Jump to content

Hyu “Lumi i Vjosës”

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Në koleksionin e hyjnive ka emra të ndryshëm sipas organizimeve dhe funksioneve të kulteve.

Shumësia mitologjike e kulteve në kohërat e hershme ka pasur karakter të shpirtëzimit të forcave natyrore, të formave gjeometrike të shprehjes së kulteve, të dendomorfizmit (të hyjnive në formë drurësh dhe lulesh) si dhe të zoomorfizmit (të hyjnive në formë kafshësh dhe shpendësh), dhe në fund fare të antropomorfizmit (të hyjnive në formë njerëzore).

Kultet në formën e hyjnive të paemërtuara dokumentohen që në periudhën prehistorike të paleolitit të vonë.


Në neolit kultet formësohen dhe përgjithësisht në epokën shumë të gjatë të matriarkatit të tëra kultet qendërzohen tek figura nudo e Nënës së Madhe, simbol i pjellorisë dhe fuqisë mbijetuese të jetës.

Shumë aspekte konstruktuese të kulteve të matriarkatit lidhen me botën seksuale dhe përgjithësisht me atributin femëror të ngjizjes dhe të riprodhimit.

Nuk mungojnë dhe kultet me simbole të qarta të organeve mashkullore por gjithmonë në funksion të kryefigurës së matriarkatit si dhe të vulvës, organit seksual femëror.

Kultet e matriarkatit kanë mbijetuar tepër gjatë dhe kanë rezistuar ndoshta deri në ditët e sotme.

Në matriarkat shpirtëzohen edhe dukuritë e natyrës. Qielli, deti, toka, vetëtima, drurët, lumenjtë etj., marrin atribute dhe përmasa shpirtëzuese dhe kuptime kultizuese gjithmonë bazuar tek ideja e pllenimit, e shumëfishimit, e ripërtëritjes, e ringjalljes.

Kështu kalojmë tek ravijëzimi i hyjnive që lidhen me dukuritë natyrore, madje tek një hy shumë i spikatur i universit mitologjik ilir që është hyu Redon, hyu i detrave dhe i ujërave apo hyu Medaur që është hyu i luftës dhe i shtetit ilir.


Në Muzeun Historik Kombëtar ekziston dhe një skulpturë që paraqet një hy tepër të veçantë dhe të habitshëm.

Figura skulpturore tregon një plak të fuqishëm, i cili është i shtrirë dhe i mbështetur në krahun e djathtë.

Ai ka fytyrë madhështore, ka mjekër dhe flokë të gjata, që i varen mbi supe.

Ky plak është i shtrirë sikur rri mbi një triklinë, një lloj karrigeje romake gjatë një gostie.

Gjoksi dhe barku i tij janë të zbuluar, kurse zgjatja e gjymtyrëve të këmbëve ka formën e një valëzimi, ku skulptori nuk ka qartësuar detajet anatomike.

Kjo skulpturë e këtij plaku madhështor është identifikuar si personifikimi kultik i lumit të Vjosës. Skulptura është në mermer të bardhë me lartësi 49 cm dhe gjerësi 70 cm dhe është gjetur në qytetin e lashtë të Apolonisë.

Skulptura i përket si kohë shekullit III para Krishtit, pra është gati 24 shekuj e vjetër.

Identifikimin e hyut “Lumi i Vjosës” arkeologët kanë mundur ta bëjnë duke u mbështetur në disa elementë tepër të posaçëm me karakter historik, numizmatik dhe mitologjik.

Së pari, duhet thënë se zbuluesi i kësaj skulpture, dekani i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka gjithashtu ka gjetur edhe një monedhë argjendi të qytetit të Apollonisë, që tregon rafigurimin e këtij hyu në formën e një plaku leshralëshuar dhe të shtrirë por me një detaj kompozicional me rëndësi.

Hyu qëndron i shtrirë pranë një urne nga del ravijëzimi i ujërave.

Urna është një vazo katërkëndëshe ku në lashtësi vendosej hiri i të vdekurve.

Pse pikërisht nga urna dalin ujërat?

Metafora është mëse e qartë: ujërat përfaqësojnë jetën dhe vdekja nuk mund të shterpëzojë apo të pluhurizojë ujërat.

Në këtë rafigurim në miniaturë tepër të zvogëluar kemi një ikonografi skenike të çuditshme dhe sipas një mendësie mitologjike lokale.

Skena e hyut lumor Vjosa si një plak i shtrirë ndodhet në të vërtetë në një monedhë të Apolonisë, që është përdorur në vitet 198-211 pas Krishtit dhe që në njërën anë ka bustin e perandorit romak Geta, kurse në anën tjetër lumin Aous (Vjosën) të shtrirë mbi urnën nga derdhet uji.

Ka shumë rëndësi, që urna nga ku del uji të ketë qenë një atribut dhe një element i vetë skulpturës së hyut lumor.

Në monedhë janë ravijëzuar dhe kallama, një timon i rrumbullakët si dhe tri silueta burrash nga e djathta, që tërheqin një trung të madh druri të degëzuar.

Këto të dhëna figurative gati përsëriten në mënyrë identike edhe tek një tjetër monedhë romake e Septim Severit në vitet 193-221 pas Krishtit.

Ç’kuptim ka paraqitja e tre burrave që tërheqin një trung peme të degëzuar mbi lumë?

Mos ky ka qenë një ritual dhe ceremoni e festimit të kultit të hyut Vjosa në Apoloni?

D.m.th. në një ditë të caktuar, të kalendarit pranveror është bërë rituali që për nder të hyut Vjosa tre burra tërheqin mbi ujëra të lumit trungun e një lisi të shenjtë të degëzuar?

Mos kemi tek ky dru jehonën e kultit të lisit të shenjtë të Dodonës?

Mos kemi të ruajtur në miniaturën e monedhave ritualin tashmë të zhdukur përgjithmonë për nder të hyut lumor Vjosa?

Nga datimi i monedhave del qartë se kulti i zyrtarizuar në Apoloni i hyut Vjosa ka qenë shumë i fortë në shekullin II dhe II pas Krishtit.

Pse vallë ky hy ilir dhe lokal është kaq i fuqishëm në këto dy shekuj?


Këto janë shekujt e ilirizimit të plotë dhe të një rilindjeje ilire të Apolonisë. Raporti i ilirëve me grekërit në këtë rast përmbyset në favor të ilirëve.

Kjo duket përgjithësisht edhe në relievin mbivarror dhe në skulpturën e Apolonisë dhe të Dyrrahut, që paraqesin hyjni lokale kryesisht të panteonit ilir deri dhe në lartësimin e figurave mitologjike deri diku të harruara si hyu i detrave Redon dhe hyu i luftërave Medaur.

Në të vërtetë kulti i hyut lumor Vjosa në skulpturën që ndodhet në Muzeun Historik kombëtar i takon shek. III para Krishtit.


Paraqitja e këtij hyu ikonografikisht në monedha bëhet mbas 5-6 shekujsh.

Kjo kronologji e mbijetesës së kultit të lumit Vjosa është tepër e qartë dhe e padiskutueshme.

Po le të kthehemi te skulptura e hyut.

Kjo skulpturë e fragmentuar tregon me sa duket ikonografinë zyrtare të hyut të një tempulli të caktuar në Apoloni.

Për mendimin tim kjo skulpturë duhet të ketë qenë vendosur në Nymfeumin e Apolonisë.


Paraqitja e hyut Vjosa është një arketip i njohur skulpturor i epokës helenistike.

Unë mund të them saktësisht se skulptori i Apolonisë që ka rafiguruar hyun Vjosa ka patur parasysh dhe ka imituar hyun e lumit Nil të Egjiptit.

Për fat të mirë ekziston skulptura e hyut Nil e gjetur në Aleksandri.

Edhe hyu Nil është paraqitur si një plak i shtrirë me fytyrë madhështore me flokë dhe mjekër të lëshuar si ujëvarë.

Në trupin e hyut Nil ka figura më të vogla antropomorfe, atribute gjithashtu lokale të legjendave heleno-egjiptiane.

Skulptura helenistike ka patur një koleksion të tërë të hyjnive në formë antropomorfe.

Përgjithësisht lumenjtë fillimisht kanë qenë të rafiguruar në matriarkat në formën e femrave.

Më pas patriarkalizohet rafigurimi i skulpturave dhe zotëron pamja antropomorfe e burrave.

Rafigurimi mashkullor i lumenjve, dokumentohet kudo.


Madje në një mozaik të shek. VI pas Krishtit të gjetur në qytetin ilir të Ohrit, janë dhe katër rafigurime me fytyra burrash të 4 lumenjve të famshëm biblikë.

Fjala vjen lumi biblik Gion është në formën e një burri të fuqishëm kurse mbishkrimi Gion është në esencë emri i lashtë iliro-shqiptar Gjon.

Skulptura e Apolonisë së hyut Vjosa është e mashkullorizuar ndonëse emri Vjosa, ose më i lashti emri i lumit Aous, mund të ketë qenë i gjinisë femërore.

Përgjithësisht, në fillim emrat e lumenjve i janë përshtatur femërorizimit të matriarkatit.

Kështu vetë emri i hyut Akil të eposit të Homerit sipas filologëve vjen nga fjala aqua, akua, që tregon ujë, sepse dihet që paprekshmëria e Akilit në çdo pjesë të trupit qe nga lagia me ujrat e shenjta, që i bëri e ëma Thetis, përveç thembrave që ishin të vdekshme.

Kulti i hyut lumë për mendimin tim, duke u bazuar mbi disa studime të Hamondit e ka origjinën nga Epiri ilir. Vetëm në Epirin ilir është kulti i lumit Akeront, që çon në Ferr.

Kulti i ujërave është tepër i fuqishëm në mjedisin ilir. Në Labëri është toponimi Mesaplik, që të kujton fisin ilir të Mesapëve, që shtegtuan në epokën e hekurit në Italinë e Jugut.

Akoma dhe sot ekziston pranë Sarandës kisha e lashtë e Mesopotamit.

Fjala Mesopotam do të thotë mes ujërave, që lidhet me fjalën e Mesapëve (mes akua, ujë) dhe pa harruar fjalën potamos, që greqisht do të thotë lumë. Për të thënë diçka më të plotë për kultin e hyut Vjosa, dua këtu të përmend një dëshmi të çuditshme dhe unikale të Valer Maksimit.

Ky shkrimtar romak ka jetuar në kohën e perandorit Tiber-it, në shekullin I pas Krishtit.

Valer Maksimi ka botuar një libër për ngjarjet e thëniet e shënuara në histori si dhe për fallet.

Valer Maksimi flet për një luftë që bënë banorët e Apolonisë dhe në këtë luftë ata i kërkuan ndihmë popullit të Epidamnit. “Por epidamnasit ju përgjigjën se nuk kishin se çfarë t’i dërgonin për ndihmë (“përveç lumit Aos (Vjosa e sotme) që rridhte pranë mureve të Apolonisë”.

“Ne pranojmë ç’të na jepni” u përgjigjën banorët e Apolonisë dhe lumit Aos i caktuan radhën e parë në ushtri, madje e shpallën komandant të tyre.

Megjithëse nuk kishin shpresë banorë te Apolonisë i mundën armiqtë e tyre duke ja veshur këtë triumf besimit të këtij falli, ata i bënë fli lumit Aos si t’i bënin fli një Hyu dhe pas kësaj vendosën ta vënë në krye të ushtrisë së Apolonisë në të gjitha betejat”).

Ky pasazh i Valer Maksimit shpjegon pse është ringjallur kulti i hyut Vjosa në monedhat e shekujve II dhe III pas Krishtit.

Skulptura në Muzeun Historik Kombëtar shpreh në mënyrë konkrete dhe materiale vizionin e hyut ilir Vjosa ,deri në ditët tona.

Për çdo mitolog shqiptar dhe të huaj që do të botojë diçka për kultet dhe mitologjinë ilire skulptura e hyut Vjosa është një mrekulli e fiksuar në mermer.


14 Korrik 2018