Fjalët e urta - Kapitulli 27
|
1 Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë.
2 Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.
3 Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë.
4 Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t'i bëjë ballë xhelozisë?
5 Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.
6 Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.
7 Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël.
8 Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.
9 Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta.
10 Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.
11 Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t'i përgjigjem atij që përflet kundër meje.
12 Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.
13 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
14 Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t'ia zënë si mallkim.
15 Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës.
16 Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.
17 Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.
18 Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.
19 Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.
20 Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.
21 Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.
22 Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij.
23 Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,
24 sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.
25 Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,
26 qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are
27 dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.