II. RENDI EKONOMIK DHE SOCIAL

Nga Wikibooks

Kushtetuta e Kaçanikut - pjesa e dytë

Neni 24 Organizimi i jetës ekonomike dhe sociale rregullohet në mënyrën që të gjithë qytetarëve t'u sigurojë standard të jetesës në pajtim me drejtësinë, të bazuar në punën e tërësishme, si burim i mirëqënies, dhe në pajtim me dinjitetin njerëzor. Eshtë detyrë e shtetit të nxitë dhe realizojë, në pajtim me parimet demokratike,zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor, me qëllim të ritjes së të ardhurave kombëtare dhe në këtë bazë edhe të mirëqenies ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve, por edhe të barazisë së tyre. Për këtë qëllim shteti merr përsipër të bëjë investime ku kërkon interesi shoqëror, veçmas në rajonet më pak të zhvilluara, si dhe të përgatisë planet e zhvillimit dhe ndërtimit harmonik të Republikës. Në këto kufinj dhe baza sigurohet ekonomizimi i lirë i tregut, liria ndërmarëse dhe e bashkimit,pavarësia dhe barazia e subjekteve ekonomike në treg, si dhe iniciativa e lirë private ekonomike, duke i mundësuar secilit që me punën e vetë t'ia siguroj vetvehtes ekzistencën adekuate.

Neni 25 Me ligj përcaktohet më hollësisht se veprimtaria ekonomike e lirë nuk mund të zhvillohet në kundërshtim me interesin shoqëror, ose në mënyrën që t'i shkaktojë dëme sigurisë, lirisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Me ligj përcaktohet mënyra sipas së cilës veprimtaria ekonomike publike dhe private drejtohet dhe koordinohet për qëllimet e shoqërisë. Në qarkullim ekonomik vlen parimi i marrëveshjes së lirë në pajtim me ligjin.

Neni 26 Garantohen të gjitha format e pronësisë. Të gjitha format e pronësisë janë të barabarta dhe gëzojnë mbrojtje të njejtë. Bartës të së drejtës së pronësisë janë personat fizik dhe juridik.

Neni 27 Me ligj mund të përcaktohet shfrytëzimi dhe regjimi i pronësisë në pajtim me interesin e përgjithshëm. Shpronësimi(eksproprijimi) lejohet vetëm për qëllime shoqërore të bazuara në ligj dhe vetëm në bazë të kompensimit që i përgjigjet vlerës së sendit në treg në ditën e shpalljes së aktit të shpronësimit. Shpronësimi lejohet vetëm në qoftë se qëllimet e përgjithëshme shoqërore nuk mund të arrihen në mënyrë tjetër. Kompensimin çdo herë e përcakton gjyqi civil.

Neni 28 Qytetarëve u garantohet e drejta e pronësisë në tokën bujqësore. Me ligj përcaktohen kushtet dhe kufijtë në bazë të të cilave mund të fitohet e drejta e pronësisë në pyje dhe në tokën pyjore.

Neni 29 Pasuritë e natyrës dhe të mirat në përdorim të përgjithshëm, si dhe të mirat me interes të përgjithshëm, janë në pronësi shoqërore ose shtetërore. Me ligj mund të përcaktohen kushtet e fitimit të të drejtës së shfrytëzimit në pasuritë e natyrës dhe në të mirat në përdorim të përgjithshëm.

Neni 30 Mbrojtja e tokës, e pasurive të natyrës, e ujrave dhe e ajrit nga prishja dhe ndotja, është detyrë e shtetit, e organizatave ekonomike e shoqërore dhe e të gjithë qytetarëve.

Neni 31 Personi i huaj mund të fitojë të drejtën e pronësisë nën kushtet e përcaktuara me ligj. Personit të huaj i garantohet e drejta që të veprojë e të organizojë veprimtari të pavarrur, ose të investojë në ndërmarjet e vendit ose të formojë ndërmarje të përzier në kushtet e përcaktuara me ligj.

Neni 32 Me ligj rregullohet mbrojtja dhe zhvillimi i zejes.

Neni 33 Të gjitha pasuritë kulturore dhe historike, pa marrë parasysh në pronësinë e kujt janë, paraqesin pasuri të popullit.Ato janë nën mbrojtjen e shtetit dhe me ligj përcaktohen masat e ruajtjes së tyre.

Neni 34 Garantohet mbrojtja e punës intelektuale, e drejta e autorit, e shpikjes dhe e risimeve si dhe e artit e letërsisë. Shkenca dhe kërkimet shkencore, si dhe zbatimi i njohurive të tyre,janë bazë qenësore e shoqërisë, të cilat shteti dhe shoqëria detyrohet t'i ndihmojë gjithanshëm.

Neni 35 E drejta e trashigimisë garantohet dhe regullohet me ligj.

Neni 36 Qytetarët kanë të drejta në sigurim, pensionim dhe ndihmë në rast të paaftësisë për punë për shkak të sëmundjes, fatkeqësisë, amësisë, invaliditetit, moshës ose vdekjes, në rastin e ngritjes së fëmijës si dhe për ndihmat për rastet e përcaktuara me ligj. Shteti u siguron qytetarëve shërbimin e nevojshëm mjeksor në qendrat shëndetsore në Republikë.

Neni 37 Çdo fëmije, sipas pozitës së tij të mitur, pa dallim race, gjinie, gjuhe, besimi, të prejardhjes nacionale ose sociale, të pasurisë ose lindjes, ka të drejta në masat mbrojtëse nga ana e familjes, e shoqërisë dhe e shtetit.

Neni 38 Personat e mitur,personat e paaftë për punë dhe të moshuarit, që nuk kanë të afërm, ose që kanë ngelur pa kujdesin e të afërmve të vetë, gjenden në mbrojtje të veçantë të shtetit.

Neni 39 Çdo qytetar ka të drejtë në vendosje adekuate banimi.Me ligj përcaktohet vendosja higjenike dhe ekonomike me anë të masave të drejtuara në lehtësimin e shfrytëzimit e të fitimit të pronësisë dhe të nxitjes së investimit të kapitalit privat për këtë qëllim.

Neni 40 Mjetet për realizimin e të drejtave të qytetarëve të garantuara me Kushtetutë dhe ligj nga lëmi i shëndetësisë, i mbrojtjes sociale dhe të fëmijve dhe të formave të tjera të sigurimit social, të arsimit, të shkencës, të kulturës, të kulturës fizike, si dhe në lëmitë e tjera të përcaktuara me ligj, sigurohen me bugjet. Mjetet për realizimin e të drejtave të të zënëve me punë në bazë të sigurimit të detyrueshëm social ( shëndetsor, pensional, invalidor e të tjerë), i sigurojnë të zënët me punë dhe punëdhënësit në pajtim me ligjin.

Neni 41 Me ligj mundë të përcaktohen veprimtaritë që kanë vetitë e shërbimeve publike dhe përcaktohet mënyra e ushtrimit të tyre.