Historia dhe subjektiviteti njerëzor

Nga Wikibooks

Mid’hat Frashëri ishte në krye të “Lëvizjes Kombëtare të Rezistencës” (Ballit Kombëtar), themeluar në vitin 1939. Menjëherë pas çlirimit, ai me gjithë çetën e ballistëve nga frika e përgjegjësisë historike braktisi Shqipërinë. Kurrsesi nuk mund të përligjet nga pikëpamja e metodologjisë shkencore “fryrja” e fakteve të veçanta, shkëputja e tyre nga konteksti historik për të “lustruar” figura të caktuara historike apo për të rehabilituar deri dhe tradhtarë të tillë të damkosur si Esat Pashë Toptani, i vrarë me atentat në Paris nga patrioti i njohur Avni Rustemi

Prof. Servet Pëllumbi*

Filozofia ndryshe i “huazon” filozofisë së historisë edhe tezën me rëndësi metodologjike: të vërtetën e plotë nuk e njohim asnjëherë, por vetëm versione të saj me shkallë të ndryshme ngjashmërie e propabiliteti. Për të mos u keqkuptuar, mendoj se do të ishin të nevojshme disa argumente, apo dhe thjesht sqarime. Njerëzit që kanë jetuar ngjarjet historike mund të jenë gjallë, por prej këtej nuk rrjedh që ata doemos janë të gatshëm të thonë gjithë të vërtetën. Madje, më kryesore është që secili sheh, përshkruan njëlloj “tabloje” a pamje të vetën. Edhe pse me vetëdije mund të mos dojë të mashtrojë dikë. Më tej, historia e ngjarjeve apo e tablosë historike në kokën e njeriut ndryshon në vartësi të moshës, interesave apo harresës që rritet në rrjedhën e ngjarjeve. Kjo i jep tregimit “tënd” të ngjarjeve trajtën e versionit. Veçse, nuk duhet harruar që largësia i zvogëlon gjërat për syrin, por i zmadhon për mendjen (A.Shopenhaur).

Për konkretizim po i referohem figurës së Mid’hat Frashërit. Jo vetëm pse ishte pinjoll i familjes së “frashërllinjve të mëdhenj”, por se edhe vetë deri në periudhën e Luftës Nacionalçlirimtare dha kontribute të shquara si patriot, si historian e politikan. Po kështu meriton vlerësimin më të lartë testamenti i tij i vitit 1929, të cilin po e citoj shkurt. “Unë Mid’hat Frashëri …ç’kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilie, karta, plaçka, para etj., i le për krijimin e një “INSTITUTI ALBANOLOGJIE”, që të jetë qendër e studimeve shqiptare…”. Bukur! E megjithatë, nuk mund t’i falet as atij kolaboracionizmi gjatë Luftës Çlirimtare (1939-1944), rreshtimi përfundimisht në krah të nazistëve gjermanë “sepse nuk ndiheshim të sigurt larg tyre”! Mid’hat Frashëri ishte në krye të “Lëvizjes Kombëtare të Rezistencës” (Ballit Kombëtar), themeluar në vitin 1939. Menjëherë pas çlirimit, ai me gjithë çetën e ballistëve nga frika e përgjegjësisë historike braktisi Shqipërinë. Të gjitha këto janë të bazuara në dokumentet e gjetura në Arkivin e Shtetit, në arkivin e Vermahtit nazist, të Misionit Britanik në Shqipëri, në kujtimet e protagonistëve historikë e madje dhe të bashkëpunëtorit më të afërt të Mit’hat Frashërit, po nga Frashëri, me inicialet H.S.F.

Kurrsesi nuk mund të përligjet nga pikëpamja e metodologjisë shkencore “fryrja” e fakteve të veçanta, shkëputja e tyre nga konteksti historik për të “lustruar” figura të caktuara historike apo për të rehabilituar deri dhe tradhtarë të tillë të damkosur si Esat Pashë Toptani, i vrarë me atentat në Paris nga patrioti i njohur Avni Rustemi. Ndërkaq, studiues të veçantë janë duke “lëvruar” gjininë e shkrimeve siç nuk i kemi njohur ata, me qëllimin e vetëm glorifikimin antihistorik të tyre. Gjithsesi, për ngjarje më të largëta historike tashmë ka ardhur koha që larg emocioneve dhe dëshirave subjektive t’u jepet fund spekullimeve duke i’u referuar me ndershmëri fakteve dhe dokumenteve të kohës. Pa injoruar as “porosinë” metodologjike sipas së cilës është me interes diferencimi i momentit subjektiv i personave që bashkëpunuan me pushtuesit pas një periudhe të gjatë kontributesh patriotike. Ata e kanë të vështirë ta quajnë kolobaracionizmin tradhti.

Mirëpo nuk mund të injorohen faktet, rrezikshmëria objektive e kolaboracionizmit dhe as përvoja e vendeve të qytetëruara për dënimin e prerë të kolaboracionistëve, që mbase mendonin se ishin duke bërë detyrën ndaj atdheut të pushtuar. Kuptohet, duke u mbështetur në metodën historike që kërkon vlerësim të diferencuar në vartësi të situatave konkreto-historike të figurave të shquara të së kaluarës. Po i referohem vetëm rastit të filozofit gjerman Martin Hajdeger. Për mbështetjen që i dha Hitlerit dhe anëtarësimin në “Partinë social-punëtore” në vitet 1932-1933 edhe pse pas kësaj ndërpreu bashkëpunimin dhe iku në SHBA, pas luftës, si në Gjermani ashtu dhe në Francë i’u refuzua kërkesa për të marrë një katedër universitare. Ndërkaq, Martin Hajdeger nuk ndërpreu krijimtarinë e vet si filozof duke botuar vepra me vlerë që edhe sot vazhdojnë të jenë ndër më të lexuarat në botë. Dëshmi që tregon se qëndrimet e diferencuara janë një trajektore metodologjike me vlerë për vlerësimin e së djeshmes, të sotmes dhe të nesërmes.

Një përvojë e tillë, mendoj se do të ishte me vlerë sidomos për ata historianë e politikanë që rreken të përdorin një formë “familjare” të mbrojtjes së kolaboracionizmit. Gjithsesi, e vërteta historike nuk mund të zhbëhet! Në se prindërit e tyre gabuan në vlerësimin e momentit historik dhe zgjodhën një alternativë të gabuar, për këtë nuk ka pse të kenë përgjegjësi bijtë e tyre brez pas brezi, por nuk ka kuptim as e kundërta, marrja përsipër i një “faji historik”të bërë jo nga ata vetë e që nuk mund të parashkruhet. Kam bindjen se një qëndrim i tillë nuk mund të përfshihet në konceptin “e kujdesit, të dashurisë dhe mirënjohjes për prindërit”! Në të vërtetë, bijtë kanë shansin që të ndreqin gabimet e prindërve në se ka të tilla dhe jo t’i përligjin ato, sepse sipas metodës dialektike nuk mund të ndreqet gabimi me gabim!

Ndërkaq, i papranueshëm është edhe subjektivizmi që shfaqet në formën e nostalgjisë për regjimin komunist të përmbysur. Është fakt që edhe tek ne, si kudo në Lindje, njerëzit në masë i mirëpritën ndryshimet demokratike të pasviteve 1991, madje me një lloj frymëzimi, optimizmi dhe shprese, sidomos për lirinë e iniciativës private, për shkëputjen nga vargojtë e një “kolektivizmi surrogat” etj. Nostalgjikët nuk duhet të harrojnë që jeta në atë kohë ishte e ngurtësuar, e futur në kallëpe urdhrash, vendimesh të marra nga një qendër e vetme, mbase dhe nga një njeri në krye të piramidës partiako-shtetërore. Për pasojë gjithçka vajti në zgrip, në prag katastrofe.

Mirëpo kjo ishte përvojë, një gjendje e caktuar shpirtërore e subjektiviteti e kushtëzuar objektivisht. Besimi në kultin e “udhëheqësit të pagabueshëm” po ashtu. Në rrethana të tilla historike nuk ka rëndësi në se thua gjëra të drejta kur nuk ndryshon dot gjë. Në këtë rast kemi të bëjmë me atë që quhet ironi e historisë! Gjithsesi, vlen të ritheksohet se pa një vizion realist nuk mund të bëhet fjalë as për doktrinë të “unitetit historik”, as për kohezion të historisë kombëtare dhe as për edukim patriotik, por veçse për lojëra subjektiviste dhe një antihistorizëm që përfaqëson një politikë dritëshkurtër antikombëtare. Për më tepër kur mungojnë idetë bazë rreth të cilave mund të aspirohet dhe të bashkëpunohet pa hequr dorë nga diversiteti si vlerë.

  • Marrë nga libri i sapo vënë në qarkullim “Për një filozofi ndryshe”


23 nëntor 2018