Idriz Ajeti dhe gjuha shqipe

Nga Wikibooks

Prof. Shefkije Islamaj

Në historinë tonë kulturore, përpjekja për zhvillimin, kultivimin, pasurimin dhe pastrimin e gjuhës shqipe, njeh hovin e saj më të madh pikërisht në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare, në të vërtetë ajo përbën rrugëçeljen më të kuptimshme e më themelvënëse për zhvillimet pasuese të pandalshme kulturore, pasojisht edhe gjuhësore, përgjatë shekullit ’20 e deri sot. Zelltarët atdhedashës, prandaj edhe gjuhëdashës, dhanë kontribut të veçantë në zhvilli­min dhe në pasurimin e shqipes dhe krijuan mundësinë që puna e tyre të vazhdohet me po atë përkushtim edhe nga breztarët vijues – veprimtarë të shquar gjuhësorë e letrarë, studiues, lëvrues e krijues. Njëri ndër ta që me punën e veprën e tij studimore ka dhënë kontribut të çmueshëm në gjuhësinë shqiptare të gjysmës së shekullit ’20 e në fillim shekullin 21 është Idriz Ajeti, i cili gëzoi fatin e të paktëve të rrumbullakojë, sivjet, 100 vjet jete e më se 70 vjet pune. Vepra shkencore dhe në përgjithësi veprimtaria gjuhësore e Idriz Ajetit dëshmon se ai, bashkë me kohanikë e paskohanikë të tij, është pasues i denjë i rilindësve tanë, kurse vepra e tij, pos rëndësisë së saj shkencore ka edhe vlerë kuptimore e simbolike për rrugëtimin e shqipes në kontekstin kohor e hapësinor brenda shekullit të tij jetësor.

Nëse për rilindësit kujdesi për gjuhën do të thoshte edhe zgjim i ndërgjegjes kombëtare, si një kërkesë thelbësore e asaj kohe për shqiptarët, në të vërtetë një kërkesë objektive-historike në kontekstin politik e shoqëror të asokohshëm, edhe shpëtimi nga rreziku që i kanosej realisht nga mohimi disashekujsh i saj e nga shfytyrimi që i vinte nga gjuhët e huaja, nga elementet e huaja, për Idriz Ajetin, kjo përpjekje nuk është vetëm “dashuri e kujdes” për pasurinë kombëtare – gjuhën shqipe, por është përpjekje e ndërgjegjshme për zhvillimin e mëtejshëm të saj, përpjekje për të ndriçuar jo vetëm të kaluarën e saj, jo vetëm përpjekje për të hetuar e zbuluar moshën e pasurisë së saj e të mjeteve të saj, por edhe përpjekje për të ndihmuar të ardhmen e saj e të ardhmen gjuhësore të folësve të saj. Mund të thuhet, prandaj se Idriz Ajeti në shekullin e tij të punës, ashtu si edhe rilindësit, prihej prej vetëdijes se gjuha është ruajtësja më e qëndrueshme e më e këmbëngultë e vetëdijes për kombin.

Ky shkrim i shkurtër shënues në 100 vjetorin e Idriz Ajetit vë në spikamë dy aspekte të veprës shkencore të tij: 1.studimin e çështjeve teorike e praktike për rrugën e zhvillimit të gjuhës së përbashkët letrare bashkë me qëndrimin e tij ndaj saj, dhe 2. synimin që, përmes gjuhës së tij shkencore, ta bëjë shqipen gjuhë të zhvilluar, gjuhë të kulturës e të shkencës. Së këndejmi në gjithë veprën e tij shkencore shquan dashuria e nderimi për gjuhën e kulturën kombëtare, shquan vetëdija mbi vlerat e padiskutueshme gjuhësore të shqipes.

1.Si në trajtesat e tij, edhe pse nuk janë në numër të madh, kushtuar gjuhës standarde, zhvillimit dhe pasurimit të saj me elemente vetjake, pastrimit të saj prej fjalëve, shprehjeve e ndërtimeve sintaksore të huaja për natyrën e veçantinë e saj, si në veprimtaritë konkrete në të mirë të përvetësimit e të zbatimit të normës së gjuhës standarde, Idriz Ajeti, i mëshon fort kërkesës që pasurimi i gjuhës letrare të bëhet në radhë të parë me vetë mjetet e gjuhës shqipe – nga njëra anë, duke zbuluar e shfrytëzuar thesarin e saj të panjohur a pak të njohur leksikor-frazeologjik në dialektet e në të folmet e ndryshme ose në traditën shkrimore të shekujve të kaluar, dhe nga ana tjetër, duke vënë në jetë sa më mirë mundësitë e mëdha të mënyrave e të mjeteve fjalëformuese të vetë shqipes. Mund të thuhet se sot janë të paktë ata studiues në shkencën albanologjike që i shquan kaq dukshëm, sa Idriz Ajetin, përpjekja për përdorimin e fjalës shqipe, në të vërtetë përpjekja për një shqipe me mbështetje të fortë në gjuhën popullore e për një shqipe të pastër e të zhvilluar. Prandaj shkrimet e tij, gjuha e shkrimeve të tij, janë gjedhe po edhe frymëzim për të gjithë ata që marrin guximin të shkruajnë a që synojnë të lënë gjurmë në shkencën shqiptare. Vetëm duke e trajtuar kështu, sipas mendimit të tij, gjuha shqipe do të mund të sigurojë kontakt të dinjitetshëm me gjuhë e kultura të tjera.

Mendimi i Idriz Ajetit se “gjuha është njëri ndër tiparet më të spikatura e më të shquara të çdo njeriu dhe të çdo populli, dhe se në të më së miri ruhen e pasqyrohen pavarësia e një populli dhe trashëgimia e tij kulturore” nis shkrimin e tij “Çështje të gjuhës letrare shqipe”, i cili mund të thuhet se është mendim që përçohet në gjithë veprën dhe veprimtarinë e tij shkencore. E filluar këtu e më shumë se 65 vjet më parë, veprimtaria e tij gjuhësore në të mirë të një gjuhe të përbashkët letrare për shqiptarët, në kohën e rrethanave shumë të vështira politike, shoqërore, ekonomike e kulturore për shqiptarët, sidomos për shqiptarët e mbetur jashtë Shqipërisë shtetërore, ishte tepër e rëndësishme të përvijohej pikësynimi për moshkëputje gjuhësore nga shteti amë, në të vërtetë pikësynimi për bashkimin gjuhësor. “Vallë, ç’mund të jetë më e natyrshme për një popull, madje edhe nëse jeton në bashkësi të ndryshme shtetërore, se të ketë një gjuhë të përbashkët letrare?!” – pyet me të drejtë Idriz Ajeti në shkrimin e lartcituar.

Ndonëse i gjendur në një fushë tjetër gjuhësore, në historinë e gjuhës, ku çmohen sot e gjithë ditën kontributet e tij shkencore, Idriz Ajeti, një jetë të tërë do të jetë autoriteti kryesor shkencor në proceset standardizuese në Kosovë përgjatë viteve ’50 e ’60, kohë kur u mbajtën tri mbledhjet e njohura gjuhësore në Prishtinë (1952, 1957-8, 1963) dhe Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968), e cila në një mënyrë shumë kuptimplote dha shenjën miratuese të plotës se shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshëves, të Bujanocit e të Medvegjës, do t’i bashkohen, katër vjet pas, vendimeve historike të Kongresit të Drejshkrimit (1972). E gjithë veprimtaria e tij në këtë proces shumë të rëndësishëm kulturor për shqiptarët na e provon se ai e kishte kuptuar drejt detyrën e gjuhëtarit, detyrën e prijatarit në një fushë shumë të rëndësishme e shumë të ndjeshme për kohën e për rrethanat në të cilat ndodheshin asokohe jo vetëm shqiptarët e Kosovës”, po edhe të gjithë ata që jetonin në ish Jugosllavinë, se ai “i kishte nxënë mirë mësimet e teorive që përcaktojnë jetën e një populli si komb, prandaj s’kishte si të vepronte ndryshe: do të përpiqej me përkushtim e qëndrueshmëri për një gjuhë të përbashkët kombëtare për të gjithë shqiptarët, në të vërtetë ai tashmë po i vinte në praktikë dijet e mësimet e tij – po përpiqej të sendërtonte atë që popuj të tjerë përreth e më larg e kishin bërë me kohë.

Krahas veprimtarisë praktike në vitet ’50 të shekullit të shkuar, Idriz Ajeti do të botojë mbi dhjetë shkrime ku do të trajtojë probleme gjuhësore, përkatësisht drejtshkrimore, disa nga to kanë karakter polemizues. Shquhen shkrimet debatuese: Për ndritshimin e çashtjeve gjuhësore të shqipes (në “Përparimi”, nr. 7, 1957) dhe “A ka gja ma punë n’ortografinë e shqipes? (“Përparimi”, nr. 8, 1958), në të cilët, ai, shpreh kundërshtimin lidhur me vendimet e pranuara në mbledhjen gjuhësore (1957-8), të cilat vendime binin ndesh me qëndrimet e tij për një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët kudo ishin.

Në vitet 60-70 dhe ato 80 të shekullit të kaluar Idriz Ajeti ishte në krye të të gjitha veprimtarive të zhvilluara në të mirë të gjuhës e të shkollës shqipe. [1] Edhe përgjatë viteve 1980-2000 e më tutje Idriz Ajetin e gjejmë në ballë të përpjekjeve për zhvillimin e pasurimin e gjuhës standarde shqipe, por edhe në ballë të institucioneve e të organizimeve të shumta të kësaj fushe. Puna e tij shkencore në këtë rreth kohor për gjuhën standarde pati dy drejtime: studim i çështjeve teorike për rrugën e formimit dhe të zhvillimit të gjuhës së përbashkët letrare dhe vëzhgim i përdorimit praktik të shqipes standarde dhe, përgjithësisht, i kulturës gjuhësore në Kosovë e më gjerë.

Edhe në vitet në vijim, Idriz Ajeti, nuk heshti, përkundrazi, ishte shumë i këmbëngultë në qëndrimin e tij ndaj kontestimit të gjuhës standarde nga individë e qarqe të caktuara gjatë viteve ‘1999 po, sidomos, pas viteve 2000 e deri sot, jo vetëm në Këshillin Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, mbledhjet e të cilit për vite me radhë u zhvilluan në Tiranë e Prishtinë, jo vetëm në Shoqatën e Gjuhës Shqipe, ku ishte shumë aktiv që prej themelimit të saj, po edhe në shkrimet e intervistat në shtypin periodikun shkencor e në mediet. Që më 1993 në një intervistë për Radio Tiranën, Idriz Ajeti do të shprehet: “Të prekësh sot në themelet e gjuhës sonë kombëtare do të thotë se shqiptarët në prag të shekullit të njëzetenjë të parapëlqejnë kthimin e rendit fisnor me një shumësi gjuhësh e bajraktarësh…”, kurse më 17.2.2001, në gazetën’ “Rilindja” të Prishtinës shtron pyetjen: “Ç’është ajo palë intelektualësh shqiptarë, që pas ndryshimeve në shoqërinë shqiptare, e nxit, e shtyn edhe në fushën e kulturës, në lëmin e gjuhës së njësuar shqipe, të bëjnë rivlerësime, rishikime që, pranë gjuhës së sotme letrare shqipe, të vihet një gjuhë shemër? A ka ajo të meta të rendit gjuhësor apo dergjet nga ndonjë sëmundje tjetër?” për të dhënë përgjigjen se: “Do të jetë vështirë të merret e të rrëzohet godina e gjuhës sonë letrare”, sepse “në ngritjen e saj kanë marrë pjesë katër a pesë breza veprimtarësh specialistë e patriotë zelltarë shqiptarë e dijetarësh të huaj.” Idriz Ajeti gjatë gjithë jetës së tij iu përmbajtë mendimit se “gjuha letrare s’është vetëm thesari i kulturës sonë, po edhe mjeti i fortë në mbrojtje të etnisë shqiptare.”

2. Aspekti tjetër kontribues i Idriz Ajetit për gjuhën standarde është vetë gjuha shkencore e studimeve të tij. Në këtë drejtim e gjithë krijimtaria e tij shkencore e dëshmon qartë se ai nuk ka rreshtur së përpjekuri që gjuha e tij të shprehë zhvillim, pasurim dhe natyrshmëri; se ai nuk ka rreshtur së përpjekuri që gjuha e tij shkencore të lirohet për sa është e mundur nga ndikimet e huaja, nga sintaksa e nga leksiku i huaj, por edhe përpjekja që ajo të lirohet edhe nga elementet e vetë shqipes që konsiderohen si të nënstandardit ose të thjeshtligjërimit, gjithnjë me synimin e intelektualizimit të saj, përkatësisht që gjuha shqipe të jetë edhe gjuhë e zhvilluar e shkencës dhe e kulturës.

Në këto përpjekje spikat nxjerrja në dritë e visarit ende të gjallë fjalësor e frazeologjik të shqipes dhe krahas kësaj shfrytëzimi i këtij visari e i mundësive fjalëformuese të gjuhës shqipe për pasurimin e gjuhës letrare me fjalë të reja, të kup­tueshme për një rreth më të gjerë lexuesish dhe, sidomos, për zëvendësimin e terminologjinë gjuhësore me burim të huaj me atë të shqipes. Dhe në këtë përpjekje Idriz Ajeti paraqitet dallueshëm parimor si për zëvendësimin e fjalëve të huaja të panevojshme me fjalë ekzistuese të burimit shqip, si për gjallërimin e fjalëve me moshë të shqipes, që i gjejmë jo vetëm te shkrimtarët e vjetër po sidomos te shkrimtarët rilindës dhe te pasuesit e tyre.

Në këtë hulli, duke qenë edhe historian i gjuhës ai ka arritur të njohë edhe prirjet e përgjithshme të zhvillimit të shqipes nëpër kohën e saj të dëshmuar me shkrim, për më tepër në gjuhën e tij ai do t’i përdorë me ngulm tiparet më të thek­suara e më të qëndrueshme të kësaj gjuhe. Në gju­hën e veprës së tij shkencore dallohet lehtë kujdesi i theksuar i gjuhëtarit dhe i filologut të mirëfilltë që s’resht së gjurmuari në pasuritë e shqipes, që s’resht së përzgjedhuri në këtë pasuri e ndër mjetet e saj ato më të përshtatshmet në pajtim me atë që shkruan e për kohën kur shkruan.

Ligjërimi shkencor i Idriz Ajetit ka tiparet e një gjuhe të thjeshtë, të qartë e të rrjedhshme, një gjuhë kufiri i së cilës afrohet shumë me gjuhën e popullit, por që është përpunuar në shkallë të dëshirueshme për t’u quajtur ligjërim i mirëfilltë shkencor. Në punën e tij të gjerë e të thelluar, si etimolog dhe historian i gjuhës shqipe, ai gjurmoi e studioi një numër të madh njësish leksiko-semantike të panjohura ose pak të njohura, të rralla ose të harruara duke e lehtësuar kështu punën në përdallimin e vendores me të huazuarën, në të vërtetë të njohë mirë shtresimin kohësor të tyre, të dijë mirë ç’mund të zëvendësohet e çka jo, ç’është fjalë e huaj e ç’është ndërkombëtarizëm. Në këtë anë profesor Ajeti është ndër njohësit e thelluar të shqipes historike.

Në krijimtarinë shkencore të prof. Ajetit është i pritshëm dhe i përligjshëm përdorimi i fjalëve të moçmuara, posaçërisht në shkrimet e tij me karakter historiko-gjuhësor dhe të botuara para njësimit të gjuhës standarde. Një prirje të këtillë e vërejmë edhe në gjuhën shkencore të Eqrem Çabejt. Sigurisht se ka një shpjegim për këtë: studimi i historisë së shqipes, studimi i dialekteve të shqipes e i të folmeve arbënishte, nuk mund të mos linte gjurmë në strukturën gjuhësore të shkrimeve të dy këtyre studiuesve të shqipes historike. Ky përdorim i fjalëve të moçmuara i jep gjuhës shkencore të Idriz Ajetit shprehësi dhe ngjyrim të veçantë, në të vërtetë i jep individualitet të shquar gjuhësor. Për të dëshmuar këto që u thanë po sjellim një numër shembujsh të nxjerrë nga shkrimet e tij për historinë e gjuhës shqipe. Ai aktualizoi fjalë e forma të moçme të tyre si dhe ndërtime sintaksore, të cilat ende mund të gjallojnë në të folme skajore ose të zonave të thella malore. Kështu ai përdor rasë për rast, ravë për gjurmë, farkoj për krijoj, i rryeshëm për i sprovuar a me përvojë, të folët për të folurit, folje ndihmëtare për foljen ndihmëse, shkulje për zhvendosje a shpërngulje, i rishmë për i ri, i venduar për i vendosur (diku), veçanësi për veçori, pakësi për pak, përdorje për përdorim, i rrasët, për i ngjeshur, pastaj fjalë të tjera si këto: risime, tërthore, hulli, shqimëz, i ravijëzuar, etj.

Nuk mungojnë edhe raste kur gjejmë të përdoren fjalët mbërthehen për takohen, trazohen për përzihen, përdorëse për mjete, vegla etj. ose të përdoren fjalë të reja a kalke (lek­sikore e semantike), siç janë fjala vjen këto fjalë të përbëra e të përngjitura: largshikues, paravajtëse, bashkëshkrirje, bashkëpajtim, etj.; fjalë të prejardhura si ndajfoljet me –isht: lashtë­sisht, alfabetisht, nevojisht sipas detyrimisht, shken­cë­risht, origjinalisht etj.; mbiemra me –or, -ore; kohësor, pjesor, kumtesore apo gangullor (“fondi gangullor i fjalësit të shqipes…”). Etj.

Ligjërimi shkencor i Idriz Ajetit edhe në rrafshin e përdorimit të shprehjeve dhe të frazeologjive shpesh merr tiparet e një gjuhe popullore të përpunuar e të ngritur në shkallë të një gjuhe të dijes. Kështu ky ligjërim është i pasur me fjalë e togje me veçori frazeologjike. Për ilustrim po sjellim me këtë rast disa prej tyre: fund e maje, dora-doras, vise-vise, ka ra rasa, në krye të herës, kryekreje, ia dalë mbanë, në ballë të kohës, kryekëput, jep krah, sot e gjithë ditën, u jep urë, jep e merr, në rrymë të moteve, s’kishte për be, në njëfarë dore, etj. Në funksion të bindshmërisë, në të vërtetë për të dëshmuar shkallën e vërtetësisë së kumtimit të tij shkencor, ai përdor edhe shprehje e togje fjalës të ndërmjetme si këto: sipas gjasës, pas gjithë gjasash, afërmendsh, çuditërisht, mjerisht, fatmirësisht, etj., duke e bërë gjuhën e tij shkencore mjaft të përdalluar a të individualizuar.

Me gjithë ato që u thanë deri këtu, në studimet e tij për historinë e gjuhës dhe në studimet dialektologjike, sidomos të kohës së paranormimit të gjuhës shqipe, mbizotëron terminologjia shkencore jo shqipe, për dallim nga shkrimet e tij të mëvonshme ku trajtohen probleme të gjuhës standarde dhe ku prirja për të zëvendësuar fjalën e huaj është shumë e dukshme. Sigurisht edhe në shkrimet e tij historiko-gjuhësore të mëhershme do të gjejmë edhe ndonjë zëvendësim të termave gjuhësorë me prejardhje greke e latine, sikur këta: i rrëgjuar për i reduktuar, buzore për labiale, dhëmbore për dentale, hundorësi për nazalizim, nistore për iniciale, përmendore për monument, kohësor për kronologjik, pjesor për parcial, visore për peizazh etj., po që nuk kanë shtrirje të gjerë.

Përpjekja e shquar e Idriz Ajetit për një shqipe të zhvilluar, për një shqipe të pasur, me brumin e mjetet e saj, sot, në rrethanat e reja socio-gjuhësore, në rrethanat e globa­li­z­mit merr kuptim të ri për shqipen standarde e për gjuhën shqipe në përgjithësi.