Gjurmë dhe lapsa në Vuthaj ku janë shkruar fragmente të veprës së Rexhep Qosjes

Nga Wikibooks

Nga Sefer PASHA

“Sot më bën ta kuptoj tragjedinë e zhvendosjes së babait tim në mars të vitit 1913 në Shkodër. Sa herë e kam dëgjuar duke folur, gjerë e gjatë, më së shpejti, me zë të pikëlluar, për atë xhvendosje. Kalimi nëpër Shalë në pikë të dimrit; vendosja në Barbullush e më vonë në Shkodër; vdekja e nënës, e babait dhe e vëllait të vetëm prej tifos së morrit, që do t’i korrë të xhvendosurit prej Plavës e Guxisë; shtatëmbëdhjetë vjet të jetës si i vetëm në Shkodër – këto ishin temat më të shpeshta të bisedave të tij deri në vdekje”. (Rexhep QOSJA)


Jam në Vuthaj ku ka lindur akademiku Rexhep Qosja. Malësorët e këtushëm nuk më japin ndonjë përgjigje të saktë nëse biri i këtyre bjeshkëve do të vijë për të pushuar këtë pranverë. Sot më thonë, ata, biri i Vuthajve është matanë Alpeve në Malësinë e Madhe, ku ai nderohet me titullin “Qytetar nderi”. Të jesh në Vuthaj në qershor është një mrekulli. Ujëvarat e qelibarta, rudinat me lule pambarim, lisat e gjelbëruar si malësorët në valle, kompanitë me zogj, shqiponjat mbi Kollatë e troftat që kërcejnë balet nëpër shkëmbinjtë e thepisur të ujëvarave. Për fat në shelgjet anës lumit një bilbil merrte kokrra dhe ua shpinte të vegjëlve në fole. Për herë të parë shihja që bilbili i ushqente të vegjlit në fole me kokrra mani të ëmbla mjaltë.

Natyra në Vuthaj të deh, por unë kam ardhur nga larg për tjetër gjë. Ka mote që shkel ato vende e vise, ku ka shkruar vargmalin e veprave profesor Qosja. Akademiku dhe shkrimtari ka shkruar kudo. Më së shumti ai ka shkruar në Prishtinë. Por ai e ka qëndisur veprën ku ka mujtur. Në hotele, në zyrë, në kafene, nëpër stacione treni, në restorante, në salla konferencash, në dasma, në morte, në akademi, kudo ku ka pasur zyra, në rajone policie, në tavolinën e ngrënies, duke udhëtuar mes dhimbjeve të mëdha, kur s’ka pasur asnjë lekë në xhep, edhe nëpër korridoret e Rambujesë kur po vendosej për fatin e Kosovës. Po në Vuthaj? Çka shkruar në Vuthaj? Gjithnjë në Vuthaj ka thurur art në mes të livadheve e rudinave, ku thithte ilaçin e luleve të bjeshkës. Ata na thonë gjithashtu se biri i tyre ndihet mirë në Vuthaj. I largohen sëmundjet. Nuk ka asnjë dhimbje e ndihet mirë shpirtërisht. Në Vuthaj dëgjon baladat, i kthehet humori, ka dëshirë të lëvizë si dikur anës së lumit e i pëlqen liria e kuajve, e demave dhe e shpendëve nëpër bjeshkë. Bjeshka e përqafon me lirinë e saj që ia fal natyra. Asnjë kral nuk ia ka hequr dot lirinë bjeshkës e malit të Kollatës. Për këtë liri flet gjithmonë profesori. Njeriu thotë ai të jetë i lirë si shqiponjat mbi Kollatë. E ndërsa shkelim gjurmë më gjurmë, ku ka shkruar fragmente librash Rexhep Qosja, një i afërt i profesorit gjen në livadh dy lapsa të mpleksur me fijet e barit të egër. Me siguri që lapsat janë të profesor Qoses shton ai. I ka hedhur në livadh kur i janë mbaruar. Përveç Rexhep Qoses nëpër livadhe e bjeshkë nuk shkruan njeri tjetër. I marr të dy lapsat, i mbështjell me gjethe panje dhe i fus në çantë. Do t’i çoj në një nga qoshet e bibliotekës time në Tiranë, ku kam dhe një krah shqiponje, të cilën e kam gjetur tek piramida 18, ku ndahet kufiri i Shqipërisë me Malin e Zi. Lapsat mundet që të mos jenë fare të Rexhep Qoses, por unë dua të besoj se ata janë përdorur prej dorës së tij. Edhe sikur të mos jenë lapsat e Qoses kjo nuk është kushedi se çfarë. Unë fundja po çoj në Tiranë dy sende që kur t’i shikoj, të më kujtojnë Vuthajn, ku ka lindur dhe shkruan shpesh njeriu i letrave shqipe Rexhep Qosja.

Përveç lapsave vuthjanët që na shoqërojnë gjejnë në kullën ka ai lindi dhe një copë letër të shkruar e të zhubravitur. Dy gishtat e letrës të mbushur me shkrim dore janë të palexushëm. Është shkrimi i Qoses më thonë gjithashtu ata. Letra nuk ka asnjë vlerë them me vete. Rexhep Qosja është gjallë. Ka plot blloqe të shkruara me dorën e tij. Unë kam ardhur për tjetër gjë në Vuthaj. Çfarë shkruan profesori kur vjen në Vuthaj? Këtë askush nuk e di. Por miqtë thonë se edhe këtu ai ka shkruar shumë punë me vlerë. Vuthajt e qetëson shpirtin e Rexhep Qoses. Këtu jo vetëm ndihet mirë fizikisht, por dhe frymëzohet. Bjeshkët e Vuthajve janë magjike. Edhe Heminguej shkruante në mal. Prej Vrellës (Syri i Kaltër) nga ku buron lumi Gërla i hedh sytë nga piramida 18 në vijën e kufirit, që lidh Vuthajt me Valbonën. Valbonasit më kanë treguar se romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e kishin përcjell që nga maja e Rosit bijtë e Vuthajve. Dhe romani është lexuar dorë më dorë në Cerem, Valbonë, Ragam, Dragobi e pastaj ka rrëshqitur për në Tropojë e në Tiranë. I ulur në buzë të Vrellës ku buron uji qelibar i lumit nëpërmjet celularit ndjek lajmet. Edhe në Malësinë e Madhe ku ka shkuar Rexhep Qosja ka folur për zhvendosjen me dhunë të banorëve të Plavës dhe të Gucisë.

Për udhëtimin dramatik të babait të Rexhep Qoses e të familjes së tij për në Barbullush e Shkodër profesori ka shkruar disa faqe shekspiriane të përfshira tek libri “Tronditja e shekullit”. Ia kam lexuar çdo rresht e çdo fjalë që ka qëndisur Rexhep Qosja. Sot në Vuthaj kam ardhur të prek tragjeditë shqiptare të shkaktuara nga serbët, malazezët e maqedonasit. Nën hijen e shelgut, poshtë kullës, ku ka lindur profesori, po mbush ca fletë mbi temën e gjenocidit, së cilës i është kthyer gjatë gjithë jetës atdhetari i madh. Mote më parë kam bërë në këmbë udhëtimin tragjik të babait të Rexhep Qoses e të familje së tij. I ndërpres shënimet e i hedh sytë nga bjeshka, ku udhëtoi i dërrmuar drejt Barbullushit babai i akademikut. E ndoqa këtë udhëtim herë në këmbë e herë me kalë. Tani vështroj ato që më sheh syri kurse pjesën tjetër të cilën nuk e shikoj e sjell ndërmend me imagjinatë, paçka se udhëtimin tragjik e ndoqa në çdo milimetër nëpër shkrepa e gur. Babai i profesorit me familjen është nisur nga kulla dhe e ka vazhduar udhën e përpjetë me dredha, ka kapërcyer Qafën e Shelegëve (aty është piramida 18), kanë zbritur në Valbonë, pastaj djathtas për në Ragam, janë ngjitur për në Alpe e mandej nëpër kreshtat e Shalës derisa janë ndalur në Barbullush e më vonë në Shkodër. Është dëbimi i vitit 1913 dhe malazezët nuk kanë mëshirë. Ndaj popullsisë së Plavës dhe të Guxisë gjenocidi ka qenë makabër. E ndërsa vazhdoj t’i mbush fletët me ato ngjarje që kanë ndodhur me babain dhe familjen e Rexhep Qoses i pyes miqtë nga Vuthajt se sa familje të tjera janë shpërngulur me dhunë bashkë me atë të akademikut, të cilat ai i përshkruan tek libri “Tronditja e shekullit”. Vetë profesori nuk thotë në libër hollësira, por vuthjotët më thonë me ato që u kanë rrëfyer se prej Plavës e Guxisë janë përzënë me qindra familje shqiptare. Familjet janë strehuar që nga Shkodra e deri në Durrës. Drama e fate tragjike të panumërueshme.

                                                                                                                                                          – Në Qafën e Shelegëve të malit të Kollatës kam parë shumë murana. Rrëfejnë se ato janë qysh nga viti 1913 kur malazezët përzunë barbarisht popullsinë shqiptare të Plavës e të Gucisë. Por familja e babait të Rexhep Qoses për fat, edhe pse në palcë të dimrit, e kaloi Shalën dhe mbërriti në Barbullush. Jam duke hulumtuar se kush e priti në Barbullush babain dhe familjen e profesorit. Si i kanë emrat dhe kush janë pasardhësit? Sa qëndruan në Barbullush e sa në Shkodër? Kur i zuri sëmundja e tifos së morrit dhe si e përballoi malësori nga Vuthajt vdekjen e babait, të nënës dhe të vëllait të vetëm. Ata qëndruan gjatë në Shkodrën bujare. Plot 17 vjet.

Nuk dihen hollësira se në ç’rrethana u kthye në Vuthaj vetmitari, babai i Rexhep Qoses. S’ka detaje. Vuthjotët më thonë se edhe për t’u kthyer rruga e qëmotit është ajo nëpër shkrepat e Shalës. E lë shkrimin një çast se më tërheq vëmendjen ajo që po u tregon miqve njëri nga vuthjotët. Ai kishte parë në anë të Vrellës një laps, i cili kishte lëshuar një syth të vogël në ngjyrën e shpendrës. Nuk doja ta besoja, por vendasi këmbëngulte se lapsi i flakur i Rexhep Qoses kishte lëshuar sythe. Hajde mos e beso them me vete. Nuk desha ta dëgjoj më folësin, që tregonte për lapsin që kishte lëshuar një syth, e sërish në imagjinatën time solla personazhin tragjik, babain e Rexhep Qoses. Të gjithë familjen e varrosi në Shkodër dhe u kthye në Vuthaj fillikat. Po më tej ç’ndodhi? Legjenda thotë se babai i profesorit është kthyer për në Vuthaj po nga Shala në ato shkrepa ku rrallë ulen shqiponjat. Babain e profesorit e ka zënë nata në Valbonë. Ai ka qëndruar për darkë tek një mik i familjes me të cilin ishin njohur gjatë kositjes së bjeshkës nga ku duket maja e Rosit dhe ajo e Jezercës. Babai i profesorit kthehej pas 17 vjetësh. Ishte burrëruar e në ballë valbonasit dallojnë rrudhat si lugje të Kollatës. Atë natë mikun e dërrmuar të Vuthajve valbonasit me pritjen që i kanë bërë e kanë sjellë në vete. Janë kënduar këngë me çifteli kundër kralëve të Malit të Zi e të Serbisë siç ishte dhe ajo për Vishoviçin: – Vishoviçi kokë tuli/ Në zall të Valbonës kryet seç i nguli/. Legjenda që gjithmonë mbetet legjendë gjithashtu thotë se miqtë nga Valbona e kanë shoqëruar babain e Rexhep Qoses deri në Vuthaj. Ata kanë marrë si dhuratë me vete për mikun një kalë, një pendë qe dhe 20 dele. Unë kam qëndruar dy vjet në Valbonë, Çerem, e Rragam e atje e kam dëgjuar këtë rrëfim. Babai i Rexhep Qoses është kthyer në Vuthaj rreth vitit 1930.


Përpiqem t’i vë në rresht mendimet. Në këtë ese nuk kam si personazh vetëm babain e Rexhep Qoses. Për të thura një fragment se nga ato që ka shkruar Rexhep Qosja për të, ai, mban mbi varrin ku prehet një dramë të rëndë si ta ketë zënë përsipër Kollata. Kthehet në Vuthaj i vetmuar e me të gjithë familjen të shuar. Nis përsëri të trajtojë temën e shfarosjes dhe të përzënies së shqiptarëve nga trojet e tyre. Ndodhem jo shumë larg kullës, ku ka lindur profesori. Shfletoj vëllimin e parë “Tronditja e shekullit”. Në ditarin e tij në 2. 4. 1999 Rexhep Qosja shkruan: – “Në Krushë të Madhe, thuhet, janë pushkatuar nëntëdhjetë burra, mes të cilëve ka dhe fëmijë”. Por kjo shifër e ditarit për këtë dëm në njerëz bën fjalë për një ditë. Faktet e mëhershme janë edhe më tronditëse. Në datat 25 dhe 26 mars 1999 në Krushë të Vogël janë vrarë 112 meshkuj. Një kamion me kufoma u dogj në Drin të Bardhë. Kurse në Krushë të Madhe pas shënimit që bën në ditar Rexhep Qosja numri i të vrarëve shkoi afërsisht në 300 vetë. Mbi 100 gra kanë mbetur vejusha. Shumë familje nuk kanë asnjë mashkull. Dhe profesori rreshton masakrat e serbëve. Të përzënë mbi një milion, të vrarët nuk numërohen, gjithashtu të djegurit e të plaçkiturit. Sa shumë gjak që është derdhur. Për këtë dhimbje të gjatë profesori ka shkruar qindra faqe. Librat e tij na mësojnë që të mos e harrojmë të kaluarën e natyrisht të jemi largpamës për të vështruar përpara. Tek e sjell ndërmend këtë porosi të Rexhep Qoses i hedh sytë nga maja e Kollatës. Një shirit dëbore si spaletë gjenerali ende nuk ka shkrirë. Dielli i qershorit e ledhaton. Prej lumit Gërla fryn erë e fortë sikur të jemi në nëntor. Era e lumit më kujton këngën. – “Ç’janë këto gjamë që po i bien era?”. Dhe me të vërtetë nëpër mote era solli vetëm gjëma.

Për këto gjama Rexhep Qosja ka folur gjerë e gjatë në veprën e tij të lartë sa Kollata. Të vrarë, të zhdukur e të përzënë. I revoltuar përqafoj livadhin poshtë kullës ku ka lindur akademiku. Sa e padrejtë është kjo jetë them me vete dhe krahët nuk i shqis nga livadhi me lule, që të dehin sikur të kesh pirë një kanë me verë. Ti je në livadhin e në bjeshkën tënde e pushtuesi të vë bajonetën në ballë e të detyron që ta lësh vatanë e të mërgosh në vise të tjera. Pa i ndarë sytë nga Kollata mendja ime vrapon sërish për në Krushë të Madhe. Para ca kohësh një koreograf kishte përgatitur një valle me motive nga qëndresa e luftës së Kosovës kundër serbëve. Kur koreografi e kishte ujdisur motivin e valles atij i lindi një problem. Mungonin meshkujt për të kërcyer. Po. Meshkujt mungonin. I kishin pakësuar militarët e Arkanit. Koreografi e vuri në skenë vallen vetëm me vajzat e bukura të Krushës. Koreografi më tha se frymëzimin për këtë valle e kishte marrë tek vepra e Rexhep Qoses “Tronditja e shekullit”. Pas luftës më kanë treguar në Krushë të Madhe se pas masakrave të përbindshme komanda ushtarake serbe me qendër në Rahovec kishte marrë informacion se në shtegun, që lidh dy Krushat, një grup i UÇK – së kishin zënë pritë dhe ishin gati për luftë. Ushtarakët serbë mbërrijnë me tanke. Dhe e rrethojnë shtegun që lidh dy Krushat. Tanket afrohen dhe ushtarët serb pozicionohen. Por ata në ato çaste nuk u besojnë syve. Disa djem 10 -15 vjeçarë ishin në pozicione luftimi. Në duar mbanin pushkë druri. Serbët që nga tanket hapin zjarr dhe i vrasin që të gjithë djemtë me pushkë druri në duar. Po përse djemtë u dolën përpara serbëve me pushkë druri? Asnjëherë nuk e mora vesh të vërtetën. Ndofta djelmoshat donin t’u thoshin serbëve se ata ishin të pambrojtur. Pushkët e drurit ishin lodrat e paqes. Mbase nuk është kjo përgjigja që po shkruaj nxitimthi në fletoren time ngjyrë vjollce. Gjithsesi unë i kam thënë mikut tim piktorit Kujtim Buza të bëjë një pikturë, ku tankistët serbë me grykat e topit hapin zjarr mbi djelmoshat e Krushës me pushkë druri në duar. Kur Kujtim Buza ta mbarojë pikturën unë atë do t’ia çoj dhuratë Rexhep Qoses në studion e tij në Prishtinë.

Nuk e di tani ne që jemi në Vuthaj dhe kujtojmë tragjedinë e babait dhe të familjes së Rexhep Qoses, i cili ndodhet në Malësinë e Madhe, ai, vallë a i hedh sytë nga kreshtat e Shalës nga ku zbriti për në Barbullush ati i tij me një kalë me drama në shpinë. Me siguri që po. Unë nuk ua ndaj pyetjet vuthjotëve. E ata më flasin për shkëmbimet e kulturës këtej dhe andej kufirit në shekuj. Një kasetë vetëm me një këngë ka qenë e gjatë sa duheshin pesë orë për ta dëgjuar. Këngëtari e këndonte me lahutë. Kënga bënte fjalë për një çetnik që kishte rrëmbyer një çikë vuthjote të bukur dhe ishte larguar për në Evropë. Pas çetnikut malazez ishte nisur i vëllai i vuthjotes së bukur dhe ishte kthyer me të motrën kur qe plakur. E kishte kërkuar të motrën një jetë. Ashtu siç ka udhëtuar romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” si fajkua nëpër bjeshkë e rudina gjithashtu kanë shtegtuar ngjarjet e përditshme, këngët, vajet, baladat, legjendat, tregimet, rrëfenjat, fjalët e urta, të thënurat nëpër oda, historitë me trima, të korrat e festave nëpër bjeshkë, bëmat nëpër dimrat me ortiqe, ngjarje me komita, rrëfenja me ujqër e me kuaj të egër të Kollatës. Në Dragobi tregohej pas luftës së Kosovës për një grua plakë në një fshat buzë Drinit të Bardhë. Gruaja plakë ishte mamia e fshatit emrin e të cilit nuk po e shënoj. Mamia u bënte aborte të gjitha grave dhe vajzave, të cilat ishin përdhunuar nga ushtarakët serbë dhe kishin mbetur shtatzëna. Ilaçi i dështimit ishte fara e një bari të egër e përzier me hirrë. Mamia plakë fëmijët që ua hiqte grave të përdhunuara i hidhte nga shkëmbi në Drinin e Bardhë. Kur e kam dëgjuar më është dukur si vepër kriminale. Po ç’të bënte mamia e ç’të bënin gratë e mbetura shtatzëna me zor me udbashët serbë. Të rrisnin kopilat serbë. Drama nuk ka anë e udhë. Profesor Qosja nuk merret me këto ndodhi të cilat janë të panumërueshme. Jo. Në veprën e tij të lartë sa Kollata ai i bën autopsinë tragjedisë së Kosovës, që siç e thotë dhe kënga: – “Moj Kosova që e ke adet, nga një luftë me e bë për vjet”. Krimet e serbëve nuk kanë të numëruar. Tek “Tronditja e shekullit” Rexhep Qosja shkruan: – “Në burgun e Istogut ka shumë të burgosur shqiptarë, sidomos shumë të burgosur politikë, në mes të cilëve, duket pas fillimit të fushatës së bombardimeve është sjellë dhe Ukshin Hoti”. Po ku është profesori i fakultetit të filozofisë në Prishtinë Ukshin Hoti?. Shkrimtari Rexhep Qosja e ka personazh në romanin: “Një dashuri dhe shtatë faje”. Personazhi e ka emrin Ukshin Mati. Në faqen 231 të romanit, shkrimtari shkruan: “Kur Ukshin Mati, i porsapranuar në Fakultetin e Sociologjisë dhe Filozofisë, në mbledhjen themelore të LK – së, në të cilën po bëhej diferencimi ideo – politik, thotë se demonstratat e studentëve dhe të rinisë shkollore nuk janë armiqësore, sepse kërkesat e ngritura në to nuk cenojnë interesat e askujt”. Përsëri i hedh sytë nga Kollata. Nuk është vetëm Ukshin Hoti që figuron i zhdukur pa nam e nishan. Janë dhe me mijëra të tjerë. Mbi Qafën e Mullarit, aty ku është vrarë Luan Haradinaj, në shpellat e malit të Pashtrikut, ballë për ballë me Prizrenin, serbët kanë hedhur me dhjetëra e me dhjetëra kufoma të pafajshme burra e fëmijë të Kosovës. Qysh atëmot të vitit 1999 rrotull shpellave të Pashtrikut është shtuar ushtria e korbave. Korbat hyjnë e dalin nëpër shpella me ndonjë kockë në sqep. Para vitit 1999 korbat futeshin në guvat e thella për të pirë ujë. Dilnin të lagura që andej. Kurse tani kërkojnë kufoma njerëzish. Le të kenë kaluar vite. Shpellat e Pashtrikut kanë në thellësi ujë dhe akull. Dhe kufomat e njeriut nuk dekompozohen. Këtë korbat e ndjejnë dhe janë shtuar sa retë e malit janë larguar. Korbat zëvendësojnë retë dhe mjegullën e verës dhe të vjeshtës. Atje në Malësinë e Madhe, ku Rexhep Qosja nderohet me një medalje, sigurisht që nuk i di të gjitha, por i merr me mend. Dhe s’ka si t’i dijë. Në çdo qytet, fshat, mëhallë e shtëpi të Kosovës ka mijëra ndodhi të pashkruara të gjenocidit serb.


Me sytë nga Kollata sikur ajo të jetë një hyjni e epërme u kthehem punëve të kryehershme të akademikut Rexhep Qosja siç janë ato të përzënieve nga trojet e veta të popullsisë shqiptare përfshi dhe vuthjanët. Fletët e veprës më ngjajnë si rudinat e bjeshkës. Studimet e Qoses për këtë fenomen edhe pse janë me përmbajtje dramatike janë kënga e këngëve e flurime ujëvarash. Dramat e shpërnguljes me dhunë nuk përmblidhen dot në një ese e as në një fjalorth. Muza dhe nyja shquese qasin e sendërtojnë historinë jo vetëm të vuthjanëve, por të gjithë shqiptarëve jashtë kufijve. Në të gjithë veprën e gjerë akademiku Rexhep Qosja shkruan me ndjenja emocionale letërsinë e dëshpërimit bash për ato krime që kanë kryer pushtuesit. Margjinalizimi i medimit filozofik të kahershëm rreth labirinthit qerthullor të një populli të munduar me metaforat e panumërta të kujtojnë thënien e Homerit “Këndo, muzë, zemërimin e Akilit”. Lexuesi kur njihet me gjenocidin sllav i rikonfiguron mendimet dhe me overdozë negativiteti artikulon gjithçka që ka ndodhur dhe të fton për një vegim real në dritaren e kufijve të trishtë. Pikë për pikë Rexhep Qosja nga moti në mot me penën e qëruar shpejtazi, me shkathtësi e mprehtësi pakthyeshmërisht, ka ngjizur açik ndjenjën e vetëruajtjes në kufijtë e së pamundurës dhe kualitetin kulturor të shqiptarëve jashtë kufirit të Shqipërisë, mitin e përjetësisë për t’u qëndruar rrebesheve me dinjitet si shkëmbinjtë mbi kullën ka ai ka lindur. Dimensioni letrar me lëndën e shpërnguljes në veprën e Rexhep Qoses ngërthen e tingëllon natyrshëm dhe përhap tek lexuesi mirësinë dhe sharmin për të mos u denatyruar e të grah me forcë lirinë e fituar në vitin1999. Bota e motiveve qosiane qysh në ngjizje e qëndisur me fjalë të arta nuk shterpëzohet e as lëçitet. Rrëketë e fjalive dhe të fjalëve në të gjitha trandjet e veprës së urtuar ashtëzojnë botën e një lexuesi, që i do trojet e veta si vuthjanët e këtij visi të magjishëm.

Nuk dua të shkruaj më. Eshtë e pamundur të hedhësh në letër temën e shpërnguljes me dhunë, të cilën e ka rrahur aq shumë Rexhep Qosja. Me sytë nga Kollata gërvëlis në mendje këngën e popullit: Çka Kollata që po dridhet/ Bajram Curri nuk po lidhet/. I lejoj mendimet e mia të livadhisin nëpër bjeshkë pa bari. E mendimet që harbojnë sërish më ngacmojnë. Ku do të varroset profesor Qosja pasi t’i ketë kaluar të njëqind vjetët? Në Vuthaj më thotë një zë që nga ballkoni i kullës. Sa mirë do të ishte belbëzoj. Për shembull tek kjo rudina në të djathtë të ballkonit. Nuk do të ketë nevojë për të mbjellë lule, as për ta rrethuar varrin me hunj e thupra. Në udhën e vjetër në krah të varrit do të tundin këmborët tufat me dele, shpendët do të vijnë radhë – radhë, era e Kollatës nuk do ta ndaloj violinën, bjeshkëtarët do ta kthejnë kokën të menduar, agimet do t’i hedhin rrezet e dritës, e dielli në perëndim do të largohet i lodhur, e i trishtuar. Natyrisht do të ndihen mirë edhe të vdekurit nëpër murana. Dhe mendimet e lira pa fllastër ma trazojnë shpirtin.


26 Qershor 2018