Jump to content

Flet Nexhmije Hoxha: Enveri dhe Kosova

Nga Wikibooks

Një shënim i shkurtër

Lidhur me përkujtimin dhe trajtimin që i bëri “DITA” 75-vjetorit të Konferencës së Mukjes, reagon edhe bashkëshortja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha. Ajo kishte lexuar shkrimet analitike të historianit Xhelal Gjeçovi dhe sidomos dokumentet që sillte dje studiuesi Marenglen Kasmi. Aty del fare qartë se si ka bashkëpunuar Balli me pushtuesit dhe se vendimi për prishjen e marrëveshjes ka qenë i drejtë.

Është bërë një trajtim realist i kësaj ngjarjeje që vazhdon të ngjallë debate edhe pas kaq shumë vitesh, tha Nexhmije Hoxha dje pasdite në një komunikim me gazetën. Me një kthjelltësi të admirueshme edhe në këtë moshë të shtyrë, nga lartësia marramendëse e 98 viteve që mban mbi supe, ajo kujton me saktësi episode dhe ngjarje të asaj kohe. Në këtë kontekst, ajo kujton se është e vërtetë që anglezët ishin shumë të interesuar që të gjitha forcat politike të kohës, përfshi edhe Ballin Kombëtar, të merrnin pjesë aktivisht në luftën për çlirimin e vendit. Edhe Partia Komuniste këtë dëshironte. Janë dokumente të panumërt të Enverit në atë kohë që ai e theksonte vazhdimisht këtë. Unë kam disa letra të Enverit të asaj kohe ku ai është shprehur fare qartë. Që Enveri ka dashur dhe ka kërkuar edhe pas Mukjes që jo vetëm ata që ishin të lidhur ngushtë me Partinë Komuniste dhe forcat partizane, por edhe grupime të tjera, sidomos nacionalistët të përfshiheshin në luftë me armë në dorë kundër pushtuesve. Mjafton të kujtoj këtu që ai i ka ftuar këto forca të merrnin pjesë me përfaqësuesit e tyre edhe në Kongresin e Përmetit, që në atë kohë ai e quante parlament. Pra, edhe pas 11 muaj pas Mukjes, Enveri dhe Partia Komuniste ishte për bashkëpunim me të gjitha forcat që e donin të mirën e Shqipërisë, natyrisht përjashto kuislingët dhe ata që kishin kryer krime kundër popullit e vendit të tyre, thotë Nexhmije Hoxha.

Ndërkaq, ajo shton se nuk është aspak e vërtetë se Mukja u prish për çështjen e Kosovës dhe janë krejt pa baza mendimet që hidhen nga pseudohistorianë se gjoja Enveri e shiti Kosovën në Mukje. Jo vetëm në rastin e Mukjes, por në vijimësi e deri në fund të jetës Enveri ka menduar e luftuar për Kosovën, sikurse e kam shprehur në parathënien e shkruar nga unё, nё librin e djalit tim, Ilir Hoxhёs ”Kosova ёshtё Shqipёri”, të cilën ju mund ta botoni në gazetë. Aty është dhe përgjigja që unë u jap të gjithë atyre që thonë se Enveri e ka tradhtuar dhe shitur Kosovën.

Është e vërtetë se në këtë parathënie që ne po e botojmë në vijim, Nexhmije Hoxha jep në mënyrë të përmbledhur qëndrimin që ka mbajtur Enver Hoxha gjatë luftës për çështjen e Kosovës, debatet që ka bërë me emisarët jugosllavë dhe forume e takime të niveleve të ndryshme që nuk janë bërë të njohura në Historinë e PPSH dhe në botime të tjera. Ka edhe materiale shumё tё rёndёsishme, tё pabotuara nga Enveri dhe tё panjohura, siç ishte letra, qё ai i ka dёrguar Stalinit nё vitin 1949 pёr Çёshtjen e Kosovёs, e cila u botua nё shtypin e kёtyre viteve tё fundit, nxjerrё nga arkivat ruse, si edhe njё letёr qё i paska dёrguar Enverit, Luftёtari i madh pёr Lirinё e Kosovёs, Jusuf Gёrvalla, pёr tё cilёn as unё nuk kam pasur dijeni.

Nexhmije Hoxha: Përgjigje atyre që thonë se Enveri e shiti Kosovën

Ç’po ndodh kështu?! Si erdhi puna që çështja e Kosovës është bërë çështje e ditës e gjithë kancelarive të Europës, të institucioneve më të larta të SHBA, të Bashkimit Europian dhe Aleancës Atlantike (NATO-s), ka pushtuar ekranet televizive dhe faqet e para të gazetave të botës? Po mblidhen parlamente e kongrese, presidentë shtetesh, kryetarë qeverish, ministra të jashtëm e misionarë të posaçëm, po shkojnë nga kryeqyteti në kryeqytet, te njëri-tjetri, për të biseduar kokë më kokë.

Gjithë këto lëvizje të ethshme politikanësh, ushtarakësh, spostime mjetesh luftarake, bombardime të pandërprera, natë e ditë, mbi Serbinë, “për shpëtimin e Kosovës” nga Millosheviçi?!

Nga lindi, si lindi gjithë kjo dëshirë e përkujdesje për Kosovën e kosovarët? Kosova dhe gjithë shqiptarët, që banojnë në trojet e tyre në Jugosllavi, aty kanë qenë, të lindur e të ngulur gjatë mijëravjeçarëve, shumë më parë se sllavët e Jugut. Ka më se një shekull që Fuqitë e Mëdha europiane i lanë ato jashtë shtetit amë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Federata e re Jugosllave shkoi më tej, realizoi copëtimin e etnisë shqiptare, duke e shpërndarë, me qëllime të mbrapshta, në tri republika të saj. Shteti i ri jugosllav vazhdoi t’i trajtojë shqiptarët si minoritet, si kategori të popullsisë së dorës së dytë, i shtypi, i përndoqi në masë, me burgosje, tortura, vrasje, i shpërnguli me dhunë tej kufijve të saj, i detyroi të emigrojnë në masë të rinjtë e intelektualët patriotë e revolucionarë.

Bijtë e mëdhenj të Shqipërisë e të Kosovës, Rilindësit tanë të pavdekshëm, në Lidhjen e Prizrenit dhe në shumë mbledhje kombëtare e ndërkombëtare, janë përpjekur të mbrojnë e të kërkojnë zgjidhjen e drejtë të Çështjes Kombëtare të Shqipërisë e të Kosovës. Për fat të keq, fjala e zjarrtë e këtyre burrave të shquar, politikanë, luftëtarë, poetë, nuk arriti të ndihet në opinionin e gjerë publik europian e më gjerë, kurse Serbia, si në kohën e mbretërisë së Karagjorgjeviçëve dhe, më pas, në atë të Jugosllavisë së Titos, gjithë historianët, akademikët, gazetarët, politikanët kanë shkruar e botuar lumë librash me “studime” e “argumente” për të bindur veten, brezat e rinj të vendit të tyre dhe opinionin ndërkombëtar se “Kosova ka qenë në shekuj Serbi, madje, djepi i kulturës serbe”, kurse kosovarët quhen të ardhur, të shtyrë aty, “si myslimanë”, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.

Gjatë periudhës së pushtetit popullor studiuesit tanë, historianë, gjuhëtarë, arkeologë kanë bërë studime serioze mbi Kosovën, si territor, dhe mbi kosovarët, si popull. Akademia e Shkencave organizoi disa konferenca shkencore mbarëkombëtare, me pjesëmarrjen edhe të studiuesve kosovarë, si mbi etnogjenezën, gjuhën e përbashkët letrare dhe tema të tjera historiko-shkencore. Për opinionin shqiptar, këto studime u bënë të njohura, qoftë nëpërmjet botimeve, qoftë nëpërmjet propagandimit, por nuk u bë sa duhet për njohjen e tyre në rrethe të gjera të publikut në Europë e gjetkë, ato mbetën në një rreth të caktuar albanologësh, miqsh e dashamirës të Shqipërisë.

Tani që çështja e Kosovës, masakrat ngjethëse e shpërngulja me dhunë e një popullsie të tërë nga bandat kriminale policore e ushtarake serbe të kryekriminelit Sllobodan Millosheviç kanë prekur zemrën dhe ndërgjegjen e miliona njerëzve nëpër botë, janë të gjitha kushtet dhe është bërë domosdoshmëri imperative që Çështja e Kosovës të sqarohet njëherë e mirë, të sqarohet nga pozitat tona të drejta historike e shkencore. Angazhimi në këto studime bëhet edhe më i ngutshëm për arsyen se, tashmë, kur Çështja e Kosovës dhe e etnisë shqiptare në trojet e veta brenda Jugosllavisë do të shtrohet se s’bën për zgjidhje përfundimtare të tyre, përfaqësuesit politikë të Shqipërisë e të Kosovës duhet të jenë të qartë e të njëzëshëm për opsionet që duhet të parashtrojnë në tryezën e bisedimeve me fuqitë e mëdha dhe me institucionet e larta euro-atlantike, lidhur me të sotmen e të ardhmen e Kosovës, lidhur me statusin e saj, politik, juridik-institucional, ekonomik e ushtarak. Politikanët tanë, të këtej e matanë kufijve shtetërorë, kanë një përgjegjësi të madhe historike për të siguruar ekzistencën e të ardhmen e kombit shqiptar, që është në buzë të greminës, ku na kanë shtyrë e kemi ardhur edhe me këmbët tona.

Në këto kushte, për jetë a vdekje, duhet vendosmëri e rrallë, trimëri shqiptare në frontin e luftës, duhet urtësi dhe vigjilencë në prapavijën politike, por duhet shumë vendosmëri, trimëri, urtësi dhe vigjilencë nga ana e politikanëve shqiptarë në tryezat e bisedimeve, kudo që mund të bëhen ato e nga kushdo që mund të drejtohen.

Në të kaluarën e tyre, Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur burra të tillë, trima dhe të mençur, që mbrojtën me krenari e dinjitet të drejtat e kombit të tyre, për të qenë i lirë dhe i pavarur. Në krye të vendit ndrit Skënderbeu e, pas tij, ndonëse pas disa shekuj errësire, dolën nga gjiri i popullit të zgjuar bij të shquar, patriotë të mëdhenj, si vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Bajram Curri e Avni Rustemi, shumë nga të cilët i njohu bota, si Fan Nolin, për fjalimet e zjarrta në Kombet e Bashkuara dhe për kulturën e tij të lartë, si dhe Isa Boletinin, simbol i luftëtarëve legjendarë shqiptarë dhe shembull i mprehtësisë diplomatike popullore nga mund të mësojnë dhe politikanët tanë të kohëve të reja.

Por edhe në të kaluarën jo shumë të largët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli shqiptar nxori në krye Komandantin e vet, Enver Hoxhën, që do ta udhëhiqte në Luftën për Çlirimin e Atdheut; pas fitores e zgjodhi dhe punoi përkrah tij për themelimin e një shteti modern dhe për ndërtimin e një shoqërie të emancipuar, që u siguroi masave të gjera mirëqenie, kulturë dhe Shqipërisë pavarësi të vërtetë, dinjitet e sovranitet.

Vetëm politika e urtë që ndoqi Enver Hoxha, gjatë 45 vjetëve, në krye të Partisë së Punës e të shtetit shqiptar, bëri që Shqipëria të ishte një faktor paqeje dhe ekuilibri në Ballkan. Ky realitet dhe ky rol i Enver Hoxhës mund të mos u pëlqejnë disa politikanëve, brenda dhe jashtë vendit, por askush nuk mund t’ia mohojë. Gjatë afro gjysmëshekulli të regjimit të Enver Hoxhës nuk ngjau në Ballkan asnjë incident, asnjë konflikt shtetëror, ndonëse Shqipëria qe vazhdimisht objekt ngacmimi, si nga vendet fqinje, ashtu edhe nga “lakmues” të mëdhenj tradicionalë e të rinj.

Duke pasur parasysh se Çështja e Kosovës është bërë çështje e çdo familjeje shqiptare e kosovare, çështje e shteteve dhe e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare, djali ynë, Iliri, ndërmori të shkëpusë disa pjesë nga Veprat e Enverit, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kosovën. Në këto shënime, që botohen në këtë libër, mund të shihet me sa kujdes ndiqte Enver Hoxha zhvillimet në Jugosllavi, në Kosovë dhe në viset përreth kufirit, të banuara nga shqiptarët, dhe me sa largpamësi ka parashikuar, 20-30 vjet e më shumë, çfarë do të ndodhte në Jugosllavi pas Titos dhe ato që po ndodhin sot me Kosovën e kosovarët.


Në hyrje të këtij libri dëshiroj të ndalem në disa ide e qëndrime të Enverit, që, ndoshta, nuk janë bërë të njohura në Historinë e PPSH dhe në botime të tjera.

Dihet që, në prag të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxha dhe grupi i tij komunist kërkuan dhe vendosën lidhje me PK të Jugosllavisë. Pse me komunistët e Jugosllavisë dhe jo me ata të Italisë e Greqisë, lidhja me të cilët ishte më e lehtë dhe nuk mungonin as njohjet me udhëheqës të partive komuniste të këtyre vendeve? Ndërkohë, grupe të tjera komuniste, që ekzistonin atëherë në Shqipëri, bënë përpjekje për t’u lidhur me lëvizjet komuniste në Itali e Greqi. Ç’e shtyu Enverin t’i drejtohej Partisë Komuniste të Jugosllavisë? Nuk e njihte ai historinë e hidhur të trajtimit barbar të shqiptarëve që ishin përfshirë brenda kufijve të kësaj? Përkundrazi, e njihte fort mirë.

Motivi kryesor, për të cilin është folur pak ose aspak publikisht, që shtyu Enverin me shokë t’i drejtohen PK të Jugosllavisë, ishte se në Jugosllavi ndodhej gjysma e kombit shqiptar dhe, në kushtet e agresionit të nazifashistëve italianë e gjermanë, duhej të bëhej çmos që zgjidhja e Çështjes së Kosovës të vihej në rrugë të mbarë. Të dy pushtuesit ndoqën një politikë djallëzore. U premtuan Kosovës dhe kosovarëve, gjithë shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, pavarësinë dhe bashkimin me Shqipërinë. Kjo lojë e nazifashizmit gjatë pushtimit të Jugosllavisë ishte shumë e rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Enver Hoxha shkroi letra, shumë artikuj e trakte për të demaskuar këtë akt, për të bindur kosovarët e mashtruar dhe shqiptarët e tjerë në Jugosllavi se vetëm pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, përkrah popujve të Jugosllavisë dhe ushtrisë partizane të kësaj, do t’u jepte të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen e tyre. Përndryshe, ata do të shtypeshin, do të përbuzeshin dhe do të dënoheshin si bashkëpunëtorë të pushtuesve.

Me dhjetëra komunistë e patriotë kosovarë lanë shkollat e Shqipërisë, në Tiranë, Elbasan, Shkodër e gjetkë dhe shkuan në Kosovë, si Fadil Hoxha, Xhevdet Doda, Emin Duraku, Xhavit e Elhami Nimani, Ymer Pula, Hajdar Dushi e shumë të tjerë. Pothuajse me të gjithë këta Enveri njihej personalisht dhe i kishte shokë. Por nuk ishte kjo shoqëri që e shtyu Enverin të mbante gjatë luftës lidhje me këta persona. Pothuajse të gjithë këta u vunë në krye të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë dhe, përgjithësisht, luftuan mirë, disa nga këta ranë dëshmorë.

Dërgimi i dy Divizioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, nga Komandanti i Përgjithshëm, Enver Hoxha, në përforcim të njësive a brigadave partizane kosovare i dha një hov të ri luftës në Kosovë, Dibër etj. Forcat tona partizane shkuan dhe më tej, deri në Sanxhak, në ndjekje të pushtuesve gjermanë. Ranë në këtë luftë vëllazërore, përtej kufirit, mbi 300 partizanë dhe qindra të tjerë mbetën invalidë për jetë, me këmbë të ngrira dhe me plagë të rënda.

Me mbarimin e luftës, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare i tërhoqi forcat e veta brenda kufijve të saj shtetërorë, duke lënë zot në trojet e veta luftëtarët shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Por Komanda e Përgjithshme jugosllave, me Titon në krye, filloi zbatimin e planeve të vjetra të mbretërisë së Karagjorgjeviçëve, mbajtjen nën zgjedhë të Kosovës, largoi për në territore të tjera forcat e armatosura kosovare, të cilat, më pas, i çarmatosi. Në emër të një mobilizimi të ri, udhëheqja e re jugosllave grumbulloi mijëra të rinj dhe i shpërndau nëpër Jugosllavi dhe nuk dihet se ç’u bënë; dihet që vetëm në Tivar të Malit të Zi u ekzekutuan 2000 të rinj shqiptarë. Dhuna u shtri në gjithë trojet e shqiptarëve, ku në shumë pika i mbronin me armë. Kështu u vranë prapa shpine nga partizanë jugosllavë, 40 burra dibranë, që kishin dalë të ruanin natën qetësinë e qytetit të tyre. Ndër ta ishte edhe vëllai i nënës sime.

Sidoqoftë, pjesëmarrja e komunistëve kosovarë dhe e atdhetarëve të tjerë antifashistë në luftën me armë kundër pushtuesve nazifashistë, pa rënë në kurthin e këtyre të gjoja bashkimit me Shqipërinë, qe vendimtare dhe shpëtimtare.

Është tjetër punë që, si kosovarët, edhe komunistët shqiptarë u tradhtuan pikërisht nga komunistët jugosllavë, tek të cilët, në fillim Enveri pati besim se, si komunistë-internacionalistë, duhej të ishin kundër qëndrimeve shoviniste e raciste të njohura të serbomëdhenjve ndaj shqiptarëve. Një komunist i tillë internacionalist, qe shoku i ngushtë i Enverit, malazezi Miladin Popoviç, i cili u eliminua nga UDB-ja, pikërisht sepse ishte mik i Shqipërisë dhe çështjen e Kosovës e shikonte si internacionalist.


Gjatë tre vjet e gjysmë të Luftës dhe po kaq pas çlirimit, të dërguarit zyrtarë, partiakë dhe shtetërorë të Titos, si dhe misionarët e agjenturave të vjetra e të reja jugosllave (OZNA, UDB-ja e ç’farë ishin) nuk lanë gjë pa bërë për të përçarë e dobësuar Partinë Komuniste dhe Ushtrinë e re partizane shqiptare, që i siguruan popullit lirinë dhe pushtetin. Rekrutuan agjentët e parë në instancat e larta të Partisë, të Ushtrisë e të shtetit, i shtynin ato në veprime që dëmtonin vijën nacionalçlirimtare të Partisë, duke “këshilluar” që brigadat partizane të quheshin “proletare”, që këshillat nacionalçlirimtarë të quheshin “sovjetë”, të përdorej dhuna vend e pa vend, që pastaj të akuzohej PK si sektare, e majtë, terroriste dhe përgjegjës kryesor për këto “gabime të rënda“ të bëhej Sekretari i Parë i PKSH. Komploti i organizuar nga të dërguarit e udhëheqjes jugosllave, Velimir Stojniç e Nijaz Dizdareviç, me katër nga anëtarët e udhëheqjes së Partisë sonë në Plenumin e KQ në Berat, në prag të Çlirimit, dështoi. Ata nuk mundën ta mënjanojnë Sekretarin e Parë, i cili porsa ishte zgjedhur edhe kryetar i Qeverisë së Parë Demokratike nga Këshilli Antifashist Nacionalçlirimtar Kombëtar. Enveri u mundua të mbrojë vijën e drejtë të Partisë dhe të luftës së popullit shqiptar dhe nuk u ndal në akuzat personale që i bëheshin pa të drejtë, nuk ishte koha për t’u marrë me to.

Udhëheqja jugosllave nuk u mjaftua me intrigat dhe komplotet brenda vendit tonë, por është e çuditshme se edhe intelektualë të njohur të udhëheqjes jugosllave, si Kardeli dhe Milovan Gjilasi, në disa takime radhazi me Stalinin, lavdëronin më shumë “proletarin” teneqexhi, Koçi Xoxen, pa e njohur fare dhe duke ngjallur dyshime për Enver Hoxhën, si mikroborgjez dhe me kulturë perëndimore. Pse gjithë kjo këmbëngulje për mënjanimin e, po të ishte e mundur, eliminimin e Enver Hoxhës? Ata e kishin të qartë se me Enver Hoxhën nuk e bënin dot Shqipërinë Republikën e tyre të 7-të, për të cilën Mosha Pijade propozoi që në Selinë shumëkatëshe që po ndërtohej mbi Savë (e cila, për ironi të fatit, u bombardua nga NATO-ja) të parashikohej edhe kati për Republikën e 7-të, Shqipërinë. Udhëheqja jugosllave e dinte qysh gjatë Luftës se ç’mendonte Enver Hoxha për Kosovën, që i shpaloste në artikuj, nё traktet që i shkruante apostafat për Kosovën dhe në letrat që u dërgonte udhëheqësve kosovarë. Që në takimin e parë me J.B.Titon, gjatë vizitës së tij në Jugosllavi, në qershor të 1946-ës, Enver Hoxha i tha atij se “Kosova dhe viset e tjera në Jugosllavi, të banuara nga shqiptarët, i përkasin Shqipërisë dhe duhet t’i kthehen asaj”. Përgjigjja e Titos qe: ”Jam dakord me pikëpamjen tuaj, por tash për tash nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë, sepse serbët nuk do të na kuptojnë”. Enver Hoxha iu përgjigj: “Në rast se nuk e kuptojnë tashti, do ta kuptojnë më vonë”. E lau gojën Titoja me një “tash për tash”. Ndërkohë, presionet, shantazhet, komplotet nga ana e jugosllavëve vazhduan derisa arritën të përdorin “la manu militaru”, duke dërguar dy divizione në kufi me Korçën, gjoja për të na mbrojtur nga një agresion nga Greqia. Atëherë Enveri tha: “Ndal!”. Nuk ishte më fjala për një sulm ndaj personit të tij, ishte një sulm ndaj Atdheut tonë të pavarur e sovran, një kërcënim serioz ndaj fitoreve të popullit tonë, të arritura me gjakun e 28 mijë bijve të tij më të mirë. Protesta e Enverit gjeti mbështetjen e Stalinit. Erdhi prishja me Jugosllavinë. Shpëtoi Shqipëria nga një “mik” i pabesë.

Unë nuk besoj të ketë mbetur ende në ditët e sotme, ndokush me mendjen në kokë që ta besojë atё akuzë që u bë në fushatën e egër në vitet e para pas përmbysjeve të vitit 1990 në Shqipëri, kur Enver Hoxha, nën malin e shpifjeve, u akuzua edhe sikur “e shiti Kosovën”. Ngritja e një akuze të tillë nga spekulatorë hileqarë e disa politikanë të rrugëve, që erdhën në pushtet, ishte krejt absurde, sepse Kosova nuk ishte pronë e Enver Hoxhës, që as e kishte blerë dhe as mund ta shiste. Ajo ishte gjysma e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar, që kishte historinë e saj, të vjetër e të re, mbi fatin e së cilës kishin vendosur Fuqitë e Mëdha në Londër, Berlin, Paris, në Jaltë e Potsdam dhe, më vonë, në Dejton e në Rambuje. As pas tre muajsh bombardime mbi Serbinë, nga fuqia më e madhe ekonomike e ushtarake e botës, SHBA e NATO, s’mund të thuhet se Çështja e Kosovës u zgjidh drejt e përfundimisht. Po të mos kishte krisur pushka e UÇK-së dhe, po të mos ishte treguar ajo frymë e lartë patriotizmi e solidariteti nga populli shqiptar i një gjaku, i ndarë artificialisht e padrejtësisht nga kufij të imponuar, nuk do të arrihej as kaq sa është arritur.


Enveri dhe Tito sipas Nexhmije Hoxhës

Enver Hoxha ishte i vetëdijshëm që vendi i tij ishte i vogël për t’u matur ballë për ballë me shtete më të mëdha ose më të forta, si BS, vendet e demokracisë popullore, shtetet fqinje etj. Ai kishte nevojë për ndihma, miqësi e mirëkuptim. Por, për të mënjanuar ndërlikimet politike e diplomatike me këto shtete dhe, njëkohësisht, për t’u qëndruar presioneve që u bëheshin Partisë së Punës dhe Shqipërisë për ndryshime në rrugë revizioniste, Enver Hoxha hoqi dorë nga posti i Kryeministrit, duke mbajtur vetëm atë të Sekretarit të Parë të Partisë, për të qenë më i lirë në qëndrimet e tij politiko-ideologjike. Ai zgjodhi dhe përpunoi strategjinë e luftës së pandërprerë në rrafshin ideologjik, duke u marrë kryesisht me devijimet revizioniste nga partitë, duke evituar në maksimum kundërshtitë a fërkimet në politikën e në marrëdhëniet shtetërore.

Drejtësinë e kësaj strategjie e ka vërtetuar historia. Megjithë luftën e gjatë që bëri Enver Hoxha kundër titizmit e Titos, mes dy shteteve tona dhe në kufijtë që na ndanin nuk ndodhi asnjë incident i rëndë, aq më tepër, edhe në situatat më të vështira nuk lindi asnjë konflikt.

Enver Hoxha evitonte me kujdes çdo provokacion që bëhej nga ana e titistëve dhe agjenturës së tyre, UDB-së.

Dushan Mugosha, agjent i vjetër i OZNA-s dhe i UDB-së, pas zullumeve që bëri në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, shtabin e tij antishqiptar, diversionist, e ngriti në Prishtinë, duke grumbulluar përreth e duke bashkëpunuar me lloj-lloj kolaboracionistësh fashistë shqiptarë të arratisur dhe armiq të egër kundër Shqipërisë.

Gjatë gjithë jetës së tij, Enver Hoxha nuk u lodh së demaskuari Titon e titizmin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe ideologjike të udhëheqjes jugosllave, me vetadministrimin, “mosangazhimin” etj. Me luftën kundër titizmit ai mbante zgjuar vetëdijen dhe vigjilencën ndaj rreziqeve që u kërcënoheshin Kosovës dhe gjithë shqiptarëve që banonin në trojet e tyre në Jugosllavi, mbronte të drejtat e tyre politike, kulturore e shoqërore. Në 12 libra, që janë botuar me artikujt e shkruar “Kundër revizionizmit”, shumica janë lidhur me Kosovën, politika e së cilës (e Jugosllavisë), veçanërisht ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në Jugosllavi, ndiqej dita-ditës. Shumë nga këta artikuj janë shkruar nga vetë Enver Hoxha, qoftë edhe kur nuk kanë firmën e tij. Në shënimet që do të lexoni në këtë libër ju do të njiheni edhe me metodën e punës, veçanërisht në ndjekjen e politikës së jashtme, së cilës ai ia kushtonte kohën dhe kujdesin më të madh.

Për shumë artikuj, ai tezat i bënte vetë ose jepte me gojë porosi të zbërthyera. Kur ndodhnin ngjarje të rëndësishme në marrëdhëniet tona me fqinjët, që, sigurisht, më të shumtat ishin me Jugosllavinë, se në mes kishim gjysmën e atdheut e të popullit tonë, Enveri formulonte vijat esenciale të dokumentit. Në rastet kur duhej protestuar, ai nuk lejonte zvarritje dhe ishte i prerë. Për biseda diplomatike të funksionarëve të Ministrisë së Punёve të Jashtme dhe të ambasadorëve tanë ai ndiqte një stil tjetër, sipas rastit, por gjithmonë duke mbrojtur me dinjitet politikën e vendit tonë. Shënimet e Enverit, disa nga të cilat janë edhe në këtë libër, qenë dhe mbeten si një manual shkolle për diplomatët tanë, ai ua jep pothuaj të plotë tekstin e bisedës, duke përdorur shpesh një metodë të zakonshme të tij: ”për shembull, unë (Enver Hoxha – N.H.) do t’i thosha kështu… e ashtu”. Në këto shënime do të gjeni se si mendonte ai për të gjetur pikat e kontaktit edhe me funksionarë shqiptarë në udhëheqjen jugosllave e në Kosovë, megjithë qëndrimet e tyre pro Titos. Pasi porosit sesi duhet sjellë me ta, ai shënon edhe replikën e bashkëbiseduesit: “Po kujt t’i themi, Fadil Hoxhës, që është anëtar i Presidencës së RSF të Jugosllavisë?”.

“Po, mundet, edhe Fadil Hoxhës, – përgjigjet Enveri, – se është më mirë të jetë në krye të Kosovës një shqiptar, sesa një serb”.

Enver Hoxha ishte një politikan largpamës dhe bir besnik i popullit të vet, çdo veprim e bënte siç e donin interesat e vendit të tij. Kur në vitet ’60 ai vendosi të denoncojë publikisht, në Mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë, devijimet revizioniste të Nikita Hrushovit dhe ndërhyrjet e udhëheqjes sovjetike në Shqipëri, Enver Hoxha nuk mendoi vetëm të mbështetet te një aleat i madh, tek Kina e Mao Ce Dunit, por filloi të reflektojё si duhet të ndërtonte politikën e marrëdhënieve me vendet fqinje e, kryesisht, me Jugosllavinë. E para, sepse Jugosllavia kishte të njëjtën origjinë sllave dhe të njëjtën fe si Rusia dhe, së dyti, sepse brenda kufijve të saj kishim gjysmën e tokave dhe të popullsisë sonë. Ishin vite jo të qeta edhe për Titon. Rënkonte toka dhe ziente gjaku i shqiptarëve në Jugosllavi nga shtypja dhe terrori i egër i serbomëdhenjve, nën komandën e Aleksandër Rankoviçit.

Viti 1968 qe një vit i mbushur me revolta në gjithë Europën. Ngjanë demonstratat e studentëve në Francë, Gjermani e gjetkë, si dhe demonstratat e përgjakshme në Kosovë e Maqedoni. Ngjau agresioni i turpshëm i trupave sovjetike dhe të vendeve të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë. Nga një anë, Shqipëria kërcënohej nga superfuqia e re sovjetike, me teorinë e saj arrogante “të sovranitetit të kufizuar” dhe, nga ana tjetër, për gjithçka ngjiste në Kosovë, Tetovë etj… udhëheqja jugosllave akuzonte RPS të Shqipërisë si nxitëse. Enverin e shqetësonte mendimi se mos forca ultrareaksionare e nacionaliste serbe, për të ruajtur interesat e Serbisë së Madhe, i drejtoheshin Bashkimit Sovjetik (Rusisë) dhe e lejonin atë të realizonte ëndrrën e vjetër të saj për daljen në Adriatik, nëpërmjet Kosovës e Maqedonisë, duke pushtuar Shqipërinë, ashtu siç bëri me Çekosllovakinë. Për të përballuar këto rreziqe, Enver Hoxha deklaroi në një nga fjalimet e tij se Shqipëria dhe populli shqiptar janë gati të luftojnë përkrah popujve të Jugosllavisë për mbrojtjen e vendeve tona nga një agresion i mundshëm nga ana e Bashkimit Sovjetik.

Kësaj deklarate, Titoja iu përgjigj nëpërmjet një ambasadori të tij: Rusët kanë kërkuar të kalojnë territorin jugosllav për të sulmuar Shqipërinë. Ne nuk do të lejojmë asnjë këmbë ushtari sovjetik në territorin jugosllav.

Kështu, hap pas hapi, lidhur me situatat e reja që u përmendën më lart, u krijuan premisat që, si nga ana jonë, shteti shqiptar, ashtu dhe nga Federata Jugosllave, të rishikonin pozitat e tyre për vendosjen e një mirëkuptimi në dobi të të dyja palëve.

Enver Hoxha analizonte pozitat në të cilat ndodhej Titoja dhe nxirrte konkluzione. Enveri gjykonte që Titoja, si nacionalist kroat, ishte shumë i interesuar që shqiptarët e Kosovës dhe të krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi t’i ketë si një kundërbalancim ndaj serbëve, sepse kanë qenë kurdoherë këta që i kanë shtypur dhe i kanë gjakosur më shumë shqiptarët. “Duke e ditur këtë, – theksonte Enveri, – si antiserb dhe antisovjetik që është, Titoja mendon se popullata shqiptare në Jugosllavi është jo vetëm një masë kompakte, por sot kjo ka nga pas edhe Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë, që përbëjnë së bashku një forcë të konsiderueshme…”.

Nga ana tjetër, Titoja mendonte se tani që Shqipëria u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe kishte mbetur vetëm, pa mbrojtjen e ndihmën e mikut të madh, Jugosllavia mund të rriste ndikimin e vet mbi shqiptarët e Shqipërisë Socialiste, duke reklamuar realizimet e Jugosllavisë vetadministruese, “mirëqenien” e krijuar nga miliarda dollarë kredi nga kapitali botëror. Filluan shkëmbimet e delegacioneve dhe vizitat e shqiptarëve te njëri-tjetri, me skena mallëngjyese takimi, pas shumë vite ndarjeje. Vizitorët vinin me duart plot me dhurata, por njerëzit tanë, në mbrëmjet e gjata të pagjumë, në muhabetet intime tregonin që, si shtëpitë, pajisjet e brendshme, autoveturat e gjithçka i siguronin me kredi.

Bije Vokshi më pati thënë: “Në Kosovë edhe fëmija qan në bark të nënës, kukú, – thotë, – kur do t’i paguaj gjithë këto borxhe?”.

Kurse Enver Hoxha, në kushtet e reja, kësaj hapjeje me Jugosllavinë mendonte t’i jepte një përmbajtje të re, me qëllim që të arrihej një afrim i tillë mes shqiptarëve, për këndej e andej kufirit, që do të na siguronte, në tё ardhmen, realizimin e aspiratës së gjithë shqiptarëve, bashkimin e tyre.

Më 1970, Enver Hoxha, mbajti një fjalim në Tropojë që, në fakt, qe një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve të reja me Jugosllavinë, duke pasur në qendër të saj “Çështjen e Kosovës” dhe të drejtat e saj. Ky fjalim pati jehonë jo vetëm në opinionin e gjerë publik, por vuri në lëvizje edhe kancelarinë diplomatike jugosllave. Fadil Hoxha, i cili kishte funksione të larta në Kosovë, por edhe në Federatën Jugosllave, për herë të parë mori pjesë në një ceremoni zyrtare në ambasadën tonë në Beograd.

Në këtë atmosferë, J.B.Tito riformuloi Kushtetutën e RF të Jugosllavisë, që u quajt e 1974-ës, ku Kosova përcaktohej si Krahinë Autonome me të drejtën e pjesëmarrjes si anëtare konstituive në Presidencën e Federatës Jugosllave. Sigurisht, nuk ishte kjo që donin populli i Kosovës dhe populli shqiptar, por, si fillim, mund të shërbente për të shkuar më tej në vendosjen e marrëdhënieve më të lirshme njerëzore, kulturore, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale, marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Qëndrimi i Enverit në atë kohë, që u transmetonte emisarëve të vëllezërve kosovarë, personaliteteve politike, shkencore, kulturore, ishte: “Shfrytëzoni në maksimum të drejtat që ju njihen nga Kushtetuta e 1974-ës. Po kështu do të bëjmë edhe ne nga ana jonë”. Enveri mendonte se “njohja nga afër me njёri-tjetrin, arritja historike e unifikimit dhe e njёjёsimit të të folmes së përbashkët në gjuhën letrare, ecja në shina paralele në arsim, shkencë, art e kulturë do të krijonin atë bashkim shpirtëror kombëtar, për të realizuar më vonë ëndrrën shekullore të bashkimit të kombit tonë.

Pikërisht në këtë kohë u gjallëruan, sidomos nga ana jonë, shkëmbimet arsimore, shkencore, artistike e kulturore me Kosovën. Shkëmbimet dhe bashkëpunimi mes universiteteve tona, akademive dhe studiuesve të fushave të ndryshme, sidomos në fushën e shkencave gjuhësore, historike, kulturore etj., ndihmuan në njohjen dhe në lartësimin e kulturës sonë të përbashkët kombëtare, në përgatitjen e një armate të re intelektualësh me formim patriotik e bashkëkohor, në një rigjallërim të ndërgjegjes kombëtare në masat e të rinjve. Televizioni shqiptar, ansamblet e këngëve dhe valleve ngrinin peshë zemrat e zhuritura për liri të të gjithë shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, të ndarë padrejtësisht nga atdheu amë.

Në këto kushte të reja filluan të vizitojnë Shqipërinë personalitete politike nga Jugosllavia. Kuadro zyrtarë ose shoqërorë nga Kosova filluan të vijnë ose të dërgojnë përfaqësues të tyre për t’u takuar e këshilluar me Enverin. Kështu, dërguan Bije Vokshin të pyesnin Enverin ç’mendonte nëse mund të ngrinin një parti komuniste ilegale të kosovarëve jashtë Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Megjithë marrëdhëniet shumë shoqërore që kishim me Bije Vokshin, Enveri u rezervua të jepte një mendim të prerë.

Dihet që Enver Hoxha në sistemin e atëhershëm monist ishte, njëkohësisht, udhëheqësi kryesor i Partisë dhe i shtetit shqiptar. Duke qenë udhëheqës i shtetit amë, Enver Hoxha asnjëherë nuk u foli kosovarëve dhe udhëheqjes së tyre shqiptare “nga lart”. Ai i respektonte, i paralajmëronte për rreziqet, mbronte çështjen e madhe që kishin për zemër, jepte ndonjë këshillë kur ia kërkonin, por fjalën e fundit ua linte atyre. Prandaj ai i tha Bijes: ”Shokët që duan të ndërmarrin një niciativë të tillë me shumë përgjegjësi mund ta gjykojnë më mirë këtë çështje, sepse njohin kushtet, njerëzit, duke pasur parasysh edhe prirjet e zhvillimeve aktuale e të perspektivës në Jugosllavi e Kosovë”. Në fakt, Enveri kishte rezerva për këtë niciativë dhe në bisedë me mua, pasi iku Bija, shtjelloi se ç’mendonte për këtë çështje e përgjithësisht për formën e organizimit të kosovarëve. Në qoftë se këto nuk ia shprehu Bijes, këtë e bëri sepse Bije Vokshi, halla e luftëtarit të Spanjës, Heroit të Popullit, Asim Vokshi, vërtet ishte një grua trime, që kishte dhënë shumë prova guximi e zgjuarsie gjatë kohës që banonte në Tiranë, në shtëpinë e saj jo vetëm ishin strehuar Enveri, Qemali e shumë ilegalë të tjerë, por aty ishin bërë Mbledhja e Themelimit të Rinisë Komuniste dhe Konsulta e Parë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, por, ajo ishte një grua e thjeshtë dhe Enveri nuk ishte i sigurt nëse do të ishte në gjendje t’u transmetonte shokëve, që e kishin dërguar, qartë e drejtë ato që mendonte ai.

Enveri gjykonte se në kushtet e Kosovës do të ishte mirë të kishte një Parti Komuniste ilegale të shqiptarëve të Kosovës, por ajo nuk do ta kishte jetën e gjatë në qoftë se nuk do të krijonte rreth vetes një front të gjerë popullor, që edhe do ta mbronte nga goditjet e aparatit shtetëror serbomadh, edhe do t’i jepte mundësi të shtrihej në gjithë Kosovën, gjë që s’e realizon dot një parti vetëm. Këto ide të Enverit mund të them se gjetën disi zbatim në Kosovë disa vite më vonë.

Kur në Gjermani u vranë Jusuf Gërvalla me të vëllanë, Bardhin, dhe me shokun e tyre, Kadri Zekën, Enveri shumë i emocionuar nga kjo ngjarje tragjike, më foli për ta, veçanërisht për Jusuf Gërvallën, si poet dhe me kulturë të gjerë, se që të tre ishin jo vetëm patriotë të mirë, por edhe revolucionarë me horizont të gjerë e largpamës. Enveri nuk e kishte takuar drejtpërsëdrejti Jusuf Gërvallën, por, siç më tha, njëri nga grupi i tij kishte ardhur në Tiranë. Unë nuk e di nëse ky ka qenë Kadri Zeka apo ndonjë tjetër. Edhe atёherё ishte shtruar çështja nëse duhej organizuar një parti apo lëvizje, Enveri pati sugjeruar se do të ishte më mirë të organizohej një Lëvizje, një Front Popullor, që të vepronte me të gjitha metodat legale, në bazë të Kushtetutës së Federatës Jugosllave, kurse grupi niciator të mbetej si bërthamë që mund të drejtonte e të vepronte ilegalisht. Kur UDB-ja jugosllave e nuhati kush frymëzonte këtë lëvizje, e goditi pa mëshirë në kokë. Por Kosova vazhdoi të nxjerrë nga gjiri i vet bij të shquar, duke u bashkuar gjithnjë e më tepër rreth tyre, që si udhëheqës politikë e ushtarakë për Çlirimin e Pavarësinë e Kosovës e bëjnë “vdekjen si me le”.


Enver Hoxha ka qenë organizatori i Konferencës së Pezës, ku u hodhën themelet e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, duke bashkuar në të pjesën më të madhe të popullit nën thirrjen: ”Të gjithë për Çlirimin e Atdheut, pa dallim feje, krahine dhe ideje”. Duke vlerësuar lart këtë përvojë, Enveri shfrytëzonte çdo rast për t’u këshilluar vëllezërve kosovarë bashkimin sa më të gjerë, pa dallim “feje, krahine e ideje”, sepse Kosova vazhdonte të ishte e pushtuar. Ndonёse te ne kishat e xhamitë ishin mbyllur, unë kisha dëgjuar Enverin t’u thoshte shokëve të vet që të porositnin njerëzit tanë, pedagogë, studiues, gazetarë etj. që shkonin me shërbim në Kosovë, në bisedime me kolegë e vendas t’u thoshin që t’i ruajnë xhamitë, se për ta ato janë si klube, ku mund të mblidhen, të bisedojnë e të qajnë hallet e tyre.

Ne, me ballistët në Shqipëri i kishim ndarë hesapet, por, kur një ditë Enveri më tha se ishte takuar me një ballist kosovar, unë shpreha habi. Enveri më tregoi se ky ishte një figurë e nderuar në Kosovë, quhej Demë Ali Pozhari, i ndjekur nga regjimi titist si separatist e irredentist, qe vendosur në Turqi dhe kishte ardhur në Shqipëri me rastin e përkujtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Enveri më shpjegoi se nacionalistët, ata që quhen ballistë, në Kosovë nuk janë si ballistët tanë, që na luftonin ne si komunistë, megjithëse ne ishim shqiptarë; nacionalistët kosovarë luftonin kundër pushtuesve serbë dhe forcave të tyre të armatosura, çetnikë etj., që kryenin akte terrori e masakra ndaj popullsisë shqiptare. Pavarësisht se në shumë raste nuk kanë bashkëpunuar me komunistët, ata ishin për shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe pёr bashkimin me shtetin amë.

Një tjetër personalitet shumë i nderuar në Kosovë, Rexhep Duraku, babai i dëshmorit Emin Duraku, erdhi në Shqipëri dhe kërkoi takim me Enverin, i cili e priti me respekt e kënaqësi. Pas një bisede të ngrohtë, vëllazërore, baca Rexhep i tha Enverit se ishte i ngarkuar të bisedonte me të dhe donin të dinin se “ç’mendonte Enver Hoxha po të ngrihej kërkesa që Krahina Autonome e Kosovës të bëhej Republikë, si të tjerat, brenda Federatës Jugosllave?”.

Siç më tregoi Enveri, ky hap atë e kishte vënë në mendime, sepse, si popullsi Kosova ia kalonte dhe e linte shumë prapa Republikën e Malit të Zi, por sa do të ishte e arsyeshme që të kishte dy republika shqiptare, një këtej kufirit, shtet më vete, një më atë anë të kufirit, brenda shtetit të Federatës Jugosllave. Udhëheqja jugosllave, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, kishte bërë përpjekje për krijimin e Republikës së 7-të të shqiptarëve, por jo duke i dhënë Kosovën Shqipërisë, por duke përfshirë Shqipërinë brenda Federatës.

Megjithëse çështja e Federatës Ballkanike, përveç përmendjes në ndonjë nga dokumentet e Kominternit, që drejtohej nga Dimitrovi, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk u ngrit në asnjë mbledhje të rëndësishme, as të Ballkanit, as të vendeve të demokracisë popullore dhe as në udhëheqjen e Partisë sonë Komuniste nuk u diskutua për këtë çështje, unë kisha dëgjuar të flitej pёr tё. Enveri mendonte se kjo mund të ishte një rrugë e bashkimit të tё gjithë shqiptarëve, por krejt në të kundërtën me atë që mendonin Titoja dhe udhëheqja jugosllave, jo nën çatinë e Federatës Jugosllave, por nën çatinë e një familjeje më të madhe, më dashamirëse, sesa ajo e shovinistëve serbë.


Profecia e Enver Hoxhës për Kosovën

Duke qenë se udhëheqja e Shqipërisë dhe vetë Enver Hoxha kishin njohur thellë dhe ishin ndeshur me planet ogurzeza të udhëheqjes jugosllave, ky ngriti pyetjen nëse këtë do ta pranonte udhëheqja jugosllave, veçanërisht serbët, a do ta pranonin formimin e Republikës së Kosovës? Cila do të ishte arsyeja e këtij pranimi? Meqë tashmë jugosllavët nuk mund të silleshin me Shqipërinë si në vitet 1945, ‘46 e ’47, domethёnё, ta tërhiqnin atë si Republikë të 7-të brenda Federatës Jugosllave, Enveri shprehu mendimin se, tani për tani, nuk do të dilte gjë nga kjo kërkesë. Megjithatë, mikut të nderuar, Enveri i tha: ”U thuaj vëllezërve tanë që ta pleqërojnë mirë dhe të vendosin vetë”.

Takimi me burra të tillë, patriotë të nderuar, i jepte Enverit kënaqësi të veçantë. Ai u gëzua shumë kur dëgjoi se Rexhep Duraku kishte ardhur në Shkodër bashkë me gruan, për të marrë pjesë në dasmën e djalit të tij me mbesën e Bajram Currit. U shpreh spontanisht: ”Kjo është një krushqi e mrekullueshme”. Meqë ato ditë ishte i zënë, më dërgoi mua t’i takoj e t’i uroj. Ata u kënaqën, por edhe unë u kënaqa, folëm për zakonet tona, shumë të afërta, të krahinave tona. Të shoqen e Bacë Bajramit unë e kisha takuar edhe tjetër herë, ishte një boshnjake, me një pamje fisnike, që të impononte respekt për gjithçka kishte hequr përkrah bashkëshortit të saj legjendar. Veshja, krehja e saj ndryshonin nga ato të nënës së Emin Durakut, e cila kishte po atë lidhje shamie në kokë si nëna ime dhe shumë gra dibrane. Pas pak ditësh, shkoi në Shkodër Enveri dhe vizitoi familjet e nderuara Curri-Duraku. Më vonë, kryetari i Komitetit Ekzekutiv më pati treguar se, kur kishin dalë nga vizita, Enveri e kishte porositur që të organizonin një dasmë të bukur, të ftohen nga Kosova nja 40 veta nga rrethi fisnor e i miqve të dy familjeve dhe tё gjitha shpenzimet do të pёrballohen nga shteti ynë. Ai më tregoi se kur mbesa e Bajram Currit shkoi në Kosovë, si nuse e re, atë nuk e kishin lënë të rrinte dy ditë në një vend, të gjithë donin ta kishin si mike në familjet e tyre, si mbesa e heroit të tyre, por edhe si mike e ardhur nga Shqipëria dhe, në odat e mëdha kosovare, të mbushura plot, muhabeti për Shqipërinë, për ato që i tha Enveri, vazhdonte deri pas mesnate.

Enveri, si patriot ishte edukuar që në rininë e tij, por ai e kultivoi atë gjatë leximeve të tij plot pasion të poetëve tanë, të gjithë patriotë të zjarrtë, e thelloi me kulturën që mori dhe e bëri gjak të tij gjatë luftës heroike që ai organizoi dhe udhëhoqi për çlirimin e Atdheut. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ai në çantën e punës, që nuk e ndante nga supi, bashkë me dokumente të Partisë, të Frontit e të shtabit, kishte librin e Samiut “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bënetë”. Enveri ishte një revolucionar i vendosur, i frymëzuar nga idealet komuniste, kjo nuk e pengoi aspak të jetë një patriot i madh për popullin e vendin e vet. Përkundrazi, ai luftoi e punoi për emancipimin e shoqërisë shqiptare, për ndërtimin e një sheti modern, duke ëndërruar që ta shohё kombin shqiptar të bashkuar dhe të lartësuar, siç ëndërronin Rilindёsit tanë të pavdekshëm.

Enveri u kujdes drejtpërdrejt qё të vinin në atdhe eshtrat e Kryetarit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri. Emocionet e tij gjatë ceremonisë, organizuar për këtë rast, qenë aq të mëdha, sa ai e ndjeu veten keq në tribunë, megjithatë, ai i shoqëroi arkivolet e Abdyl dhe Naim Frashërit, më këmbë, gjatë gjithë Bulevardit të Dëshmorëve, deri në parkun ku do të preheshin. Po kështu u interesua për ardhjen e eshtrave të birit të shquar të Kosovës, Hasan Prishtinës, dhe për varrimin e tyre në Kukës, pranë vendit për të cilin luftoi. Mendoj se nuk është e rastit, ishte i vetmi Enveri që propozoi t’i jepet qytetit të Tropojës emri i Bajram Currit, jo vetëm për nder të këtij burri legjendar të Malësisë së Gjakovës, por si simbol që lidh dy pjesët e ndara të një populli, që ka të njëjtin gjak e të njëjtët heronj.

Enveri ndiqte me kënaqësi, merrte pjesë edhe vetё në mbledhjet që organizonin së bashku studiuesit nga Shqipëria e Kosova, siç qenë Konferencat kombëtare shkencore, si mbi etnogjenezën, gjuhën letrare, figurën e Skënderbeut, Rilindёsit tanë etj. Shumë i kënaqur dhe me përshtypje të thella kishte mbetur nga takimi me delegacionin e intelektualëve kosovarë, që kishin ardhur me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Me kënaqësi të madhe Enver Hoxha ndiqte edhe zhvillimin e artit e të kulturës në Kosovë. Ai edhe në një shënim Ditari shpërthente në një kritikë të fortë e shkruante:

“Po më tërheq vëmendjen se nuk po shkruhet për korin e Prishtinës “Collegium Cantorum”. Shokët që merren me propagandën e shtypin, o kanë frikë të marrin përgjegjësi, o s’mendojnë fare… Si do t’ua tregojmë ne dashurinë tonë, kur ata futen në burgje, sepse dëgjojnë këngët tona, kurse shtypi ynë nuk shkruan për ta? Prandaj të ndryshojë që tash ky qëndrim pasiv, apolitik…”. Po kështu ngjau kur dëgjoi se nuk po jepej një film kosovar… pse? Sepse personazhi kryesor ishte Fadil Hoxha…! E pastaj? Po ky është anëtar i Presidencës Jugosllave… dhe disa herë ka bërë disa deklarata jo të mira… Enveri: po ai ka qenë nga frymëzuesit kryesorë të Konferencës së Bujanit që u njihte kosovarëve “të drejtën e vetёvendosjes pas luftës… deri në shkëputje, ka udhëhequr Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, pastaj, ajo, që është kryesore, në film del lufta që kanë bërë vëllezërit tanë kosovarë. Enveri e kishte parë këtë film dhe qe emocionuar.

Gjatë një pasdarkeje, në shtëpi, kur u hap biseda mbi shfaqjet e hermetizmit në poezinë tonë, Enveri, i cili ndiqte dhe krijimet letrare të kosovarëve, bëri këtë koment: ”Është ndryshe hermetizmi në poezitë kosovare, ata janë të detyruar nga kushtet, ku jetojnë, që ndjesitë e tyre t’i shprehin në mënyra të mbuluara, me shumë alegorizma etj.”

Erdhi një kohë që edhe udhëheqja shqiptare e Kosovës filloi të dërgojë mesazhe në Tiranë: “T’i përmirësojmë marrëdhëniet tash që është gjallë Titoja, se pas vdekjes së tij nuk dihet ç’bëhet”. Kjo mund të na lërë të kuptojmë, – shënon në ditar Enveri, – se pas Titos “ne kosovarët asnjë besim s’mund të kemi te serbët”. Dhe kishin të drejtë.

Në fakt, edhe Enveri mendonte kështu. Pavarësisht se ai, gjatë gjithë jetës së tij, demaskoi veprimtarinë antishqiptare të Titos dhe të atyre që kishte përreth, në drejtim të Shqipërisë, Kosovës e gjithë shqiptarëve që jetonin në trojet e tyre në Jugosllavi, kur J. B. Tito më 1980 ishte shtruar në spitalin e Ljubljanës dhe TV italian po transmetonte komunikatat shëndetësore, Enveri tha i menduar: ”Sikur të rronte edhe nja dy vjet…”. Unë nuk e ndërpreva në refleksionin që bëri, por ai parashikonte, pas vdekjes së Titos, shpërbërjen e Jugosllavisë. Për këtë, ai ka shkruar në Veprat e tij. Atë e preokuponte e ardhmja e Kosovës.

Me vdekjen e J.B. Titos, në maj 1980, filloi fermentimi i gjendjes në Jugosllavi. Kriza ekonomike e vetadministrimit kishte filluar shumë kohë më parë, por në këtë kohë filluan të ndihen lëvizjet separatiste për pavarësi në Kroaci e Slloveni.

Disa fuqi, qoftë të Perëndimit apo të Lindjes, duke mos përjashtuar forcat divergjente të brendshme, menduan se kishte ardhur koha se mund të bëheshin në Shqipëri ndryshime si ato në Jugosllavi, sipas interesave të njërës apo tjetrës fuqi, sigurisht, në marrëveshje ose edhe në kontradikta me njëra–tjetrën.

Në këtë situatë të re marrëdhëniesh u ngrit në një shkallë më të lartë vetëdija kombëtare e rinisë dhe e inteligjencies kosovare. Në 10 vjet, nga fjalimi i Enver Hoxhës më 1970 në Tropojë e deri në 1980, në Kosovë u bënë hapa kolosalё që nuk ishin bërë as në 100 vjet. Gjithë ç’ishte grumbulluar në këta 10 vjet shpërtheu në demonstratat e të rinjve në pranverën e vitit 1981, me parullën “Kosova Republikë”.

Kjo thirrje, që u mbyt në gjak, tmerroi pasardhësit e Titos, Stamboliçin me shokë, babain shpirtëror të Sllobodan Millosheviçit.

Enveri shënon në Ditar: “Zoti Dollanci e shfaqi më hapur mendimin e tij: Kosova nuk do të bëhet kurrë Republikë… sepse këtë nuk e lejon Serbia… Po të bëhet Kosova Republikë në kuadrin e Federatës, atëherё u shkatërrua Federata… Diktatura ushtarake që po përgatitet ka gjetur një “kokë turku”, shqiptarët. Por harrojnë titistët jugosllavë se kjo “kokë shqiptari” u ka qëndruar rrebesheve dhe kurdoherë ka fituar”.

Më 1982, Enver Hoxha, në një fjalim të tij u drejtohej udhëheqësve të Beogradit: “Ju nuk i merrni seriozisht fjalët tona, që janë shprehje të ndjenjave të sinqerta të popullit shqiptar. Por kjo është keq për ju. Bota do t’ju ngarkojë me përgjegjësi të rëndë. Mos luani me zjarrin, se, po filloi zjarri, do të digjeni vetë në të”.

Enver Hoxha qe patrioti dhe strategu i madh që përvijoi planet politike e ushtarake në mbrojtje të integritetit tokësor të atdheut tonë, të lirisë e pavarësisë së tij.

Nga populli i tij Enver Hoxha kishte mësuar të mos i zinte besë armikut. Gjatë dhjetëvjeçarëve të pushtetit popullor u përgatit dhe u stërvit një ushtri me një nivel të lartë, duke pasur përkrah dhe një popull të tërë ushtar. U ngrit një sistem i rrallë fortifikimi. Ai në tetor të vitit 1982, duke përgatitur fjalimin që do të mbante para elektoratit, në Ditarin e tij Politik, shkruante: “Shqipëria është një nyjё nevralgjike dhe strategjike. Europa duhet ta ketë parasysh këtë. Disa tallen me fortifikatat tona, ndërsa vetë armatosen deri në dhëmbë e me çdo lloj armësh, të tjerë nënçmojnë forcën tonë. Aq më keq për ta”.

Sa qe gjallë Enveri, gjatë më se 45 vjetёve, armiq të mëdhenj a më të vegjël, nuk guxuan të futin as gishtin e këmbës në Shqipëri, as nga toka, as nga deti, as nga qielli, se e dinin që derdhej gjak dhe linin kockat aty, siç i kishin lënë.

Në bazë të politikës paqësore e të fqinjësisë së mirë të RPS të Shqipërisë, edhe strategjia e planet ushtarake, qoftë sistemi i fortifikimeve, qoftë stërvitja e forcave ushtarake dhe mobilizimi i popullsisë civile kishin karakter të padiskutueshëm mbrojtës. Gjithë zona e Veriut ishte fortifikuar në mënyrë të tillë që, jo vetëm ishte vështirë për forcat e armikut të futeshin, por, edhe po t’ia arrinin kësaj, nuk do të dilnin dot më. Këtë, serbët, që, në fakt, përbënin shumicën e ushtrisë së Federatës, e dinin mirë. E dinin se prapa kurrizit kishin shqiptarët e Kosovës, të cilët kurrë nuk e pranuan dhe nuk e duruan shtypjen e serbëve, kurse në Shqipëri do të gjendeshin të zënë si në një kurth në mes të grykave të maleve dhe të rrethuar nga një popull i tërë i armatosur.

Në ç’rast do të mbrohej Kosova? Enver Hoxha në Veprat e tij dhe në këto shënime shprehet qartë dhe prerë se vetëm në situata të veçanta të brendshme në Jugosllavi dhe në atë ndërkombëtare (në Ballkan ose në rajon) Shqipëria mund t’i vinte në ndihmë ushtarakisht popullit të Kosovës, me të drejtën e njohur në Kartat dhe ligjet ndërkombëtare, për t’u ardhur në mbrojtje të jetës dhe të të drejtave të vëllezërve të një gjaku, të një kulture dhe identiteti kombëtar. Dhe, po të vinte kjo ditë, ushtria shqiptare kishte gjithë potencialin ushtarak, njerëzor e moral që të kryente me nder këtë detyrë të shenjtë, vëllazërore, historike.

Në shënimet e Ditarit Politik, lidhur me Kosovën Enver Hoxha thekson rrugët që duhet të ndjekin kosovarët për të arritur në fitoren e pavarësisë së tyre.

Më 1989, Sllobodan Millosheviçi i hoqi Kosovës edhe ato të drejta të kufizuara që i dha Kushtetuta e 1974-ës. U kthyen vitet e rënda represive, të torturave mesjetare. Gati 10 vjet pas demonstratave të vitit 1981, shqiptarët e Kosovës u ngritën përsëri dhe të bashkuar morën pjesë në Referendumin e organizuar nga përfaqësuesit e vet politikë dhe, në bazë të rezultateve unanime të votimit, shpallën Kosovën Republikë. Si ndodhi që udhëheqja serbe e Beogradit e “pranoi” këtë Republikë? Mbase nuk është e saktë të themi “e pranoi”, se zyrtarisht nuk e njohu kurrë, por e lejoi, se i duhej t’u jepte kosovarëve iluzionin se ishin të lirë të vetëqeveriseshin, veç të ”rrinin urtë”, veç të linin Millosheviçin, me Karaxhixhët, Sheshelët, Arkanët etj., të realizonin planet e tyre të zeza në Bosnjë, sa t’i vinte radha Kosovës. Asnjë nga krerët e partive të ndryshme në Kosovë që u krijuan në emër të demokracisë (demokraci nën pushtim?!) nuk ngritën pyetjen që i bёri Enveri, më 1974, të dërguarit të vëllezërve nga Prishtina: “Në qoftë se Beogradi do tё pranojë kërkesën tuaj për të shpallur Kosovën Republikë, ju duhet të mendoheni pse e bën këtë, ç’qëllim ka…”. Shumëkush u kënaq me këtë republikë fantazmë, në flamurin e së cilës, në vend të shqiponjës së Skënderbeut, ishte vënë pëllumbi i paqes. Por në tokën e Kosovës ziente vullkani popullor, që, nën kushtrimin e kapedanit legjendar, Adem Jashari, shpërtheu dhe UÇK-ja, duke pasur mbështetjen e gjithë shqiptarëve të Kosovës e të gjitha viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, si dhe tё vëllezërve të tyre në Shqipëri, me ndihmën edhe të armëve të SHBA dhe tё aleatëve të saj, NATO-s, arriti fitoren e parë, çlirimin e Kosovës nga pushtuesit barbarë serbë.

Shqiptarët e Kosovës, në ditët e një lufte dhe tё mizorive të padëgjuara, që u zhvilluan në tokën dhe nё shtëpitë e tyre, përjetuan me tmerr se sa u kushtoi ky iluzion, ky mashtrim kolosal nga kuislingët e rinj, si Rugova e Bukoshi.

Në pesë gabimet e Titos, që analizon Enveri lidhur me çështjen nacionale në Jugosllavi dhe nё Kosovë, shënon: ”…E ardhmja e shqiptarëve të Jugosllavisë u vendos a priori nga lart, pa aprovimin e vetёvendosjen e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi dhe pa as më të voglin konsultim me aleaten e popujve të Jugosllavisë (nënkuptohet gjatë Luftës dhe një kohë pas çlirimit – N.H.) e interesuara drejtpërsëdrejti në këtë çështje, Shqipërinë Popullore”.

Udhëheqja jugosllave jo vetëm nuk bëri këtë që Enveri e quante të drejtë që të bëhej, jo vetëm hodhi në shportë vendimet e Bujanit, por Titoja me të dërguarit e tij, me letra e mesazhe, mundohej t’u bënte bisht kërkesave tona e të shqiptarëve të Kosovës dhe tё viseve të tjera shqiptare, për të përfshirë në dokumentet zyrtare çështjen e vetёvendosjes së këtyre, megjithëse kjo çështje ishte trajtuar, si në Potsdam, edhe në Kartën e Atlantikut, të Kombeve të Bashkuara, për popullsitë a minoritetet që kanë marrë pjesë në Luftën e Madhe Antifashiste. Në një nga letrat e tij, Titoja shkruante: ”çështja (e vetёvendosjes – N.H.) nuk shtrohet për “sot”, por pёr “nesër”, se shqiptarët e Kosovës “do të jenë të lirë të shkojnë nga të duan e si të duan”. Atëherё, kur lexoi këtë letër, Enveri shpërtheu: ”…të lirë të shkojnë nga të duan e si të duan (!) sikur këta të qenë arixhinj, pa plang e pa atdhe e jo popull autokton që lind, rritet, vdes në trojet e veta ose vritet për to”. Duke shkruar këta rreshta, në këtë pikë, unë humba në refleksione: “Çfarë e bëri Enverin të zemërohej kaq shumë? Hipokrizia e këtyre të ashtuquajtur komunistë? Mendoj, jo! Nuk ishte kjo. Këtë po e hasnim përditë në marrëdhëniet tona. “…të jenë të lirë të shkojnë nga të duan e si të duan…”?! Mos përfytyrimi i Enverit shkonte më larg, tek emigrimi i kundërshtarëve më të vendosur të regjimit të Titos, i të rinjve që po gjakoseshin në demonstrata, i tё gjithë atyre që kërcënoheshin nga burgosjet, torturat e inkuizicionit me vrasjet prapa shpine…? Enveri njihte planet e Çubrilloviçit e të akademikëve serbë, që ëndërronin spastrimin etnik të Kosovës. Gjithë jetës nuk e kurseu frymën për demaskimin dhe parandalimin edhe në masa deri diku të kufizuara të dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre në Jugosllavi, siç kishin bërë në kohën e Zogut, duke i dërguar në Turqi e duke i shtyrë në Shqipëri disa dhjetёra mijëra.

Po sikur të ishte gjallë Enveri, si do ta përjetonte këtë mynxyrë që ndodhi me shqiptarët e Kosovës në këtë prag të mijëvjeçarit 2000? Në dhjetë ditë një popull i tërë u dëbua nga tokat e shtëpitë e djegura, burrat nga 16 vjeç e deri në 55 vjeç i ndanë nga familjet e tyre dhe i masakruan në masë, pa kursyer edhe pleq, gra, fëmijë, duke i ndjekur edhe në eksodin e tyre biblik drejt Shqipërisë!

Por unë jam e bindur se, po të ishte gjallë Enveri, nuk do të ndodhnin këto katastrofa, nuk do të katandiseshin kështu, as Shqipëria, as Kosova. Gjithë këto që ndodhën qenë rezultat i grumbullimit të shumë gabimeve, fajeve a tradhtive, nga parti, shtresa a persona të veçantë, përkëndej e andej kufirit, qenё rezultat i bindjeve të lëkundura në idealet e vërteta socialiste e demokratike, i mungesës së vigjilencës ndaj planeve të fuqive të mëdha imperialiste e të fuqive më të vogla, ku vendin e parë e zë Serbia e Millosheviçit, si dhe forcat reaksionare të brendshme në shërbim të tyre.

Botimi i këtij libri nuk bëhet vetëm si një dokument historik, por edhe me qëllim që mund t’u shërbente atyre që do të donin të dinin se ç’mendonte Enver Hoxha për Kosovën, për kosovarët dhe për udhëheqjen shqiptare të Kosovës. Këto shënime nuk do të merrnin vlerën e duhur, në qoftë se do të botoheshin vetëm me qëllim për të ilustruar ose dëshmuar se çfarë shkruante Enveri 30 e ca vjet më parë.

Pyetja e tij: ”Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës a kanë nxjerrë vallë mësime dhe konkluzione nga ngjarjet në Jugosllavi?” është aktuale dhe sot, në këto kohë kaq të ndërlikuara për të ardhmen e Kosovës dhe të gjitha viseve shqiptare në Jugosllavi.

Enver Hoxha, duke pasur një përvojë 50-vjeçare në lidhjet e tij me masat, shkruante në Ditar:

“Në qoftë se udhëheqësit shqiptarë të Kosovës lidhen ngushtë me masat e popullit, në qoftë se zemra dhe pulsi i tyre rrahin njësoj me ato të popullit… punët për popullin e Kosovës mund të shkojnë duke u konsoliduar në favor të tij…”. Ai vazhdon: “U duhet adoptuar situatave, që të luftohet për krijimin e situatave më të mira, duhet bazuar në të drejtat e fituara për të fituar të reja, duhet të bësh të gjitha sforcot që të përfitosh sa më shumë nga situatat legale që paraqiten, për të forcuar pozitat e fituara”.

“Duhet të dish dhe të mёsosh për të qenë “suple” (i lakueshëm – N.H.) kur duhet, pa bërë lëshime parimore, nuk duhet humbur çdo gjë e fituar për të arritur diçka të parëndësishme, duhet me qenë gjakftohtë në veprime për kauzën e madhe të popullit…”.

“Kosovarët patriotë duhet të mendojnë vetë, – vazhdon Enver Hoxha, – për të tashmen dhe për të ardhmen e tyre, vetë ata duhet të vendosin ç’duhet të bëjnë tash e më vonë, vetë ata duhet të gjejnë mënyrat e organizimit të tyre… vetë ata të përcaktojnë “rrugët që duhet të ndjekin për të arritur fitoren e pavarësisë”.


Gjatë 4 vjetëve të Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve nazifashistë, populli shqiptar, i bashkuar në një front të vetëm dhe me armë në dorë, mori pjesë në Aleancën e mdhe Antifashiste Anglo-Sovjeto-Amerikane. Të gjitha këto vende dërguan në Shqipëri misionet e tyre ushtarake.

Qëllimi ynë i përbashkët ishte: ”Të godisnim, të dobësonim armikun dhe të çlironim vendin nga forcat pushtuese”. Gjersa këto misione i përmbaheshin këtij qëllimi të përbashkët, marrëdhëniet e Shtabit të Përgjithshëm ishin miqësore, të sinqerta. Por kur veprimtaria e tyre dilte jashtë këtij qëllimi të caktuar dhe të qartë të Aleancës, atëherё Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Enver Hoxha, në emër të Shtabit, në emër të Frontit dhe të Komitetit Antifashist ose të Qeverisë Provizore Demokratike, që u zgjodh në Berat, u fliste atyre hapur, ç’është e pranueshme dhe çfarё nuk është e pranueshme dhe shpesh bisedat me këta misionarë ose radiogramet që dërgoheshin në Qendrat e njohura politiko-ushtarake të Aleatëve, si në Kajro, në Bari a gjetkë, bëheshin me një gjuhë të prerë, duke u treguar këtyre miqve se “ky vend ka zot”.

Kështu, për shembull, kur Shqipëria pothuaj ishte çliruar në gjithë territorin e saj, anijet luftarake të flotës angleze u afruan në Sarandë, kërkuan të zbresin forca të tyre në tokë. Megjithë refuzimin nga ana e Shtabit të Përgjithshëm, ata insistuan me arrogancë “duke i njohur vetes të drejtën si aleatë”. Atëherё Enver Hoxha dha urdhër dhe mbi kodrat rreth Sarandës u rreshtuan forcat partizane dhe anglezëve iu dha ultimatumi: ”Në qoftë se do të zbarkoni në tokën shqiptare do të derdhet gjak…”. Komanda aleate angleze u zmbraps, sepse ishin të bindur që Enver Hoxha e kishte seriozisht.

Po kështu, menjëherë pas Çlirimit, Shqipëria ishte e varfëruar në kulm dhe e shkatërruar. Aleatët anglo-amerikanë u ofruan të na ndihmonin me anën e një organizate që quhej UNRRA. Por për të shpërndarë këto ndihma kërkuan të zbarkonin dy mijë forca ushtarake në Durrës. ”Përse? Ç’është nevoja për gjithë këto forca? Fare mirë këtë punë mund ta bëjmë vetë”. Vazhduan me ditë bisedimet, mbetën në det anijet, më në fund, e panë që plani i tyre (djallëzor) nuk do të realizohej, një grup i tyre dorёzoi disa kuti konservash e plaçkurina të tjera dhe u larguan…

Edhe në planin politik neve na interesonte që edhe aleatët anglo-amerikanё të njihnin Qeverinë e re Demokratike të Shqipërisë, siç bënё Bashkimi Sovjetik dhe Franca, por, kur ata vunë kushte dhe zhvilluan veprimtari antiligjore e antishqiptare, aleanca e humbi kuptimin, madje u kthye në një kërcënim për fitoret e arritura. Për 45 vjet Enver Hoxha i mbrojti këto fitore nga ish-aleatët e mëdhenj anglo-amerikanё, madje, më vonë edhe nga aleati i “madh” Bashkimi Sovjetik, kur ky filloi të sillet si superfuqi e të diktojë, Shqipëria i tha këtij: ”Jo, nuk e dua më miqësinë tënde” dhe superfuqia socialimperialiste tërhoqi nëndetëset e saj nën kërcënimin e topave të ushtrisë popullore shqiptare.

Historinë e vet një popull duhet ta njohë, ta studiojë jo vetëm për kulturë, por edhe se ajo është një armë për t’u mbrojtur, për të nxjerrë mësime për të ardhmen. Një mësim i madh për kombin tonë, në këto ditë të vështira është:

Të jetë në unitet dhe i bashkuar – në mes vedi – siç thonë vëllezërit tanë kosovarë.

Ky moment, kaq i rëndësishëm për Kosovën, nuk duhet të njohë kapitullim e kompromis me kolaboracionistët e tradhtarët e tipit Rugova, nuk duhet të njohë Mukje.

Po, aleanca dhe bashkëbisedime, por duke mos harruar se zot i vendit është vetë populli! Liria ka dalë nga gryka e pushkës, ajo fitohet, nuk dhurohet, dorëzimi i armëve do të thotë kapitullim.

Shqiptarët që i harrojnë këto të vërteta e dinë se i paguajnë shtrenjtë. Kurse të huajt duhet të kujtojnë paralajmërimin që u bëri dikur Enver Hoxha: “Popullin shqiptar mos e zemёroni, ai ёshtё i durueshёm, por, kur zemёrohet shqiptari, merr zjarr e flakё edhe stralli”.


Titujt në tre pjesët këtij shkrimi të Nexhmije Hoxhës për Kosovën janë të redaksisë. Përgatiti botimin: Xhevdet Shehu.


5-6 Gusht 2018