Gjiri i Pashalimanit dhe historia e bazës ushtarake detare

Nga Wikibooks

Nga Jovan Bizhyti

Gjiri i Pashalimanit si pjesë përbërëse e Gjirit të Vlorës, mban një pozicion në thellësi të fundit të Karaburunit, si dhe nën lartësinë magjepse të Llogorasë, i cili mbron nga erërat dhe rrymat e stuhishme mjetet lundruese që strehohen në atë gji të fshehur nën hijen e lartësive të maleve përreth. Po ashtu ka qenë gji, e jo port apo kantier detar. Thuhet nga shkrime të ndryshme historike, se ka qenë i dëgjuar që nga koha antike Iliro-Romake si kantier për ndërtim anijesh luftarake dhe tregtare, por gjurmë porti e kantieri mesa dihet nuk janë gjetur, veç skelete anijesh të përmasave dhe periudhave të hershme Iliro-Romake, asaj të mesjetës dhe më pas Osmane e më tej.

Ka qenë i njohur si gjiri i qytetit të lashtë antik të Orikumit, që i përket shekujve para dhe pas erë së re. Por në periudhën e pushtimeve osmane, u përdor për strehimin e anijeve luftarake, nën komandën e një Pashai turk, i cili komandoi për një kohë të gjatë anijet luftarake të perandorisë në territoret e Adriatikut dhe të Jonit. Nga kjo periudhë, u quajt “Limani i Pashait”, pasi “liman” quhej në turqisht “gji” për strehim anijesh.


Shqipëria pas çlirimit të vendit, ishte pa flotë luftarake. Edhe ato pak mjete të thjeshta që kryenin detyra mbrojtjeje apo patrullimi, u shkatërruan nga lufta. Në dhjetëvjeçarin e parë pas çlirimit, me ndihmën e BS u hodhën bazat e para për krijimin e një flote modeste me motoskafe dhe më pas katërsilirues, që veç shpejtësisë, kishin dhe armatim me silura të vogla nënujëse dhe armatim të lehtë.

Gjiri i Pashalimanit për pozicionin e tij strategjik, tërhoqi vëmendjen e shtetit sovjetik, në ato vite aleat i Shqipërisë pas fitores mbi nazi-fashizmin, për të cilin u desh të vinin ta vizitonin ushtarak madhor të ushtrisë dhe flotës detare sovjetike. Shqipëria ishte anëtare e kampit lindor komunist me në krye Bashkimin Sovjetik dhe kishin marrëdhënie të ngushta miqësore.

Në tetor të vitit 1957, erdhi për vizitë në Shqipëri Ministri i Mbrojtjes së BS, G.K. Zhukov, ku midis të tjerave, u vendos që Gjiri i Pashalimanit të kthehej në port dhe bazë ushtarake e Flotës Detare Shqiptare, që nisi të kompletohej me anije luftarake moderne mbiujëse dhe nënujëse, bëhej fjalë për nëndetëse.

Ishte një ëndërr për ushtrinë shqiptare, që shumë shpejtë u kthye në realitet. Fillimisht nisi të kompletohej porti i ishullit të Sazanit me anije gjuajtësa luftarak, dragamina e të tjera, ndërsa në Gjirin e Pashalimanit ishte projektuar të ngrihej distrikti nënujorë i nëndetëseve me bazën lundruese dhe anije të tjera luftarake ndihmëse.


Nga mesi i vitit 1957, erdhi nga baza detare e Sevastopulit anija “Dragë”, e destinuar për thellimin e pastrimin nënujorë të porteve detare. Objekti kryesor ishte ngritja e portit ushtarak detar të Pashalimanit. Ishte periudhë e shkurtër, pasi jo më vonë se një vit, do të ankoroheshin në këtë port anije luftarake të përmasave të mëdha, si dhe fllota e nëndetseve, që do të fuqizonin Fllotën Luftarake Detare të Shqipërisë.

Ishin ditët e fundit të nëntorit 1957 kur anija “Dragë” u ankorua në spirancë në Gjirin e Vlorës, pranë Ujit të Ftohtë. Një motoskaf u drejtua drejt bordit të saj, për të sjellë marinarët e parë që do të kompletonin ekuipazhin e kësaj anije me përmasa të mëdha e detyra specifike, nën kuvertën e së cilës qëndronte një sondë madhështore që do të thellonte për herë të parë portin e ri ushtarak të Pashalimanit. Ekuipazhi ishin djem të rinj 19 e 20 vjeçarë, të ardhur rishtas nga jeta civile për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, që atë vit u rrit nga 3 në 4 vjet. Në anije ishin drejtuesit kryesorë të komandës, ishte komandanti, kapiten i parë Izet Velçani, një burrë zeshkan me tipare të ashpra, por me zemër të madhe e punëtor i palodhur. Ishin gjithashtu dhe drejtuesit e tjerë të posteve teknike e luftarake, si dhe disa specialistë e këshilltarë sovjetikë.


Në Gjirin e Pashalimanit, e veçanërisht në vendin ku do të ndërtohej porti me bankinat përkatëse, po kryheshin paraprakisht punime me polumbarë për pastrimin e hapësirës nga skeletet e anijeve të mbytura në vite e shekuj. Në një periudhë rekord prej rreth tre muajsh, ekuipazhi oficer e marinarë i Dragës, arritën të përvetësojnë teknikën, duke marrë në dorëzim anijen dhe përgjegjësinë për detyrat që i ishin ngarkuar për përgatitjen e portit të Pashalimanit me thellësi peshkimi deri në 8 metra thellësi. Muajt e dimrit të vitit 1958 dhe pranvera e atij viti, ishin një periudhë intensive me përpjekje maksimale për ta përfunduar me sukses këtë detyrë luftarake.


Nëndetëset dhe baza e tyre lundruese po përgatiteshin për lundrimin e gjatë drejtë Shqipërisë nga Balltiku i largët dhe në verën e vitit 1958, porti ushtarak i Pashalimanit duhet të ishte gati për të pritur këtë skuadrilje me anije mbiujëse e nënujëse, që e modernizuan në një shkallë të lartë Flotën tonë Ushtarake Detare.

Atë vit bëri një dimër i ashpër dhe erërat e forta e dallgëzimet që ndiheshin fuqishëm edhe në skajin fundor të gjirit, arrinin të shkallmonin tubacionet që transportonin dherat e rërën që dilte nëpërmjet sondës nga thellësia e fundit të detit. Dallgët e fuqishme i përplasnin ato deri në brigjet e Tragjasit dhe pranë brezareve të Radhimës. Në këto kushte të ashpra atmosferike, marinarët e ekuipazhit të Dragës, bënin përpjekje vetëmohuese, me varka që voziteshin me rrema e me forcën e krahut, natën e ditën duke mbledhur tubacionet dhe montimin e tyre mes dallgëve dhe furtunës, që puna për thellimin e portit ushtarak të Pashalimanit të mos ndërpritej dhe të realizohej me sukses në afatin e caktuar.

Dhe gushti i vitit 1958 erdhi shpejtë. Grupi i nëndetëseve me bazën e tyre lundruese u vendosën në bazën detare të Kaliningradit në brigjet e Balltikut të BS, ku zhvilluan dhe përgatitjet e fundit për udhëtimin e largët drejtë Shqipërisë. Baza lundruese ishte një anije e përmasave të mëdha, e prodhuar enkas për Shqipërinë në vitin 1956 në kantierin detar të Rostokut të Gjermanisë Lindore, ndërsa nëndetëset ishin prodhuar në vitin 1954 në kantierin detar të Rigas të republikës së Letonisë, që përfshihej ato kohë në Federatën e BS.

Këtë kalvar të gjatë udhëtimi që nisi në 1 gusht 1958, e udhëhoqi baza lundruese “Njemçinov” me 4 nëndetëset përkatëse, nën drejtimin e admiralit rus Jorgorov, i cili vite më vonë në betejat politike ruso-shqiptare, u personifikua me personazhin e “Zheleznovit” në filmin shqiptar të viteve 60, “Ballë për Ballë”. Ky kalvar shoqërohej dhe nga dy anije të tjera mbiujëse, një çisterno furnizimi me ujë e karburant dhe një anije me materiale dhe rezerva ushqimore të nevojshme. Në këtë udhëtim ishin dhe drejtuesit ushtarak shqiptarë që do i drejtonin më pas këto mjete luftarake si: Komandanti i brigadës së nëndetëseve, kapiten i rangut të parë Xhemal Shani, si dhe komandantët e nëndetëseve përkatëse, Dashamir Ohri, Spiro Kote, Shyqyri Çukaj dhe Beqir Gërbi.


Pas 21 ditë udhëtimi nga deti Balltik, në detin e Veriut, në Lamansh, në Gjirin e Biskajës të Francës në Oqeanin Atlantik, nëpërmjet Gibraltarit në detin Mesdhe, në 21 gusht 1958, grupi i nëndetëseve me bazën lundruese hynë në ujërat detare shqiptare. Pranë ishullit të Sazanit në hyrje të Mesokanalit, i pritën, Komandanti i Flotës Shqiptare në ato vite, Admirali Teme Sejko dhe Këshilltari i tij sovjetik, të cilët nga motoskafi u ngjitën në bordin e bazës lundruese “Njemçinova”.

Anijet pasi qëndruan për pak ditë në radë në spirancë pas atij udhëtimi të gjatë, u ankoruan në dy bankinat e përgatitura të Portit të Pashalimanit. Fillimisht bankinat ishin portative me pantona lundrues dhe më vonë u ndërtuan të plota me bazament betoni. Nga kjo kohë ky gji mori emrin, “Baza Detare Ushtarake e Pashalimanit”. Ajo u bë një bazë e rëndësishme e Flotës Luftarake Detare Shqiptare, por dhe një nga nyjet e rëndësishme ushtarake të kampit të lindjes komuniste në Mesdhe, ku nëndetësja 105 dhe të tjera kanë lundruar dhe vëzhguar brigjet e perëndimit përtej brigjeve shqiptare, kur thureshin plane nga të dy kampet për thellimin e Luftës së Ftohtë.


Porti i Pashalimanit veç bankinave të ankorimit të anijeve, u plotësua dhe me dokun lundrues për riparimin e nëndetëseve dhe anijeve të vogla luftarake, u ngritë ofiçina me makineritë metalprerëse e paisje të tjera teknike, u ngritën godinat e shkollës së instruksionit për pergatitjen e specialiteteve për anijet luftarake, kinemaja dhe ambjente të tjera argëtuese. Qyteza e Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit, u kthye në një qendër të rëndësishme të përgatitjes luftarake të forcave detare shqiptare.

Në Gjirin e Vlorës u ankorua një vit më pas dhe baza detare e “Traktatit të Varshavës”, që erdhi në verën e vitit 1959 dhe u largua pas shumë debatesh e konfliktesh politike në qershorin e vitit 1961.

Prishja e marrëdhënive midis udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj sovjetike, u bë shkak për largimin e Shqipërisë nga “Traktati Ushtarak i Varshavës” dhe nga gjithë kampi i lindjes komuniste, ku dhe historia e Bazës së Pashalimanit nga më interesantja e periudhës së Luftës së Ftohtë, u kthye në një legjendë që e përballi Shqipërinë me një superfuqi siç ishte në atë kohë BS dhe i gjithë kampi komunist i lindjes.

Shume nga këto anije luftarake të atyre viteve, e kanë kryer funksionin dhe janë amortizuar, midis tyre dhe nëndetëset, ku ruhet ende vetëm flamurtarja e tyre, nëndetësja Nr 105, e cila është kthyer në një relike muze, për të përjetësuar historinë e viteve 60, ku Flota Detare Shqiptare dhe veçanërisht Baza Ushtarake Detare e Pashalimanit, u bë nga me të njohurat e më strategjikja e Traktatit të Varshavës në Mesdhe.


3 Shtator 2018