Iluminizmi i Emanuel Kantit/2
Appearance
Iluminizmit nuk i duhet tjetërgjë veç liria; më saktë, më e padëmëshmja ndër të gjitha ato që mund të quhen liri, domethënë liri të gëzosh të drejtën e përdorimit në çdo lëm publik, të arsyes tënde. Dëgjoj si ushton nga të gjitha anët: mos arsyetoni! (b) Ushtaraku thotë: mos arsyetoni, ushtrohuni! Mbarështuesi i financave: mos arsyetoni, paguani! Kleriku: mos arsyetoni, besoni! (vetëm një zotëri, në botë, thotë: arsyetoni sa të doni e mbi gjithë sa dëshironi, por binduni! - c). Këtu gjen kudo kufizim të lirisë. Por cili kufizim pengon iluminizmin? Dhe në veçanti nuk është (kufizim - shën im), përkundrazi e nxit? - Përgjigjem: përdorimi publik i arsyes vetiake duhet të jetë kurdoherë i lirë, vetëm ajo mund ta vërë në jetë ndriçimin midis njerzve; përdorimi privat i saj mund të jetë shpesh i kufizuar dhe shtrëngues, por, pa u bërë pengesë e vërtetë për progresin e iluminizmit. Me përdorim publik të arsyes vetiake, unë kuptoj atë që secili bën me arsyen si studiues përpara gjithë lexuesve. Quaj përdorim privat, çfarë ai mund të bëjë me arsyen vetiake në njëfarë nëpunësie apo zyrë që i është besuar. Tashmë, në disa punë që kanë të bëjnë me interesat e përgjithëshme, është i nevojshëm njëlloj mekanizmi, ky është shkaku pse disa pjestarë të bashkësisë s’mund të sillen ndryshe veç pasivisht, të udhëhequr nga qeveria, me një harmoni artificiale, drejt qëllimeve publike, ose të paktën për të frenuar kundërshtimin. Në rastin në fjalë sigurisht nuk është e lejueshme të arsyetosh; duhet të bindesh. Por, meqënëse një pjesë e këtij mekanizmi, është edhe gjymtyrë e trupit të përbashkët, përkundrazi, e një shoqërie kozmopolitike, në cilësinë e studiuesit që i drejtohet me shkrime një publiku ku shpalos ndjenjat e tij, patjetër që mundet të arsyetojë, pa dëmtuar me këtë punët për të cilat në një farë mënyre është anëtar pasiv. Kështu, do të qe shkatërrimtare nëse një ushtaraku i urdhërohej diçka nga një sipëror dhe do të vinte, haptas, në diskutim, dobinë dhe përfitimin nga urdhëri: ai duhet të bindet. Por, me të drejtë s’mund ta ndalosh të bëjë, si studiues, vërejtje mbi të metat e shërbimit ushtarak dhe t’ia parashtrojë gjykimit të publikut. Qytetari s’mund të refuzojë detyrimet që i vendosen, përkundrazi, pafytyrësia e ankojës për këto detyrime që duhet të paguhen prej tij, mund të ndëshkohet si një skandal (edhe pse mund të nxitë rebelim masiv). Megjithatë nuk është kundër detyrave qytetare, nëse, si studiues, shpreh hapur mendimet për pavendësinë ose padrejtësinë e detyrimeve të tilla. Po kështu, një fetar është i detyruar të mbajë leksionet e tij të katekizmit përpara nxënësve dhe bashkësisë duke iu përmbajtur dogmës që i shërben, për të cilën ai detyrohet, në fakt, me këtë kusht. Por, si studiues gëzon liri të plotë, madje e ka për detyrë të mënjanojë publikun nga çdo mendim i tiji, i përligjur kujdeshëm dhe i propozuar si qëllimmirë mbi të metat e kësaj doktrine; sikurse të mënjanojë këshillat në lidhje me një drejtim më të mirë të punëve fetare dhe kishtare. Këtu s’ka asgjë që mund të vrasë ndërgjegjen. Në fakt, çfarë ai mëson si zyrtar, si i ngarkuar me punë nga kisha e tij, prezantohet si diçka për të cilën nuk gëzon liri të zgjedhuri, për të mësuar në bazë të asaj ç’ka mendon, si diçka për të cilën është ngarkuar të flasë sipas normave dhe në emër të tjetërkujt. Ai do të thotë: Kisha tonë mëson këtë apo atë gjë, këto janë prova të cilat ajo shërben. Si pasojë, ai, nxjerr gjithë vlerën praktike të bashkësisë së normave, edhe pse nuk i nënëshkruan me bindje të plotë, me parashtrimin e tyre, megjithatë, duhet të merret sepse nuk është fare e pamundur që në to të fshihet e vërteta, e në çdo rast, sepse nuk gjen asgjë në kundërshtim me besimin e brendshëm. Sepse ai, po të gjejë diçka kundërshtuese, nuk do ta administrojë zyrën e tij me ndërgjegje: duhet ta braktisë. Pra, përdorimi që i bën një famullitar (i posaçmi) arsyes së tij përballë bashkësisë është vetëm një përdorim privat, meqënëse kjo, është gjithmonë një mbledhje familjare, përsa e madhe; përballë saj ai, si prift, nuk është i lirë, madje s’duhet të jetë, sepse zbaton një detyrë të ngarkuar nga të tjerë. E kundërta, si studiues, kur i drejtohet publikut me mendimet e veta, domethënë gjithë botës, pra si klerik në përdorimin publik të arsyes vetiake, gëzon liri të pakufizuar për ta shfrytëzuar arsyen e tij dhe për t’i folur në vetën e parë personit. Në fakt, që tutorët e popullit (në gjërat shpirtërore), duhet të jenë minorë, është një absurditet që përjetëson absurditetin.
< 1 |
faqe - 2 - |
3 > |