Heqja e gradave/ “Grushti i shtetit”, Enveri merr masa në ushtri

Nga Wikibooks

Hetem Halili, ish-instruktor i përgjithshëm në Drejtorinë Politike dhe ish komisar i Korpusit 7, rrëfen për heqjen e gradave në ushtri. Rreziqet që mund sillte hierarkia e spaletave. Si mund të shmangej grushti i shtetit bonapartist që u aplikua në BS


Nga Leonard VEIZI

Lamtumirë spaleta. Kjo ndodhi me ushtarakët shqiptarë në mesin e viteve ‘60. Ideja për heqjen e gradave në ushtri u hodh në prillin e vitit 1966, me Letrën e Hapur që Byroja Politike e KQ të PPSH u dërgoi organizatave bazë të komunistëve. Ishte çështje kohe dhe ushtarakët do të njehsoheshin, pa yje të verdha mbi supe, vetëm e një yll të kuq në ballin e kapelës…

…Hetem Halili një nga oficerët e lartë të ushtrisë shqiptare, duke sqaruar argumentet për heqjen e gradave në ushtri, thotë se në Letrën e Byrosë Politike kishte tri boshte kryesore, ku bëhej fjalë për reformat dhe revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë, pushtetit e ushtrisë. Një nga pikat kryesore që ngrihej në çështjen e ushtrisë ishte dhe heqja e gradave. Në letrën e hapur jepeshin edhe argumentet përkatëse se përse duhej të bëhej kjo reformë dhe, ndër kryesoret ishin: Kur ishte formuar ushtria partizane, gjatë Luftës, nuk kishte grada. Ato ishin të huazuara dhe nuk kishte pse të mbaheshin më. Argumenti i fundit ishte se; ushtria ishte marrë nga populli dhe nuk kishte pse të ndahej nga populli, duke bërë dallime me anë të gradave. Për me tej Hetem Halili na jep këtë tablo të situatës:

Kur u ideua heqja e gradave?

Nga mesi i viteve ‘60-të u ndërmorën një sërë reformash revolucionare në shumë aspekte të jetës së vendit. Në këtë kuadër, u inkuadrua dhe lëvizja për heqjen e gradave në ushtri.

Kishte model tjetër deri në atë kohë?

Ushtria kineze gjithashtu i kishte hequr gradat. Por unë nuk mendoj se ushtria shqiptare kopjoi modelin kinez për faktin se, kur kinezët në vitet ‘80-të i rivendosën gradat, ushtria shqiptare nuk i futi ato. Çështja është se Partia e Punës dhe Enver Hoxha, pas shumë ngjarjeve që ndodhen në vendet e demokracive popullore e sidomos në BS, dolën në konkluzione se ushtria dukej riorganizuar, pra duhej ndërtuar ndryshe, me qëllim që t’i përgjigjej kushteve të zhvillimit shoqëror të vendit tonë dhe një shoqërie socialiste.

Cila ishte vlera e këtij riorganizimi?

Në analizën që i bëri Enver Hoxha shkaqeve të kundër revolucionit dhe kthimit mbrapa të Bashkimit Sovjetik, mes të tjerave, nxirrte rrezikun e bonopartizimt, pra marrjen e pushtetit nga ushtria, ose thënë ndryshe; të grushtit të shtetit. Në këtë analizë, mesa mbaj mend unë, Enver Hoxha nxori dy gjëra: E para kishte të bënte me gjeneralët që bënë Luftën, që në të vërtetët kishin treguar akte trimërie, mençurie e sakrificash, por që vit pas viti ata ishin shkëputur nga populli. Konkluzioni thoshte se pikërisht kjo shtresë ushtarakësh interesat e popullit i kishin harruar dhe kishin vënë veten mbi popullin. Dhe në këtë mënyrë, ata kujtonin se mund të drejtonin, se ishin të aftë që jo vetëm të drejtonin ushtrinë, por të drejtonin vetë shtetin, të bënin ligje e shumë gjëra të tjera. Në atë kohë Enver Hoxha i cilësoi ata si: “Gjeneralët me gjokset e krimbura nga dekoratat”. Pikërisht gjëra të tilla ishin bërë shkak të atij regresi që ndodhi në BS, pikërisht pas ardhjes së Nikita Hrushovit në pushtet.

Po çështja e dytë?

Çështja e dytë ishte marrja në analizë e një ngjarje të ndodhur po në BS të atyre viteve. Ishte viti 1957, kur në Byronë Politike të PKBS u diskutua për heqjen e Nikita Hrushovit nga posti i Sekretarit të Parë dhe emërimin e tij si ministër të Bujqësisë. Në këtë furi diskutimesh, marshalli Zhukov që ishte anëtar i Byrosë Politike, por njëkohësisht kishte dhe pozicionin e ministrit të Mbrojtjes, kërcënoi hapur duke thënë: “Ose të linin Hrushovin Sekretar të Parë të Partisë, ose do të urdhëroj që tanket të futen në Kremlin”. Zhukov vërtet ishte një nga gjeneralët e famshëm të Luftës së Dytë Botërore, por nga pikëpamja politike ai kishte një nivel të ulët. Të detyruar nga ky presion, Byroja Politike e PKBS nuk mori dot vendimin për shkarkimin e Hrushovit dhe diskutimet kundër tij shkuan kot. Marshalli Zhukov me veprimin që bëri ndikoi në atë kthesë. Por, duke iu trembur një fakti të tillë, ishte vetë Hrushovi që kohë më pas e shkarkoi mareshalin Zhukov nga posti i ministrit të Mbrojtjes.

Një “grusht shteti” mund të bëhet dhe me ushtarakë pa grada?

Këtu ishte fjala për të hequr shenjat dalluese. Këto shenja krijonin idenë e supermacisë që ka një njeri në raport me të tjerët, që nuk i kanë këto shenja dalluese. Dhe kjo është e vërtetë, sepse në një farë mënyrë është si një presion psikologjik. Njerëzit sugjestionoheshin kur në një ambient hynte një oficer madhor, si majori apo koloneli. Por nuk kishin të njëjtin respekt për një toger, për më tepër për një nëntoger.

Cilët mbetën më të pakënaqur nga gradat?

Ata që e kishin më të vështirë, ishin ata ushtarakë që mbanin grada të larta dhe sidomos gjeneralët. Madje, ishin pikërisht këta të cilët u akuzuan: “I keni pranuar pa shpirt heqjen e gradave”. Më kujtohet një rast, kur në shtëpinë e oficerëve në Vlorë erdhi shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Petrit Dume e si me shaka u shpreh: “Ju jeni mirë se nga një gradë oficeri u hiqet, po ne që na hiqet gjeneralllëku si t’ia bëjmë!?”. Ai e tha me shaka dhe ne me shaka e morëm. Megjithatë, asnjëri nuk e dinte ku e kishte fundin një thënie e tillë.

Si u projektua zëvendësimi i gradave me rolet drejtuese?

Na u tha qartë: “Vërtet gradat do të hiqen, po postet drejtuese do kenë të njëjtën hierarki. Pra komandanti do të ishte komandant. Nga këto asgjë s’ndryshonte”. Në këtë mënyrë, vërtet një oficer nuk do të njihej si gradë, por do të njihej si komandant dhe në këto kushte ata që e njihnin do t’i bindeshin e do t’i zbatonin urdhrin. Gjithë problemi ishte që këta komandues të mos i njihnin të tjerët dhe t’i hiqnin kapelën vetëm e vetëm se kishte grada. Sepse mendohej se prej këtej fillonin dhe abuzimet.

Përveç “grushtit të shtetit”, çfarë lloj abuzimesh të tjerash ndodhnin?

Përgjithësisht gjeneralët ishin bërë tekanjozë. Kërkonin kudo që shkonin, t’ua shtronin me dreka e darka e t’u mbushnin bagazhin e makinës. Disa prej tyre s’mendonin më se mund të hanin po aty ku hanin dhe ushtarët, apo të merrnin nga i njëjti vend ku ishte gatuar për ushtarët. Pretendimet ishin rritur së tepërmi.


Motivi i ri:

“Gjithë populli ushtar”

Revolucionarizimi i jetës në ushtri kishte një klauzolë, e cila bënte të mundur mosmarrjen e pushtetit në mënyrën bonapartiste. Hetem Halili thotë: “Ajo që ndodhi në BS me Hrushovin e Zhukovin, tregoi qartazi se akte të tilla ndodhnin. Prandaj dhe u mendua që të zëvendësohej ushtria e kazermës, me armatosjen e popullit. Dhe, në këtë situatë pastaj u krijuan shkollat e lira. U shpërndanë armatimet në shkollat e lira dhe atje ku ishte qendra, batalioni, kompania apo grupi, të armatosej dhe populli. Ishte një gjë konkrete ajo që ndodhi për të pasur një popull të armatosur. Natyrisht që do të mbahej një strukturë e përhershme, por që do ta plotësonin forcat e lira që ishin jashtë ushtrisë. Siç ishin: Strukturat e Forcave Vullnetare, rezervistëve, si dhe të Mbrojtjes Civile. Por, gjithmonë qëllimi ishte që të shmangej mundësia e ndërhyrjes së ushtrisë për të rrëzuar një pushtet e për të ngritur një pushtet të ri”.


Ushtria pa grada

Ushtarakët në garë për grada e rroga të larta

Gjatë karrierës ushtarake të gjithë kërkonin gradë sa më të lartë. Bashkë me to rritej autoritet e rroga dhe shtoheshin privilegje të tjera. Por jo gjithkush kishte të drejtë të gradohej. Duke parë përmasat e mëdha të marrjes së gradave, u pa e arsyeshme të vendoseshin rregulla të reja. I pyetur rreth kësaj teme, Hetem Halili thotë: “Aso kohe ndodhën ca gjëra të tjera. Fjala vjen: po të mos mbaroje Akademinë Ushtarake, s’mund të kaloje nga Kapiteni i Parë në Majori. Kështu pati hezitime, madje dhe kundërveprime. Ishin të shumta letrat ankuese, si në MM e KQ, se përse duhet të ndodhi një gjë e tillë dhe se ç’rëndësi kishte, nëse e mbaroje apo jo Akademinë. Sidomos, një pjesë ushtarakësh që kishin bërë Luftën, pretendonin se Akademia e tyre ishte vetë lufta dhe pjesëmarrja në të. Sipas tyre, përderisa kishin sakrifikuar në Luftë, u takonte të kalonin gradat e ulta për t’u futur tek oficerët madhorë. Ishte e vërtetë që ata e bënë luftën, e më pas filluan të merrnin dhe grada. Por një pjesë e tyre nuk e justifikonin, pasi nga ana e dijeve linin shumë për të dëshiruar dhe nuk kishin arsimin e mjaftueshëm. Sidoqoftë ushtria shqiptare qëndroi 25 vjet me radhë pa grada, pra kjo u realizua për një kohë të gjatë. E megjithatë ishte një ushtri e mobilizuar mjaft mirë. Natyrisht që gradat ndikojnë shumë tek një ushtarak dhe në karrierën e tij. Por sot, ka abuzime të mëdha, pasi edhe shumë të tjerë që s’kanë qenë gjeneralë, po cilësohen si të tillë. Them se është çështje propagandistike. Ka pasur oficerë me detyra shumë të larta në ushtri, që po të ishin gradat, do të titulloheshin gjeneralë. Por fakti është që nuk u morën këto tituj. Ndërsa sot kjo propagandohet: “U është ngrënë një e drejtë”.


Masat

Enveri, ja pse nuk kishte frikë nga gjeneralët

Mundësia e një grushti shteti ndodhi në Bashkimin Sovjetik. Një gjë e tillë mund të ndodhte dhe në Shqipëri. Kjo ishte një nga arsyet e forta se pse udhëheqja komuniste shqiptare kishte filluar të merrte masa ndaj ushtarakëve të lartë, të cilët mbanin mbi supe spaletat e gjeneralit dhe mbi gjokse dekoratat e Luftës dhe të Punës. Duke folur për këtë temë, Hetem Halili ish-komisari i Korpusit të 7-të thotë: “Duheshin marrë masat kundër pikëpamjeve e qëndrimeve bonopartiste në ushtri. Por unë mendoj se Enver Hoxha nuk kishte frikë nga gjeneralët e tij në ushtri. Ai kishte autoritet të plotë e të padiskutueshëm. Ndërkohë, masat kishin të bënin jo vetëm sa ai të ishte gjallë, por që të funksiononin edhe pas vdekjes së tij. Në këto kushte, Partia e Punës e Shqipërisë që t’i paraprinte një mundësie të tillë, ku ushtria të vendoste mbi politikën, mori një seri masash. Dhe një nga këto masa kishte të bënte me revolucionarizimin e përgjithshëm të ushtrisë, ku një nga klauzolat kryesore ishte dhe heqja e gradave. Në këtë kuadër, Partia e Punës dhe Enver Hoxha menduan të krijonin një ushtri krejt të re. Ndryshe nga ajo që ishte në Kinë dhe në Bashkimin Sovjetik dhe kudo nga vendet e demokracive popullore. Atë ushtri që siguronte garancinë që të mos ndodhnin akte, që ushtria të vendoste mbi shtetin. Pra, të mos lihej në dorë të ushtrisë që të vendoste se kush duhej të vinte në pushtet dhe kush nuk duhej të vinte. Thënë shkurt, të mos lejohej që ushtria të organizonte grushte shteti për të përmbysur pushtetin legjitim që ekzistonte në bazë të ligjeve e të Kushtetutës së asaj kohe. Por, për atë që u fol më tepër, ishte dhe shkëputja apo një farë distancimi i ushtarakëve të lartë. Ky distancim ishte ai që shqetësonte më shumë partinë dhe Enver Hoxhën. Madje, ky gjykohej që të ishte dhe rreziku më i madh. Konkretisht u diskutua që në ushtri oficerët trajtoheshin më mirë, qoftë dhe me ushqime. Pra, merreshin ushqime dhe llogaritej që oficeri të hante 5-6 herë mish në javë. Ndërsa, kur ngriti problemet, Enveri iu drejtua oficerëve: “Ju hani 5-6 herë mish në javë. Po vëllai juaj që është në fshat apo diku gjetkë, sa herë mish ha në javë? Mund të mos hajë asnjëherë. Prandaj të përpjesëtohet që të hanë dhe të tjerët”. Kështu dhe për probleme të tjera u diskutua gjerësisht”.


18 tetor 2018