Ilia Terpini: Puna e palodhur me filmin. Si i zbulova yjet e kinemasë

Nga Wikibooks

Nga Leonard Veizi

Ai u largua nga kjo jetë, vetëm pak muaj më parë. I qeshur, i dashur dhe me një pozitivitet sportiv, kështu do të mbahet mend operatori i njohur Ilia Terpini. E megjithatë unë e kam pasur gjithmonë në mendje një imazh të tillë, për ta “gdhendur”, që në të gjallë të tij. Sot, ky portret mbetet një homazh për të dhe punën e tij të palodhur…

…Nuk e kam fare të vështirë të bëj portretin e një mjeshtri si Ilia Terpini, apo Lluit, siç e thërrasin miqtë e vjetër. Veç më duhen shumë faqe letre, një libër i tërë del mbase. Sepse dhe jeta e tij është shumë dinamike. Të paktën 20 vjet më parë me Ilian Terpinin kemi punuar bashkë në një televizion të quajtur “Alba”, unë gazetar, me një laps e bllok në xhep, ai operator me kamera në krah e një aparat fotografik të cilin nuk e hiqte asnjëherë nga gjoksi. Jemi miq të vjetër tashmë. Ia njohim huqet njëri-tjetrit.

Ai vazhdon të jetë një fotograf me emër. Në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, gjithashtu e mbanin për një prej më të mirëve në objektiv. “E kam filluar me fotografi që në moshën 6 vjeç, kur më ra në dorë një aparat fotografik, relike e luftës italo–greke” – më thotë. Dhe pikërisht aparati fotografik u bë pjesë e jetës së tij, që nuk e ka tradhtuar kurrë. Njihet si realizuesi i disa ekspozitave me fotografi. Por ka regjistruar edhe 26 filma artistikë me metrazh të gjatë si dhe shumë dokumentarë, mbi 50 të tillë, duke thyer në këtë mënyrë rekordin e operatorëve të Kinostudios.

Me këtë ua merrje mendjen çupave kur ishe i ri, i them dhe lëviz gishtin tregues sikur bëj fotografi. “Thjesht çështje pune, – ma kthen Ilia duke qeshur. – Më duhej të bëja qindra foto për të gjetur një që t’i përshtatej rolit”. E kë ke gjetur ndonjë nga këto që ka bërë emër, e ngacmoj. “Janë disa, por unë mund të mburrem të paktën me tre prej tyre”. Cilat janë, e pyes. Por ai nuk ngutet, kërkon t’i zbulojë ngadalë.

Por ta marrim nga fillimi. Kthehemi ca në kohë. Ilia mbaroi fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe u emërua mësues në shkollën 8-vjeçare në Aranitas të Mallakastrës. Drejtor i saj më pas. Por një takim me Mandi Koçin, operatori veteran i Kinostudios, do të ndryshonte rrjedhën e jetës së tij. Ilia më thotë se ishte ky mjeshtër i filmit shqiptar, që kur u njoh me albumet e tij të fotografive, i sugjeroi studiot e kinemasë. Shans jo shaka. E kush nuk e ndërronte Aranitasin e Mallakastrës me Tiranën. Vërtet drejtor shkolle, por Kinostudio ishte ëndrra e kujtdo. Dhe kështu karriera fillon… asistent-operator në filmat “Debatik” e “Komisari i Dritës”, dhe si titullohet operator, vazhdoi me “Ballë për Ballë”, “Mësonjëtorja”. “Dimri i fundit”, “Kush vdes në këmbë”, “I teti në bronz”, “Gunat përmbi tela”, “Kapedani” etj. Punoi fort me regjisorët Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, por nuk ia prishte askujt, tjetrit që kërkonte ta kishte në ekip.

Ky është Llui.

Më shpjegon se për rolin e ‘Mimoza llasticës’, regjisorja Xhanfize Keko i kërkoi ndihmë pasi e kishte filmin e parë. “Zhaklinën e pashë të dilte nga shkolla, tek kryqëzimi i Tiranës së Re, atje ku tani është monumenti i Uillsonit. Besoj ishte në klasën e parë. Me mbiemrin Dhimojani u prezantua. Kishim kërkuar në gjithë Tiranën dhe nuk kishim ndeshur në një tip të tillë. Ishte fëmijë shumë interesant. Xhanfizeja e pëlqeu menjëherë. Zhaklina e dha pritshmëritë e saj në atë film dhe pas kësaj pati disa role të tjera”, rrëfen Ilia me një krenari të ligjshme. Po mirë, – vazhdoj ta ngacmoj unë, – Zhaklinën zbulove, jo Merlin Monronë. “Lëre Merlinin, – ma kthen Ilia, – zbulimi i Yllka Mujos ishte një bum i vërtetë”. Qenke bërë si Marko Polo, – i them, – s’ke lënë gjë pa zbuluar. Ilia qesh. Nuk mërzitet kurrë ai.

Por ndalemi te Yllka Mujo, aktorja super e kinemasë dhe teatrit shqiptar. Është roli i Almës tek filmi “I teti në bronz” me regjisor të mirënjohurin Viktor Gjika dhe skenar të Dritëro Agollit, i cili nisi xhirimet në vitin 1969. Ilia Terpini më sqaron: “Grupi ynë i punës kishte 20 ditë që po punonte për zbërthimin e skenarit tekniko -regjisorial. Ishte marrë vendimi për të gjithë aktorët që do të interpretonin në film, që nga Sandër Prosi, në rolin e mjekut dhe Mevlan Shanaj, në rolin e Ibrahim Kovaçit, e deri te Vangjush Furxhi në rolin e Arifit. Por mungonte vetëm një, Alma. Fotografova të paktën 150 vajza nëpër shkollat e mesme të Tiranës por Alma nuk ishte aty”.

E kështu në një kërkim të pareshtur, të përhershëm, lodhës a terrorizues ndoshta, duhej gjetur gjithçka e munguar deri në atë çast, por gjithsesi e imagjinuar apo supozuar gati në një ekstrem të paperceptueshëm. Në fakt, ajo ishte diku atje, midis gjimnazistëve të shumtë që kërkonin të binin në sy pas bankave të shkollës, por ende nuk e shihte njeri. Blici i aparatit fotografik kishte shkrepur mbi portretet e shumë vajzave të kryeqytetit, por Alma as që identifikohej mes tyre. Kur shpresat kishin humbur, krejt papritur ajo doli në skenë, pak e druajtur gjithsesi, por krejt e magjishme njëherazi… Kjo ishte pak a shumë situata përpara fillimit të realizimit të filmit “I teti në bronz”, ku rastësia i dha kinemasë shqiptare një prej aktoreve më të mira të saj në vite. Operatori i mirënjohur, Ilia Terpini, më tregon se si e zbuloi talentin e 15-vjeçares, të cilës iu besua roli i Almës në filmin e Viktor Gjikës. Ai thotë se bashkë me Viktorin kishin rënë dakord të merrnin një studente nga Lushnja, që përafrohej me portretin e Almës personazh. “Por nuk isha fort i sigurt për këtë gjetje dhe sërish i sugjerova regjisorit të kërkonim një ‘Almë’ tjetër. Por Viktori ma ktheu: ‘Ilia, për tre ditë nisemi në Korçë, do zbatojmë planin e punës, ndaj vajzës t’i pritet kostumi’. Mirëpo ndodhi që po atë natë, i shoqëruar nga bashkëshortja ime Aurika, shkuam në Teatrin e Operas, për të parë një koncert. Binte shi dhe te streha e Pallatit të Kulturës shoh një vajzë me një portret shumë interesant. ‘Shiko-shiko, – i them gruas time. – Ku s’e kemi kërkuar dhe ajo qenka këtu. Po kjo është Alma’. Dhe e thirra. Vajza jo më shumë se 15 vjeç erdhi pranë dhe na përshëndeti. Ndërhyri ime shoqe. “Është nxënësja ime, e kam ngjitur vet në skenë të këndojë’. I thashë që nëse mundej, të nesërmen të paraqitej në Kinostudio për një kinoprovë. Dhe ajo pranoi. Të nesërmen që në mëngjes shkova e takova Viktor Gjikën dhe i them me gojën plot: ‘Viktor, kam gjetur Almën’. Por Viktori ma ktheu: “Ç’thua Ilia, s’kemi kohë për shaka”. Ndërkohë Yllka ishte shfaqur në fillim të rrugicës që të çonte për në atelie dhe unë e drejtova vështrimin e Viktorit për nga ajo. “Qenka interesante. Ilia shpejt bëji nja dy fotografi’. Pasi pa dhe fotografitë, Viktori kërkoi menjëherë që vajzës t’i bëhej një kinoprovë. Edhe në këtë pikë Yllka ia doli për mrekulli. Ajo interpretoi më mirë se kushdo tjetër që kishte provuar për të njëjtin rol. Atëherë i dorëzuar pa kushte, Viktor Gjika urdhëroi: “Yllka Mujos t’i pritet kostumi i Almës. Pasnesër ekipi të niset për në Korçë. Do fillojmë xhirimet”.

Zhaklina Dhimojanin, Yllka Mujon, – i them, – goxha aktore janë, personazhe interesantë kanë interpretuar.

Por Ilia nuk mbaron me kaq. “Matilda Makoçin e zbulova në oborrin e Politeknikumit”, – më thotë. Epo tani ia kalove edhe Kolombit, – ia pat me humor. “Lëre Kolombin, – ma kthen Ilia entuziast për atë që do të tregojë. – Na duhej një aktore e re për rolin e Emës në filmin ‘Kërcënimi’, një prodhim i vitit 1981 me regjisor Mark Topallaj. Pasi kisha parë plot vajza në gjimnazet e Tiranës, më rekomanduan të shkoja te Politeknikumi, sepse dhe aty kishte një grup vajzash që binin në sy. Kur shkova në shkollë ishte pushimi i madh dhe të gjithë nxënësit ishin jashtë. Matilda Makoçi më ra menjëherë në sy. Kishte një vështrim shumë interesant”. Dhe ka të drejtë Llui. Vështrimi i saj ishte aq depërtues sa nuk e la fotografin të mendonte për diçka tjetër, ndoshta më të mirë se aq. “I thashë se kush isha, cili ishte qëllimi im dhe i propozova që të nesërmen të vinte në Kinostudio, për të bërë disa fotografi e një kinoprovë. Ajo pranoi dhe të nesërmen erdhi në ambientet e Kinostudios. Bëmë fotografi të mrekullueshme në disa vende. Matilda ishte shumë shprehëse. Por në fund regjisori nuk e zgjodhi për rolin e Emës. Ç’është e vërteta Matilda tregonte një karakter më të thellë, ndërsa regjisori mendonte se “vajza spiune” në film duhej të kishte një natyrë më të lehtë, pra një vajzë që manipulohej. Megjithatë Matilda Makoçi, ishte një personazh, fotografitë e së cilës qarkulluan në duart e shumë regjisorëve, dhe po atë vit ajo u mor për rolin kryesor te filmi “Si gjithë të tjerët”. Unë them se Matilda Makoçi padyshim ka qenë një nga aktoret më të mira që ka prodhuar Kinostudio”, më rrëfen Ilia Terpini.

Llui është i veçantë në llojin e tij. Në televizion nuk përtonte të jepte eksperiencën e vyer. E urrente të punonte me kamera statike për biseda studioje. “Ikim bëjmë një kronikë në mal të Dajtit, vetëm brenda të mos rrimë”, më thoshte ato kohë kur ishim partnerë e bënin kronika lajmesh pa fund.

Ai vazhdon të jetë i dashuruar thellësisht me kameran edhe pse vitet që mban mbi supe duket sikur nuk ia lejojnë të jetë po aq pasionant sa dhe kohë parë. Por ai nuk ka ndryshuar aspak. Optimist i pandreqshëm dhe i motivuar për gjithçka në jetë. Çdo ditë gdhihet me të njëjtin mendim në kokë, qëndron gjatë gjithë ditës nën shoqërinë e saj, dhe natën shtratin do ta ndanin bashkë po të kishte mundësi. Por ndërhyn bashkëshortja: Mjaft me të, – i thotë. – Mirë ditën, por dhe natën… E megjithatë ai nuk e braktis. Ajo fle në dhomë, bashkë me ta dhe të nesërmen rituali është i njëjtë, madje më pasionant. Ai e ndjen atë, në gjithçka që lëviz, në gjithçka që fut në kujtesë, në gjithçka mbartin mbi vete, ai dhe ajo së bashku. Lëvizin bashkë si një trup dhe kur shkëputen, e ndjen se nuk bën dot pa të. E dashuron…

Por Ilia nuk ka punuar vetëm me njerëzit e artit. Disa qindra metra film të regjistruar nën syrin e tij të vëmendshëm, i takojnë vetëm figurave kryesore të politikës shqiptare. Në këtë mori karakteresh, ai ka regjistruar që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia e deri tek Sali Berisha, Fatos Nano e Leka Zogu. “Kinostudio duhet të ishte kudo, – më thotë, – prandaj kam xhiruar Hrushovin, Çu En Lain, Princin Sianuk, Toni Blerin, Manolis Glezosin, Moris Torezin, Shtrausin, Papa Vojtilën e Nënë Terezën”. Këta të demokracisë i njoh se kemi punuar bashkë, por më trego ndonjë detaj nga udhëheqësit e diktaturës. “Në të vërtetë, marrëdhëniet e mia me Enver Hoxhën ishin shumë të mira, ndonjëherë dhe miqësore. Por kujtoj se kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, nuk kishte ndonjë simpati të veçantë për operatorët. Ai ishte e kundërta e Enverit në raport me punën e kineastëve”. Kam dëgjuar se Enveri kishte të dhëna prej artisti, e ngacmoj. “Enver Hoxha ishte mjeshtër i shfaqjeve përpara kamerave, – më rrëfen Ilia. – Ai e kuptonte se kur operatori ishte gati për ta filmuar dhe gjithnjë pozonte shkëlqyeshëm, i qeshur dhe energjik. Nuk e harroj një rast kur Enver Hoxhën e ktheva nga rruga”. Nga rruga e komunizmit, – e ndërpres unë i habitur me kast. Ilia qesh. “Atë rrugë e kishte marrë ai, – më thotë, – se ktheja dot unë”. Më pas, Ilia kujton se gjatë një vizite në uzinën “Traktori”, Enver Hoxha takon një punëtor me titullin “Hero i Punës Socialiste”. E papritura ndodhi. Operatori ishte ngjitur në një pikë të lartë për të filmuar një plan të përgjithshëm. Epo të gjitha nuk bëhen dot. I gjendur përballë një fakti kokëfortë, Ilia Terpini me kamera në sup i afrohet Enver Hoxhës për t’i thënë: “Shoku Enver, nuk ju filmova dot kur u takuat me “Heroin e Punës”. Operatori thotë se Enver Hoxha nuk e bëri aspak të gjatë, por me një kthesë mjeshtërore, kthehet pak hapa mbrapa dhe e pyet Heroin për “diçka”. Këndi i duhur, fokus, ndriçim… dhe plani realizohet.

Mirë me Enverin, por ti ke punuar dhe me Leka Zogun, – i them. – I ke marrë të gjitha teserat e partive, më duket. “Asnjë, – më thotë me bindje. – Kam vetëm teserën e profesionistit. Unë bëj detyrën atje ku më thërrasin. Imazhet i shërbejnë arkivës. Unë për këtë punoj”.

Ky është Ilia, apo Llui siç e njohin miqtë e vjetër të Kinostudios. Për punën e palodhur të tij është titulluar “Artist i merituar”. Mban “Medaljen e punës”, “Çmimin e Republikës’, “Medalione në 6 festivale të filmit”, “Çmim kombëtar për fotografinë artistike” por dhe Urdhrin “Mjeshtër i madh”.


3 tetor 2018