Heroi ynë Kombëtar në veprën e Marin Barletit

Nga Wikibooks

Prof. as. Dr. Anton Papleka

Një nga ato burime të shkruara që hedhin dritë mbi marrëdhëniet midis iliro-arbërorëve dhe persianëve, është edhe vepra madhore “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit. Këtë autor, shkenca shqiptare e ka konsideruar si personalitetin më të shquar, me të cilin Shqipëria mori pjesë në rrymën humaniste të shekujve XV-XVI.(I, 53)

I lindur në Shkodër, rreth vitit 1460, Marin Barleti luftoi për të mbrojtur qytetin e tij të lindjes, i cili u pushtua nga ushtria e sulltan Mehmetit II më 1479. Pas këtij pushtimi, humanisti i ardhshëm u detyrua të mërgonte në Venedik ku vazhdoi studimet për t’u përgatitur si klerik. Kjo gjë i dha mundësi të njihte kulturën e Greqisë së lashtë, atë të Romës si dhe kultura të tjera.

Më vonë, Marin Barleti shkroi tri vepra që dëshmojnë se ai ka qenë një erudit i madh, i cili kishte njohuri të gjera për shumë fusha të dijes, veçanërisht për historinë. Në krijimtarinë e tij, bie në sy se ai nuk vlerësonte vetëm kulturat perëndimore, por edhe ato lindore.

Pa dyshim, vepra madhore e këtij historiani dhe shkrimtari është “Historia e Skënderbeut”, e cila u kushtohet jetës dhe veprimtarisë së heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut, luftës njëzetepesëvjeçare që populli i Arbërisë zhvilloi në shekullin XV kundër ushtrive pushtuese të Perandorisë Osmane për të mbrojtur tokën, lirinë dhe traditat e tij.

Kjo vepër e shkruar në latinisht, u botua për herë të parë në Romë, rreth vitit 1510. Krahas disa ribotimeve në latinisht, ajo u përkthye dhe u botua pothuajse në të gjitha gjuhët europiane. (I, 3) Me të drejtë është theksuar se ndikimi dhe rëndësia e veprës së Barletit dalin jashtë kufijve kombëtarë, se ajo ka karakter europian, ndërkombëtar. (I, 52)

Objekt i shkrimit tim do të jenë vetëm të dhënat e përfshira në këtë vepër, të cilat u referohen historisë dhe kulturës së Persisë. Siç do të shihet, të dhëna të tilla nuk janë të pakta.

REFERIME HISTORIKE

Një nga veçoritë e veprës së Barletit është se në të ngjarjet historike nuk janë paraqitur të shkëputura, por të lidhura me njëra-tjetrën në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Me këtë sy, i ka parë ai edhe zhvillimet historike në Arbëri dhe në Persi, në shekullin XV. Para se të filloj të shqyrtoj të dhënat konkrete, e quaj me vend të sqaroj se, kur flitet për figura apo ngjarje të historisë persiane, ato nuk i përkasin vetëm Persisë së mirëfilltë, por edhe Perandorisë Perse, e cila shtrihej nga Azia e Vogël deri në afërsi të Indisë.

Të dhënat nga historia e Persisë, të përfshira në veprën e Marin Barletit, kanë karakter diakronik dhe sinkronik, d.m.th. ato u referohen si epokave të shkuara ashtu dhe bashkëkohësisë, pra, shekullit XV.

Ushtarëve të Sfetigradit, të cilët nuk pranonin të pinin ujin e pusit të vetëm të kështjellës, për shkak se atë e kishte ndotur një tradhtar, duke hedhur brenda një qen të ngordhur, komandanti i garnizonit Pjetër Perlati, u kujtoi Darin e Persisë, i cili krahas meritave politike dhe ushtarake, dallohej edhe për vlerat shpirtërore, për moralin e lartë që tregonte përballë fatkeqësive: „Mos keni dëgjuar ju, vallë, se kështu edhe ai Dariu, mbreti fort krenar dhe madhështor i persëve, i dërrmuar nga Aleksandri ynë, duke marrë me turp arratinë dhe ndërsa linte prapa shenjat e kërdisë së përmendur, nuk e qasi në gojë ujin më se të ndotur, të mbledhur nën thundrat e kuajve dhe ndërmjet kufomave të të vrarëve, kur një skllav ia shpuri në ikje e sipër? Përkundrazi, mbreti krenar e pranoi dhe, pasi e piu, dëshmoi se kurrë s’pati pirë më me kënaqësi. Kështu ai i shpëtoi zgjedhës armike, e shtyu për më tutje fatin e vet të zi dhe u tregua tamam mbret nga shpirti.“ (I, 292)

Për të lartësuar figurën e Skënderbeut dhe trimërinë e ushtrisë së vogël arbërore që përballej me hordhitë e shumta osmane, të cilat kishin rrethuar kështjellën e Krujës, Marin Barleti i përqas me treqind spartanët që në vitin 480 para erës së re, qëndruan me armë në dorë deri në vdekje në grykën e Termopileve: „Edhe te grekët, laqedemonasi Leonida nuk ngurroi të gozhdonte me pak luftëtarë pranë Termopileve fuqitë e panumërta të Kserksit.“ (I, 337)

Në “Historia e Skënderbeut”, ngjarjet historike të së kaluarës përdoren edhe për të ilustruar idetë filozofike të autorit, siç është pikëpamja se në këtë botë asgjë nuk është e pandryshueshme, se ligjit të hekurt të ndryshimit i janë nënshtruar shtete dhe perandori me pasuri të pallogaritshme dhe me ushtri që mbaheshin si të pathyeshme. Në përgjigjen që i kthente sulltan Mehmetit II më 25 qershor 1463, Skënderbeu e këshillonte të tregohej më i matur e më largpamës: „Pusho, pusho së mburruri dhe nxirr mësime, po qe i zoti, nga shembujt e shënuar të paqëndrueshmërisë njerëzore. Me të vërtetë, ku janë asirët, që patën dikur në dorë sundimin e gjithë botës? Ku janë medët? Ku persët? Ku grekët? Ku më në fund romakët, zotërinjët e botës?“ (I, 586)

Më tej, kundërshtarit të tij prepotent dhe të dehur nga lavdia, Skënderbeu i kujton fatin e keq dhe disfatat e mbretërve dhe të perandorëve të dikurshëm, të cilat kishin mëtuar se sundimi dhe lavdia e tyre nuk do të perëndonin kurrë. Midis këtyre sundimtarëve radhiten edhe mbretërit më të dëgjuar të Persisë: „Më i madh sigurisht se ti ka qenë Tamerlani, mbreti i skithasve, tmerri, siç shkruajnë, i njerëzisë, i cili pasi e dërrmoi në kufijtë e Armenisë, së bashku me dyqind mijë, stërgjyshin tënd, Bajazitin e dëgjuar, që kishte pasur sa e sa suksese të mëdha në luftë dhe, pasi e kapi në arrati e sipër, e solli si triumfator të lidhur me pranga para qerres së vet. Në ushtrinë e tij thonë se kanë qenë 1 200 000 njerëz, më i madh se Kserksi dhe Dariu, nga ushtritë e të cilëve të vjetrit thonë se janë mbuluar detet e tharë lumenjtë. Megjithatë këta të gjithë u zhdukën, o prijës Mehmet, nga zhdukësi i njerëzisë, të gjithë i shoi dora e perëndisë. Prandaj mësoje dhe dije se edhe ti njeri je.“(I, 586-587)

Të dhënat historike që i referohen Persisë, më së shumti i përkasin shekullit XV. E dhëna e parë që lidhet me këtë periudhë, bën fjalë për dyluftimin e Skënderbeut të ri, i cili mbahej peng në oborrin e sulltan Muratit II, me dy bejlegtarë nga Persia. Ata ishin luftëtarë me trupa të fuqishëm dhe të stërvitur, të cilët kishin ardhur të shërbenin në ushtrinë osmane: “Kur u nis për në Bitini, bashkë me Muratin, më tepër për dëfrim sesa për luftë, ndërsa ndodheshin në qytetin e Bursës, që tani është kryeqyteti i Perandorisë Aziatike, erdhën fluturimthi te Tirani dy burra nga Persia, me veshje të shënuar, sipas zakonit të asaj gjindjeje, dhe me bukuri të rrallë të trupit. Emrat e tyre ishin Jahja dhe Zampsa.” (I, 72)

Për të treguar fuqinë, mjeshtërinë dhe guximin e tyre, dy persianët kërkuan të ndesheshin në dyluftim me luftëtarin më të zot të ushtrisë së sulltanit. I vetmi që pati zemër ta pranonte këtë sfidë, qe Skënderbeu. Pas një dyluftimi për jetë a për vdekje, arbërori arriti t’i mposhte njërin pas tjetrit: “Dhe ndërsa pas tri goditjesh nga të dy palët, po përpiqeshin që t’i derdhnin gjakun njëri-tjetrit, Skënderbeu ia qëlloi e ia rrëmbeu këtij burri me një fuqi të atillë goditjeje krahun e djathtë, atje ku bashkohet me qafën, saqë kali fatzi tërhoqi atë ditë, si të thuash dy kufoma të të zotit. Kështu dy burra të fortë ranë atë ditë nga dora e një të vetmi, për gëzimin më të madh të spektatorëve.” (I, 74)

Megjithëse populli arbëror dhe ai persian gjeografikisht gjendeshin larg njëri-tjetrit, fatet e tyre lidheshin ngushtësisht, sepse të dy luftonin kundër një armiku të përbashkët, kundër Perandorisë Osmane, e cila synonte t’i nënshtronte, siç kishte vepruar me disa popuj të Europës e të Azisë: ”Një palë thonë se arsyeja e largimit të tij kanë qenë turbullirat hungareze, një palë të tjerë thonë për turbullirat greke, disa për turbullirat e persianëve, shumë të tjerë pohojnë se dëmet që pati në Epir dhe vështirësitë e ndryshme nga ajo luftë e bënë atëherë Otomanin të hiqej nga krahina, me qëllim që të kthehej pastaj për të rrethuar Krujën me ushtri e gatitje më të fuqishme dhe më të freskët, pasi e shikonte se për atë qytet duheshin forca më të mëdha.”(I, 301)

Në këtë kohë, në Persi sundonte dinastia Savafide (Sevefide), që kishte themeluar një shtet rreth idesë mistike të një Persie shiite, ecila i kundërvihej Perandorisë Osmane sunite. (II, 1398) Pra, kundërvënia midis shtetit persian dhe shtetit osman kishte karakter politik, ushtarak dhe fetar. Po këtë natyrë kishte dhe konflikti midis Arbërisë së shekullit XV dhe Perandorisë Osmane: “Shumë mendime u shfaqën atëherë për nevojën e luftës dhe të shpagimit dhe për punët e Epirit, por prej tyre zotëroi ai që thoshte se duhej hequr dorë për atë vit nga armët dhe se duhej pritur ndonjë rast i volitshëm e duhej luftuar me atë gjindje me tërë fuqinë e turqve. Ky mendim u pranua me kënaqësi, sepse pëshpëriteshin disa lajme lufte nga Azia dhe Persia.” (I, 469)

Në shekullin XV, Arbëria dhe Persia ishin aleatë të natyrshëm të njëra-tjetrës. Për këtë arsye, si arbërorët ashtu dhe persianët i ndiqnin me vëmendje luftimet që zhvilloheshin në të dy vendet kundër ushtrive osmane: ”Epiroti ishte njoftuar nga disa miq dhe purpuratë mbretërorë për të gjitha, edhe për shtirjen e Otomanit, edhe për luftën persiane.” (I, 387)

Arbëria dhe Persia e kishin të qartë se qëndresa e njërës palë favorizonte qëndresën e palës tjetër jo thjesht në rrafshin moral, por edhe në atë ushtarak. I vetëdijshëm për këtë gjë, Skënderbeu u thotë krutanëve: “Dhe me të vërtetë barbari i zënë, siç e kemi marrë vesh, me luftën persiane, e ka harruar Epirin, na ka harruar ne bashkë me armiq të tjerë. Paqja dhe pushimi kanë mbetur për ju që t’i gëzoni sa të doni.” (I, 388)

Në veprën e tij, Marin Barleti e përsërit disa herë idenë se, për sa kohë që sulltani ishte i angazhuar me fushatat ushtarake kundër persianëve, Arbëria gëzonte një paqe të përkohshme, e cila i jepte mundësi të mblidhte forcat, të rimëkëmbte kështjellat e dëmtuara gjatë luftimeve të mëparshme apo ta forconte mbrojtjen duke ndërtuar ndonjë kështjellë të re, siç ishte rasti i Modricës: ”Por puna atje filloi e mbaroi në qetësinë më të madhe, pa ngjarë gjë gjatë asaj kohe nga ana e armikut, sepse Mehmeti atëherë, megjithëse po gatiste me zellin më të madh ushtri kundër Skënderbeut, se s’i durohej pa u shpaguar, i la prapëseprapë punët e tjera dhe s’kujdesej pothuaj fare për to, i trembur nga lajmi për një luftë të re dhe shumë tërrezikshme nga ana e Persisë.” (I, 386)

Ngaqë nuk mundi ta mposhte Skënderbeun me anë të forcës së armëve, sulltan Mehmeti II u përpoq ta neutralizonte atë me mënyra të tjera, sidomos duke i propozuar ndonjë armëpushim të përkohshëm. Oferta e një paqeje me kushte poshtëruese nuk ishte aspak e sinqertë, sepse ai bënte përçapje të tilla vetëm për të ndërmarrë fushata pushtuese kundër popujve të tjerë që synonte t’i nënshtronte, midis të cilëve bënin pjesë edhe persianët. Duke iu drejtuar ushtarëve të tij, Skënderbeu zbulonte shkakun e vërtetë që e shtynte sulltanin të kërkonte paqe: ”Këtë paqe, megjithëse të kërkuar nën mbulesën e nderuar të tributit, ai mund ta kishte vetëm po t’ia jepnit ju dhe ashtu si t’ia jepnit ju. Dikush mund të thotë se Tirani e kurdisi atë plan për shkak të luftërave persiane, jo nga frika.” (I, 416-417)

Simpatinë dhe admirimin e tij për luftën që zhvillonin persianët për të mbrojtur truallin dhe lirinë e tyre nga hordhitë osmane, Skënderbeu e shprehu me zë të lartë para parisë së Krujës dhe para kapedanëve të ushtrisë arbërore, kur u kthye në kryeqyetetin e tij pas ndërtimit të kështjellës së Modricës. Ai ishte i mendimit se luftërat e persianëve duhej të ishin një burim frymëzimi, një model moral dhe luftarak për bashkëkombasit e tij, duke e konsideruar luftën për liri si një mision të shenjtë historik: “Të mos lejojmë, pra, që të paktën këtej e tutje të na shkojë kot koha, të ndjekim edhe ne shembullin e persëve, t’i vemi pas fatit që na kanë dhënë perënditë e pavdekshme.” (I, 390)

Përmendja e shpeshtë e fushatave ushtarake që osmanët ndërmerrnin kundër perisanëve ashtu siç vepronin edhe kundër arbërorëve, tregon se ata luftonin kundër një pushtuesi të përbashkët dhe kishin një fat historik të ngjashëm. Për të thyer shpirtërisht Skënderbeun, në letrën që i shkruante atij më 7 maj 1463, sulltan Mehmeti II mburrej me pushtimet që kishte bërë në Europë dhe në Azi: ”A nuk e sheh se të gjithë grekët pothuaj janë zhdukur? Se perandori i Trapezuntës është rrëzuar nga froni prej nesh? Se princërit rashjanë dhe tribalë janë rrëzuar? Se ilirikët janë shpartalluar e se mbretërit e gjithë Azisë dhe mbretër e princër të tjerë janë vënë nën zgjedhën e sundimit tim?” (I, 584)

REFERIME KULTURORE

Rrezatimi i kulturës persiane, një kulturë e lashtë dhe e pasur, nuk është shtrirë vetëm në Azi, por edhe në Europë. Kjo gjë ka bërë që ajo të radhitet përkrah kulturave të mëdha si kultura greke dhe ajo romake.

Në Persi kanë zënë fill lëvizje të mëdha fetare, kanë lindur fe dhe sekte të ndryshme si zoroastrizmi, mitracizmi, manikeizmi, sufizmi etj. Në veprën “Historia e Skënderbeut”, Marin Barleti përmend manikeizmin, një fe sinkretike e themeluar nga profeti persian Mani në shekullin III të erës së re. Sipas kësaj doktrine, e Mira dhe e Keqja janë dy parime themelore, të barabarta dhe antogoniste. (II, 1937) I nisur nga pozitat e katolicizmit, Barleti e konsideron manikeizmin si një herezi fetare: “Një palë, d.m.th. nga sklavonët, ndjekin kishën e Romës, si dalmatët, kroatinët, karnët dhe polonët; një palë të tjerë, gabimet dhe absurditetet e grekëve, si tribalët, të cilët quhen edhe bullgarë, rutenët dhe shumë nga lituanët; të tjerë kanë shpikuar herezi të vetat, si boemët, moravët e boshnjakët, një pjesë e madhe imitojnë marrëzinë e manihejve.” (I, 297)

Një dëshmi e ndikimit të qytetërimit persian ka qenë depërtimi i fjalëve perse në gjuhët e popujve të tjerë. I tillë është edhe rasti i termit politik “satrap”, i cili në veprën e Barletit përdoret me kuptimin e qeveritarit të një province: ”Njëri nga satrapët e Tiranit, burrë me autroritet të madh u kap i gjallë si dhe 4 mijë të tjerë.” (I, 83)

Me kuptimin e mësipërm, term “satrap” përdoret për të shenjuar edhe qeveritarët e mbretërisë së Napolit: ”I përcjellë nga princërit më të shumtë dhe nga satrapët e mbretit, përmes Daunisë së gëzuar jo më pak për paqen sesa për fitoren, ndërsa për ta nderuar u derdhën jo vetëm qytetet, por edhe turma banorësh e katundarësh, që rrethonin rrugët, arriti pranë detit në liman dhe u hipi anijeve si triumfator.”(I, 558)

Një pjesë e rëndësishme e kulturës persianeka qenë edhe letërsia persiane, me të cilën nuk ushqeheshin vetëm shtresat e larta të Perandorisë Perse, por edhe sundimtarët e tjerë të lindjes. Duke portretizuar sulltan Mehmetin II, i cili përgatitej për të hipur në fron, Marin Barleti shkruan: “Megjithë këtë, ai ka qenë pa dyshim një luftëtar i rrahur e trim, që duronte në kulm mundimin e pagjumësisë, ai shtihej me zotësi për njeri i fesë dhe, sipas zakonit të gjindjes, s’vuri verë në gojë. Dinte mirë gjuhën dhe letërsinë greke, persiane dhe arabe.” (I, 381) Pohimin e Barletit e mbështet edhe Henri Massé: ”Libri i Mbretërve nuk ishte më pak familjar për sovranët turq…”( III, 278) Njohja e letërsisë persiane dhe letërsive të tjera e ka shtyrë sulltan Mehmetin II që të merrej edhe vetë me krijmtari poetike: ”Mehmeti II, i cili ka shkruar vjersha me pseudonimin Avni, ka qenë poet me një divan.”(IV,59)

Nga referimet që ndeshen në veprën “Historia e Skënderbeut”, del në pah se qytetërimi persian, kultura persiane nuk kanë pasur vetëm karakter kombëtar apo rajonal, por edhe karakter universal.

Në mënyrë të veçantë, vepra e Marin Barletit dëshmon se lidhjet historike midis Arbërisë dhe Persisë kanë qenë të hershme dhe të shumanshme. Referimeve të parashtuara në shkrimin tim, mund t’u shtojmë një mori fjalësh që kanë hyrë nga persishtja në gjuhën shqipe, drejtpërdrejt apo me ndërmjetësimin e ndonjë gjuhe tjetër, disa figura mitike, disa tema folklorike, disa motive apo struktura nga letërsia e shkruar.

Lidhjet kulturore midis Shqipërisë dhe Persisë janë shtuar në periudhat e mëvonshme, siç ka ndodhur në kohën e zhvillimit të letërsisë alhamiade ( me shkronja arabe) (IV,177), apo në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Për këto lidhje, shkrimtari francez Mathias Enard ka shkruar: ”Madje Sarcia ngulmonte se poeti i mbramë persian i Perëndimit (Occident), siç e quante ai, ishte një shqiptar që kishte shkruar dy romane në vargje dhe disa gazele (ghazals) erotike deri në vitet 1950, midis Tiranës e Beogradit. Gjuha e Hafizit kishte vazhduar të ishte e pranishme në kontinentin e vjetër pas Luftës Ballkanike dhe madje pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo që të magjeps, shtonte Sarcia me një buzëqeshje fëmijërore, ishte fakti se këto tekste vazhdonin traditën e madhe të poezisë klasike, por duke e ushqyer atë me modernitetin, – ashtu si Naim Frashëri, këngëtari i kombit shqiptar, ky poet i mbramë persian i Perëndimit, krijoi edhe në shqip, madje edhe në turqisht e në greqisht.” (V, 312)

Refrenca bibliografike

I.Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, Tiranë, 1983

Le Petit Robert, Paris, 1969

III.Henri Massé, Firdousi et l’Epopée Nationale, Paris, 1935

Historia e shtetit, shoqërisë dhe qytetërimit osman, Tiranë, 2OO9

V.Mathias Enard, Boussole, Actes Sud, 2O15