Histori dhe mbijetesë e epitafit të shekullit XIV

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Epitafi i mbiquajtur konvencionalisht, si i Glavenicës, që për mendimin tim, shkencërisht, duhet quajtur Epitafi i Balshajve , është një objekt tepër delikat, i cili ka patur fatin t’i rezistojë kohës.



Prezenca e luterlimës dhe komponentëve të tjerë ngjyrues, ngre alarmin e rrezikut, që i kanoset nga zbardhja.

Ekspozimi i tij në Muzeun Historik Kombëtar, ku, pavarësisht, se ndriçimi është i ngrohtë, përmban rrezatim ultraviolet, në zonën e spektrit elektromanjetik, nga 380-400 mm.

Të gjithë treguesit janë në parametra maksimalë dhe rrezikojnë çdo çast zbehjen e ngjyrave të këtij objekti unikal.

Epitafi 641-vjeçar ka jetuar deri në ditët tona, si rezultat i ekspozimit shumë të pakët në dritë.

Pavarësisht nga kjo, energjia e akumuluar e ka bërë punën e saj.

Shumë shpejt, ngjyra e verdhë do të zhduket fare, ndërsa jeshilja do të kthehet në blu.

Vënia në funksionim e Unazës së Vogël të Tiranës, do të vërë në rrezik jo vetëm Epitafin, por edhe të gjithë objektet që ndodhen në Muze, si rezultat i ndotjes së mëtejshme të ambientit në zonë.



Një Simpozium Shkencor Ndërkombëtar të organizuar nga unë, i cili në thelb nuk bëri një tjetër, vetëm se u ra kambanave të alarmit , për degradimin e plotë të Epitafit 7-të shekullor, kryevepër mesjetare, në rrafsh evropian, një ndër trashëgimitë e shumta kombëtare, që rrezikohen të shkatërrohen përfundimisht.


Të pranishëm dhe te ftuar nga Drejtoria e MHK dmth, nga une, në këtë Simpozium ishin edhe dr.Marta Jaro, kimiste në Departamentin e Konservimit të Muzeut Kombëtar hungarez, në Budapest dhe dr.Jan Wouters, kimist dhe shef i departamentit analitik për ngjyrat dhe tekstilet në Institutin Mbretëror të Pasurisë Kombëtare të Belgjikës, në Bruksel.


Në vitin 1999, Jan Wouters analizoi ngjyrat e përdorura në fillin e tekstilit të Epitafit.

Duke folur për Epitafin, Wouters ka theksuar, se restaurimi i këtij objekti të rrallë, nuk është çështje e një specialisti të vetëm, por e një grupi shkencëtarësh, jo vetëm e një instituti apo laboratori, por e një bashkëpunimi ndërkombëtar, që del nga kuadri evropian.

Ai beson se restaurimi i plotë i kësaj vepre të rrallë, realizohet në një periudhë kohore 3-5 vjeçare dhe mund të kushtojë nga 25-50 mijë euro.

NGA DIALOGU IM ME DR.JAN WOUTERS

A keni patur rastin të studioni objekte të ngjashme me Epitafin?

Sigurisht.

Kam studiuar edhe objekte të tilla, që i përkasin tekstileve të një cilësie shumë të lartë, si për shembull mëndafshi, që, në përgjithësi, janë prodhuar në kontekstin europian, kryesisht , në rajonin mesdhetar.

Madje, kemi gjetur edhe përdorimin e ngjyrës së verdhë, si kjo e këtij Epitafi, psh në Rumani, apo edhe në rajone të tjera të Europës Qendrore dhe Juglindore.

Pra në aspektin teknik,kimik, kemi të bëjmë me një objekt të rrallë?

Përsa i përket këtij aspekti, pa dyshim kemi të bëjmë me një cilësi shumë të lartë.

Deri tani janë gjetur rreth 100 objekte, që kanë të njëjtat karakteristika, si ngjyra e kuqe, të gjitha të periudhës së Mesjetës.

Por edhe nga literatura e vjetër e dimë se objekte të tilla kanë qenë shumë të çmuara dhe shumë të kushtueshme.

A është e mundur të përcaktohet koha e saktë e prodhimit të Epitafit?

Sigurisht.

Por ky është një vendim i personave përgjegjës për Epitafin dhe të mos bëhet thjesht për kënaqësinë e shkencëtarëve, pasi në thelb objekti është klienti ynë.

A mund të thoni se sa do të kushtonte, me përafërsi, restaurimi i Epitafit dhe sa kohë do të duhej për këtë?

Natyrisht që nuk mund të them shuma ekzakte, pasi ka një mori ndërhyrjesh që duhet të bëhen.

Duhet të dimë me saktësi se cilat do të jenë analizat suplementare që duhet të bëhen, cilat institucione do të merren ekzaktësisht me këtë punë, por personalisht, nga eksperienca ime mund të them se do të duhej një shumë nga 25 mijë deri 50 mijë euro.

Natyrisht është e rëndësishme të theksohet se një objekt i tillë nuk mund të restaurohet, as nga një njeri i vetëm, as një laborator i vetëm, institut i vetëm dhe, madje, as nga një shtet i vetëm.

Eksperienca ime e gjithë këtyre viteve është se për një objekt kaq të rëndësishëm si ky Epitaf, me një kompleksitet kaq të madh në aspektin e prodhimit me kaq shumë elementë përbërës, kërkohet këshillimi dhe ndërhyrja e shumë specialistëve evropianë, por edhe nga kontinente të tjera.

Me pak fjalë, që të restaurohet një objekt i tillë, duhet të ngrihet një bord shkencëtarësh nga të gjitha fushat, të cilët do të hartojnë një program të detajuar për mënyrën se si do të operohet për restaurimin e këtij objekti të rrallë. Për sa i përket kohës së restaurimit, vlerësimi im është se duke nisur nga niveli zero, pra vendosja e kontakteve dhe ndërtimit të bordit që thashë më lart, do të duhet një periudhë kohore nga 3-5 vjet.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se kjo kohë është ajo e restaurimit fizik, por e të gjithë operacionit në tërësinë e tij, ku koha më e madhe do t’i takojë të menduarit dhe mënyrës se si do të operohet.


Epitafi ka një varg poetik të mahnitshëm dhe të jashtëzakonshëm: “Ti që zotëron jetën, ah, si fiton i vdekur dhe pa frymë”, një varg i denjë për Whitmanin.

Kjo tregon një kulturë poetike të lartë.


Epitafi është monumenti më i shquar mesjetar për muzeologjinë shqiptare.

Kodiku i Purpurt i Beratit i shek. VI dhe ky Epitaf, i shekulli XIV , krijojnë një diptikt të mahnitshëm të Shqipërisë.

Dy skaje inkandeshente të historisë kulturologjike të kombit shqiptar.

Epitafi i mbiquajtur pasaktesisht si i Glavenicës është i ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar, u vodh në vitin 1994, por fatbardhësisht u gjet.

Ky Epitaf krejt i rrallë dhe i veçantë u bë i njohur për botën shkencore evropiane në shek. XIX, kur studiuesi A.Papadopulus – Kerameus lexoi dhe deshifroi mbishkrimin e Epitafit.

Më pas shumë studiues u interesuan për të dhe prirja për ta rrëmbyer ka qenë e gjallë dhe ambicioze.

Epitafi thuhej se kishte qenë fillimisht perde e një altari.

Ai ishte 1.25 m i gjatë dhe 0.85 m i gjerë, qëndisur nga të dyja anët me një sfond të gjelbër me fill mëndafshi, ari dhe argjendi, të ngjyrave më të ndryshme.

Edhe pse koha dhe njerëzit e kishin rrënuar keqas vizatimin dhe anët e tij, gjallëria e të parit dhe bollëku i thekëve të të dytëve ishin ende të habitshme.

Ishte një nga qëndismat më të holla që njerezit kishin parë ndonjëherë.

Në katërkëndëshin e qendrës dukej Krishti, me kurorën e gjembave në kokë, me krahët të mbështetur pas trupit dhe me këmbët të shpuara.

Në të katër cepat, në medaljone të rrumbullakët, qenë kokat e katër shenjtorëve.


Mbishkrimi i Epitafit u transkriptua dhe u transliterua saktësisht nga mesjetarologu më i shquar shqiptar, i ndjeri Theofan Popa.

Përkthimi është si më poshtë: “U plotësua (u qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithënderuar dhe hyjnor i së mbishenjtës Hyjlindëse së patundur, me shpenzimin dhe mundimin e Peshkopit të gjithëhirshëm Kalistit të Glavenicës dhe të Beratit, në muajin mars 22, viti 6881 (d.m.th. 1373 pas Krishtit).

Ti që zotëron jetën, ah, si fiton i vdekur dhe pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërve të shumëlartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Shqipërisë (Albanit) vëllezërve Gjergji dhe Balsha.

Dora e Gjergj Arianitit dhe arqëndisësit”.


Mbishkrimi është qëndisur me ar dhe argjend në dy shtylla paralele, pranë kokës dhe këmbëve të figurës së Jezu Krishtit.

Sipas Theofan Popës, Epitafi qe një pëlhurë e qëndisur në formë katërkëndëshe me përmasa 1.18 m x 2.18 m.

Baza e Epitafit qe prej sargije, e cila mbulohet me një pëlhurë të hollë mëndafshi ngjyrë kafe.

Në të katër anët e kësaj pëlhure përshkohet një vijë e qëndisur me tel ari, që formon një brez ose kornizë të Epitafit me gjerësi 13 cm, fusha e së cilës është stolisur me kryqe të qëndisur prej ari, dy e nga dy, në vijë paralele. Kolona ku është vendosur mbishkrimi kanë madhësi 90 x 6 cm. Lartësia e germave është 3 cm.

Në mbishkrim janë zhdukur disa germa në dy ose tri fjalë.

Fusha e brendshme e Epitafit (emblema) ka madhësi 1.83 m x 0.91 cm, të mbushur me lule të rrumbullakëta prej ari dhe mëndafshi blu, të kuqe, të gjelbër, me madhësi 3-4 cm diametri.

Sipas Theofan Popës, një gojëdhënë e vjetër e Beratit, thotë se Epitafi, që quhet si i Glavenicës është i Ballshit të Mallakastrës, pastaj është sjellë në Manastirin e Shën Gjergjit në fshatin Breshtan, më pas, kur u islamizua ky fshat, Epitafin e mori Mitropolia e Beratit, e vendosi në Kishën Katedrale të Fjetjes së Shën Marisë.

Po legjenda mbetet e pavertetuar,pra vetem legjende

Gllavenica nuk eshte identik me Ballshin.

Kjo eshte mese e sigurte!


Data e mbishkrimit është sipas kalendarit bizantin që nga Krijimi i Botës, që korrespondon me 22 marsin e vitit 1373.

Epitafi i botuar nuk është i studiuar saktësisht.

Është thënë që është qëndisur nga dora e Gjergj Arianitit, është thënë që Gjergj Arianiti është gjyshi në shek. XIV, i Gjergj Arianitit të shek. XV, princ i famshëm shqiptar, që u bë vjehrri i Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilit i dha vajzën e tij, Andronikën.


Kronika historike nuk e saktëson se cili është ky Gjergj Arianiti i shek. XIV.

Epitafi është qëndisur nga një artist, që nuk e ka shënuar emrin, por që quhet thjesht “arqëndisësi”.

Epitafi u bë në vitin 1373.

Ne 1379, pra 6 vjet pas Beteja e Kosoves.

Megjithatë përmendet emri i Gjergj Arianitit, që e lidh Epitafin me emrin e një tjetër familje princërore të famshme.

Kjo lidhje e Balshajve ne Arianitet eshte shume me teper historike se sa mendohej me pare.


Është ekspozuar në Paris në vitin 1974, ku është vlerësuar lart nga bizantologu i madh francez, Andrea Grabar, që e ka cilësuar “si të dytin në llojin e vet në Evropë.


Studimi i Epitafit ka mbetur i papërfunduar, madje, i papublikuar shkencërisht, në mënyrë të tërthortë.

Mungon studimi historik i mbishkrimit, procesi i identifikimit burimologjik.

Mungon studimi kaligrafik krahasues dhe simbolik i mbishkrimit.

Mungon studimi ikonografik i Epitafit. Emblema e Epitafit tregon Krishtin të shtrirë gjerë e gjatë, me sy të mbyllur me një trup anatomik, tepër të stilizuar me vrimat e plagëve në gjoks në sisën e majtë, në duar dhe në këmbë.

Fytyra e Krishtit është e një djali të ri, me flokë të gjatë mbi supe, me mjekër të vogël dhe me mustaqe të holla, krejt e ndryshme nga fytyra ikonografike e Krishtit bizantin, që të kujton një ndikim nga ikonografia e Europës Perëndimore.

Shkrim, i botuar fillimisht, 13 vjet më parë , në 20 shkurt 2005, në METROPOL

2 Qershor 2018