Kaçifa, Llesh Pali dhe halla Behije
Bedri Islami
I armatosur deri në dhëmbë, me kamuflazh ushtarak, ndoshta në një delir të parashikuar që më herët, por që në momentet e fundit mori trajtën e çmendurisë, një i ri, 35-vjeçar, pasi qëlloi në drejtimin e forcave të policisë shqiptare, pikërisht kur shteti i saj, i Policisë, po dëshmonte një shenjë të madhe tolerance dhe asnjë paragjykim etnik, u vra, ashtu si mund të kishte ndodhur dhe si ka ndodhur me cillindo që ndërmerr një rrugë të tillë.
Duhet të jesh naiv të besosh se e gjithë kjo ishte krizë e një çasti, një trill momenti dhe çartallosje mizore. Deri në këtë moment duhet dhe ka pasur shumë të tjerë, që e kanë bërë atë një njeri të papërgjegjshëm, agresivë, ndoshta edhe mizor, por gjithsesi të padashur nga njerëzit me mendtë në kokë dhe të arsyeshëm.
Rruga e Konstandin Kaçifës drejt aktit të fundit ka qenë më e gjatë se sa një ditë e vetme. Ka shkuar nëpër shumë ditë dhe është ngopur me një lojë bestytnie se duhet luftuar për një çështje që ende nuk është tabu në shtetin fqinj: lufta për Vorio Epirin, si një fantazëm e një kohe të shkuar dhe të prapshtë.
Aq sa është fajtor ai, aq është edhe shteti grek dhe strukturat e tij. Aq sa gjendet tek ai fajësia, po aq, e ndoshta edhe më shumë, gjendet tek strukturat e Omonias apo të një partie që drejton Dule; sa është ai njeriu që mund të mbante mbi vete një krim të shumëfishtë, aq janë edhe deklaratat nxitëse të njerëzve të politikës shumëfish antikombëtare, qofshin të Bollanos, Barkës, Dules, Janullatosit, e të jo pak të tjerëve.
Faji nuk është jetim, por, edhe nëse është qyrk, askush nuk e vesh për vete. Sepse, po të ishte ashtu, edhe shteti shqiptar, strukturat e tij, duhej të kishin mbledhur veten me kohë dhe të mos e bënin këtë vend të hapur për cilindo që merr me vete një kallashnikov, vesh një kamuflazh të një ushtrie tjetër, poston në rrjetet sociale thirrje delirante për ndëshkim të shefave të qeverive.
Nuk është i vetmi që bart këtë mendësi. Ngjarjet pas vrasjes së tij treguan se nuk është një rast i veçantë, por një mendësi; nuk është halli i një njeriu të vetëm, sado e dhimbshme mund të jetë vdekja e tij për të tjerë, por shumë më tepër se kaq.
Shikoni deklaratën e fundit të Omonias për rastin. Nuk është mes rreshtave vetëm djallëzia tipike e kësaj organizate, por edhe teksti i shkruar qartë nga zyra të tjera, të cilat kërkojnë edhe më tej dhunë, tension, përplasje.
Dhe, në një ditë kur do duhej t’i ishin mirënjohës shtetit shqiptar, i cili, duke harruar plagët që hapi ushtria greke në jugun e Shqipërisë, në ditët e luftës italo-greke, përsëri, ndoshta edhe padenjësisht, lejoi që Dita “JO”, të përkujtohej edhe në Shqipëri, sikur ajo “jo” të ishte thënë nga Bularati e jo nga Athina.
Tani të kthehem tek titulli i shkrimit dhe çfarë lidhje ka me gjithë këtë ngjarje.
Një mik i imi, që jeton jashtë atdheut, më shkroi i trazuar se nuk ishte e qartë se cili qëndrim do të merrej. “ Të gëzohesh për vrasjen – të quajnë ultranacionalist. Të heshtësh- të thonë, pse hesht, ku të ka ngelur samari: Të thuash se mund të mos ishte vrarë, menjëherë të thonë se je tradhtar”.
Cili qëndron duhet mbajtur?
Dhe i shkrova për një ngjarje të përjetuar.
Disa dekada më parë, pikërisht në jugun e Shqipërisë, pak kilometra vendit ku ngriti armën Kaçifa, bandat ushtarake greke vranë një ushtar shqiptar. Quhej Llesh Pali, ishte nga një fshat i Lezhës.
Për Llesh Palin u bë një këngë e njohur. Shumë e njohur. E ngriti Ded Ndue Lazri, në mos gabohem, i njëjti autor që bëri më vonë këngën “Enver Hoxha tungjatjeta”. E kam njohur Dedën, ishte njeri gazmor, shumë i dashur, vinte nga një familje me cene politike dhe më vinte çudi se si ai kishte bërë një këngë të tillë.
Kënga thonte se Llesh Pali, i vrarë në kufi, kishte lënë një motër, që e quanin Marije, se tek ai kishte shkuar Mehmet Shehu për ta ngushëlluar dhe si Ai i kishte thënë se tani, në vend të djalit, kishte Partinë e shtetin, Enverin e Mehmetin, të të duan si nanën e vet.
Në shtëpinë ku banonim jetonte edhe halla e nënës sime, Behija. Jashtëzakonisht e mençur, me një fytyrë që nuk iu rrudh kurrë edhe kur i kaloi të tetëdhjetat, me fjalën e nënujshme dhe hallemadhe. Ishte bijë shtëpie, dhe, pasi i kishte vdekur i shoqi, ishte kthyer tek vëllezërit, në Shkodër. Kishte qenë e martuar në Lezhë, tek familja e madhe e Mlikajve, tokat e të cilëve shtriheshin në bregdet dhe që sot janë bërë mollë sherri. E lindur dhe rritur në një familje të madhe, martuar tek një derë e pasur, pas luftës kishte hequr jashtëzakonisht për të mbijetuar, duke punuar deri në raskapitje. Edhe se ishte halla e një heroi e motra e një tjetri.
Kur fillonte kënga e Llesh Palit, që jepej shpesh asaj kohe, ne dilnim në çardak dhe thërrisnim hallën duke i thënë “ Kënga e Llesh Palit”.
Ngjitej me një frymë, pasi në atë shtëpi kishte vetëm një radio, e kishte sjellë im atë nga Moska, dëgjonte këngën dhe sytë i mbusheshin me lotë. E shihja se si i rridhnin, butësisht, si tek çdo nënë. As e kishte njohur Llesh Palin, e ndoshta të afërmit e tij mund të kishin qenë argatë në tokat e të shoqit. Të cilat pushteti i ri ia kishte marrë të gjitha, bashkë me shtëpitë, bagëtitë e pafund….
Veç lotët i rridhnin për një djalë të panjohur, që ushtarët grekë e kishin vrarë në kufi.
Nuk besoj se e donte pushtetin. Nuk kishte asnjë shkak që ta donte. Ishte rrënuar prej tij, por vendin e donte.
Ndaj, i shkrova mikut tim, mund ta duash apo jo këtë qeveri që është sot, një qeveri që bën gabime edhe në ndërlidhjet me fqinjët grekë, të cilëve ua jep dorën dhe nuk e di se do ia marrin krahët, por vendin duhet ta duash. Dhe nuk mund të jesh i heshtur kur mbi vendin tënd, një bandit i uniformuar, mbështetur nga banditë të tjerë politikë, duan të bëjnë zallamahinë e madhe.
Banditi grek ishte me armë dhe arma të vret. Mund të qëllosh herën e parë në ajër, edhe kur nuk ke pse të qëllosh, por herën tjetër mund të ndodhë ndryshe.
Pastaj më është kujtuar një fragment nga letra e Presidentit të republikës Franceze, Jacques Chirak, drejtuar Ismail Kadaresë, 9 shtator 1998, për një çështje shumë më të madhe, aspak të krahasueshme me këtë, ku ndër të tjera i shkruan “ Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për t’i bërë armët të heshtin”.
Më kujtohet shpesh historia e Llesh Palit dhe kujtohem për lotët e hallë Behijes, më tepër se për një djalë të vetëm, dhe di fare mirë se të shkuarit tanë, pra, ata, të mëdhenjtë që ikën, e deshën këtë vend shumë më tepër se ne, pa fjalë dhe duke e ndjerë dhimbjen edhe kur nuk ishte e tyre.
30 tetor 2018