Jump to content

III. LIRITE, TE DREJTAT DHE DETYRAT E NJERIUT DHE TE QYTETARIT

Nga Wikibooks

Kushtetuta e Kaçanikut - pjesa e tretë

Neni 42 Liritë dhe të drejtat e njeriut dhe të qytetarit janë të kufizuara vetëm me liritë dhe të drejtat e barabarta të të tjerëve.

Neni 43 Qytetarët janë të barabartë në të drejta dhe detyra dhe gëzojnë mbrojtje të njëjtë para organeve shtetërore dhe organeve të tjera, pa dallim kombësie, race, gjinie, feje, bindje politike dhe bindje tjetër, arsimi, prejardhjeje sociale, gjendje materiale ose vetie tjetër personale.

Neni 44 Jeta e njeriut është e pacënueshme. Dënimi me vdekje mundë të përcaktohet me ligj dhe shqiptohet përjashtimisht vetëm për format më të rënda të veprave të rënda penale.

Neni 45 Liria e njeriut është e pacënueshme. Askujt nuk mund t'i hiqet liria, përveç në rastet dhe në procedurën e përcaktuar me ligj, në bazë të vendimit të gjyqit kompetent. Heqja e kundërligjshme e lirisë dënohet.

Neni 46 Personi, për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale, mund të vihet në paraburgim dhe të mbahet në paraburgim vetëm kur kjo është e domosdoshme për zbatimin e procedurës penale ose për sigurinë e njerëzve.Paraburgimi caktohet me vendim të gjyqit, e vetëm në raste të jashtëzakonshme, në kushtet e caktuara me ligj, me vendim të organit tjetër të autorizuar me ligj- më së shumti deri në tri ditë. Personit që është vënë në paraburgim duhet t'i dorëzohet vendimi me shkrim, i arsyetuar, në momentin e paraburgimit.Kundër këtij vendimi ky person ka të drejtë ankese mbi të cilën gjyqi vendos brenda afatit prej 48 orësh. Koha e paraburgimit duhet të reduktohet në masën më të vogël të domosdoshme. Paraburgimi sipas vendimit të shkallës së parë mund të zgjasë më së shumti tre muaj nga dita e vënies në paraburgim. Ky afat me vendim të Gjyqit Suprem mund të zgjatet edhe tre muaj. Në qoftë se deri në kalimin e këtyre afateve nuk ngritet padia, i pandehuri lirohet.

Neni 47 Qytetarëve u garantohet liria e qarkullimit dhe e banimit dhe e drejta që të largohen nga vendi dhe që të kthehen në të. Liria e qarkullimit dhe e banimit mund të kufizohen vetëm me ligj, nëse këtë e kërkon zhvillimi i procedurës penale,parandalimi i sëmundjeve ngjitëse ose interesat e mbrojtjes së vendit.

Neni 48 Dinjiteti i njeriut dhe jeta e tij private janë të pacenueshme.

Neni 49 Qytetarëve u garantohet liria e punës, zgjedhja e lirë e profesionit dhe e punës dhe e drejta, në kushtet e njejta, për çdo vend pune dhe funksion. Ndalohet puna me dhunë.

Neni 50 Punëtori ka të drejtë për kushtet e punës që i sigurojnë integritetin dhe sigurinë fizike dhe morale të tij.

Neni 51 Të zënët me punë, në mënyrën e përcaktuar me ligjin dhe kontratën kolektive, kanë të drejtë në kompensim adekuat për punë.

Neni 52 Të zënët me punë kanë të drejtë në grevë, në mënyrën e përcaktuar me ligj.

Neni 53 Në pajtim me ligjin, të zënët me punë kanë të drejtë në kohë të kufizuar të punës prej 42 orëve në javë, në pushim ditor dhe javor dhe në pushim vjetor me pagesë.

Neni 54 Qytetarët t cilët nuk janë plotësisht të aftë për punë u garantohet aftësimi për punë gjegjëse dhe krijohen kushtet për punësimin e tyre, në pajtim me ligjin. Në kushtet e përcaktuara me ligj, garantohet e drejta në sigurinë materiale gjatë kohës së papunësisë së përkohëshme.

Neni 55 Qytetari që i ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet ka të drejtë të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur. Në zgjedhje marin pjesë partitë politike, lëvizjet, lidhjet e shoqatat, të cilat formohen e veprojnë lirisht, si dhe grupet e qytetarëve. Ato duhet të respektojnë parimin e sovranitetit popullor e të demokracisë dhe t'u përmbahen kufinjëve të aktivitetit të përcaktuar me Kushtetutë dhe ligj.

Neni 56 Garantohet liria e bashkimit, e mbledhjes dhe e tubimit publik të qytetarëve, si dhe liria e organizimit dhe aktivitetit politik dhe sindikal, në mënyrën e përcaktuar me ligj. Të zënët me punë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe interesave të veta, mund të organizojnë aktivitete sindikale dhe të anëtarësohen në to sipas vullnetit. Ndalohet organizimi dhe aktiviteti politik i drejtuar në ndryshimin me dhunë të rregullimit të përcaktuar me Kushtetutë dhe cënimin e tërësisë teritoriale e të pavarësisë së Bashkësisë së Jugosllavisë e të Republikës, nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit nacional, racor e fetar. Mënyra e realizimit të lirisë së organizimit dhe të aktivitetit politik e sindikal rregullohet me ligj.

Neni 57 Fshehtësia e letrave dhe e mjeteve të tjera të komunikimit është e pacënueshme. Me ligj mund të përcaktohet që vetëm në bazë të vendimit të gjyqit mundë të bëhet përjashtim nga parimi i pacënueshmërisë së fshehtësisë së letrave dhe të mjeteve të tjera të komunikimit, po qe se kjo është e domosdoshme për zhvillimin e procedurës penale ose për sigurinë e vendit.

Neni 58 Garantohet mbrojtja e të dhënave personale. Mbledhja, përpunimi dhe shfrytëzimi i të dhënave personale regullohet me ligj.

Neni 59 Banesa është e paprekëshme. Me ligj mund të përcaktohet që personi zyrtar vetëm në bazë të vendimit të gjyqit mund të hyjë në banesë ose në lokalet e tjera kundër vullnetit të mbajtësit të tyre dhe në to të bëjë bastisje. Bastisja mund të bëhet vetëm në praninë e dy dëshmitarëve. Në kushtet e përcaktuara me ligj, personi zyrtar mund të hyjë në banesë ose në lokale pa vendimin e gjyqit dhe të bëjë bastisjen nëse kjo është e domosdoshme për të zënë drejtëpërsëdrejt kryesinë e veprës penale ose për të shpëtuar njerëzit dhe pasurinë.

Neni 60 Secili ka të drejtë për mbrojtjen e barabartë të të drejtave të veta në procedurë para gjyqit, organeve shtetërore dhe organeve e organizatave të tjera, që vendosin mbi të drejtat, obligimet dhe interesat e tij. Secilit i garantohet e drejta e ankesës, ose e mjetit tjetër juridik kundër vendimeve të gjyqit, të organeve shtetërore dhe të organeve e organizatave të tjera, me të cilat vendoset mbi të drejtën ose interesin e tij të bazuar në ligj.

Neni 61 Askush nuk mund të dënohet për vepër e cila, para se të kryhet, nuk ka qenë e parashikuar me ligj ose me dispozitë të bazuar në ligj si vepër e dënueshme, e as të shqiptohet dënimi që nuk ka qenë i paraparë për atë vepër. Veprat penale dhe sanksionet penale mund të caktohen vetëm me ligj. Sanksionet penale i shqyrton gjyqi kompetent sipas procedurës së përcaktuar me ligj. Askush nuk mund të konsiderohet fajtor për vepër penale për derisa kjo të mos vërtetohet me aktgjykim gjyqësor të formës së prerë.Personi që është dënuar pa arsye për vepër penale ose i cili pa bazë është privuar nga liria, ka të drejtë për rehabilitim dhe për shpërblimin e dëmit nga mjetet shtetërore, si dhe të drejtat e tjera të përcaktuara me ligj.

Neni 62 Secilit i garantohet e drejta për mbrojtje para gjyqit. Askush që nxirret para gjyqit ose organit tjetër kompetent për zhvillimin e procedurës, nuk mund të dënohet në qoftë se sipas ligjit nuk është marrë në pyetje ose nuk i është dhënë mundësi që të mbrohet. I pandehuri ka të drejtë të marrë mbrojtësin të cilit, në pajtim me ligjin, i bëhet e mundur mbrojtja dhe sigurimi i të drejtave dhe i interesave të të pandehurit. Me ligj përcaktohet se në cilat raste i pandehuri medoemos duhet të ketë mbrojtësin.

Neni 63 Qytetari, sipas kushteve të përcaktuar me ligj, ka të drejtë të kërkojë zhdëmtim nga shteti, për dëmin që i shkaktohet nga veprimet e paligjshme të organeve shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës, ose nga organizata që ushtron autorizime publike.

Neni 64 Garantohet rrespektimi i personalitetit të njeriut dhe i dinjitetit njerëzor në procedurën penale dhe në çdo procedurë tjetër, në rast heqjeje, rrespektivisht kufizimi të lirisë, si dhe gjatë kohës së ekzekutimit të dënimit. Garantohet pacënueshmëria e integritetit të personalitetit të njeriut, të jetës personale dhe familjare, si dhe të drejtat e tjera personale. Ndalohet dhe është i dëmshëm çdo detyrim për të pranuar dhe për t'u deklaruar. Ndaj askujt nuk mund të zbatohen mundime apo ndëshkime, rrespektivisht sjellje nënçmuese. Posaçërisht është e ndaluar që ndaj ndokujt, pa lejen e tij, të bëhen eksperimente medicinale ose eksperimente të tjera shkencore.

Neni 65 Është e drejtë e njeriut që të vendosë lirisht për lindjen e fëmijes.

Neni 66 Familja gëzon mbrojtje të posaçme ligjore. Nëna dhe fëmija gëzojnë mbrojtje të posaçme. Martesa dhe marrëdhëniet juridike në martesë e në familje rregullohen me ligj.

Neni 67 Është i obligueshëm shkollimi fillor që zgjat së paku tetë vjet. Qytetarët kanë të drejtë që, në kushte të barabarta të përcaktuara me ligj, të fitojnë dije dhe përgatitje profesionale në të gjitha shkallët e arsimit. Në shkollat që financohen nga të ardhurat publike shkollimi është pa pagesë.

Neni 68 Në shkollat fillore, të mesme, të larta e fakultete, respektivisht në paralelet e tyre sigurohen kushtet për mësimin në gjuhën amëtare, respektivisht në gjuhën shqipe, sërbokroate dhe turke, në pajtim me ligjin. Në rajonet ku jetojnë romët, varësisht nga kushtet, sigurohet mësimi fillor edhe në gjuhën rome.

Neni 69 Garantohet liria e krijimit dhe e publikimit shkencor, profesional dhe artistik si dhe e krijimeve të tjera kulturore.

Neni 70 Garantohet liria e mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit.

Neni 71 Garantohet liria e shtypit dhe e formave të tjera të informimit publik. Qytetarët kanë të drejtë që në mjetet e informimit publik të botojnë mendimet e veta. Qytetarët, organet shtetërore,partitë politike, lidhjet, lëvizjet, e qytetarve, në kushtet e caktuara me ligj, mund të botojnë shtypin dhe të përhapin informata me anë të mjeteve të tjera të informimit. Me ligj dënohet cenzura dhe çdo masë tjetër preventive që e cenon lirinë e shtypit dhe format e tjera të informimit publik.

Neni 72 Qytetari ka të drejtë të kritikojë publikisht punën e organit shtetëror, partisë politike, lidhjes, lëvizjes ose shoqatës së qytetarëve dhe të bartësve të autorizimeve publike si dhe që t'u paraqesë parashtresa, peticione, propozime e inisiativa dhe që për to të marrë përgjigje.

Neni 73 Shtetasi i Republikës së Kosovës në botën e jashtme gëzon mbrojtjen e Republikës së vet. Shtetasi i Republikës së Kosovës nuk mund të zhvishet nga shtetësia, të largohet nga vendi, e as të ekstradohet. Shtetasit të Republikës së Kosovës, i cili nuk gjendet në vend, e i cili disponon me shtetësi tjetër, mundet që vetëm përjashtimisht, në bazë të ligjit, t'i merret shtetësia, në qoftë se me punën e vetë u shkakton dëm interesave ndërkombëtare ose interesave të tjera të Republikës së Kosovës ose në qoftë se refuzon të kryej obligimet qytetare.

Neni 74 U garantohet e drejta e strehimit shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi,të cilët ndiqen për shkak të angazhimit të tyre për pikpamje dhe lëvizje demokratike, për çlirimin social dhe nacional, për lirinë dhe të drejtat e personalitetit të njeriut ose për lirinë e krijimit shkencor ose artistik.

Neni 75 Qytetarit i garantohet liria e shprehjes së përkatësisë kombëtare, liria e shprehjes së kulturës kombëtare dhe liria e përdorimit të gjuhës e të shkrimit të saj. Qytetari nuk është i detyruar të deklarohet se cilës përkatësi kombëtare i takon, as të përcaktohet që t'i takojë njërit nga kombet, respektivisht pakicës kombëtare. Eshtë kundërkushtetuese dhe dënohet çdo propagim ose zbatim i pabarazisë kombëtare, si dhe çdo mbjellje e urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racial ose fetar, mohimi i historisë, kulturës dhe i vlerave të tjera kombëtare.

Neni 76 Garantohet liria e ndërgjegjes, besimit fetar dhe e manifestimit të fesë. Bashkësitë fetare janë të ndara nga shteti dhe janë të lira në kryerjen e punëve fetare dhe të ceremonive fetare. Bashkësitë fetare mund të hapin shkolla fetare dhe ente bamirëse.

Neni 77 Mbrojtja e vendit është e drejtë e pacënueshme dhe e patjetërsueshme dhe obligim dhe nder i madh i çdo qytetari.

Neni 78 Është detyrë e secilit t'i jap ndihmë tjetrit në rrezik dhe të marrë pjesë në mënjanimin e rrezikut të përgjithshëm.

Neni 79 Liritë dhe të drejtat e garantuara me Kushtetutë nuk mund të merren e as të kufizohen. Liritë dhe të drejtat realizohen, ndërsa detyrimet përmbushen në bazë të Kushtetutës. Me ligj mund të caktohet vetëm mënyra e realizimit të disa lirive dhe të drejtave kur kjo është e përcaktuar me Kushtetutë ose kur kjo është e domosdoshme për realizimin e tyre. Sigurohet mbrojtja gjyqësore e lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë.