Gjergj Lapazaja, muzikant shqiptar i shekullit XVI

Nga Wikibooks

(Një zbulim tronditës, i jashtëzakonshëm për kulturën e historisë tonë kombëtare)

Më 31 janar të vitit 1992 në Ankona të Italisë mora pjesë në një Konferencë Albanologjike Ndërkombëtare, ku u njoha dhe me studiuesin e madh muzikolog italian Domenico Morgante.

Ky është autori i zbulimit të një muzikanti me origjinë të padyshimtë shqiptare, (si dhe të veprës së tij.) të quajtur Gjergj Lapazaja.

Duke e falënderuar publikisht Domenicon përfitoj të jap një skicë, duke u mbështetur në të dhënat e tij për artistin tonë, emri i të cilit meriton të bëhet një emër panteonik, i çveshur përfundimisht nga anonimati i rëndë i kohërave, nga harresa dinake, absurde.

Në një libër të shkruar në Monopoli (krahina e Barit) me 12 dhjetor 1532 me titull “ANTIFONARIO” në kolofonin e tij lexohet “Abbas Georgius Lapazaya, natione epyrota scripsit hunc librum propia manu and laudem et gloriam virgnis Marie de la Madia et ad honorem huius Capitoli et cleri Manopoli’ani. M. D. XXXII, (mille quingenti triginta duo). Die vero XII (duodecimo) Mensis Decembris. Amen. Deo gratias ».

Në përkthimin shqip : « Abati Gjergj Lapazaja, me kombësi shqiptare e shkroi këtë libër me dorën e vet për lavdi dhe lumturi të Virgjëreshës Maria së « Maedias » dhe për nder të grupit dhe klerit monopolitan. M. D. XXXII. (në 1532). Ditë me të vërtetë XII (dymbëdhjetë) të muajit dhjetor Amen. Faleminderit Zot ! »

« Natione epyrota » – kjo formulë do të thotë “me kombësi shqiptare” çka është absolutisht e padiskutueshme. Kjo konfirmohet edhe nga burime të tjera.

Kështu studiuesi Kiakareli në librin e tij « De illustribus scriptoribus » (Mbi shkrimtarët më të ndritur ») na jep një pasqyrë të plotë për abatin Gjergj, duke e përcaktuar si më oshtë « Gregorius Lapazzaia abbas, Mopolitanus Apilus origine albanensis » (« Gjergj Lapazaja abat, monopolianus e apulas, me origjinë shqiptare »).

Dëshmia e Kiokarelit bëhet më e pakundërshtueshme edhe me zbulimin e njohjen e një libri të dytë të Gjergj Lapazajës të quajtur « OPERA ARITHMETICA E GEOMETRIA » (Ruhet edicioni i vitit 1569), ku vetë abati ynë përcaktohet me fjalët e mëposhtme « me kombësi shqiptare e që rrjedh nga toka me virtyte të larta të Durrësit të përmendur ». Në fakt dokumentat e shekullit XV dhe XVI nuk na informojnë për periudhën ekzakte në të cilën kaloi Lapazanja nga toka shqiptare në tokën puljeze.

Në kuptimin kulturor të përgjithshëm kjo lidhet me rënien e Konstandinopojës në 1453, si dhe me pushtimin e Durrësit nga osmanët në 1501.

Të dhëna të tjera : në një dorëshkrim të gjysmës së dytë të shekullit XVIII primicieri (prijësi i këngëtarëve) Zef Indeli, kronist i shkëlqyer i Monopolit, duke u mbështetur në një tjetër dorëshkrim vendas, i quajtur « Kronika », redaktuar në 1750, « … shënon të parët e Gjergj Lapazajës kishin luftuar së bashku me të famshmin, luftëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun ».

Po sipas E.Tindelit del se ka shumë dokumente që vërtetojnë se familja Lapazaja kishte të drejtë të mburrej : ishte me origjinë fisnike, me pasuri të mëdha edhe e nderuar.

Pasuritë i pati edhe në Itali.

Kjo vërtetohet edhe nga fakti se zotëronte titullin e një kapele në kishën e vjetër të Monopolit të shën Pjetrit, ku ndodhen edhe disa vepra arti, (të punuara në veçanti me subjekte shenjtërore) dhe zbukurime të tempullit të vogël, që lidhen me familjen shqiptare.

Ai që i vuri themelet kësaj kapele qe pikërisht i ati i abatit Gjergj, me emrin Danushio, që rrjedh nga krahina shqiptare Danush, (ndoshta Danja – shënimi im M. Z.) po që kishte lindur në tokën e Durrësit të famshëm e kishte vdekur më 14 maj të vitit 1535, duke i lënë pasurinë trashëgim tri djemve të tij : abati Gjergj, Anton Kolës dhe Franceskut, të rreshtuar sipas moshave përkatëse.

Djali i dytë i quajtur Anton Kola në emrin e tij ruan formën trigjymtyrëshe të emrave tipikë shqiptarë.

Nëse kanë qenë fillimisht nga Danja (dihet se Skënderbeu luftoi me venedikasit për këtë qytet) me siguri që familja Lapazaja do ketë ardhur në Durrës e do ketë patur marrëdhënie me Pal Engjëllin, që ka luajtur rol kryesor në diplomacinë skënderbejane.

Duke menduar se në 1532 abati Gjergj duhet të ketë qenë në moshë të pjekur, mund të mendohet se ka lindur në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XV.

Le të flasim tani më konkretisht për librin « Antifomari ».

Është një kodeks në pergamenë, i tëri i realizuar nga vetë Gjergj Lapazaja e i specifikuar e destinuar për Liturgjinë e Orëve.

Përmban në veçanti « Këngët » (në përgjithësi trajtohen si Antifone), disa lutje për bekimin e psalmeve, për të Premten dhe të Shtunën e Madhe, përmban litanira për ritin Vespere e të Ngjiturit në Qiell, për Purifikimin (pastrimin) e shën Marisë, si dhe një meshë të « gërshetuar » me një lutje zotit për shiun.

Sipas muzikologut Domenico Morgante, pjesa më e zgjedhur e librit është repertori i oficës dhe i meshës, që me strukturën e tyre kompozuese dhe tepër të përpunuar (me burim nga një trashëgimi muzikore shumë e lashtë), që mund të ekzekutoheshin vetëm nga ana e ndonjë artisti shumë të përgatitur dhe të aftë për këtë qëllim.

Muzika e shënuar me kujdes nga Lapazaja ka rrënjë të thella në traditën judeo-kristiane.

Në të vërtetë matrica judaike e kultit të krishterë jep në librin e Lapazajës një dëshmi të një analize për dy komponentë kryesore : njëra orientale e tjetra perëndimore.

Kështu punimet muzikore të abatit tonë shqiptar, sidomos këngët monodie (monofone), kanë një hapësirë të madhe në « Antifonarin » me ndryshime të dukshme nga shembujt e konservuar dhe të pranuar botërisht nga « Editio Vaticana ».

Kjo shmangie është një pasuri e vërtetë dhe me rëndësi të madhe në kulturën muzikore europiane.

Këto punime muzikore tregojnë lidhje midis Veriut të Europës dhe hapësirës mesdhetare dhe ballkanike. Origjina judaike e kultit të krishterë ka në këtë rast një precedent kulturor dhe muzikor, në ndikimin në tipin helenisti, (të trashëguar edhe në format leksikore greke si Kyrie Eleison, që janë pranuar prej kohës në liturgjinë latine).

Kjo ndërfutje shekullore e pjesëve melodike të këngëve hebraike dhe kristianizmit perëndimor, që duket deri sot në muzikën gojore (koret) e traditës bizantine e postbizantine ka rëndësi krahasuese edhe në një rrafsh më universal.

Kjo trashëgimi ka ndikuar në muzikën arabe, bile dhe turke.

Tradita bizantine në manastiret baziliane të bregut shqiptar dhe të Italisë Jugore nuk është shuar dhe abati Lapazaja na ka dokumentuar elementët muzikorë që rrjedhin qartësisht nga repertori beneventian, ato prirje muzikore ndërkufitare të popujve, në hapësirat e të cilëve ka infiltruar muzika e popujve trasalpinë.

Këtu qëndron dhe prirja më e theksuar personale e muzikologut shqiptar Gjergj Lapazaja dhe libri i tij i krahasuar me « Edicionin e Vatikanit » është një dëshmi plotësuese e jashtëzakonshme dhe e paçmuar për tërë historinë muzikore në përgjithësi.

Lapazaja ruan më tepër traditën muzikore gojore se sa atë instrumentale.

Në pikëpamje semiologjike të kodit muzikor të Lapazajës del se ai i jep rëndësi të posaçme shpjegimit me çelësa grafikë dhe vetëkuptohet akustikë të fjalëve që këndohen, të teksteve të përfshira në librin e tij origjinal dhe të rrallë.

Këto çelësa bazohen në parimin e bashkimit të pashkëputshëm të neumave të vjetra të muzikës, për një «lexim» interal dhe të efektshëm të semiologjisë muzikore.

Mund të thuhet me plot gojën se abati shqiptar Lapazaja me veprën në 1532 ndihmon muzikologjinë botërore për të paraqitur për herën e parë në historinë e studimeve të muzikës gregoriane një seri tezash të reja, për vlerat simbolike të neumave, për muzikën monodike të trashëgimisë mesjetare, për të saktësuar atë, që konsiderohet « vazhdimësi » në mes Mesjetës dhe Rilindjes duke përcaktuar në mënyrë gjeniale nga Budach, pak më shumë se gjysëm shekulli më parë.

Me anë të librit të muzikologut tonë mund të arrihet në përfundime të papritura e origjinale : kështu si studiuesit e antikitetit klasik që kanë mundur të nuhasin me lehtësi me anë të parimit të analogjisë lidhjen e strukturës së të folurit njerëzor me atë të strukturës së muzikës së vjetër të origjinës pitagorike, ashtu dhe studiuesit që do merren me « Antifonarin » e Lapazajës duke studiuar çelësat simboliko –ekspresivë, ose grafikë – akustikë mund të bijen në gjurmët e një kodi, ose traktati të lashtë poetiko-muzikor të shtjellimit zanafillor të kësaj tradite të ruajtur.

Në antifonën « Ceperut omnes » (« Filluan të gjithë ») psh. në fjalët « super omnibus » (« mbi çdo gjë ») Lapazaja ka shënuar simbolet grafike për përdorimin e notave më të larta « mbi të gjitha notat e tjera » siç e tregon dhe vetë teksti.

Kjo formulë i përgjigjet një fakti, kompozimit të shekullit XII nga kancelari i Universitetit të Parisit, Filipit, të një « Pater sancte » për nder të papës Inoçenti III. Konceptimi i trinitetit në konfiguracionin zanor të fjalës (tri nota për të njëjtën fjalë) jep një shumëllojshmëri të habitshme.

Ndaj dhe Morgante e quan me admirim « Antifonarin » e Lapazajës « një përmbledhje qytetërimi ».

Ajo që nuk ka parë për të krahasuar Morgante është se Lapazaja kishte para tij një kryemjeshtër të muzikës gojore (të koreve kishtare kostandinopojase), një artist gjenial, po me origjinë nga Durrësi, Jan Kukuzelin e shekullit XII.

Edhe Kukuzeli me anë të shkrimit grafik muzikor, i mbiquajtur si shkrimi muzikor kukuzelik, krijoi një traditë të madhe në histori, që mbijeton deri sot.

Mbështetja në konceptin pitagorik të rrathëve muzikor, zbërthimi i neumave dhe shenjave të veçanta grafike e akustike e bën Kukuzelin paraardhës vigan të Gjergj Lapazajës.

Opusi krijues i Gjergj Lapazajës është më i plotë se sa thjesht muzeologjia.

Libri i tij për aritmetikën dhe gjeometrinë e nxjerr atë në relievin e njeriut tepër të kulturuar dhe enciklopedi, tipar ky i titanizmit të figurave të Rilindjes Europiane.

Duhen bërë kërkime të veçanta në Monopoli, ku ka punuar dhe besojmë do ketë vdekur (ndoshta i ruhet monumenti mortor) Gjergji ynë, abat, që ka praktikuar veç të tjerave dhe një kult lokal të shën Marisë e quajtur edhe « Madia », kult i jashtëzakonshëm 1000-vjeçar në Duomin e qendrës kishtare puljeze, ku shqiptari ynë i ndritur, cilësohej si kanonik i katedrales (pra bënte pjesë në udhëheqjen e saj – shënimi im M. Z.)


Moikom Zeqo

8 Gusht 2018