Jump to content

Gjergj Kastrioti në Romë

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Sa herë, që kam patur rastin të shkoj e të rri në Romë, më ka shqetësuar intelektualisht dhe shpirtërisht hija madhështore shekspiriane dhe e pavdekshme e Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Më tepër se një shqetësim ka qenë një ankth i vërtetë, më tepër se sa frymëzim poetik, një klimë torturuese, stimuluese, e pazakontë, mbi tërë qenien time, më shumë se sa një kuriozitet i vetëkuptueshëm, një subjekt nga ata, që quhen fat për një krijues, por gati i pamundur – tej forcave të mia – për ta realizuar, dhe pse jo, jo pa një vetë ironi të brendshme, gati si një qortim fatal, nga i cili nuk të shkëput dot as vdekja, asgjë në botë. Vite më parë shqiptari, nga më eruditët dhe kapriçiozët e Evropës,shqiptari poliglot, Faik Konica, ka parë sheshin plot skulptura, të quajtura “Fontana di Trevi”- një mrekulli, pak ta quash epitetin e shpërdoruar mahnitës, vendi, ku ka më shumë turistë nga të gjitha pikat e tjera monumentale të Romës.

Nga kjo kryevepër, ku skulpturat vigane të qenieve njerëzore, së bashku me kuajt hypokampë dhe me krahë, njëkohësisht derdhet dhe përhapet një botë ujërash, rrjedhje të habitshme të ujëvarave, për të krijuar një thellësi të mbretërisë së Neptunit të ngritur befas mbi tokë, Faiku, i prekur në thelbin e tij prej artisti, ka shkruar i pari, dhe me sa di unë, deri më sot i vetmi shqiptar, disa rreshta epigramatikë për “Fontana di Trevin”. Konica, duke iu referuar pikturave të famshme të Eduard Lirit për Shqipërinë, kur përmend bukurinë e peizazhit të Tiranës, shënon: “Një shoqërim i mendimeve këtu, mund të kujtojë Shatrivanin (Fontanën) e Trevit në Romë.

Artisti, që e ka bërë këtë shatrivan të famshëm, ka pasur idenë, që të tregonte ujin në të gjitha pamjet, duke vrapuar si përrua, duke rënë si ujëvarë, ose të qetë si pellg. Duket, sikur natyra e ka zgjedhur Tiranën për të gjitha tipet e maleve (jo ujit, po gurit) që e rrethojnë qytetin.

Kemi këtu edhe shkëmbin e zhveshur, edhe kodrat e pyllëzuara, majat me dëborë dhe çdo gjë që mund të përftojë përfytyrimi i njeriut me ngjyra dhe forma”.



Po Konica ka pasur një fatalitet, tashmë të pandreqshëm më.

Ai nuk e ka ditur, se jo më larg se sa 300 metra mbrapa “Fontana di Trevi” ka qenë dhe bujtina mesjetare, ku ka bujtur në shekullin XV-të vetë kryeheroi shqiptar.

A nuk qe Konica, që zbuloi emblemën e flamurit kastriotas, që është simboli ynë kombëtar?

Po ta dinte Konica, se mbas një rruge të ngushtë kalldrëmore fshihej kjo bujtinë, pa dyshim, që do ta kishte shikuar, do të meditonte si askush.

Fantazia e tij do të fluturonte jo me dy krahë, por me njëqind krahë, dhe do na linte kështu një dëshmi të një gëzimi identifikimi, që nuk përsëritet më në mijëvjeçarë fataliteti u hakmor mbi Konicën, ai vdiq pa e mësuar kurrë se bujtina e Skënderbeut ishte llahtarisht shumë afër tij – në djall të shkonin bukuritë e ujërave dhe skulpturave vigane të “Fontana di Trevit”, – ai do të shikonte me sytë e tij vendin, ku ka fjetur, ose ka ndenjur zgjuar nga pagjumësia Skënderbeu i madh.

Kadareja qe me fat – shkroi pasi e pa nga jashtë këtë bujtinë, nja njëzet vjet më parë, një poezi. Më 1989, kur shkova për herë të parë në Romë për të studiuar në “L’Ecole Françaises”, kam rrugetuar shumë shpesh te bujtina.

Edhe para ca kohësh qeshë gjithashtu.

Godina është restauruar.

Duket porta e madhe monumentale.

Mbi portë është një afresk medaljon, që e tregon Skënderbeun të plakur dhe në profil.

Ka një shënim të shkurtër në latinisht, ku tregohet se këtu ka qenë Skënderbeu “Princi i Epirit”, si dhe një shënim tjetër për kohën e restaurimit etj.

Pjaca para godinës ka gjithashtu një pllakë me emrin e Skënderbeut, që qe i mbyllur dhe i braktisur që më 1989 – për një tmerr të pashpjegueshëm edhe tani më 1996, vazhdon të ishte i braktisur dhe nuk funksiononte.

Në shtëpinë përballë në katin e dytë, mbi mur, qe një bust bronxi i një heroi italian antifashist të vrarë më 24 mars 1944, biri kësaj lagjeje, vrarë plot 500 vjet mbasi Skënderbeu mbajti më 1444 Kuvendin e Lezhës.

Kjo krijonte një epikë të rëndë dhe shekullore në mjedis.

Po, më e tmerrshmja për mua qe, se bujtina e Skënderbeut ishte sot Muzeu Nacional i Pastave.

Mbasi pagova liretat e biletës hyra brenda.

Ciceronia, një grua me moshë mesatare, tepër e sjellshme, u habit, kur i thashë, se isha një shkrimtar shqiptar dhe desha të shihja jo pastat, por a kishte mbetur diçka nga mjedisi i brendshëm i godinës nga shekulli XV.

– Fatkeqësisht jo, tha ajo si e zënë në faj. Restaurimi ka qenë i plotë dhe mjediset e tërë dhomave kanë ndryshuar krejtësisht – janë modernizuar – s’ka mbetur asgjë nga orenditë, ose nga interieri i dikurshëm. Po muzeu është interesant dhe ju do të shikoni diçka unikale – është mbase i vetmi Muze i Pastave në krejt botën, – shtoi me delikatesë ajo.

“Pasta të mallkuara” – ulëriva brenda vetes pa zë.

– Je i vetmi shqiptar, me sa di unë, shtoi gruaja gati mekanikisht, si robotët, – që ke hyrë brenda kësaj godine. Të tjerët kanë ardhur deri te porta. Kanë bërë nga një fotografi dhe nuk kanë hyrë.

“Padyshim që unë jam shqiptari më i pakuptueshëm që hyra këtu” – ulëriva sërish pa zë. Isha gati i verbër.

Në fakt nuk më kish faj askush.

Gati pa peshë, si një fantazmë, kalova para vitrinave të xhamta plot pasta, pasta, pasta, që nuk i kisha dashur kurrë, kurse tani i urreja përfundimisht.

Isha më fatkeq, se sa Orfeu, kur kishte hyrë në Ferr, në botën e neveritshme të Hadit. Muzeu qe ngritur nga vitet ’60.

Mendova se Konica, po ta kishte parë bujtinën, do të kishte arritur të dallonte diçka origjinale nga mjedisi mesjetar, ku kishte jetuar Skënderbeu.

Kështu që fataliteti i tij qe i dyfishtë.

Dola duke e ditur fare mirë se nuk do të futesha kurrë te kjo butafori pastash, i penduar, madje, që kisha shpresuar naivisht diçka.



Ndeza një cigare dhe u largova ngadalë.

Askush nuk ma kishte fajin e mërzitjes.

Kaq vjet si nuk u interesua ky dreq shtet shqiptar për bujtinën e Kastriotit të madh?

Nuk e çau kokën askush të filmonte brendësinë e parestauruar.

Fare mirë shteti shqiptar edhe mund ta kishte blerë këtë bujtinë dhe të bënte një qendër kulturore, siç kanë tërë shtetet e tjera europiane në Romë.

“Pasta të mallkuara” – klitha tashmë me zë, po kjo qe një protestë pa kuptim…



Më 1968, në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut në “Piazza Albania” është ngritur edhe një skulpturë ekuestre e Skënderbeut, realizuar në bronx nga Ramanjoli, një skulptor akademik.

Skulptura nuk ka nivel artistik, mua nuk më pëlqente, por gjithsesi më vinte mirë, një lloj ngushëllimi, ndonëse jo pa pikëllim, që Roma dhe italianët e kishin nderuar Skënderbeun tonë me këtë skulpturë.

Nisi të binte një shi i beftë.

Pa çadër, ecja mes shiut.

Kujtoja njeriun e madh, heroin e stërplakur Skënderbeun, pesë shekuj më parë i hipur mbi kalë, “i veshur varfërisht”, siç shkruan një shkrimtar i kohës, i cili lëvizte në Romë, për të kërkuar ndihmë për mbijetesën e lirisë shqiptare përpara Apokalipsit të Pushtimit Kobzi Osman.

Ishte përpjekja titanike e tij, që Shqipëria të mbetej Evropë.



Afresku i Romës e tregon atë si figurën biblike të Moisiut, që udhëhoqi kombin e vet në shkretëtirat egjiptiane, arriti t’i çante në mes ujrat e Detit të Kuq, për t’i çuar te “Toka e Premtuar”.

Dhe Moisiut Jahovaj ia tregoi që nga larg “Tokën e Premtuar”, por i tha se nuk do ta shikonte kurrë vetë ai.

Romë, 17 janar 1996