zërë vend, sepse veç të tjerave vepra e Kadaresë e përjashton konceptin e inferioritetit.

Vepra e Kadaresë vërteton, se shqiptarët janë një popull i denjë për kulturën e madhe.

Se shqiptarët janë të denjë si gjithë popujt e tjerë ndonëse më të kultivuar dhe më me fat, se shqiptarët, meritojnë një fat politik, shumë më të mirë se deri tani.

Kombi ynë me Kadarenë, po edhe me Qosen etj, jep kontributin e vet në bashkësinë e kulturës botërore ballëlart dhe qytetarisht


Unë, si mik i vjetër i Kadaresë, jam mjaft i gëzuar, që Kadareja është pranuar në Akademinë e Shkencave Morale të Francës, por nuk jam aspak i habitur.

Për mua kjo nuk qe një e papritur.

Mundësitë artistike të Kadaresë janë, ai është në zenitin e krijimtarisë së tij.

Është në interesin e të gjithëve që vepra kadarejane të njihet e të vlerësohet lart jo vetëm në viset frankofone , po edhe në Amerikë e kudo në botë, në të gjitha kontinentet.


Thashë më sipër se Kadareja ka arritur atë që nuk e ka arritur askush – mendoj , se për shkrimtarët që do të vijnë më pas nuk do të jetë shumë e lehtë për të bërë të mundur të botojnë korpusin e veprës së plotë në një shtëpi botuese si “FAYARD“-it.

E theksoj jo vetëm në frëngjisht, po edhe detyrimisht në gjuhën amtare shqipe.


Kadareja e ka trajtuar në mënyrë krijuese gjuhën shqipe në lëvizjen e brendshme, lokucioneve, të idiomave në kulturën e lartë të të shkruarit , që është një kulturë, sui generis, lakonike, në plotshmërinë e vet dhe në mesazhet universale, që përcjell.


Duke qenë thellësisht kombëtar arti i Kadaresë është universal, sepse ai nuk shkruan në mënyrë sibiline , hermenautike, rremujshem, të mbyllur, etj, për shqiptarët, po jo vetëm për shqiptarët dhe natyrisht, duke patur parasysh shqiptarët, si një metaforë, ai i afrohet kështu thelbit, të kuptimit ekzistencial, të kuptimit të kohërave dhe atë të së ardhmes të vetë njerëzimit.


Subjektet dhe motivet, që ka shkruar Kadareja kanë një interes artistik, kanë një kuptim filozofik, – ato janë arti, që parakupton një luftë kulturore ndaj totalitarizmit në të gjitha aspektet, që është shfaqur ai në shekullin XX për një demokratizim dhe humanizim të përjetshëm për ta bërë, sa më fin sa më të kulturuar, sa më intelektual shpirtin dhe konceptet bazë të jetës të komunitetit, kombit shqiptar.


Natyrisht kombi shqiptar është një komb me probleme tragjike, me enigma dhe shqetësime kolosale, që janë aq të thekshme përvëluese dhe këlthitëse, në fundin e Mijëvjeçarit të Dytë.


Ky komb shpreson megjithatë që në fillimin e Mijëvjeçarit të Tretë të gjejë identitetin e vet politik, kaq shumë të deformuar dhe të mohuar padrejtësisht.

Kjo ka të bëjë me emancipimin si dhe me aktin dlirësues të ekzorcizmit krejt i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për ne shqiptarët për të arritur në kuptimin e njësuar të vetë kombit të copëtuar, – ndonëse një komb i vogël, është i ndarë nga kufij politikë, nga padrejtësitë e trashëguara historike, ç‘ka përbën një shqetësim të tmerrshëm, të ankthshëm, të padurueshëm edhe për vetë kulturën shqiptare.


Nga kjo pikëpamje Kadareja është një simbol artistik, që i bashkon shqiptarët në të gjitha pjesët dhe viset, ku ata jetojnë.

Brezat dhe gjeneratat që do të vijnë do ta vlerësojnë këtë mision të artit kadarejan.


Në tërë kompleksitetin të historisë politike të gjysmës së dytë të shekullit të XX vepra e Kadaresë, mbas aktit krijues novator ,të jashtëzakonshëm, të Migjenit që e ndryshoi konceptualisht, shtrëngatshëm, pabesueshëm, si dhe e modernizoi fuqishëm dhe me mjetë figurative të reja, marramendëse, artin dhe kulturën shqiptare, përbën dukurinë e dytë, më të tërëfuqishme të modernizimit dhe të nivelit të lartë të Artit të Fjalës, jo vetëm të Prozës, ku Kadareja ka bërë ndryshime, levizje por edhe në Poezi,– kujtoni rolin emancipues në poezitë e viteve 60 të Kadaresë.


Duke qenë një akt i mirëfilltë individual, krijues vepra e Kadaresë ,i përket në radhë të parë popullit dhe lexuesve të panumërt.

Këtu takohet dhe shkrihet individualiteti i fuqishëm i artistit me kolektivitetin e popullit, jo në kuptimin e vulgarizuar, apo populist, por në kuptimin më të thellë shpirtëror, të esencës së kombit, por edhe të mundësive, shpesh misterioze, të mjeshtërisë të Laboratorit të Artit.


Kadareja është një Kampion i ndritur i Gjuhës së Njësuar Letrare.


Ne jemi dëshmitarë të një polemike shterpe dhe psikopatike, linguistofobe dhe shqiptarofobe, kundër Gjuhës së Njësuar, për të rikthyer atë në fazën primitive dialektore, retrograde, dmth kundërhistorike, antishkencore, mjerane, të separatizmit gjuhësor, zhbërjes dhe vonesave alkimike, të mitizura, etj.

Gjuha e njësuar letrare tregoi për Kadarenë, se posedon mundësitë, pa kufij, të artit më të madh dhe të kultivuar është e denjë për të mbartur një intelektualitet dhe konceptualitet shumë të lartë.


Franca kulturore e bëri nderin ndaj Kadaresë dhe nuk e bëri rastësisht.

Ky nder i takonte që ta bënte pikërisht Franca kulturore.

Franca kulturore është e para që e zbuloi dhe e njohu si shkrimtar europian Kadarenë.

Në Francë Kadareja botoi për herë të parë librat e tij për t’u përkthyer pastaj në gjuhë të tjera.

Franca i dha kështu Kadaresë shansin dhe mundësinë historike për t’u ndërkombëtarizuar.

Franca qe Mediumi Metropolitan për emrin e Kadaresë.

Por emri i Kadaresë parakuptonte gjithmonë emrin e vetë Shqipërisë.

Mendoj se sot emri i Kadaresë është një simbol informativ, më i plotfuqishëm se çdo informacion tjetër i kronikës, apo llojit politik.

Vepra e Kadaresë është një Guidë e habitshme dhe sugjestionuese për lexuesit e huaj për të reaguar emocionalisht me dashuri dhe nderim për Shqipërinë.

Kjo nuk është pak, por është jashtëzakonisht shumë po të kemi parasysh dhe morinë e pafundme të informacioneve negative dhe përçmuese, apo dhe mohuese, nihiliste, për shqiptarët në mediat e botës.


Ismail Kadareja në krijimtarinë e tij bën, ngjiz, plazmon zanafillat dhe universin e Shqipërisë së Përjetshme Eterne, të Shqipërisë, që nuk vdes kurrë, se nuk e njeh dot Vdekjen.

Kjo është Shqipëria kulturore, dhe fatkeqësisht, jo edhe Shqipëria politike, Shqipëria e të tërave kronikave, shekujve, Shqipëria e pamposhtshme, që nuk humbet kurrë, një Shqipëri, e cila vetëm na bashkon me dashuri dhe vetëdije ne, shqiptarëve.


Washington D.C., 12 nëntor 1996, botuar fillimisht, tek ZERI I KOSOVES, 23 nëntor 1996.