Jump to content

Gjokset kundër tankeve

Nga Wikibooks

Nga Sali Onuzi

(Kushtuar Dëshmorëve të Atdheut të Br.24 S, me rastin e 74 vjetorit të çlirimit të Tiranës e të Shkodrës)

Mu të Kthesa e Kamzës, në dy pllaka të thjeshta mermeri janë gdhendur emrat e shtatëmbëdhjetë ish partizanëve të Brigadës së 24 sulmuese ( të Lumës ), që ranë në luftë për Çlirimin e Tiranës. Tetë prej tyre ranë aty te “Kthesa “, nëntë të tjerë ranë në pozicionet e tjera majtas e djathtas, nga ish autoreparti (sot Instituti Harry Fultz) e deri në kodrat e Domjeve.

Këta janë :

1-Abaz Tahir Peposhi, Lusën

2-Dervish Hasan Hasani Bardhaj,Dibër

3-Elmaz Hasan Ademi, Bardhoc

4-Gani Hajdin Duraku, Morin

5-Hakik Sherif Gjici, Bushtricë

6-Idriz Nuri Gafurri, Çajë

7- Maliq Imer Topuzi Lashkizë, Diber

8-Nuredin Tahir Braha, Canaj (Bicaj)

9-Osman Halit Qinani, Arrën

10-Ramadan Muharrem Kotarja, Gjegje

11-Ramadan Hamit Shahu, Bardhoc

12-Sabri Islam Gjici, Bushtricë

13-Sadik Tahir Palushi, Palushe

14-Shefit Mehmet Smana, Çajë

15-Vehbi Ramadan Shehu, Canaj (Bicaj)

16-Xheladin Nuredin Mici, Gjegjën

17-Maksut Rexhep Fetishi, Shishtavec

Siç shihet edhe në këtë listë, si në rreshtimin luftarak 74 vjet me parë këtu janë bashkë lumjanë, goranë, dibranë e malazias, të gjithë shqiptarë, patriotë, djem të rinj, që të kujtojnë formacionet e gjyshërve të tyre që kishin luftuar e fituar bashkë kundër ushtrisë pushtuese serbe në nëntor 1912, si sot 106 vjet më parë në betejën e famshme të Lumës.

Lufta 19 ditore për çlirimin e Tiranës është një epope e lavdishme e popullit dhe e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ajo kishte nisur që më 29 tetor. Me 11 nëntor 1944 kjo luftë po hynte në fazën e saj përfundimtare. Brigada e 24 S ishte thirrur me urdhër të Komandës së Përgjithshme të merrte pjesë në këtë betejë të madhe.

Ajo ishte një brigadë e re, një muaj e një javë nga krijimi i saj. Kronika e luftimeve të saj përmbante një pritë kundër forcave gjermane në rrugën Kukës –Prizren dhe një marshim të sforcuar tre ditor nga Luma në Mat e në Tiranë, ku arriti me datën 10 nëntor. Por po vinte të merrte pjesë në çlirimin e Kryeqytetit dhe po rreshtohej përkrah njësive më të mira të Ushtrisë NC, brigadës së I, IV, VIII, XV, të XVII dhe të X dhe të XXIII sulmuese. Rajoni i saj i luftimeve shtrihej nga Autoreparti (sot Instituti Harry Fultz), Lapraka dhe në kodrat e Domje me thellësi deri në Laknas, në krahun e djathtë të rrugës, midis Brigadës së I dhe Brigadës XXIII s, që luftonte nga Vora e më tej. Përballë saj në anën tjetër të rrugës ishte Brigada X S dhe batalioni “Antonio Gramshi”. Detyra e tyre: të bllokonin hyrjen dhe daljen e forcave gjermane nga Tirana.

Në Tiranë mbrohej një garnizon i fuqishëm gjerman, i pajisur me tanke, autoblinda dhe artileri të rëndë. Në përforcim të tij, në tërheqje e sipër me 11 nëntor doli nga Elbasani një grupim tjetër i madh, sipas dokumenteve gjermane, i përbërë nga 5000 ushtarë dhe oficerë, 2000 prej të cilëve morën rrugën e qafë-Krrabës për Tiranë dhe 3000 të tjerë për Durrës e Vorë. Grupimi “Steyrer” që zbriti në Ibë e Mushqeta, siç dihet u rrethua nga Brigada e 17, 4, 8 dhe 15 sulmuese, të cilat në 15 nëntor gati e asgjësuan tërësisht, vetëm rreth 500 prej tyre u futën në Tiranë.

Ndërkohë nga Vora niseshin grupe të fuqishme për t’u futur në Tiranë. Kundër tyre Brigada e 24 dhe Brigada e 10 s, kishin ndërtuar barrikada në rrugë. Tanket gjermane pasi i gjuanin barrikadat me predha, së fundi sulmonin për t’i shkatërruar fizikisht me peshën e tyre të blinduar. Kronikat thonë se vetëm në një rast forcat gjermane mundën të hyjnë nga Vora në kryeqytet të përgjysmuar, në rastet e tjera u kthyen mbrapsht. Edhe ato që kishin mësy për të dalë nga Tirana nuk ia dolën dot deri me 16 në mbrëmje. Në këto ndeshje të egra me tanket gjermane partizanët e Br. 24S luftonin me armët e këmbësorisë, me ndonjë granatë e rrallë ndonjë antitanks.

Tipik është luftimi dhe rënia e komandantit të kompanisë së dytë Vehbi Shehut dhe dy partizanëve të tjerë, Nuredin Brahës dhe Sadik Palushit. Bashkëluftëtari i së njëjtës llogore me to, Sadik Kërxhaliu, ka treguar kështu: “Dy tanke përpara dhe një autoblindë pas tyre po vinin drejt barrikadës së kompanisë së dytë… Vehbi Shehu me granata dhe një pushkë antitanke në dorë u nis në sulm drejt tankut të parë duke qëlluar mbi të. Kur u afrua 6-7 metra mori të hidhte granatat, por në këtë çast autoblinda e qëllon për vdekje. Ai ra buzë xhadesë afër barrikadës. Togkomandanti Nuredin Braha, dhe pas tij Sadik Palushi, u hodhën në sulm kundër tankeve, qëllonin me bomba dore dhe përparimi i tyre u bllokua. Nuredini mori në krah komandant Vehbiun për ta tërhequr, por sa u ngrit në këmbë u godit me dy predha, njëra në kokë dhe tjetra në anën e djathtë të gjoksit. Megjithatë ai ecte duke u lëkundur e i larë në gjak, në ndihmë i shkoi Sadiku, por edhe ky ra i vdekur nga plumbat e armikut. Nuredini bëri disa hapa, por nga plagët e rënda dhe pesha e komandantit që mbante në krah ra përtokë përpara pozicioneve ku po luftonte …e gjithë kompania jonë. Barrikadën tonë lumjane nazistët nuk e kaluan dot”. Kështu ranë si trimat 17 partizanët e Brigadës 24 s.

Një kronikë interesante për qëndresën dhe rënien heroike të tyre e jep vetë komandanti i shtabit operativ, kolonel Mehmet Shehu në librin e tij “Lufta për çlirimin e Tiranës” për njërin nga këta dëshmorë: “Në pozitat tona te burgu i ri është plagosur një partizan, shkruan Shehu. Maksut Rexhepi nga Luma (në fakt nga Shishtaveci. S.O), qëllon me anti-tank pa reshtur pozitat e armikut për të lehtësuar tërheqjen e shokut të plagosur. Në këtë kohë arrijnë tetë tanke për t’u çelur rrugën gjermanëve të rrethuar. Detyra e Maksutit në këtë rast është e rëndë. E gjithë skuadra po rrethohej. Maksuti sjell anti-tankun kundër tankeve armiq dhe, duke qëlluar pandërprerje lehtëson kalimin e skuadrës partizane. Ky gjest i kushtoi jetën: duke kaluar shokët e fundit, Maksuti vritet nga tanket armiq”. (f.79).

Me 23-28 nëntor 1944 Brigada 24 do të sulmonte për çlirimin e Shkodrës, kryeqendrës historike të Veriut dhe terreni i saj i luftimit do të ishin kodrat e Bërdices dhe të Beltojës, përballë mbrojtjes së fortifikuar gjermane dhe artilerisë së rëndë të vendosur në Kalanë e Rozafës Në portat e Shkodrës ranë edhe 5 partizanë të tjerë të Brigadës së 24 S:

1- Emri Metush Halilaj nga Canaj, Bicaj

2- Hasan Hysen Lika nga Lusna

3- Islam Ramadan Xhahu nga Gjegjni

4- Isuf Jashar Seferi nga Fshati

5- Imer Ramadan Mata nga Zapodi

Brigada që nuk pati kohë të parakalonte në Tiranë me 28 nëntor, parakaloi me 29 nëntor në Shkodrën e çliruar. Me pjesëmarrjen në çlirimin e Tiranës dhe të Shkodrës, me 22 dëshmorët, Brigada e 24S e kaloi me sukses provën e saj historike, duke kaluar e luftuar edhe përtej kufijve të saj lokal, krahinor, siç kishin bërë paraardhësit e tyre dikur, duke luftuar në Qafe Duhle, në grykën e Crnalevës, në Kaçanik e deri në Shkup, për të cilët kënga popullore thotë: Djemtë e Lumës s’po kanë dert/ se ka’ i luftë e bëjnë për vjet/luftë më krajl e luftë me mbret”.

Në mbyllje të këtij shkrimi modest desha të sjell fjalët e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare dhënë tetë vjet më parë gazetës së Prishtinës “Zëri”: “Ky është përkujtimi i një lufte dhe i martirëve të saj. Lufta ka ndodhur vërtetë. Të vrarët kanë ikur nga kjo botë vërtetë. Ndonëse ndihmesa e Shqipërisë në përplasjen botërore ka qenë modeste, pjesëmarrja ka qenë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia”.

Dhe në këtë histori të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare lumjanët, goranët, dibranët e malaziazit etj., kanë pjesën e tyre të shkruar me luftë e me gjak në dy nga betejat më të mëdha të UNCSH , për çlirimin e Tiranës dhe të Shkodrës.


17 Nëntor 2018