Jump to content

Itaka e munguar e Bedri Islamit

Nga Wikibooks

Dalja në dritën e botimit e këtyre dy vëllimeve poetike është një pasurim dhe zgjerim jo vetëm i opusit letrar të poetit Bedri Islami, por i gjithë pasurisë poetike që trashëgon letërsia shqiptare. Autorët që kanë lëvruar disa fusha të letrave, zakonisht pjesën e fondit të tyre poetik e kanë shkarkuar në vitet e rinisë, në atë faze ku shpirti i ri i njeriut është poezia vetë. Kësisoj, tonet e ligjërimit anojnë nga drita e së ardhmes, imazhet janë më me kolorit dhe ëndrra të vrullshme jete, me vegime dhe vrull që buron nga limfa e jetës. Bedri Islami ka qenë gjithë jetën poet, por këto poezi vijnë në një moshë pjekurie. Është e dukshme në poezitë e këtij libri gjendja e lartë medituese e poetit, e njeriut të ngopur me kulturë, me jetë, me brengat dhe gëzimet e një udhëtimi aktiv në ekzistencë. Shumica e këtyre poezive janë soditje retrospektive dhe përsiatjet e unit lirik që nuk e sheh më jetën si një ëndërr që pret të jetohet në të ardhmen, por si një mozaik bilancesh të shkuara, përjetimesh të jetuara, dashurish të hershme, vuajtjesh, gjendjesh të kaluara, imazhesh që shfaqen të epifanizuara në ekranin e kujtesës, brenda palimpsestit gjigant të trurit të krijuesit, për t’u kthyer në njësi elegante të artit të fjalës. Një pjesë e motiveve poetike përshkohen herë dukshëm e herë në mënyrë latente nga një misticizëm që e ka burimin tek digresionet mbi jetën dhe vdekjen, mbi çastin dhe përjetësinë. Janë ankthet ekzistenciale të qenies, që i bëjnë këto lloj poezish të përshkohen nga një pesimizëm elegant. Kemi tek “Mbretëria e heshtjes”: “Kjo është mbretëria/ e përjetshme e heshtjes/ Vija dikur/ dhe njihja vetëm tim atë,/ askënd tjetër për fat./Tani miqtë më të shumtë/ janë këtu të heshtur./ Ne të paktët/ kemi mbetur/ duke pritur/ të bëhemi/ të shumtë.” Kështu edhe tek poezia “Lumi i vdekshëm” dhe në mjaft të tjera: “Lumi i vdekshëm i jetës/ rrjedh drejt së panjohurës së vjetër./ Në çastin e shterjes/Fillon udhëtimin/Lumi i vdekshëm i dikujt tjetër.”

Në mjaft poezi të këtij vëllimi autori shfaq një tipar të veçantë. Duket sikur udhëton në kohën e shkuar të vargëzimit dhe të muzës poetike të romantizmit. Kjo edhe si formë, por edhe si përmbajtje. Prozodia e pasur vihet në funksion të kultit të femrës, që spikat aq bukur qysh tek poezia që i jep titullin vëllimit “Itaka e munguar” dhe në mjaft poezi të tjera, si “Puthja”, “Mëkatare”, “Një grua në shi” e shumë të tjera. Si në këto ashtu edhe në poezitë e mallit, vihet re ndërfutja e arketipave mitologjike dhe biblike, që i japin përfytyrimit poetik sharmin e përsosmërisë.

Dukuria e ciklit të rrugës, që dëshmon ngjizjen e shumë poezive në udhëtim, dëshmon për një lumë poetik që ka rrjedhur dhe rrjedh vazhdimisht në shpirtin e poetit dhe është gati të zbrazet në perla të mrekullueshme letrare.

Vend të madh zënë ngjarjet, njerëzit, vendet, humbjet, lavditë e Kosovës. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, kur vetë autori Bedri Islami ia kushtoi energjitë, dashurinë dhe pasionin e tij të jetës çështjes së Kosovës.

Një kapitull i veçantë i këtij libri janë skicat. Këto copëza jete, të transmodeluara në proza të shkëlqyera poetike, janë ndërtuar mbi kujtime të ngulitura personash e gjërash të tjera të jetës, mbi mbresa dhe vraga, mbi gëzime e brenga, paraqitur me hipotipoza të plota dhe elegante dhe me një mjeshtëri artistike e dominim të plotë të ngjizjes së imazhit, gjuhës dhe emocionit. Secila prej tyre mund të bëhet gjeneza e një vepre të madhe. Autori këtu brof në kujtimet e tij të hershme dhe dalldiset nga malli e emocioni me një forcë mahnitëse përjetimi. Të tilla janë, “Qershitë e hallës”, “Drenica”, “takim me një budist” etj.

Vëllimi tjetër “Vetmi akujsh” përmban plot motive të cilat hasen te libri i parë, por nuk ka asnjë përsëritje, përkundrazi dëshmojnë konsolidimin e kahershëm të një kredoje të lartë artistike e të një filozofie origjinale jete. Del mbase më i spikatur motivi i vendlindjes dhe shikimi retrospektiv bëhet më i ngulët. Tek poezia “Koka në supin e së djeshmes” heroi lirik zhytet në kontemplacionin e ditëve që ikën: “Mbështeta kokën në supin e së djeshmes sime/ Dhe ndjeva mall për gjithçka kishte kaluar ndër vite/ për netët erëmollë dhe ditët erëbliri/ Pikimin e gshtenjave në muzgun që binte”

Përkushtimi ndaj vendlindjes, njerëzve të dashur që nuk janë më, ngjarjeve të shkuara me humbjet dhe gëzimet, e shtojnë misticizmin poetik. Atmosfera e gjithë vëllimit “Vetmi akujsh” është shumë më vjeshtore. Ato i ngjajnë një udhëtimi të gjatë e të përmallshëm që i afrohet fundit. Arketipi i vdekjes ndihet në mjaft raste, por këtu nuk kemi të bëjmë me një ndjenjë të pashërueshme pesimizmi, por me pasqyrimin e diçkaje të natyrshme dhe objektive si pjesa e fundme e shtegtimit të qenies njerëzore. “Mos hesht”, “Murana e panjohur”, “Misteri” etj. Motivi I ndarjes shfaqet herë si metonimi, herë si realitet, por gjithmonë me ndjenjën e thellë të mallit dhe trishtim.

Ligjërimi në kohën e shkuar është i pranishëm thuajse në çdo njësi poetike dhe narrativa e lehtë apo e dukshme ndërton skenat e nostalgjisë me hijeshinë e poetit që ka ndjeshmëri të pazakontë. Poezitë e poetit Bedri Islami janë imazhe, janë skena jete, janë requieme, janë balada, janë peizazhe pranverore dhe vegime nokturne dhe gjithë opusi i tij poetik është simfonia e madhe e jetës që jepet nga një shpirt tejpamës. Mjeshtëria artistike dallohet nga siguria e përdorimit të figuracionit, nga marrëdhënia me fjalën nga metafora antropomorfistike, nga animizimet që bëhen personifikime, nga leksiku I qëmtuar në mënyrë mahnitëse dhe nga pastërtia e gjuhës. I uroj autorit suksese të tjera.


Zija Vukaj

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Shkodër


17 tetor 2018