Homazh për shtatë dëshmorët e Ngurrëzës

Nga Wikibooks

Xhevdet Shehu

Shpesh herë jamë mëdyshur nëse ka ende gjëra të pathëna për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare edhe pasi kanë kaluar tre çerek shekulli. Mirëpo, ngacmimet e herëpashershme dhe sidomos balta e hedhur mbi atë luftë dhe mbi dëshmorët e asaj lufte, sidomos nga pinjollët e ish-kolaboracionistëve me pushtuesit fashistë, na ka detyruar t’i rikthehemi asaj teme dhe të sjellim fakte dhe dëshmi të reja. Gjithsesi më ka munduar pengu përtë shkruar për një rast të veçantë: janë shjtatë dëshmorë të një familjeje të shquar nga Ngurrëza e Lushnjës. Sot katër prej tyre kanë 75 vjetorin e rënies. Le të jetë ky shkrim një homazh për ta, si një buqetë me lule mbi varret e tyre…


Plot 75-vjet më parë, me 6 nëntor 1943, gjermano-ballistët vranë në fshatin Ngurrëz e Madhe të Lushnjes, katër nga shtatë dëshmorët e Familjes Kurti, rënë në luftë për çlirimin e vendit dhe mbrojtjen e atdheut.

Në këtë përvjetor të vrasjes së tyre, tek kalojmë nëpër duar disa dekumenta mbi origjinën e hershme dhe kontributin e vyer të Familjes Kurti në historinë e vendit e cila kulmoi veçanërisht gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, është rasti të sjellim në vëmendje të lexuesëve një rrëfim të inçizuar e ta pa njohur të nënë Hajries (bashkëshorte e Xhaferr Kurt Ngurrëzës), e cila si dëshmitare e qëndresës së të rënëve ofron detaje të rëndësishme mbi historinë e familjes, lidhjeve fisnore, krushqive e miqësive të vjetra me të tjera familje të kamura e në zë të vendit si dhe të personazheve që lëviznin rreth saj, sikurse përfshirjen në veprimtari patriotike thuajse të gjithë pjesëtarëve duke e shndërruar Familjen Kurti në një nga bazat e rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare në krahinë. Për rolin e nënë Hajries brenda shtëpisë nga njëra anë dhe pozicioni me rëndësi në kuptim të origjinës së Familjes Kurti, lidhjeve dhe veprimtarisë të saj me ndikim në Myzeqe, nga ana tjetër; panorama që “nënë Ija” na ofron, na shtyn ta bëjmë atë publike jo vetëm si pjesë të veçantë të këtij shkrimi homazh ndaj dëshmorëve, pjesëmarrësve dhe bazave të luftës, por edhe si një detyrim ndaj kujtimit të saj; pasi rrëfimi i nënë Hajries për nga origjinaliteti, realizmi dhe emocioni që na trasmeton, i kapërcen kufijtë e një historie familjare duke ndihmuar në njohjen e disa të vërtetave të heshtura që, në një tjetër kuptim, shpjegon përse e nderojmë e nuk mund ta harrojmë Luftën Antifashite Nacional Çlirimtare dhe të rënët për atdhe.


Katër rrepet e mëdhenj në sheshin e fshatit, secili prej tyre kishte një diametër prej më se tre metrash, deri pak vite para ’90-s qëndronin krenarë jo vetëm si dëshmtarë shekullorë të dorës që i mbolli, por edhe të rrënjëve të atdhetarizmit të familjes së dëgjuar Kurti në Ngurrëz të Madhe. Sipas viteve dhe kohës kjo familje përmes krushqisë krijoi lidhje fisnore me Vrionasit, Fugët, Allajbejt e Peshtanit dhe Vokopolët e Beratit, Koprencallijt e Skraparit, Haznedarët (Hasantarët) e Gramshit të Tomorricës, Velmishtët, Xhindalet, Karaosmanët e Elbasanit (nga u lidhë me patriotin Aqif Pasha), Pobratët e Beratit dhe Çarçanët e Përmetit, etj; me të cilët hera-herës ndoqi të njëjtën rrugë sikurse në periudha të caktuara, në segmete të tyre nuk munguan kontradiktat.

U zgjatëm qëllimsht me origjinën e Familjes Kurti, duke përmendur pashallëkun dhe bejlerllëkun e dikurshme të saj, pasurinë e lidhjet fisnore dhe krushqit e vjetëra me të tjera familje në zë e të kamura të vendit; jo për të evidencuar “gjakun blu” të pjestarëve, e për më tej të pasadhësve; por, veç për të thënë se pjesëmarrja e gjerë e antarëve të Familjes Kurti në Luftën Antifashiste ndërsa flet për mbështetjen e fuqishme që edhe kjo shtresë e këto familje i dhanë Luftës Nacionalçlirimtare, tregonë dhe jo vetëm në rastin e saj gjithë kjo u shoqërua me kundërvënie të ashpër nga pushtuesi nazifashistë sikundër u paraqit ndaj tyre me të njejtën egërsi pala e të ashtuquajturve nacionalistë që u bashkangjit Ballit dhe bashkëpunoi me okupatorin.


Familja Kurti e ruajti me nder tabanin e të parëve të vetë dhe e priti me urrejtje pushtimin fashist të vendit pavarësisht sakrificave deri ato sublime që iu imponuan. Xhaferri, Ramizi, Feriti, Isaku, Saliu, Muhameti, Nuriu e Xhaviti, mbështetën luftën çlirimtare siç vepruan e bënë të rinjtë e saj duke shpalosur hapur ndjenjat e tyre atdhetare teksa morën krahun e Lëvizjes Antifashiste. Xhaferr dhe Ramiz Ngurrëza ishin miq të Sheh Karbunarës, Xhevdet Nepravishtës, Rrahman Ruçit, Spiro Mojsiut, Llazi Bozos, Halim Xhekës, Papa Ilia Zegalit dhe të mjaft patriotëve të tjerë që luajtën rol të rëndësishëm në organizimin dhe zgjerimin e Luftës Antifashiste në qark. Xhaferr Ngurrëza ishte ndër antarët e parë të Këshillit antifashist nacional-çlirimtar të Krutjes të krijuar më 1942. Kurse Ramizi, për meritat e tij u zgjodh anëtar e nënkryetar i Këshillit Nacional Çlirimtar të qarkut qysh në fillim të vitit 1943.

Familja Kurti ishte nga bazat kryesore të luftës antifashiste në Myzeqe, e cila vuri në dispozicion të saj gjithçka: njerëzit, pasurinë dhe ekonominë. Qysh prej fillimit të vitit 1942 e deri në ditën e çlirimit, aty janë strehuar kuadro të rëndësishëm të lëvizjes dhe luftës çlirimtare si Gjin Marku, Kareman Ylli, Spiro Moisiu, Zylyftar Veleshnja, Mane Nishova, Spiro Bakalli, Xhoxhi Robo, Irakli Bozo, Njazi Çepani etj.

Katërmbëdhjetë pjestarë të saj u radhitën në formacionet partizane, shtatë prej të cilëve dhanë jetën për lirinë e atdheut. Asnjëri prej tyre nuk ishte komunist, por vlerësonin rolin udhëheqës të PKSH në luftë. Ndikim pozitiv sidomos te të rinjtë e kësaj familjeje luajtën nipërit e Xhaferr dhe Ramiz Kurtit, Myqerem Fuga dhe Neim Kuçi. I pari, ndër organizatorët dhe drejtuesit e luftës në Berat e në gjithë qarkun e tij; ndërsa i dyti pjesëmarrës aktiv në luftë një nga komandantët e njësiteve të para partizane në Myzeqe. Sikurse influencuan mbi ta mes marrëdhënive shoqërore, politike dhe personale, Spiro Bakalli, Skënder Libohova, Hasan Gina, Xhorxhi Robo, Feridun Xhindole, Miti Bozo e të tjerë veç marrdhënieve të hershme (qysh më 1935), që Xhaferr dhe Ramiz Kurti kishin me nacionalistin Shyqyri Peza (dëshmor i atdheut), miqësi e cila natyrshëm i çoi ata drejtë simpatisë e lidhjeve politike edhe me antifashistin e njohur Myslim Peza.


Për mardhëniet e ndërsjellta mes familjeve të mëdha, shpesh të lidhur me njëra-tjetrën në miqësi e kryshqi por të pozicionuara në kahje të kundërta gjatë luftës, ndikimet e rrethanave komplekse mes tyre përbënin arsye që pjesëmarrja në luftën antifashiste e Familjes Kurti ndërsa kishte rëndësi për luftën çlirimtare në krahinë dhe të ardhmen e pjesëtarëve të saj; përsëri ajo nuk ishte e lehtë dhe as pa kontradita. Okupatori tentoi të realizonte mbi të punën e tij, kur tradhëtarët e të shiturit, bashkëpuntorë të armikut, fatkeqësisht edhe nga radhët e të afërve të saj, nuk munguan. Për të shpjeguar diçka më hollë këtë, pra gjetjen e rrugës së duhur për angazhimin e të gjitha forcave në luftë, ofrojmë për lexuesit veçanërisht brezin e ri një shembull: Propoganda fashiste e mbështetur dhe nga disa të ashtuquajtur nacionalistë, sillte vështërsi të përkohëshme siç do të ishte edhe ajo e formimit të Bataljonit të Myzeqesë. Myftar Xhindole i lidhur në miqësi e krushqi me Familjen Kurti, kishte braktisur detyrën e oficerit dhe si pjesëtar i një familje atdhetare e me influencë ishte i gatshëm të luftonte për çlirimin e atdheut. Për këtë arsye, shtabi i qarkut kishte vendosur që ai të caktohej komandant i bataljonit që do të krijohej. Mirëpo Myftari, sikurse një pjesë e luftëtarëve që prisnin të inkuadroheshin në bataljon ishin kundër mbajtjes së yllit partizan, ndërkohë që pjesa tjetër ishte dakord. Drejtuesve të qarkut iu desh një punë e madhe bindëse e sqaruese që, edhe lufta të rritej, por dhe bataljoni të krijohej. Ndikim të veçantë mbi Myftar Xhindolen pati influenca e Xhaferr dhe Ramiz Kurtit, të cilët, “vënien a mos vënien e yllit”, nuk e trajtuan si pengesë për të luftuar. Për garanci ndërmjet palëve ata lanë në besë pranë Myftarit dy vëllezërit e tyre, Nuri dhe Xhavit Kurti, të cilët pak më vonë do të binin në luftë, dëshmorë të atdheut.

Kështu u kapërcye kjo pengesë, për t’u krijuar në Ngurrëz të Madhe, Bataljoni i Myzeqesë me rreth 200 luftëtar që u ndesh dhëmbë për dhëmbë me armikun, e pa kaluar një muaj nga kjo kohë, Myftar Xhindole dhe i gjithë bataljoni vunë yllin partizanë dhe luftuan me trimëri.


Gati të gjithë pjesëtarët e familjes Kurti-Ngurrëza, i vunë gjoksin luftës. Në nëntor të vitit 1943, pas disa përpjekjeve me forcat gjermane dhe bashkëpuntorët e tyre ballistë, ku nuk munguan edhe pjestarë të familjeve në lidhje miqësore e fisnore me Kurtajt, Ngurrëza e Madhe rrethohet natën, pak orë mbasi një pjesë e bataljonit partizanë që kishte buajtur aty ishte larguar për në Kadipashaj dhe Imshtë. Forcat gjermane, duke pasur si pararojë ballistët rrethuan në fshehtësi shtëpinë e Xhaferr, Ramiz, Muhamet, Ferit e Servet Kurti dhe kapën në befasi Ramizin me tre nipërit e tij: Hajdarin e Adilin, pjesëtar të organizatës së rinisë antifashiste dhe, Samedinin, drejtuesin e saj në fshat, pas përjashtimit nga Normaleja e Elbasanit për pjesëmarrje në veprimtari revolucionare.

Të gjithë i çuan në sheshin e fshatit, tek rrepet shekullorë. U kërkuan të tërhiqeshin nga rruga e nisur, por kur nuk ia arritën qëllimit nisën vrasjet. Gjermano-ballistët ekzekutuan Ramizin; dy djemtë e Xhaferrit, Samedinin dhe Hajdarin; sikurse nipin, Adilin. Vranë Thimi Bushin, bashkëfshatar e moshatar i tyre.

Në familjen Kurti në Ngurrëz të Madhe, gjëmë e madhe! Katër të rënë në një ditë. Ishin gratë e kësaj shtëpie, trimëreshat e njohura nënë Hajria (Ija) e nënë Myneverja (Velja), ato që i ngritën dhe i varrosën burrat e djemtë e tyre, për t’i lënë radhën Ballit Kombëtar të ankohej sikurse pretendojnë edhe sot se janë përgjakur nga lufta civile!

Familja e Xhaferr, Ramiz dhe Safet Kurtit s’u përkulë. Për trimërin e saj flitej gjerazi, por në ditët dhe vitet që do të vinin ajo do të sakrifikonte edhe më shumë. Në radhët e Grupit të Myzeqesë luftonin bijtë e tjerë të familjes Kurti pa marë parasysh dimrin e egër të vitit 1943-1944, apo dëborën e maleve të Skraparit e të Ostrovicës, ku do të shquhej Muhamet Kurti i cili në ditët e para të janarit 1944, në Qafë të Çemerricës së Oparit, bashkë me gjashtë trima të tjerë myzeqarë ra duke luftuar në fushën e nderit. Por ndërsa Meti u vra në Operacionin e dimrit, Nuri Kurti, vëllai tjetër i Xhaferrit dhe Ramizit, që ishte plagosur rëndë më parë në betejën e Tendës së Qypit, do të binte në Mollas të Sulovës në Operacionin e qershorit, duke çarë rrethimin gjermano-ballistë, ku ranë trimërishtë dhe Xhevdet Nepravishta, antar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtar, Feridun Xhindole, zvendës komisar i bataljonit dhe Hasan Radëshi, partizani trim nga Skrapari.

Vrasja e Nuriut, dëshmorit të gjashtë të Familjes Kurti e cila po e lante me gjak truallin shqiptar, nuk i ligështoi antarët e saj. Por lufta dhe të rënët nga Kurtët e Ngurrëzës së Madhe të Lushnjes nuk kishin mbaruar ende. Me të njejtën trimëri e patriotizëm ata do të vazhdonin të mbronin fitoren e çlirimit të vendit që u arrit më shumë mund e sakrifica më 29 nëtorë 1944.

Pak vite mbas saj, më 1951 Familja Kurti do të përballonte një tjetër dhimbje të rëndë. Në kacafytje me thikat dhe plumbat e atij grupi që gjatë pushtimit nazifashist bashkëpunoi me okupatorin dhe mbas çlirimit humbi pushtetin, kriminelët vranë natën me dredhi, kryetarin e këshillit të fshatit Ngurrëz e Madhe, Xhavit Kurtin, dëshmorin e shtatë të familjes, vëllain tjetër të Xhaferrit. Kur plakut të Kurtajve me histori, thuajse i vetmi i mbetur gjallë pas rënieve një pas një të djemëve dhe vëllezërve të tij i dhanë gjëmën, Xhaferr Kurt Ngurrëza tanimë i rrahur me ngjarje të rënda, tek iu përgjegj të keqes së madhe siç ia donte zakoni gjeti forcë e folie: “Valon Flamuri!”

Mbas gjithë kësaj epopeje mbushur me heroizëm, sa rrojtën dajë Xhafo dhe nënë Hajria jetuan pranë vajzës, fëmijës së mbetur, duke iu bërë Frasetit mbështetje në kohë të vështira të jetës rrjedhoje e jetës së rëndë të punës së bashkëshortit, Heroit të Popullit Hekuran Pobrati; një tjetër luftë kjo në mbrojtje të atdheut përsëri, pas betejave të tij në luftën çlirimtare, ku Familja Kurti e Ngurrëzës së Madhe kontribuoi dhe sakrifikoi veçanërisht.


“ATË NATË AS KAPONJTË NUK KËNDUAN!”

(Pjesë e shkëputur nga një rrëfim i inçizuar dhe i pa botuar i nënë Hajries, ku flitet për vrasjen më 6 nëntor 1943, të Ramizit, Samedinit, Hajdarit dhe Adilit, katër nga shtatë dëshmorët e Familjes Kurti, mes të cilëve dy djemtë e saj).

…Atë ditë me ditëzinjtë ka qenë edhe një djalë pe fshati, që e thirrënim Kici*. E kishte lënë e jëma të vogël, jetim. I jati e pruri tek ne dhe ai u rrit me të mit. Kici kish tre ditë që kishte ikur nga ata të ballit, kaloi me këta…

Partizanët erdhën në shtëpinë tonë pas një lufte bërë në Kolonjë. Në të ngrysur, u hodhën në Kadipashaj** dhe Imshtë**.Të nesërmen në mëngjes, shtëpia u gjend e rrethuar. Njerëzit ishin të lodhur se tërë natën fshehën municionin.

-Pa municion, më mirë vdesim, thonin.

Prandaj u bë e madhja, erdhi balli e gjermani…

Ramizi mblodhi djemtë. -S’kemi kohë të ikim, u tha. Ai i vogëli, unë korba dhe Kici, sa s’plasën!…


Gjermani hyri në shtëpi nga të dyja dyert.

Partizanë, partizanë, ulërinin.

Samedinit i vunë koburet tek koka. Një këtej, një andej. Kushedi qysh u bëç! Ai me shikoi në sy e më tha:

-Mos u tremb. E kemi vendosur: për atdhe do lëmë kokën!

I shkreti Ramiz, psherëtiu:

-Ah moj Ije ç’të bëra?!

-Hiç gjë, i thashë.

Për t’i dhënë atij gajret, por më shumë vetes.

I morën…

Atje tek kollopriftet, donin t’i ngarkonin me ca arka! S’i zunë me dorë.

-Nuk mbajmë arkat tuaja, folën të pestë.

-Nuk na trembëni, u tha Ramizi.

Urdhëruan atë të voglin, Hajdarin.

Ai m’u kthye mua:

-Mos u ligështo!

-Jo, i thashë, është e fortë nëna.

I çuan tek rrepet, ku sot është shkolla.

Dëgjova Ramizin tek bërtiti:

-S’u trëmbemi plumbave tuaj! Ne mbrojmë atdheun tonë!

Grykëshkurturët qëlluan…

Kur u qasësh te ai rrapi i madh, pashë Samedinin që e kishte marë plumbi në gjoks dhe i kishte dalë në shpatull. Nuk kishte vdekur. Lëvizi pak. Preku me dorë Ramizin…

Një nga pyzevenkët e pa. U kthye dhe i ra me kobure, këtu në ballë. E kam shenjën në jorgan dhe sot, se i rrodhi gjaku tërë natën…

Ramizi kishte vdekur se e kish marë plumbi në zemër. Të gjithë e kishin trupin të nxehtë. Samedinit ia ngrita këmbët se i kishin rënë në kanal. Sa nuk kundonte, unë korba! …

Ditëziu i vogël, kur e qëlluan u hedh me vrap në një kopshtije. Atje, tek ato selvit. Por ishte rrethuar edhe shtëpia e Feritit.*** Po të ishte hedhur nga shtëpia e Safetit,*** ndofta do kishte shpëtuar…

Si larguan grykëshkurtuarët, erdhi i jati Adilit.

-Ç’a do bëjmë njëmë o Ije? Do t’i ngrem t’i çojm në shtëpi! Erdhën tre-katër burra, një e nga një. Prunë qerren dhe avash-avash i vumë në të. Samedinit unë korba, i rrinin këmbët jashtë se ishte i gjatë…

Po vinte ora dy, e mbas dites. Kur vajtëm në shtëpi, pesë a gjashtë burra dhe gra, i ngjitëm lartë një e nga një. Të shkrtetin Ramiz mezi e ngjitëm, se ishte trup i rëndë.

-Është dëgjuar, tha dikush, se do të kthej gjermani përsëri!

-Të kthej, u përgjegja. Të ikin kalamajt, thashë. Larguam grat dhe fëmijët. Mund të ktheheshin pyzevenët dhe të bënin maskarallëqe.

-Që të them de: tërë natën nëna jote kështu! Futur në mes tyre…i shikonjam!…

As kaponjtë nuk kënduan, more bir ?! Është e çuditëshme t’ia tregosh njeriu. Nuk besojnë ! Dëgjo e ruaj, unë… Po kaponjtë ç’kanë, xhanëm ?! Që kaponjtë te ne, flinin nëpër pemë…

U gëdhi. Bashkë me dritën e mëngjesit erdhi ora e vajit …

S’di! Ishte loti që më nxirrte fjalët, apo ishin fjalët që më thanin lotët.

I’a nisa e më dalën nga shpirti këto, që i ruaj në mendje dhe sot:

Lërmëni që ti shoh pak – e zëza

T’u jap shpirt e t’u jap gjak – e zeza

E t’u jap gjithë jetën time – e zeza

Mbushur plot me hidhërime – e zeza

………………………………………

E sa të tjera që thote zemra e dërrmuar e një nënë në mortin e të bijëve! …

Në një çast, erdhi i jati qyqarit Adil.

-Edhe këtë me të tutë do ta vëmë o Ije, foli ai.

-Mirë, i thashë.

Kur vajti ora, u ngrita me Lelen**** t’i bënim hazër.

Të katër i vumë pranë njëri-tjetrit, në baçen prapa shtëpisë …


Bënin çudi njerëzit, mendonin se do qaja e do ulërija?!

-Ç’njeri është, thonin. Nuk derdh lotë!…

Më ngrin lotët mua! Ca nga e keqa, ca nga inati.

U mpiç, u mpiç, por djemtë i nderova.

Të vrarët e shtëpisë s’i turpërova.

-Sa e fort kam qënë ore bir, që më dridhet trupi njëmë! …


Shpjegues:


  • Thimi Bushi- Vrarë më 6 nëntor 1943, dëshmor i atdheut.
    • Fshat i n/prekturës së Lushnjes.
      • Ferit Kurti, vëllai dëshmorit: Memet Kurti. Safet Kurti, babai dëshmorit: Adil Kurti.
        • Mynevere Kurti, bashkëshorte e dëshmorit Ramiz Kurti.

(Inçizuar në maj 1978)

.Fotografitë e dëshmorëve të vendosin sipas kësaj radhe:

– Ramiz Kurti

– Samedin Kurti

– Hajdar Kurti

– Adil Kurti

– Mehmet Kurti

– Nuri Kurti

– Xhavit Kurti


6 Nëntor 2018