Jump to content

Këshilltari Karafil Veliu i Kreshpanit

Nga Wikibooks

Nga Sulo Tahiraj

Po mbushen 75 vjet nga koha e rënies dëshmor të Karafil Veli Muskajt nga Kreshpani i Mallakastrës në qarkun e Fierit. Karafili me bashkëfshatarë të tjerë, në përpjekje për çlirimin e vendit dhanë jetën, shumica faqepadirsur.

Dëshiroj të shpreh pasionin tim, dashurinë e respektin që kam për Kreshpanin e banorët e tij në breza, prej të cilëve më buron edhe përkushtimi, që të bëjmë përpjekje për të njohur historinë e fshatit, përpjekjet për mbijetesë, punën, luftën dhe gjakun që kanë derdhur për përparim shoqëror dhe ekonomik paraardhësit tanë.

Njerëzit që i kanë dhënë më shumë nder e emër Kreshpanit, janë të dukshëm e të spikatur. Karafili pa asnjë dyshim është ndër ata bijtë e spikatur e të nderuar të këtij fshati, që, në fund të fundit, i kanë vlerat dhe meritat e tyre, mes vëllezërve, miqve e shokëve të cilët i kanë dashur, përkrahur e ndihmuar…

Para ca kohësh më ra në dorë një libër historik, i shkruar nga Azmi Tato nga Buzmadhi. Nuk e kisha dëgjuar më parë këtë emër, sidoqoftë, ai i bën një analizë e përshkrim realist jetës në zonë, sidomos viteve të luftës, të cilat i ka përjetuar në mënyrë aktive. Ky libër më shtoi edhe më shumë njohuritë për zonën, për Kreshpanin, por veçanërisht për njerëzit tanë më aktivë, të cilët e kanë lidhur fshatin me gjithë krahinën e Mallakastrës e të tërë vendin.

Aty gjeta fakte të gjalla për Karafil Veliun, si pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes ANÇ, si anëtar i Këshillit Krahinor të zonës, si person qendror në mobilizimin e bashkëfshatarëve të tij në lëvizjen luftarake për çlirim kombëtar e shoqëror. Ky libër, natyrshëm më lidhi edhe me merakun e të respektuarit të zonës sonë, Ismet Demishajt, djalit të Mestan Çerçizit, bashkëluftëtarit të Karafil Veliut, me të cilin u takuam, para ca vitesh në Durrës… Në momentin që biseda rrodhi drejt historikut të fshatit, Ismeti, m’i nguli edhe më mirë sytë e tha:

-Shumë mirë, shumë mirë do të bëni. Ama…mos harroni, të shkruani edhe për Karafil Veliun… të cilin forcat reaksionare e arrestuan, si dhe Këshilltarët e tjerë të Hekalit dhe të Mallakastrës që u vranë në dhjetor janar 1943 (janë mbi 40 këshilltarë të pushkatuar në gjithë krahinën nga ballistët bashkëpunëtorë të fashistëve pushtues), për ta vënë përpara pushkatimit… Babai im, Mestani, -vazhdoi ai, -e kujtonte gjithmonë Karafil Veliun.. Ai kish marrë ushqime dhe ia kish çuar në burg… ishte përpjekur shumë t’ia dërgonte brenda se nuk e lejonin gardianët, e në përpjekje e sipër, u kish thënë: ”More, po nuk po u kërkoj të ma nxirrni nga burgu, kjo është puna e juaj, por ushqime, ushqime, dua t’i çoj, të njomi buzën e të mbaj frymën gjallë.” -Me vështirësi mundi t’ia çonte e ndoshta ato, mund të kenë qenë energjia e fundit përpara pushkatimit… Prandaj, mos harroni, kijeni parasysh edhe Karafilin…” E, ndërsa shpjegonte, vura re’ se ndihej i emocionuar e sytë blu i shkëlqenin të përlotur… Pash e ndjeva tek Ismeti, një vlerësim e respekt njerëzor, për sakrificat, për gjakun e derdhur nga Karafili… Gjak, të cilin kujtesa njerëzore nuk duhet ta harrojë kurrë, jo vetëm në memorien e brezave, por edhe të shkruar e skalitur mirë, sepse vetëm e shkruara nuk shuhet.

Ishte gjaku i Karafil Veliut me shokë, apo edhe lufta e përpjekjet e shumë të tjerëve, që rrëmbyen armët të çliruan vendin, të atyre që i mbështetën moralisht e materialisht, me ç’mundën… që ne fituam lirinë e vendi përparoi. Do të ishte mëkat të mos i kujtosh ata, që nuk gëzuan jetën e tyre, ikën në lule të rinisë e lanë nënat shamizeza, shumë prej tyre lanë fëmijët jetim e gratë të veja. Mirënjohja e përkushtimi për të rënët, apo për gjithë luftën, punën e jetën e brezave paraardhës, do të ishte mirënjohje për vet ne. Sipas një dijetari: ne nuk jetojmë vetëm për brezat e sotëm, as edhe vetëm për brezat që ikën, por edhe për brezat që do të vijnë… Prandaj, na nevojitet të ndryshojmë traditën e heshtjes, të lënies mbrapa asgjë…

Duke u përpjekur të gjeja të dhëna për fshatin tonë, Kreshpanin e njerëzit e tij, hapa Fjalorin e Enciklopedisë Shqiptare, aty asqë përmendej emri i Kreshpanit, madje për Mallakastrën flitej shkurt e thatë. Me sa duket, ky libër është përpunuar mbas vetvrasjes fatkeqe të Mehmet Shehut. Sa keq ky zakoni ynë: kur e shohim dikë që po rrëshqet, në vend t’i zgjasim dorën për ta ndihmuar, i fusim shqelmin të thyej qafën…

Sidoqoftë, krahina e Mallakastrës, e në përbërje të saj edhe Kreshpani, i ka qartësisht të dallueshme gjurmët e jetës, të luftës e të punës, të traditave të shkëlqyera njerëzore, veçanërisht ndjenjat e spikatura liridashëse, punëdashëse e papërkulshmërinë për mbijetesë, bujarinë e mikpritjen karakteristike, ndershmërinë e krenarinë. Për këto ka shumë dokumente që flasin, por sikur edhe aq të lexosh, sa na ka shkruar e vlerësuar, dijetari i historisë e arkeologjisë, i mirënjohuri Neritan Ceka, në gazetën Shekulli të datës 8 Gusht 2006, mjafton për t’u ndjerë krenar për Kreshpanin e të parët tanë. Jeta aty, sikur vetëm nga monedhat që u zbuluan më 1980, rezulton se ka përvijuar që në shekujt e tretë e të dytë para Krishtit.

Gjithashtu nga Rregjistri i par Turk i vitit 1431 del se Kreshpani ka qenë i banuar nga 31 hane e gjysmë, kurse në atë të vitit 1583 rezulton se banorët ishin të gjithë të besimit kristian… Në Kreshpan, në vitet 1830-1837 zhvilloi aktivitetin e tij luftarak kundërosman, bashkëfshatari ynë Alush Frrakulla, ku është e padiskutueshme se pjesëmarrës të ushtrisë së tij kanë qenë edhe të parët tanë. Dy nga bijtë e Kreshpanit, Hajri e Faik Kreshpani kanë qenë pjesëmarrës aktivë në hartimin e realizimin e programit të shpalljes së Pavarësisë, krahë plakut Ismail Qemali.

Kreshpanjakët kanë qenë pjesëmarrës të të gjitha lëvizjeve për liri e pavarësi, për përparim shoqëror e ekonomik. Por, për fat të keq, nga bijtë e tij, këto gjurmë luftërash e jete, nuk figurojnë të përshkruara nëpër historikë e shkrime përkujtimore. Do të qe detyra e nderi ynë për ta realizuar një gjë të tillë. Në vlerësimin e përshkrimin e cilësive të çdo fisi, familjeje e individi, do të qe me vend ta shihnim atë, me të mirat e mangësitë që e kanë karakterizuar, por do të qe meritë që të theksonim prirjet kryesore dalluese që i kanë dhënë vlera për mbijetesë secilit. Gjykoj se në çdo familje, midis familjeve apo fiseve, janë të dallueshme e qartësisht të njohura fenomene të tilla.


E humbi jetën për liri, Karafil Veliu, e la jetim djalin e vogël, Veliun… por, ky u bë i famshëm si doktor. Ia ngriti edhe më lartë meritat e nderin të atit, ia vlerësoi gjakun që derdhi. Me zotësitë e tij i shërbeu jo vetëm vetes e familjes, por edhe fisit, fshatit, madje ia rriti nderin Kreshpanit. Bashkë me Kadriun, Ramazanin dhe djemtë e tjerë të fisit ecën në gjurmët e ndritura të Karafil Veliut. Sa shumë kam dëshirë të flas për cilësitë e rralla njerëzore që gëzonte i mirënjohuri Hamza Myrtaj. Sa i gjerë nga shpirti! bujar e i përkushtuar për të gjithë, tolerantë e largpamës…Të gjithë bashkfshatarët i donte të ditur, pavarsisht se i kujt familjeje ishte, apo me ç’sy biografik shikohej. Me punën e palodhur që ka bërë Nazmi Fetau, për librin historik të fisit, jo vetëm ka rritur vlerat e tij e të familjes, por edhe të Kreshpanit.

Në mbyllje, dëshiroj të tërheq vëmendjen e të gjithë bashkëfshatarëve, sidomos të intelektualëve, që kanë dalë nga shkolla e fshatit Kreshpan e cila mban emrin e dëshmorit “Karafil Muskaj”, ta kujtojmë me mirënjohje luftën dhe gjakun e derdhur prej tij e bashkëluftëtarëve të tjerë dhe përmes shkrimeve e historikëve t’ua lëmë të gjallë brezave që do të vijnë.


20 tetor 2018