Jump to content

Hipi Zhdripi i Historisë/1

Nga Wikibooks

Si jetonin të parët tanë dikur[1]

Shtëpitë i kanë pasur në fillim kasolla të punuara me thupra e të veshura me zhukë, të mbuluara me fryzë ose me kashtë. Më vonë kanë punuar me gurë dhe gëlqere përdhese e kulla, ku në përdhese të kullave kanë mbajtur bagëtitë, kafshët shtëpiake të cilat i kanë përdorur për nevojat jetësore: qetë, kalin, gomarin, lopët, dhentë, dhitë, thitë dhe pulat. Më vonë, për bagëtitë kanë punuar kasolla e jerevia të veçanta, ku kanë mbajtur gjënë e gjallë larg shtëpisë.

Shtëpia ka pasur vatrën të punuar prej rrasave të gurit, ku kanë bërë zjarr, kanë zier ushqimin dhe janë ngrohë dimrit. Në vatër kanë vendosur ‘kalin’, një hekur me katër këmbëza, mbi të cilin kanë paluar drutë e zjarrit; kanë pasur vargonjtë ku vire kusia me ushqim. Mbi vatër kanë punuar mjetin prej druri për të tharë mishin dhe kurmagjakët, që i përgatitshin për dimër. Dimrit kanë përdorur lakrën e gjelbër (e kanë zier me mish), groshën, pulendren ose kaçamakun; për sallatë kanë përdorur specat e regjur, domatet e regjura, djathin; purrinin e njomë e kanë përdorë si sallatë të freskët ose si fërgesë. Deri vonë janë ushqyer me bukë misërnike, e pastaj me bukë të zezë gruri.

Kanë përdorur enët e drurit: sahana, kupa, pjata, lugë e garuzhda, të gjitha të punuara prej krekëzës. Kjo dru lehtë përpunohet dhe është e qëndrueshme në lagështi dhe në ujë të valë, kur është përvluar për t’u larë dhe dezinfektuar.

Enët e ujit kanë qenë buljera (bucelë) e drurit që ka zënë 10-20 litra ujë, bucaku druri deri 5 litra ujë, poçi, si dhe kotrova e pjekur prej deltine, e cila është blerë në Shkodër ose në Ulqin, pasi në fshatra nuk ka pasur argjilpunues.

Kanë mbathur opinga të punuara prej lëkurës së dhisë, lopës ose kalit; i kanë qepur me perqagëza të holla si pé, që përpunoheshin prej lëkurës së deles ose dhisë. Kanë veshur gozhupin prej lëkurës së dashit me lesh përjashta; ky kishte formën e setrës, mallotës ose të xhokës. Kanë veshur çakshirë leshi të rrahur në ujë; i kanë qepur gratë me spik i cili ka qenë një mjet i punuar me 8 këmbëza, ky ka qenë një kosh me pamjen e samarit të kalit e këmbëzat kanë shkuar duke bërë spikun 4 në një anë dhe 4 në anën tjetër përmbi kosh, ashtu që spiku ka dalë katërkëndësh.

Për t’u mbrojtur nga shiu, era dhe të ftohtit, kokën dhe trupin e kanë mbuluar me strugë që ka qenë një mantel me kapuç i punuar prej leshit të dhisë në tezgjah.

Perimet kryesore që kanë kultivuar kanë qenë: lakra e zezë, lakra e bardhë, speci, patlixhani, domatja, qepa, sallata,hudhra, purrini, bostani (pjeprat dhe shalqini), kastraveci (trangulli), patatja, grosha e kuqe dhe e verdhë, kungulli.

Drithërat kryesorë kanë qenë misri (i lashtë, i mesëm dhe i vonë), gruri (farë vendase dhe e ardhur), elbi dhe tërshëra. Menjëherë mbas Luftës II Botërore e deri më 1960, në mënyrë të detyrueshme për nevojat e shtetit janë kultivuar duhani dhe pambuku.

Prej pemëve janë kultivuar disa lloje të fiqve dhe të dardhave, mandej rrushi, kumbullat, qershitë, manat, pjeshkat, zardalitë (kajsitë), shegat, vishnjet. Fiqtë më të njohur, simbas stinës së pjekjes, kanë qenë shnjinëzat, shpjetrakët, sulltanat, civlakët tivarasit, bajunat, kallamatët, patlixhanat, bishtgjatët dhe dinakët. Dardhat kryesore kanë qenë shpjetrakët, kofshëpulat, faqekuqet, rrotullaret, kumbulloret, vogëlinat, mushqetet, turkeshat, ujkoret dhe dimnaket (dimnoret).

Kanë prodhuar prej rrushit mushtin, verën, rakinë, pekmezin dhe uthullën, kurse rakinë, përveç prej rrushit, e kanë prodhuar edhe prej manave, kumbullave dhe fiqve. Rakia më e mirë është prodhuar prej rrushit.


  1. Marrë prej Rrok Mark Dush Shkreli, Në Valët e Jetës (botimi i dytë i plotësuar), ‘Volaj’ Shkodër-Ulqin 2005:76-8. // Gjetur në amëzën buzuku.info