Jump to content

Ilirët/Faqe 2

Nga Wikibooks
Ilirët
< Neoliti >
Koha e gurit

Neoliti (nga greq. neos - i ri dhe lithos - gur) përfaqëson etapën e fundit dhe njëkohësisht më të zhvilluarën të epokës së gurit. Ai përfshin një kohë që fillon nga mijëvjeçari i shtatë dhe mbaron nga fundi i mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Arkeologjikisht neoliti ndahet në tri periudha të mëdha: e hershme, e mesme dhe e vonë. Në këtë të fundit përfshihet dhe periudha e bakrit ose eneoliti (nga bashkimi i fjalës lat. eneos - bakër dhe greq. lithos - gur), që përbën etapën e fundit dhe kalimtare për epokën e bronzit. Në këta tridhjetë vjetët e fundit janë zbuluar e gërmuar një numër i madh vendbanimesh neolitike me shtrirje gati në tërë territorin e Shqipërisë, si në Maliq, në Cakran, në Vashtëmi, në Burimas, në Podgorie, në Barç e në Dërsnik të rrethit të Korçës, në Kamnik të Kolonjës, në Blaz e Nezir të Matit, në Cakran të Fierit, në Burim, në Gradec e në Cetush të Dibrës, në Kolsh të Kukësit, në Rajcë e në Rashtan të Librazhdit e nga gjetje të rastit në pika të tjera. Më mirë është njohur e studiuar pellgu i Korçës, i cili gjatë epokës prehistorike ka pasur kushte shumë të mira gjeoklimatike. Ai paraqet sot zonën më të pasur e më të zhvilluar kulturore të neolitit si edhe pellgun ku mund të ndiqet pa ndërprerje zhvillimi i kulturës neolitike në gjithë shtrirjen e tij kohore. Materialet e gjetura në këto qendra prehistorike, krahas atyre të dala në dritë shumë kohë më parë si në Velçë të Vlorës ose rastësisht në rrethet e tjera të vendit, kanë dhënë mundësi që të njihen aspekte të ndryshme të jetës ekonomike, shoqërore dhe kulturore të banorëve neolitikë të territorit tonë, ndërsa përhapja e gjerë e këtyre vendbanimeve dhe e gjetjeve rastësore neolitike ka treguar se ky territor gjatë kësaj epoke ka qenë i banuar dendur dhe pa ndërprerje. Jeta në vendin tonë gjatë neolitit u zhvillua në kushte shumë të përshtatshme natyrore. Klima e ftohtë dhe e lagësht e paleolitit, e cila kishte filluar që në mezolit t’i lëshonte vendin një klime më të butë, tani merr pak a shumë karakterin e klimës së sotme. Si rrjedhim edhe flora e fauna thuajse nuk ndryshojnë prej asaj të ditëve tona. Këto rrethana të favorshme natyrore ndihmuan që vendi ynë gjatë neolitit të arrijë në një nivel të lartë zhvillimi ekonomik dhe kulturor për atë kohë. Njeriu nga skllav i natyrës, siç ishte në paleolit, shndërrohet tani, pak e nga pak, në zotërues i saj. Në këtë kohë lindin e zhvillohen forma të ndryshme të veprimtarisë prodhuese të njeriut, të cilat me plot të drejtë mund të merren si zanafilla e degëve të veçanta të ekonomisë dhe të përparimit teknik e kulturor të shoqërisë së sotme. Të tilla janë bujqësia e blegtoria, prodhimi i qeramikës, tjerrja dhe endja, teknika e ndërtimit të banesave etj. Përsoset në këtë kohë edhe teknika e punimit të veglave prej kocke dhe prej guri. Hyn në përdorim të gjerë dhe bëhet karakteristike për epokën dhe teknika e lëmimit të gurit. Nga fundi i neolitit (eneolit), për të parën herë dalin dhe veglat e objektet prej bakri, të cilat shënojnë dhe fillimet e metalurgjisë në vendin tonë. Në këto periudha të largëta të prehistorisë, vendbanimet i ndeshim zakonisht nëpër tarraca lumore, pranë burimeve ose në vende me toka pjellore dhe të pasura me pyje që strehonin shumë kafshë të egra. Por krahas këtyre, vazhdonin të shërbenin si vendbanim edhe shpellat (shpella e Velçës, e Trenit, e Konispolit, e Blazit etj.). Banesat paraqiten dy llojesh: në formë gropash nëndhese (Cakran) dhe të tilla të ndërtuara drejt mbi tokë (Maliq, Kamnik, Kolsh etj.). Zakonisht këto kishin planimetri drejtkëndëshe dhe ishin një ose dy dhomëshe. Muret e tyre thureshin me thupra ose me kallama dhe lyheshin pastaj me baltë në njërën ose në të dy faqet e tyre. Dyshemetë ishin gjithashtu prej balte; në disa raste ato vendoseshin mbi shtroje trarësh për të izoluar lagështirën. Në Dunavec dhe në Maliq të Korçës janë zbuluar banime të ngritura mbi hunj (palafite). Mbi hunjtë vertikalë qëndronte një platformë prej trarësh të vendosur horizontalisht e mbi të ngriheshin banesat (kasollet) të shtruara me baltë. Palafiti i Maliqit ka qenë i rrethuar me një gardh që e mbronte nga vërshimi i ujit apo nga rreziqe të tjera.

Ekonomia

[redakto]

Nga materialet e zbuluara në vendbanimet neolitike të vendit tonë del se bujqësia përbënte një nga format kryesore të prodhimit dhe sidomos tek ato bashkësi primitive që banonin në toka pjellore, si p.sh. në pellgun e Korçës, në fushën e Cakranit (Fier) etj. Toka punohej cekët me shat prej guri ose briri dreri. Kjo ishte forma më primitive e punimit të tokës. Në këtë kohë mbillej gruri si dhe llojet e tjera të drithërave. Këtë e tregojnë farërat e karbonizuara të zbuluara në shtresat neolitike të Podgories, të Konispolit, të Maliqit apo në muret e banesave të lyera me baltë të përzier me byk drithërash, siç i gjejmë në vendbanimet më të hershme neolitike (Vashtëmi, Kolsh etj.). Në depozitimet neolitike të vendit tonë, përzier me mbeturina të ndryshme të kulturës, janë zbuluar me shumicë dhe kocka bagëtish të imëta dhe të trasha, që tregojnë se krahas bujqësisë banorët neolitikë merreshin edhe me blegtori. Prej bagëtive ata siguronin qumështin, mishin, leshin, lëkurën etj. Një pjesë të këtyre produkteve ata i siguronin dhe nëpërmjet gjuetisë së kafshëve të egra, kockat dhe brirët e të cilave i ndeshim gjithashtu në qendrat e banuara të kësaj kohe. Dreri ishte një nga kafshët e egra më të parapëlqyera të gjahut, i cili përveç mishit dhe lëkurës, u siguronte bujqve primitivë edhe brirët me të cilët bënin vegla të ndryshme bujqësore, si shetër, çekanë etj., dhe që i gjejmë të përfaqësuar mirë sidomos në vendbanimin e Dunavecit e të Maliqit. Po këtu janë zbuluar edhe shumë pesha rrjetash, gropa etj., që dëshmojnë se një formë tjetër e sigurimit të ushqimit të banorëve neolitikë të Dunavecit e të Maliqit ishte dhe peshkimi. Banorët neolitikë të vendit tonë dinin gjithashtu të tirrnin fijen dhe të endnin prej saj rroba me anë të vegjës primitive vertikale. Këtë e tregojnë rrotullat e boshtit dhe peshat për tërheqjen e fijes në vegjë, të zbuluara në Maliq e gjetkë. Që në etapën më të hershme të neolitit shfaqen dhe enët prej balte të pjekur, që përbëjnë si kudo gjetjet më të shumta e më të rëndësishme në vendbanimet e kësaj kohe. Prodhimi primitiv i tyre ashtu si edhe ai i tekstilit dhe i prodhimeve bujqësore, ishte i lidhur me punën e gruas. Çdo bashkësi neolitike i përgatiste vetë enët sipas nevojave të saj. Ato punoheshin me dorë në forma e madhësi të ndryshme, me faqe të trasha ose të holla, me ose pa zbukurime sipas qëllimit të tyre praktik. Zhvillimi i madh, për atë kohë, i prodhimit, i cili gjeti shprehjen e vet në shtimin e llojeve të veglave të punës dhe në përmirësimin teknik të punimit të tyre, në zhvillimin e formave të tilla të ekonomisë, siç ishin bujqësia dhe blegtoria etj., solli ndryshime dhe në organizimin shoqëror, që u pasqyrua në përmirësimin e mëtejshëm të strukturës gjinore. Gjinia matriarkale e lindur që në paleolitin e lartë dhe e zhvilluar dalëngadalë gjatë mezolitit arrin tani fazën e lulëzimit të saj. Në fushën ekonomike kjo fazë e zhvillimit gjinor ishte e lidhur kryesisht me zhvillimin e bujqësisë primitive, e cila duke qenë punë e gruas, i jepte asaj një vend me rëndësi në prodhimin shoqëror. Paraqitja e saj me figurat e shumta prej balte, dëshmon se ajo kishte një pozitë parësore në gjini. Martesa me grupe, karakteristike për periudhën e hershme të matriarkatit, zëvendësohet tani në periudhën e lulëzimit të saj me një formë të re më të përsosur, me martesën me çifte. Gjatë gjithë kohës së neolitit, gjinia mbetet e vetmja njësi shoqërore dhe ekonomike në bashkësinë primitive. Në këtë gjini kishte jo vetëm bashkësi familjesh me çifte, por edhe një organizim pune dhe konsumi kolektiv. Puna e përbashkët i shpinte njerëzit në pronën e përbashkët mbi mjetet e prodhimit dhe mbi produktet e prodhimit. Ndërmjet gjinive, që jetonin në afërsi të njëra-tjetrës, u vendosën gjatë kësaj periudhe marrëdhënie të tilla ekonomike e shoqërore që shpunë në formimin e bashkësive fisnore. Midis këtyre njësive të mëdha fisnore fqinje ose më të largëta, ekzistonin marrëdhënie këmbimi. Në vendbanimet tona neolitike janë ndeshur sende të sjella nga krahina të largëta, siç janë p.sh., importet e poçerisë diminiane të Thesalisë në depozitimet e vendbanimit të Cakranit apo të Kamnikut etj.

Arti

[redakto]

Arti i bujqve dhe i blegtorëve neolitikë priret drejt formave dekorative gjeometrike dhe figurative skematike. Arti dekorativ neolitik shfaqet me tërë përmbajtjen e tij sidomos në prodhimet e poçerisë, ku shumë nga format e enëve me harmoninë dhe me elegancën e trupit të tyre i tejkalojnë kërkesat e ngushta utilitare dhe hyjnë në fushën e realizimeve artistike. Në tërë kulturat neolitike të vendit tonë qeramika paraqitet e zbukuruar me ornamente të shumta të realizuara me teknika të ndryshme (pikturim, gërvishtje, ngulitje, inkrustim, etj.) dhe trajtime të veçanta stilistike, sipas fazave të zhvillimit përparues të saj. Motivet e zbukurimit përbëhen nga vija të drejta ose të përkulura me kombinime nga më të ndryshmet, si dhe nga figura gjeometrike: trekëndësha e rombe me fushë të zbrazët ose të vizatuar, nga rrathë, spirale, meandra, etj. Këto motive, përveç zhvillimit të thjeshtë për të zbukuruar enët, kanë shërbyer, në mjaft raste, edhe si simbole grafike për të paraqitur ambientin, sendet apo fuqitë e natyrës sipas botëkuptimit magjik të njerëzve neolitikë. Arti figurativ i kësaj kohe përfaqësohet kryesisht nga figurat antropomorfe apo zoomorfe prej balte të pjekur, të cilat kryesisht janë të vogla. Tipari më karakteristik i tyre është skematizimi i formës, nganjëherë jashtë masës, ashtu sikurse është në artin dekorativ të qeramikës gjeometrizimi i theksuar i ornamentit. Këto figura qeniesh paraqiten në formë cilindrike, plaçke apo steatopigjike (vithegjera), në këmbë ose ulur. Një pjesë e tyre janë të ngjashme me tipat përkatës të Azisë së Përparme dhe të Mesdheut Lindor, gjë që tregon për lidhje e ndikime kulturore të drejtpërdrejta të kulturave neolitike të vendit tonë me ato të këtij areali. Këto prodhime plastike, shpesh me vlera artistike, personifikonin, nga ana tjetër, ato fuqi të panjohura, të cilat sipas bujqve dhe blegtorëve primitivë, kishin në dorë pjellorinë e tokës dhe mbarështimin e kafshëve. Kështu, figurat e grave, të cilat mbizotërojnë në plastikën antropomorfe neolitike, janë të lidhura me kultin e pjellorisë së tokës-nënë, ndërsa ato që riprodhojnë figura zoomorfe - me kultin e kafshëve shtëpiake, që luanin, ashtu sikurse dhe bujqësia, një rol të rëndësishëm në ekonominë e bashkësisë neolitike. Me kultin e tokës-nënë dhe të kafshëve lidhen edhe vazot antropomorfe e zoomorfe të zbuluara në vendbanimet neolitike të Maliqit, të Dunavecit etj. Botëkuptimi i banorëve neolitikë është shprehur edhe në kultin e varrimit. Varrosja e të vdekurve bëhej pranë ose brenda territorit të vendbanimit. Varret nuk kishin ndonjë ndërtim të veçantë; kufoma vendosej në një gropë të cekët në pozicion fjetjeje dhe këmbë të mbledhura pa takëm funeral. Riti i varrimit brenda territorit të banuar ose brenda banesës ishte i lidhur me një zakon shumë të përhapur në atë kohë në Ballkan dhe në përgjithësi në rajonin e gjerë të Mesdheut. Siç duket, ai kishte karakter flijimi dhe u kushtohej fuqive që mbronin vendbanimin.

Grupet etno-kulturore

[redakto]

Numri i konsiderueshëm i vendbanimeve neolitike të zbuluara në tërë territorin e Shqipërisë si edhe përkatësia kohore e tyre nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm, të vonë, duke përfshirë dhe epokën e bakrit, e bëjnë të mundur të veçojmë disa grupe kulturore dhe ta ndjekim zhvillimin e kulturës pa ndërprerje nga fillimet e mijëvjeçarit të shtatë e deri në fund të mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Neoliti i hershëm, përfaqësohet nga Vlushi, Podgoria I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I e II. Vendbanimi i Vlushit karakterizohet nga një qeramikë trashanike ngjyrë gri të zezë, me forma tepër të thjeshta e me pak zbukurime të bëra me shtypje. Qeramika gjendet së bashku me vegla pune prej stralli tipike mezolitike, ndaj Vlushi i takon periudhës kalimtare nga mezoliti në neolit. Kultura Podgorie I, Vashtëmia, Kolshi I, Burimi dhe Blazi I, II, të cilat janë njohur e studiuar mirë, i takojnë neolitit të hershëm të zhvilluar. Kjo periudhë në territorin e Shqipërisë Juglindore është dokumentuar nga kultura Podgorie I. Falë një shtrese kulturore të trashë rreth 3 m e mjaft të qartë, në Podgorie, dhe të një lënde shumë të pasur arkeologjike mund të rindërtohet tabloja e asaj kulture, e cila karakterizohet nga qeramika njëngjyrëshe e kuqe me shkëlqim, nga qeramika e pikturuar me bojë të bardhë mbi sfond të kuq si edhe nga figurat steatopigjike prej balte e tryezat e thjeshta të kultit, të cilat i vënë në raporte të drejtpërdrejta kulturore e kronologjike me neolitin e hershëm të Thesalisë (faza Presesklo e pjesërisht Protosesklo), si edhe me neolitin e hershëm të Maqedonisë (Vrshnik-Anzabegovo Ib, c). Elementet e tjera të pranishme në Podgorie I, si qeramika impreso e tipit të Devollit e ajo e tipit adriatik, si edhe qeramika barbotine e sheshtë e vënë atë në lidhje me kulturat e neolitit të hershëm adriatik e ballkano-qendror. Kultura përfaqësuese e Shqipërisë Verilindore, Kolshi I ka si tregues themelor qeramikën barbotine në reliev të ngritur, qeramikën e pikturuar me bojë kafe mbi sfond të kuq dhe qeramikën impreso, të cilat vendosen mjaft qartë në raporte kulturore e kronologjike me Rudnikun (Rudniku III) në Kosovë dhe me gjithë kulturat e fazës Starçevo II b të Ballkanit Qendror. Blazi I e II në zonën e Matit ka qeramikë të tipit impreso-kardium me motive të ndryshme, si edhe qeramikë njëngjyrëshe gri e të zezë me shkëlqim që i japin kulturës së këtij vendbanimi shpellor karakterin adriatik lindor (Smilçiç I). Kalimi nga neoliti i hershëm në neolitin e mesëm shënon një kthesë në të gjithë zhvillimin kulturor të territorit të vendit tonë, gjë që është pasqyruar mjaft qartë në kulturat Dunavec I - Cakran Blaz III, të cilat përfaqësojnë dhe tri fazat kryesore të zhvillimit të neolitit të mesëm në Shqipëri. Tipar themelor për të gjitha fazat e kësaj periudhe është qeramika ngjyrë gri, gri e zezë dhe e zezë me sipërfaqe të lëmuar me ose pa shkëlqim, si edhe qeramika barbotine e impreso të trashëguara nga neoliti i hershëm. Qeramika shquhet për një larmi formash ku mbizotërojnë kupat bikonike me variante të ndryshme, tasat trung konikë me fund të lartë, enët me trup sferik me profile të ndryshme etj. Qeramika e neolitit të mesëm dallohet edhe për pasurinë e zbukurimeve të bëra me incizim e thellim, hera-herës të inkrustuara me bojë të kuqe ose të bardhë, për zbukurimet plastike variantesh të ndryshme, për zbukurimin me kanelyra, me pikturim etj. Çdo njëra nga tri kulturat përfaqësuese ka tiparet dhe veçoritë lokale që burojnë nga diferencat në kronologjinë relative si edhe nga pozita gjeografike, nga raportet e lidhjet që ato kishin me kulturat fqinje. Faza Dunavec I që përfaqëson shtresën më të hershme të neolitit të mesëm është e lidhur me ekzistencën e një vendbanimi palafit, i cili, sot për sot, është më i hershmi në territorin e Ballkanit. Në Dunavecin I, krahas qeramikës së zezë të cilësisë shumë të mirë vazhdoi të përdorej gjerësisht qeramika barbotine me reliev të zhvilluar, traditë kjo e neolitit të hershëm Starçevian. Por tonin kulturës së Dunavecit I ia jepnin format e reja të enëve të zbukurimit në reliev, zbukurimet me incizim e ngulitje, zbukurimet me kanelyra, pikturimi gri etj. Gjatë Dunavecit II, krahas elementeve që u trashëguan nga periudha paraardhëse, që edhe këtu përbëjnë shumicën, ka edhe një tog elementesh të reja që e veçojnë atë si një fazë më vete. Zbukurimi në reliev njeh zhvillimin e tij më të gjerë, po ashtu bëhet tipik zbukurimi me gërvishtje i llojit adriatik, kanelyra përmirësohet cilësisht dhe, krahas pikturimit gri, del edhe qeramika e pikturuar me bojë të kuqërremtë. Në këtë fazë shfaqen edhe fragmentet e para të qeramikës dyngjyrëshe kuq e zi. Cakrani dhe Dunaveci II kanë përputhje të plotë kulturore e kronologjike. Për t’u shënuar është gjetja në Cakran e disa fragmenteve enësh të pikturuara dhe në Dunavec II e një fragmenti, të cilat janë të importuara nga kultura Thesalike e Diminit të hershëm (faza Tsangli). Ato japin një datë të saktë për ekzistencën e njëkohshme të Cakranit e të Dunavecit II me Tsanglin dhe në të njëjtën kohë dëshmojnë për zhvillimin e këmbimit midis trevave tona me Thesalinë. Edhe kultura e Kolshit II në territorin e Shqipërisë Verilindore gjen përputhje të plotë me atë të Cakranit. Faza fundore e neolitit të mesëm është dëshmuar nga Blazi III në territorin e Shqipërisë së brendshme qendrore. Ajo karakterizohet nga qeramika ngjyrë gri, gri e zezë e ngjyrë kafe e zbukuruar me motive linearo-gjeometrike e spiralike, të cilat janë elemente karakteristike për kulturat danilike të bregdetit dalmatin. Krahas tyre ka edhe enë të zbukuruara me ornamente me vija të thelluara, të cilat mjaft mirë e vënë këtë fazë të neolitit të mesëm në raporte kulturore e kronologjike me kulturën Lisiçiç (Hvar I) të neolitit të vonë të Adriatikut. Kulturat e neolitit të mesëm të vendit tonë kanë edhe disa tregues të rëndësishëm të kultit e të botës shpirtërore. Si shfaqje e re dhe kryesore janë ritonet, enë jo të zakonshme me katër këmbë me grykë vezake të vendosur pjerrtas me një dorezë të madhe në pjesën e sipërme të trupit dhe të lyera me bojë të kuqe. Këto ritone sipas mendimit të shumë studiuesve duhet të kenë shërbyer në ceremoni rituale kushtuar kulteve të rëndësishme, siç është ai i pjellorisë së tokës, i nënës së madhe, kulte që ishin të lidhura me riprodhimin e jetës, me pjellorinë e tokës e të bagëtisë, të cilat ishin degët bazë të ekonomisë. Një kult tjetër i epokës neolitike është ai i varrimit të fëmijëve në vendbanim, të vendosur në pozicion kruspull, dëshmi e një flijimi për vetë vendbanimin. Kalimi nga periudha e neolitit të mesëm në neolitin e vonë është bërë shkallë-shkallë, gjë që provohet nga kultura e vendbanimeve të Dërsnikut, të Barçit II dhe të Maliqit I (Kamnik) ku disa tregues të kulturës vazhdojnë edhe gjatë neolitit të vonë, madje zhvillohen më tej dhe bëhen karakteristike. E tillë është qeramika me tone të çelëta e punuar me kujdes dhe e pikturuar me ngjyra të ndryshme, me motive të larmishme linearo-gjeometrike dhe meandro-spiralike. Kjo qeramikë krijon efekte shumë të ngjashme me qeramikën e neolitit të vonë të Thesalisë, që njihet arkeologjikisht si faza e Diminit klasik. Këto elemente kulturore luajtën një rol të rëndësishëm në formimin e kulturës së neolitit të vonë të vendit tonë. Fazën finale të epokës së gurit të ri ose siç quhet ndryshe epoka e bakrit, e përfaqësojnë tri vendbanime me një vijimësi kulturore e kronologjike: Burimasi, Maliqi II a dhe Maliqi II b. Kultura e tyre karakterizohet nga përsosja e veglave të strallit, e veglave me gur të lëmuar dhe e atyre prej kocke e briri, si dhe dalja e veglave të para prej bakri (sëpata të tipit daltë, biza e grepa peshkimi), të cilat për shkak të cilësisë së butë të bakrit nuk mundën të zëvendësonin veglat e traditës neolitike. Tiparin themelor të kësaj faze e përbën qeramika, e cila dallohet për cilësinë e punimit të saj, për larminë e formave të enëve, për ngjyrën e zezë e gri të zezë shpeshherë me shkëlqim, si edhe për zbukurimet e shumëllojshme (me pikturim gri, me bojë të bardhë ose të kuqe, me incizim, me ornamente plastike apo kanelyra etj.). Kultura shquhet edhe për një pasuri e larmi objektesh kulti, si figura antropomorfe e zoomorfe, tavolina kulti e objekte të tjera të karakterit ritual. Kultura neolitike e vendit tonë u zhvillua në lidhje e marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse të vendeve fqinje, si me kulturën Crnobuki-Shuplevac të Pelagonisë, me kulturën Rahmani të Thesalisë dhe me kulturat egjeane të bronzit të hershëm. Të dhënat e deriatëhershme dëshmojnë kështu se kultura neolitike në vendin tonë zhvillohet pa ndonjë ndërprerje dhe mbi një bazë autoktone. Njohuritë e deritanishme nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar se cilët ishin përfaqësuesit e grupeve apo të komplekseve më të gjera etnokulturore ballkanike të kësaj kohe. Mendimet e ndryshme sipas të cilave këto mund të kenë qenë ose jo popullsi indoevropiane mbeten ende të diskutueshme, sa kohë që të dhënat gjuhësore nga fusha e toponimisë së lashtë të Ballkanit është vështirë të përputhen me siguri me të dhënat arkeologjike. Në këto rrethana, banorët e kësaj lashtësie të largët, këto grupe kulturore ka shumë gjasë t’i takonin një popullsie paleoindoevropiane.


<1 faqe 2 3>