Jezusi im është një i varfër…

Nga Wikibooks

Jezusi im është një i varfër…


Krishti ka qënë me më të varfrit,

dhe më të dobëtit-kam kuptuar,

një Vatikan mbytur në luks,

nuk mund të jetë i adhuruar!



Me fetë e tjera nuk përzihem,

mjafton një fe për një njeri,

po dhe xhamitë në qiell ngrihen,

kupolat-dhjetëra ton flori!



Me fukaranë dhe të shkretin,

dua të jem krejt i përpiktë,

se ësht’ ky luks me realitetin,

në më të madhen kontradiktë!



Që e kanë derdhur në flori,

Jezusi im sikur ta dinte,

do kthehej dhe me neveri,

bustet e veta do t’i shkrinte!



Dhe Papës vetë do t’i bërtiste,

si ç’u bërtiti farisenjve,

florinë e busteve do shiste,

t’u jepte bukë fukarenjve!



Ne dimë historinë e pastër,

Krishti në Kryq ishte një tmerr,

Jezusi im ishte i varfër,

po ju e bëtë miliarder!



Kur varfëria qan në Botë,

dhe i ndjek brezat si mallkim,

mua më duket krejt i kotë,

ky luks pa fre e ky shkëlqim!



Pyes e pyes unë pasosur,

si i besoni-o fatzinj,

ca plakaruqë të dhjamosur,

që mbushën arka me florinj!



Nuk është e sotmja histori,

kjo që tani po ju rrëfej,

mund ta shikojë çdo njeri,

sa babëzi ka gjithandej!



Unë shkruaj dhe në pikë të lotit,

dhe nuk kuptoj gjë përsëri,

nuk e kuptoj pse Kishë e Zotit,

ka mbledhur super pasuri?!



Të pyes-ty-moj Shën Mari,

kur sheh si lutet një pabuks,

në të vërtetë si ndihesh ti,

kur të rrethon gjithë ai luks?!



Në fakt u ngritën ato kisha,

t’i shtonin Zotit madhështinë,

po unë Zoti po të isha,

në këmbë s’do lija një ngrehinë!



Ndryshe piketat do t’i vija,

do bëja punë më të holla,

shumë më pak kisha dhe xhamia,

e shumë spitale edhe shkolla!



Nëse tani në Tokë do vinte,

Zoti i im me emrin Krisht,

shumë jetimore do të ngrinte,

dhe shumë azile natyrisht!



Në këtë luks s’do mbretëronte,

se do qe larg nga fukarenjtë,

pa diskutim do t’i rrafshonte,

kishat që ngritën farisenjtë!



Dhe kjo vërtet ka për të ndodhur,

lum si ata që do jetojnë,

luksi i kishës na ka lodhur,

sa na ka bërë të mos besojmë!



Dhe kur të vijë për herë të dytë,

s’do vijë me paqe-po me drapër,

të korrte gjithë padrejtësitë,

se Krishti im është një i Varfër!


Arben Duka