Ikonografia grafike në librin e Bogdanit dhe puna e Alfred Uçit
Moikom Zeqo
Profesor Alfred Uçin e kam takuar në një mjedis karakteristik plot libra, dorëshkrime, mes tyre një terakotë e pikturuar e një Zane, bukuroshe e magjishme e fantazisë folklorike e përrallore të popullit.
– Është vepër e Sali Shijakut, – thotë profesori. – Saliu sikur e ka nxjerrë nga bota e thellë e Eposit.
Ai bëri disa krijime me motivet e heronjve legjendarë që u pëlqyen shumë. Mua ma dhuroi këtë terakotë si kujtim.
Është kënaqësi e veçantë të bisedosh me profesor Alfredin.
Njeri serioz dhe i çiltër, me kulturë të thellë e erudicion të gjerë nga fusha të ndryshme, pasionant, këmbëngulës e metodik, ai është dëshmi e gjallë e diturisë që arrihet me anë të një pune shumë të lodhshme, të pareshtur, të vazhdueshme.
Njeri i përkushtuar, larg pozave e ceremonive të kota të një mirësjelljeje të shtirur ai zhduk çdo largësi në bashkëbisedim.
Flet pa shumë paranteza të panevojshme.
Futet drejt në temë dhe e shtjellon atë me një bindje e logjikë shkencore.
Kjo është materializuar dhe në librat e shkrimet e tij, në veprimtarinë e jetës, të studimit e të krijimit.
Alfred Uçi ka lindur në vitin 1930 në Korçë, në një familje me tradita atdhetare e arsimore.
Prindërit e tij, nëna dhe babai ishin të dy mësues, punëtorë të pakursyer të shkollës shqipe.
Gjyshi i Alfredit, nga ana e nënës, Petro Nini Luarasi rrezatonte përherë te ai shembullin e ndritur të martirit të madh të arsimit kombëtar, sepse, siç thoshte ai, shkolla mbetet themeli i kulturës së kombit.
Këto ndikuan fuqishëm te Alfredi që në moshë të re. Dhe s’qe e rastësishme që ai 14-vjeçar do të dilte partizan e do të merrte pjesë në radhët e Brigadës së 9-të Sulmuese. Përjetoi thellë në vetëdije ndryshimet epokale.
Mbas Çlirimit mori pjesë në aksionet e mëdha të rinisë. I vuri rëndësi studimeve shkollore, sepse dituria është armë, është zhvillim, është në vetë thelbin e socializmit.
Mbasi përfundoi studimet e larta nisi punën si gazetar në gazetën “Zëri i popullit”, ku botoi shkrime të karakterit publicistik e sociologjik.
Po shpejt u bë pedagog në Universitetin në lëndët e filozofisë.
Ka qenë shef i Katedrës së materializmit dialektik e historik.
Në vitin 1970 iu dha titulli i lartë shkencor “Profesor”.
Në 1958-1959 Alfred Uçi filloi Kursin e estetikës me studentët – lëndë që u bë specialiteti kryesor i tij.
Në fushën e estetikës ai u thellua nga viti në vit, jo vetëm në drejtimin e teorisë së përgjithshme të estetikës, po edhe të studimit të dukurive të estetikës materialiste dhe idealiste.
Krijimtaria e profesor Alfredit është e begatë, frut i një pune shumëvjeçare, i një vetëdije të lartë për të bërë një shkencë objektive.
Një pjesë e botimeve të tij lidhen me tekstet universitare, me punën pedagogjike, (nga e cila ai nuk është shkëputur asnjëherë).
Libri i parë i tij që tërhoqi vëmendjen e lexuesve është përmbledhja “Jani Vreto – jeta dhe vepra” në 1968.
Në 1970 ai botoi “Estetika, jeta, arti”, në 1976 “Probleme të estetikës”, në 1978 “Labirintet e modernizmit”, në 1982 “Mitologjia, folklori, letërsia”. Kurse në vitin 1986 botoi “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” si dhe “Estetika”, vëllimi I (po përgatit për botim dhe vëllimin II).
Alfred Uçi ka marrë pjesë në shumë konferenca e simpoziume shkencore brenda e jashtë shtetit e fjala e tij autoritative është dëgjuar me kujdes e respekt.
Si estet e studiues teoricien ai i është futur thellë problemeve të kulturës, të zhvillimit të hovshëm e cilësor që i dha koha jonë kulturës së stërlashtë e etnike popullore, raporteve dialektike e krijuese të artit të kultivuar e artit folklorik, studimit të figurave të mëdha të letërsisë e arteve tona.
Librat e tij kanë shumë shembuj të goditur nga poezia, piktura, muzika, arkitektura etj., domethënë janë të karakterit enciklopedik.
Profesor Alfred Uçi është në lulëzimin e forcave të tij krijuese.
I papërtuar, me një përvojë të shumtë, ai, padyshim, do të shkruajë libra të tjerë, studime e shkrime të ndryshme etj.
– Këtë vit është 100-vjetori i Shkollës së Parë Shqipe në Korçë, – thotë ai. – Jam i lumtur që i kam shërbyer arsimit tonë.
Kjo është detyrë dhe njëkohësisht nder i madh.
Koha e sotme na dha forca të papara.
Na konstruktoi si të thuash “estetikën” e jetës së re. Na dha optikën e sigurtë e të pagabueshme të perspektivës, të kulturës së vërtetë e përparimtare, novatore.
E bukura për ne nuk është thjesht një parim teorik abstrakt, po dukuri e gjallë e vetë jetës, zhvillimit, artit, është aspiratë e domosdoshmëri e së ardhmes. (Viti 1988 , revista “Ylli”)
IKONOGRAFIA GRAFIKE NË LIBRIN E PJETËR BOGDANIT
Kryevepra e Pjetër Bogdanit të madh “Çeta e Profetëve” që u botua në Padova të Italisë në 1685, domethënë 4 shekuj më parë qe një realizim tipografik nga më luksozët e kohës, padyshim libri më i shkëlqyer tipografik shqip.
Faqosja e librit, ndarja në sythe, germat nismëtare etj, janë të konceptuara sipas një modeli figurativ me cilësi të lartë, ku vihet re një lloj stili gotik shoqëruar me një ikonografi grafike me figura të stilit antropomorf rilindas italian.
Kemi mësuar edhe emrin e grafistit të librit në fjalë: quhet Rufini.
Nuk e dimë përkatësinë e tij etnike.
Nuk dimë gjithashtu lidhjet intime dhe të punës me Pjetër Bogdanin.
Rufini është një artist që ka punuar në Padova.
Ai ka realizuar grafikat kozmogonike, eklipsin e Diellit dhe të Hënës, paraqitjen ptolemetike të qiejve dhe të planetëve, figurat dyshe të Adamit dhe të Evës nudo dhe të Pemës së Parajsës që të kujtojnë një skenë të famshme të Mazaços si dhe një gravurë të Ciklit poetik të Sibilave, ku njëra nga Sibilat mban në duar një libër të hapur me mbishkrim në gjuhën shqipe.
Kjo është e habitshme dhe e papritur.
Mbishkrimi shqip është sugjeruar nga Bogdani, apo edhe vetë Rufini e ka ditur gjuhën shqipe?
Ky është një motiv hulumtimi tejet interesant.
Në një gravurë tjetër Rufini bën shkallët e profetëve të mëdhenj dhe të vegjël, sipas një ikonografie rilindase, me një kompozim origjinal, sugjestionues.
Gravura e Sibilave ka një fakt intrigues: jepen të ravizuara edhe peizazhet arkitektonike të Hasit, vendlindjes së njohur të Bogdanit.
Është hera e parë që një shkrimtar kalibri shqiptar, mbase një rast unikal në krejt letërsinë dhe kulturën shqipe, që autori kujdeset para lexuesve të paraqesë dhe vendlindjen e tij figurativisht.
Kjo gjë flet për krenarinë e ligjshme të Bogdanit për vendlindjen.
Bogdani, Sibilën Delfika, domethënë të Delfit e mbiquan në gravurë shqip edhe si Hasiana, e Hasit, duke bërë një barazvlefshmëri të Delfit, orakullit të famshëm antik me Hasin shqiptar, duke lënë të metaforizohet mendimi se Hasi ka nxjerrë në orakull të ri të kulturës dhe gjuhës shqipe: Pjetër Bogdanin. Nga pikëpamja kanonike kjo është paradoksale, më tepër një guxim krijues dhe metaforik, për të thënë para botës të vërtetat e universit shqiptar. ( 1996)
DEDË SHQIPTARI
Ka jetuar në Durrës e ka luajtur rol me rëndësi në historinë e kulturës shqiptare të mesjetës së shekullit XIV. Dedë Shqiptari ka qenë ungji i Karl topisë dhe vëllai i Tanush Topisë.
Është mbiquajtur kështu për arsye të kombësisë së tij shqiptare (mbiemri i tij vetëkuptohet, ka qenë Topia). Deda u bë figurë nxitëse për Karl Topinë kundër venedikasve, sundimit e hegjemonisë së tyre.
Për disa kohë Dedë Shqiptari jetoi në oborrin e mbretit të Napolit, Robertit.
Pastaj ishte vikar i përgjithshëm i Dalmacisë e Durrësit dhe peshkop i Kërcolës.
Njeri mjaft energjik, qëndroi pranë Karl Topisë, i cili pas vdekjes së Tanushit mori në dorë e fuqizoi principatën shqiptare të Topiajve, që mori Durrësin nga Venediku në 1368.
Dedë Shqiptari qe dijetar i shquar i kohës.
Ai përmendet edhe për një traktat të shkruar në pergamen, dorëshkrimi i të cilit ndodhet në bibliotekën kombëtare të Parisit, në Francë.
Dijetari Kolher që ka shqyrtuar dorëshkrimin në fjalë shënon se traktatin e shkroi Galvani, mjek e dijetar i njohur, i shtyrë nga Dedë Shqiptari për nevojat e princërve shqiptarë.
Vetë Galvani shkruan në traktat se Deda qe “prej gjaku shqiptari”.
Fakti i mësipërm tregon për interesat kulturore të shqiptarëve në shekullin XIV.
Galvani që shkroi traktatin me shtytjen e Dedë Topisë ka qenë mjek.
Ai shënon që në krye të librit fjalët latinisht “ade principes Albaniae”, pra në shqip “për princërit shqiptarë”. Oborri princëror i Topiajve del kështu i lidhur me botën e librave e kulturën si dhe autorët e njohur të Evropës.
Bibliotekë të pasur me libra ka pasur dhe Teodor Muzaka, një nga zotërit shqiptarë të principatës tjetër të famshme, të Muzakajve.
Edhe Muzakët kanë pasur lidhje me Durrësin dhe e kanë synuar këtë qytet të madh e të rëndësishëm.
Kjo tregon në mënyrë të tërthortë se dhe vetë Durrësi ka qenë një qendër kulture e ka pasur Biblioteka e libra të shumtë, pra ka rrezatuar kulturë në periudhën e mesjetës.
JAN KADUNI
Një humanist shqiptar i Rilindjes Evropiane është dhe Jan Kaduni.
Ai lindi më 1577 në një fshat të Korçës.
Babai i tij quhej Dhimitër, kurse emri i nënës nuk dihet.
Fëmijërinë Jan Kaduni e kaloi në vendlindje.
Më vonë shkoi për të studiuar në Itali, në një kolegj të njohur të kohës ku fitoi dhe gradën e doktor në filozofi, dhe në Padovë – qendër e rëndësishme kulturore e asaj kohe ku u specializua në mjekësi.
Nga viti 1617 deri më 1630 Jan Kaduni punoi si pedagog në Universitetin e Bolonjës.
Në vitin 1630 filloi të thellohet në filozofi duke shkruar disa vepra.
Deri në vitin 1658, Jan Kaduni ndodhet në Universitetin e Padovës, ku siç dihet kanë dhënë mësim dhe humanistë të tjerë me origjinë shqiptare si Leonid Tomeo, Maksim Artioti, etj.
Jan Kaduni vdiq më 17 Nëntor 1658.
Për veprat e Jan Kadunit të shkruara latinisht, kryesisht për filozofinë kanë folur shumë dijetarë.
Jan Kaduni ka qenë dhe poet dhe ka shkruar disa epigrame me interes, që u botuan në Padovë më 1631.
Në to bëhet fjalë për çlirimin e gadishullit Ballkanik, ose të gadishullit ilirik siç e quan ai, nga pushtuesit otomanë.
Kaduni së bashku me Leonardo Filaron kish marrë pjesë në shoqërinë e fshehtë të Dukës Nevers, shoqëri që ish krijuar e përpiqej për çlirimin e viseve ballkanike nga turqit osmanlinj.
Në veprat e Kadunit flitet për forcën e njeriut, për rëndësinë e madhe të kulturës humaniste, për rolin e gjithanshëm të diturisë e të përparimit.
Në universitetin e Bolonjës ndodhet ende sot pllaka përkujtimore që i kushtohet kujtimit të Jan Kadunit. Kurse në Universitetin e Padovës ka dorëshkrime e dokumente të këtij humanisti shqiptar. (1988)
ORFEU I SHNDËRRUAR NË PROMETE
Në 200 vjetorin e lindjes së Adam Mickieviçit
Në 200 vjetorin e lindjes së Adam Mickieviçit koncepti i kohës artistike e kapërcen dukshëm, sfidueshëm kohën kalendarike.
Të duket se Mickieviçi ka lindur ndoshta bashkë me Homerin, por me siguri do të luftonte nga ana e trojanëve së bashku me Hektorin, sepse imazhi i Trojës qe identifikuar në shekuj me Poloninë e tij.
Adam Mickieviçi i përket racës titanike të poetëve më të mëdhenj të njerëzimit.
Ai është Orfeu, që e njohu imtësisht ferrin e pushtimit dhe të poshtërimit, ndaj u shndërrua në Promete.
Brenda Mickieviçit, nën lëkurën e tij poetike është gjaku dhe nervat e heroit të çuditshëm të revolucioneve, të Kostjushkos, luftëtarit të pashembullt.
Mickieviçi është një kryengritës, dmth një heretik i artit dhe i historisë.
Ai e ka një binjak të vetin në Evropë: melankolikun e madh, skeptikun e egër dhe elegant Xhorxh Bajronin. Ashtu si Bajroni ai mendonte, se duhet bërë për botën diçka më e madhe dhe më e mirë se sa librat.
Mickieviçi shkroi libra.
Por ai shpërtheu kufijtë e librave.
Ashtu si Bajroni, që vdiq për lirinë e Greqisë, ashtu Mickieviçi mbylli sytë në Konstandinopojë, duke pretenduar se luftëtari i prin poetit dhe se poeti mund të jetë i tillë vetëm nëse është deri në infinit luftëtar. Mickieviçi nuk mund të pajtohej me orleanizmin dhe Lidhjen e Shenjtë, me pushtimin e gjatë rus të atdheut të tij.
Ndryshe nga Bajroni, që nuk i jepte rëndësi ndjesisë kombëtare angleze, Mickieviçi u bë para së gjithash profeti kombëtar polak, për t’u shndërruar në një profet universal në të gjithë kohërat.
Botëkuptimi i së ardhmes është vetë Mickieviçi.
Sipas Marin Barletit në ushtrinë kastriotase të shek. XV kishte dhe vullnetarë polakë, madje bëhej fjalë dhe për një mbishkrim ku lavdërohet Polonia në një shpellë pranë Beratit.
Ndoshta te ky mbishkrim i pagjetur legjendar dhe kuptimsjellës duhet të niste kjo parafjalë.
Ndoshta nuk duhet harruar që në Krakovia të Polonisë ka studiuar poeti i jashtëzakonshëm shqiptar, për fat të keq jo aq i vlerësuar si duhet Ndre Mjeda.
Dhe një lidhje tjetër: pedagogu i Nikolla Kopernikut në Universitetin e Padovës ka qenë një shqiptar me origjinë nga Durrësi filozofi, poeti dhe astronomi Leonik Tomeo.
Në se dhe kjo nuk mjafton le të kujtojmë dhe fakte të tjera po kaq tronditëse.
Në epopenë poetike “Zoti Tadeush” në njërin nga librat diskutohej për piktorin polak Orllovski.
Ndoshta pakkush e di që Orllovski përmendet se ka bërë një tablo të shkëlqyer për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Adami Mickieviçi guxoi të sfidonte dy eposet e Homerit për të shkruar epopenë poetike zotit Tadeush.
Kjo epope është quajtur jo pa një paradoks emërtimi si një sintezë e “Don Kishotit” me “Iliadën” e frymëzuar fillimisht nga “Hermani dhe Dorote” e Gëtes jo pa ndikime nga “Çajld Haroldi” i Bajronit, epopeja poetike e zotit Tedeush është vërtet diçka marramendëse, e hatashme, madje e pakonceptueshme dot me shikim të parë.
Është një ngatërrim me qëllim i romanit me poezinë lakonike të shkurtër, i kronikës historike me diskutimin filozofik të mirëfilltë, i eseistikës me artin e muzikës simfonike, i skulpturës monumentale me simfoninë e 9-të të Bethovenit.
Kjo nuk është asnjëherë pak.
Në poezinë botërore epopeja e Mickieviçit është një dinozaur i gjallë, që nuk mund të shpërbëhet kurrë në eshtra dhe në kokalla për muzeume apo për kuriozitetin e paleontologëve.
Mickieviçi në këtë epope krijon një lidhje tjetër me Shqipërinë, ndonëse një lidhje e përkorë e paksa më e çuditshme apo më romantike.
Romani poetik pa një të dytë, në poezinë botërore “Milosao” i De Radës, qëndron pranë kryeveprës vigane të Mickieviçit.
Ose një tjetër roman poetik deradian “Serafin Topia”. Sa gjëra interesante ka midis, ç’të papritura, ç’kënaqësira të befta ka në planin krahasimtar!
Ja tashmë po botohet në shqip për herë të parë i plotë “Zoti Tedeush”.
Duke qenë një nderim për Mickieviçin, ne nuk mund ta kuptojmë atë pa një pasurim gjenuim të vetë poezisë shqipe.
Shqipëruesi i kësaj epopeje poetike duhet respektuar me ngulm, sepse ai ka bërë një punë absolutisht të denjë.
“Zoti Tedeush” është shumë më tepër se sa një monument prej bronzi i Mickieviçit, sepse në mënyrë të padukshme depërton shpirtrat tanë të shqetësuar, sepse në prag të mijëvjeçarit të tretë na tregon në mënyrë biblike sërish “Tokën e premtuar” të së ardhmes dhe të popujve. (1998)
ANTOLOGJIA DESHIFRON INTIMITETIN MES POPUJVE
Dikur filozofi i vjetër Platon, me projektin e tij ambicioz dhe mesianik për të ardhmen, mendonte se duhen përjashtuar poetët.
Në të vërtetë, Platoni qe një poet i madh.
Paradoksi i tij është paradoksi i një filozofi dhe jo i një poeti.
Nuk ka asnjë të ardhme të çdo populli apo të gjithë popujve pa poetët.
Qytetërimi i fundit të mijëvjeçarit të dytë dhe i fillimit të mijëvjeçarit të tretë duket se e rrezikon seriozisht poezinë.
Poezia është magjia më e madhe e çdo gjuhe, është mbijetesa e jashtëzakonshme e të gjitha gjuhëve, kështu mesianizmi i poezisë është mesianizmi i njerëzimit.
Dikur Pirroja i madh pati një ide fantastike: të ngrinte një urë në Otranto midis dy brigjeve.
Kjo ide është më e guximshme se ideja e Aleksandrit të madh, për të kthyer tërë malin Athos në një skulpturë të vetme.
Në të vërtetë ideja e urës është ideja më e vjetër poetike e botës.
Sepse poezia vetëm bashkon.
Miti i Eneut në Butrint dhe që kaloi më pas në Itali e mahniti fare Virgjilin e pavdekshëm.
Shumë më i rëndësishëm se heroi miti Eneu qe poeti Virgjili, një nga emblemat më të ndritura të poezisë botërore.
Poezia ndërmjet dy brigjeve është më e plotfuqishme dhe më e parashikueshme sesa urat politike.
Përparësia e poezisë mbi politikën është e vetëkuptueshme.
Është politika ajo që duhet t’i afrohet poezisë dhe të dlirësohet nga poezia.
Kështu mund të ngjasë ajo që pritet prej shekujsh: Eksorizmi i politikës nga poezia.
Dy popuj të stërlashtë, shqiptarët dhe italianët, e kanë ngritur prej kohësh urën poetike.
Veprimtaria e sotme “Shqipëri – Itali një horizont i përbashkët kulturor” është vetëm një metaforë e plotfuqishme e kësaj ure poetike.
Në kryeveprën e Dantes flitet për peshkatarin nga Durrësi të quajtur Amilkati, i vetmi që pati guximin të çonte me varkë Çezarin mes detit me shtrëngatë të llahtarshme.
Ndoshta ky peshkatar i lashtë ka qenë edhe një poet i fshehur.
Kështu poetët e sotëm bashkëkohorë të Shqipërisë dhe Italisë janë peshkatarë njerëzish, duke pasur në duar rrjetat e tejdukshme të metaforave dhe të fjalës poetike.
Nëse nuk ka ndonjë varkë për të udhëtuar ndërmjet dy brigjeve le të marrim Lisin e Milosaos.
Mjafton të gdhendet prej tij varka e shpirtrave tanë. Por varkat janë edhe prej librash.
Antologjia e përbashkët e poetëve shqiptarë e italianë, botuar në dy gjuhë është gati një mrekulli.
Aty mund të deshifrohet kodi i intimitetit midis popujve po aq madhështor sa intimiteti mes njerëzve të veçantë.
Kështu poezia nuk njeh kufij, kapërcen pambarimisht vetveten.
Lamartini ka folur njëherë për rikthimin e poezisë së madhe në brigjet e Shqipërisë.
Kjo është një profeci pozitive.
Por nuk është për një popull, por për të gjithë popujt. (G.Sh. 7 nëntor 1998)