Jump to content

Heroi i paharruar Rako Pina

Nga Wikibooks

Nga Dhimitër Shtëmbari

– More, nga është çuni, Rakua, se na mbeten delet mbyllur në vath!

Atyre ditëve të gushtit të vitit 1944 një refren të tillë e dëgjonin shpeshherë familjarët e Uan Pinës atje në fshatin Rrapëz të rrethit të Lushnjes.

Sepse Rakoja, trembëdhjetë – katërmbëdhjetëvjeçarë, ishte bërë, si i thonë, harram i shtëpisë. I udhëzuar nga djemtë e antifashistit të shquar Llazar Bozo nga Kolonja, Rakoja lëvizte si korrier gjithandej ku e dërgonte këshilli nacionalçlirimtar i fshatit Rrapëz.

– More, bir, nga rri! Se s’po të marrim vesh! A nuk e kupton ti se ka shumë punë shtëpia! – i drejtohej i ati të birit ditë mbas dite.

Ca më shumë ndihej i shqetësuar i ati teksa e kishte parë disa herë që dilte me shokë andej nga Fusha e Kënetës për t’u marrë me pushkë e bomba.

Dhe erdhi një ditë e Rakoja nuk po shikohej më në shtëpi. E kishin pritur deri vonë, por nuk u kishte ardhur! Në kohën që do të shtriheshin për të fjetur, u kish shkuar dikush në shtëpi dhe u pat thënë, që të mos e prisnin djalin, se… kishte shkuar me disa nga shokët e vetë në radhët e Brigadës XVI Sulmuese Partizane.

Në Durrës, në kursin për traktorist

Kur qe kthyer nga Lufta, Rako Pina nuk kishte gjetur njëri në shtëpi. Ishin të gjithë në punë. Kur ishin kthyer prindërit, i biri, veshur partizan, po i priste nën një pemë në oborr. Ishin përqafuar me mall dhe …

– Si nuk na the një llafe, mor bir kur u largove prej shtëpisë! – i qe drejtuar i ati.

I biri nuk pat folur. Ashtu së bashku ishte futur brënda, tërë dashuri e mall për njerëzit e familjes. Dhe që atë pasdite pat dalë në arë për të bërë ndonjë punë. Kështu një javë, kështu një muaj, një vit, dy vjet.

Një ditë, i kthyer nga puna, ashtu tërë djersë, Rakoja i qe drejtuar të atit:

– Baba, kam menduar të shkoj në Durrës për të ndjekur një kurs për traktorist.

– Traktorist?! – ia kish pritur i ati me një farë habie.- Po bujqësinë këtu në fshat kush do ta punojë?! Unë tani po plakem…

Rakoja e kish parë në sy dhe i kishte ardhur keq teksa e kish dëgjuar t’i fliste ashtu.

– Do të vuash një vit, baba, pastaj do të më kesh në krah. Këtë punë që e bën për një javë me krah apo me qe, do të vij dhe do ta bëj unë me traktor për tri orë…

Të nesërmen Rakoja u gjend në Durrës, ku filloi dhe vazhdoi kursin për traktorist.

Kur qe kthyer në shtëpi një herë nga kursi, mbante veshur një palë kominoshe, ndërsa në xhepat e tyre – disa çelësa.

– Po shkoj në Krutje, – u pat thënë një ditë atyre të shtëpisë, – se dua të shikoj se si punon traktori që kanë çuar atje.

Dhe nuk ishte vonuar. Veshur me kominoshet e kursit, me çelësat nëpër xhepa pat nxituar të takonte Andon Gjermënin, që do të ishte e do të mbetej një nga traktoristët e parë në tërë rrethin e Lushnjës.


Te rregulli shtetëror shikonte të mirën e të gjithëve

Me mbarimin e kursit Rako Pinës i dhanë një BTZ, ose, siç i thoshnin atëhere, një traktor me thumba. Nuk e pati të lehtë. Tokat ishin të zeza, tepër të rënda për t’u pluguar. Në kushtet kur ende nuk ishin krijuar kooperativat bujqësore, i duhej të futej në ngastra tepër të ngushta e të vështira, shpeshherë me shumë rrënjë drurësh të sapoprerë.

Por Rakoja, si Rakoja: i ndërgjegjshëm, tepër skrupuloz, dhe punëtor si vet ai.

Tregojnë: E kishte thirrur kushëriri i tij, Mitër Pina, për t’i pluguar tredynymshin pranë shtëpisë, pronë e dhënë nga kooperativa bujqësore e Lumthit në rrethin e Lushnjes.

– Ku e ke letrën prej kryetarit të këshillit popullor të fshatit? – i ishte drejtuar traktoristi i ri.

– Nuk kam letër, por dihet se ti do të vish për ta pluguar, se nuk ka tjetër…

– Dakort jam, unë do të vij, por do të jem aty kur të më thotë këshilli popullor.

– Unë do të të përgjigjem me lek sipas rregullave të shtetit, o Rako. Tatimin, karburantin…Ti nja tri orë punë do të kesh… Fundja hajde natën, kur të jesh i lirë, se kam ndërmënd ta mbjellë këto ditë.

Edhe pse i ishte lutur, Rakoja nuk kishte pranuar. Nga xhepi kishte nxjerrë ca pusulla, që ia kishte dhënë kryetari i këshillit popullor të fshatit. Ishin copa letre që tregonin se ku duhej të shkonte, sipas radhës, për të pluguar.

– Meqënëse paske vendosur të mbjellësh, o kushëri, do të bisedoj edhe unë vet me kryetarin e këshillit popullor të fshatit. Dakort?

Dhe ashtu kishte vepruar.


Edhe bukën atje në arë, pranë traktorit

Vite më pas Rako Pinës i dhanë një traktor të tipit “DT 54”, me zinxhir. I vetëdijshëm për detyrat që duhej të kryente, mbeti ditë – natë mbi mjetin mekanik! Në një nga mbledhjet e brigadës traktoriste, përgjegjësi i brigadës ishte shprehur, se Rakoja kishte pluguar dyfishin e sipërfaqes që kishte liruar traktoristi që radhitej i dyti për nga rezultatet e mira. Aty kishte ndodhur të ishte i pranishëm vet drejtori i SMT – së, Todi Bozo, të cilit pak vite më pas do t’i akordohej titulli i lartë i Heroit të Punës Socialiste.

– Pa na e trego pak përvojën tënde për këtë rezultat, – i qe drejtuar drejtori.

Modest siç ishte, por edhe tip paksa i përmbajtur, Rakoja pat qendruar i heshtur.

– Në qoftë se më lejoni mua, dëshiroj të them dy fjalë për përvojën e Rakos, – pat folur nga vendi një traktorist.

– Posi, të flasësh, – i qe drejtuar drejtor Todi.

Kur vjen mesdita, ne shuajmë traktorat dhe nisemi për të ngrënë drekë në fshatin tjetër, në mensën e kooperativës. Sa kohë bën rruga, sa kohë bën çasti që hamë drekë, Rakoja vazhdon të punojë. Kur kthehemi, ky i ka pluguar edhe nja pesë a gjashtë lehë të tjera. Po kështu përditë. Tërë muajin. Gjithë vitin.

– Po pse, ky pa bukë rri?! – pat ngritur zërin drejtori.

– Jo, ia çojmë ne, me gavetë. Herë – herë merrë bukë edhe nga shtëpia e tij…

Drejtori pat tundur kokën, qe kthyer nga Rakoja dhe u qe drejtuar të gjithëve.

– Atëhere na duhet të bisedojmë me kryetarin e kooperativës, që tërë traktoristëve, në pikun e fushatës, bukën t’ua dërgojnë në arë traktoristëve.

Sakaq, e kishte marrë fjalën edhe një tjetër:

– Po në janar, drejtor, kur na duhet të punojmë gjatë, se plugimi i janarit – vlaga e beharit, ç’ndodh me Rakon?

Dhe po vet vazhdoi:

– Të themi të drejtën, sa thyen mesi i natës, se ftoht është, shuajmë traktorat dhe …. Ndërsa Rakoja e gdhin mbi traktor…

– E po… ç’më mbetet t’ju them! – qe shprehur drejtori. – Të tëra i ka “thënë” Rakua.


Me shpirt praktik

Kthehej nga Lushnja, ku kish qënë për një punë të ngutshme dhe shikon diku në Karbunarë një traktorist që e drejtonte mjetin për diku. I bën me dorë të ndalojë, i shkon afër, e takon dhe…

– Ku po shkon?

– Ta furnizoj me naftë në pikën e karburantit, – i përgjigjet shoku i vetë.

– Në fund të fshatit?!

– Po, pra, – ia kthen traktoristi, – po shkoj atje që të furnizohem me naftë…

Rakoja nuk e kishte zgjatur më tej. Nuk donte të shkëmbente fjalë. I kishte dhënë dorën dhe qe larguar.

Në mbledhjen më të afërt të brigadës traktoriste sekretar – furnizuesi kishte njoftuar disa nga rezultatet e harxhimit të naftës për hektarë. Gjatë atij viti Rakos i binte të kishte kursyer aq naftë, sa me të do të mund të plugonte gjatë dy viteve të ardhshëm.

– Kemi gjetur belanë me Rakon, – qe shprehur një traktorist. – Nisur nga rezultatet e tij, drejtoria po na ngre normën e harxhimit të naftës për hektarë!…

Por Rakoja dëgjonte dhe i bindej vetëm ndërgjegjes së vetë. Ç’bënte? Bisedonte me brigadierin e arave dhe binte dakort, që fuçitë me naftë të çoheshin në krye të parcelave që do të plugoheshin, duke i transportuar deri atje me qerre.

– Kur kemi mjet pa karburant, qerren, përse të harxhojmë naftë për t’u furnizuar, – u thoshte shokëve të vetë.

Edhe kalimin e naftës nga fuçia në traktor e bënte me shumë kujdes. Se e dinte, që një grusht naftë ishte ca metro katrorë më shumë plugim.

Në çastin që pagatori u shpërndante rrogat traktoristëve, dikush kish pyetur:

– Sa lek more, Rako?

Rakoja kishte heshtur, por në çast ishte hedhur të përgjigjej vet pagatori:

– Ka marrë sa marrin së bashku Sekretari i Parë dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit.

Domethënë, atë muaj Rakoja merte mbi njëzetëmijë lekë.

Teksa i dorëzohej titulli i Heroit të Punës Socialiste

Në festat e nëntorit të vitit 1959 Rako Pinën e thirrën në Komitetin e Partisë të rrethit të Lushnjës. Të pranishëm në takim ishte Sekretari i Parë i këtij Komiteti, Rrapi Gjermeni, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Muzafer Trebeshina e të tjerë.

– Për rezultate shumë të mira në punë, juve, shoku Rako, Presidiumi i Kuvendit Popullor ju ka akorduar titullin më i lartë: Hero i Punës Socialiste, – i ishte thënë në atë takim.

Kuptohet, ishte një nder i jashtëzakonshëm që i bëhej. Ndërsa dëgjonte çfarë i thuhej, e kishte jo të lehtë të gjente shprehjet e duhura për t’i falënderuar.

– Tani ju duhet të qepni një kostum të ri, të lidhni edhe një kollare… dhe të paraqiteni atje ku do t’ju dorëzojnë yllin e artë të Heroit, – i qe thënë.

Mbas këtij takimi, Rakoja e mbajti frymën te traktori, se e kishte lënë në mes të arës. E nxori në anë të saj, e vendosi mbi disa drurë, i pastroi zinxhirët dhe u nis pa merak drejt shtëpisë.

Në mbrëmje e kishin thirrur sërish në Komitetin e Partisë të rrethit.

– Shiko, – i patën thënë, – po të japim një fjalim të shkurtër që do ta mbash në çastin që do t’ju dorëzojnë Yllin e artë të Heroit.

I kishin dhënë edhe disa këshilla të tjera, që “të nderonte veten dhe rrethin e Lushnjes”.

Me “fjalimin” në xhep Rakoja u nis të shkonte në drejtorinë e SMT-së, duke menduar se aty do të mund të gjente drejtorin, Adnan Qatipin.

– Mirë kanë bërë që të kanë dhënë një fjalim, – i kish thënë drejtori, – por… ata atje flasin më bukur si ti e si unë dhe si këta të Komitetit të Partisë të rrethit. Atyre bën mirë t’u tregosh jo fjalë të bukura, por punë të bukura. T’u thuash, se sot, 1959, unë punoj për vitin 1967. Në vitin 1967, besoj, se do të kem punuar për llogari të vitit 1980…

Dhe në Presidiumin e Kuvendit Popullor Rakoja kishte folur vetëm me gjuhën e rezultateve të tij.


Vepronte ashtu si ia deshte puna

– Ky Rakoja sikur kërkon të hajë dynjanë! – dëgjohej të shprehej ndonjë nga shokët e tij.

Shprehej kështu, sepse e shikonin shokun e tyre që bënte çmos për të rritur treguesit e punës dhe ato të kursimit. Ndërsa të tjerë e çonin rehat – rehat traktorin në bazën mekanike për të kryer riparimin e mesëm, Rakoja këtë lloj riparimi e kryente vet atje në arë. Në qoftë se të tjerë mezi prisnin grafikun për të kryer në ofiçinën e SMT – së remontin kapital, Rakoja e “thyente” këtë grafikë falë kujdesit sistematik që kish treguar gjatë tërë periudhës që pat punuar.

– Përse i ke vënë plugut vetëm tre veshë, kur tokën e ke të lehtë! – i qe drejtuar një herë Rakoja një shokut të vetë.

Tjetri kishte ngritur supet, duke lënë të kuptohet, se kishte përtuar t’i shtonte edhe një vesh më tepër!

Rako Pina nuk i falte vetes asgjë. Në qoftë se toka ishte cilësore, ai nxitonte t’i vinte plugut katër e, në ndonjë rast, edhe pesë vesh. Dhe në njësinë e kohës realizonte 25 për qind më shumë sipërfaqe toke në krahasim me shokët. Dhe, kuptohet, shfrytëzonte shumë më pak karburant për njësi sipërfaqe.

I sakrificës, si rrallëkush tjetër

Në vitin 1962 në oborrin e SMT – së dhe në disa baza mekanike të kooperativave bujqësore kishin mbetur skelete traktorësh të vjetër. Ishte koha që sapo ishin prerë marrëdhëniet shtetërore me Bashkimin Sovjetik. Drejtorin e SMT – së nuk e zinte gjumi. Bëj ç’bëj ata të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit dhe e thërrisnin në raport: Çfarë po bën?! Mbetën tokat pa u pluguar, mbetën arat pa u mbjellë!

– Të shikoj shumë të mërzitur, – i qe drejtuar një ditë Rakoja drejtorit të vetë.

– I mërzitur sa… jam gati të jap dorëheqjen, – ia pat kthyer drejtori.

Si të fliste me vëllain e tij, Rakoja i qe drejtuar:

– Unë kam një sugjerim: ne, traktoristët e vjetër, të lemë traktorët që kemi, “DT 54” dhe të marrim këta të vjetrit, që kanë mbetur rrugëve. T’i rregullojmë dhe t’i vemë në punë…

Dhe kështu u bë. Me këtë rast nga këta traktoristë iu dërgua një letër Komitetit Qendror të PPSH dhe Këshillit të Ministrave.

Me traktorin “BTZ””, dikur i lënë në harresë, gjatë vitit 1962 Rakoja realizoi planin e tre vjetve. E gjitha kjo u pasqyrua edhe në një film dokumentar.


Deputet i ish Kuvendit Popullor në dy legjislatura


Në zgjedhjet e 3 qershorit të vitit 1962 traktoristi Rako Pina zgjidhet deputet i Kuvendit Popullor. Do të ishte në sallën e këtij Kuvendi krah Gaqo Tashkos, Koço Theodhosit, Miti Bozos e të tjerë deputetëve të rrethit të Lushnjës. Kështu edhe në legjilaturën pasardhëse, 1966 – 1970, krah deputetëve Gaqo Tashko, Kadri Hazbiu, Miti Bozo, Rrapi Gjermeni, Uani Hila e të tjerëve.

Rasti e solli që Rako Pina të kalonte një sëmundje, që e la të plogësht. Në këto kushte e dërguan ca kohë në ofiçinë e pastaj – brigadier të traktoristëve në kooperativën bujqësore të Zgjanës.

– E dimë që nuk jeni mirë me shëndet, por na duhesh të vendosësh rregull e disiplinë në Zgjanë, – i pat thënë drejtori i SMT – së.

I ndershmi Rako nuk dinte të thoshte një herë “jo”. Shkoi. Kooperativa e Zgjanës përbëhej nga kodra mullar – mullar. I mblodhi traktoristët dhe i udhëzoi se si duhej të vepronin. Këta e njihnin jo thjesht si Hero, por edhe si njëri që e nderonte profesionin.

– Ju flisni mirë, shoku Rako, por kam përshtypjen se nuk e njihni mirë punën e traktorëve në terren kodrinor, – i qe drejtuar një traktorist.

Rakoja e kish dëgjuar me shumë respekt.

– Po, është e vërtetë që nuk e njoh aq mirë, por do ta njoh. Ja, bashkë me ju.

Dhe kishte marrë traktorin e dikujt dhe ia kishte filluar punës në kurrizet e kodrave.

– Kur vinte Rakoja në ofiçinën e SMT-së, – tregon inxhinieri i talentuar mekanik, Ilmi Mançe, – lija çdo punë dhe i afrohesha. Se e dija që ai sillte të vërtetën e pakundërshtueshme. Se ai ishte vërtet pjesë e shqetësimit të atij kolektivi traktoristësh që punonin si heronj në Zgjanë. Ndërsa qendroja pranë atij Heroi shtatshkurtër, më dukej vetja tepër i vogël.

Megjithatë, ai, Heroi, shikonte e respektonte te unë inxhinierin.


Të varur nga Komiteti, por edhe nga kushtet e motit

Kryetari i kooperativës bujqësore të Hyzgjokajt, Hasan Sharka, një burrë serioz dhe shumë punëtor, kishte ngulur këmbë në drejtorinë e SMT – së që t’i dërgonin një brigadier të zotë traktoristësh.

– Kooperativa jonë është keq, – i kishin thënë kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Lushnjes, – sepse nuk punon mirë SMT – ja.

Nisur nga kjo kërkesë drejtoria dërgoi përgjegjës të mekanikës bujqësore në këtë kooperativë pikërisht Rako Pinën.

– Mirseerdhe! – e uruan Rakon ditën e parë që shkelte në Hyzgjokaj. – Besoj se do të meremi vesh, sepse jemi turpëruar para Komitetit të Partisë të rrethit…

– Përse jeni turpëruar?! – pat pyetur me kërshëri i porsaardhuri.

– Po ja, morëm zotim në mbledhjen e Plenumit të Komitetit të Partisë të rrethit, që grurin ta mbillnim brënda nëntorit, mirëpo…

Rakoja e kish dëgjuar me respekt dhe atypëraty nuk u ishte përgjigjur. Nuk kish dashur të keqkuptohej. Një fjalë e hedhur pa kujdes mund t’i kushtonte shumë.

– Ja, këto kodrat e ëmbla këtu përpara duhet t’í plugojmë dhe shpejt e shpejt t’i mbjellim këto ditë, – e kish marrë fjalën një nga ata të kryesisë.

– T’i shikojmë…

– T’i shikojmë?! Si t’i shikojmë?! Me këta gjuhë na përgjigjet edhe kryeagronomi…

– Mbase edhe ka të drejtë kryegronomi…

Dhe menjeherë mbas këtij takimi, Rakoja nisi të bëjë një shëtitje në këmbë në tërë ato kodra, që prisnin të punoheshin. Dhe, së bashku me kryeagronomin, caktoi radhën e ngastrave që do të plugoheshin.


Kur doli në pension, teksa i dha disa dokumente që i duheshin për t’i dorëzuar në Sigurimet Shoqërore, një nga punonjëset e zyrës së llogarisë i qe drejtuar.

– Nga të dhënat që kam këtu del se ju tani (viti 1988) keni punuar për llogari të një kohe që shkon përtej vitit 2003.

… Një pakujdesi e vogël, i shkaktoi Rakos një brengë të madhe: priste t’i organizonin një takim lamtumire në SMT, por… askush nuk u kujtua për një gjë të tillë! As ata të Partisë e as ata të Drejtorisë!

– Grua, – i qe drejtuar një ditë bashkëshortes së vetë, Ristankës. – Kam dëshirë të organizojmë një darkë, ku të kem të ftuar disa nga miqtë e mi të punës së përbashkët. Nuk ma lejon shpirti të ndahem kështu prej tyre…

– Patjetër që do ta organizojmë, – ia kishte kthyer Ristanka.

Dhe e kishin organizuar atë darkë. Deri në mesnatë Heroi kishte qënë i rrethuar prej respektit dhe dashurisë së disa prej atyre, me të cilët në krahët e punës kishte fluturuar në kohë.


15 tetor 2018