Fitimtarët e mundur

Nga Wikibooks

Gjokë Kondi

Satirë (Me rastin e 74-vjetorit të pushtimit komunist të Shqipërisë, ose historia e rishkruar nga fitimtarët e radhës)

Shqipëria po përgatitet të kujtojë një datë të zezë në historinë e saj – 74-vjetorin e pushtimit nga komunistët. Kjo farë e keqe që sundoi për 46 vjet, u shfaq në Shqipëri në vitet ’20 të shekullit që shkoi. Mbreti Zog u përpoq ta shkulte nga rrënjët duke i burgosur e internuar, por nuk mundi. Si e pa që nuk ia arriti dot qëllimit, i kërkoi ndihmë baba Duçes, ndërsa vetë iku për t’u shplodhur në Turqi, bashkë me familjen dhe shpurën e tij. Më 7 prill 1939, 40 mijë ushtarë të baba Duçes, të mbështetur nga flota ajrore dhe detare, hynë në Shqipëri. Ca aventurierë, si Mujo Ulqinaku me shokë, u përpoqën t’i pengonin, po e paguan me kokat e tyre.

Patriotët e vërtetë të vendit, çifligarë, bajraktarë, tregtarë, klerikë e intelektualë të mëdhenj, i pritën me lule shpëtimtarët italianë. U organizuan shpejt në Asamblenë Kushtetuese, e cila shpalli “bashkimin personal” me Italinë, duke i dorëzuar Viktor Emanuelit III kurorën e Shqipërisë dhe duke i ngjitur flamurit tonë kombëtar sëpatat e Liktorit. Këta patriotë të mëdhenj u bënë njësh me Italinë e Musolinit në kauzën e shenjtë të çrrënjosjes së komunizmit. Italianët internuan në ishujt e Italisë qindra e qindra kundërshtarë të tyre, krijuan një komision për “gjurmimin e personave të dyshimtë për regjimin”, ngritën gjykatat ushtarake për të dënuar banditët shqiptarë, burgosën qindra banditë, vranë qindra e qindra të tjerë, dogjën mijëra shtëpi.

Sa më shumë shtoheshin masat kundër propagandës komuniste e akteve të tyre subversive, aq më shumë shtohej edhe kundërshtimi ndaj këmishëzinjve. Për çudi, me banditët komunistë u bashkuan edhe disa kokëkrisur si Myslim Peza, Haxhi Lleshi e të tjerë. Dhe kur pritej të shpallej përfundimi me sukses i zhdukjes së farës së keqe, papritur e pa kujtuar, një ditë nëntori të vitit 1941 komunistët themeluan partinë e tyre dhe morën përsipër të drejtonin luftën banditeske kundër trupave italiane. Ata krijuan ushtrinë e tyre, e cila guxoi edhe të ndërmerrte veprime luftarake. Gjithë kjo qëndresë e pakuptimtë i lodhi italianët, kështu që një ditë shtatori të vitit 1943 i braktisën patriotët shqiptarë duke hedhur armët. Disa prej tyre u bashkuan me banditët komunistë, ndërsa ata më paqësorët, që ishin mërzitur nga lufta, vendosën të punonin si argatë pa pagesë te fshatarët shqiptarë.

Mirëpo banditët nuk iu gëzuan dot fitores. Se vendin e italianëve e zunë gjermanët e Hitlerit, i cili, për të zhdukur komunizmin nga faqja e dheut, qe lidhur në një aleancë me Musolinin dhe Hirohiton e Japonisë. Kështu, trupat hitleriane morën përsipër të vazhdonin në Shqipëri punën e lënë në mes nga ushtria e aleatit të tij, e cila për këtë mori ndëshkimin e merituar. Një ndihmë të madhe u dha edhe partia patriotike e Ballit Kombëtar, e krijuar në tetor 1939 nga patrioti i madh Mithat Frashëri, që, për ta shpëtuar vendin nga kaosi, krijoi bashkë me gjermanët qeverinë e Ibrahim Biçakut e më pas “regjencën” e kryesuar nga Mehdi Frashëri dhe ballistë të tjerë patriotë. Ushtria e Ballit, që thonë se arrinte në 10 mijë vetë, nuk iu nda gjermanëve, duke i ndihmuar të kapnin e të ndëshkonin ashtu siç e meritonin banditët e njerëzit e thjeshtë dhe të digjnin shtëpitë e tyre. Dy operacione të mëdha ndërmorën gjermanët në dimrin e 1943–1944-s dhe në verën e 1944-s, po, prapëseprapë, si për çudi, komunistët u forcuan dhe më shumë dhe, pa u marrë leje nazistëve e qeverisë së Ballit, guxuan që më 24 maj 1944 të krijonin qeverinë e tyre me komunistin e rrezikshëm Enver hoxha në krye. Dhe më e keqja ishte se prej tyre u gënjyen edhe Amerika, Anglia e Rusia e kuqe, që e njohën luftën e tyre, dërguan misione ushtarake e madje filluan të hidhnin nga ajri ndihma në armë e municione.

Sado që bënë aq shumë për shqiptarët, duke e pastruar vendin nga disa dhjetëra mijë vetë –komunistë, simpatizantë e të pafajshëm – duke djegur e shkatërruar rreth 60 mijë shtëpi, duke hedhur në erë ura e porte për t’i bërë të gjitha të reja pas Luftës, duke i shkarkuar fshatarët nga barra e mbajtjes së rreth një milioni krerë bagëtish të imta e të trasha, duke marrë gjithë rezervën e arit të Shqipërisë për ta siguruar në bankat gjermane, ky popull mosmirënjohës i lodhi e i mërziti edhe hitlerianët. Prandaj vendosën ta linin këtë vend të mallkuar.

Më 29 nëntor 1944 ata lanë Shkodrën, qytetin e fundit nën kontrollin e tyre. Patriotët ballistë që nuk mundën të hidheshin me det në Itali e as të hipnin në makinat e gjermanëve, e mallkuan atë ditë të zezë. Njëri prej tyre, sekretar personal i patër Anton Harapit, shkruan kështu për atë ditë në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”: “29 nandor 1944. Zi në Shkodër. Po ikin gjermanët. Po hyjnë komunistat.” Qe çmendur bota! Evropa, Amerika, Azia gëzonin që ra nazizmi, vetëm patriotët shqiptarë si ky prifti e kuptuan gjëmën që do të pllakoste gjysmën e botës!

E kështu, që nga ajo ditë e deri në fund të vitit 1990 vendi ra nën thundrën e komunistëve, të cilët u nisën mbrapshtive të tyre. Puna e parë e mbrapshtë që bënë ishte rindërtimi i vendit: i shtëpive të djegura, i porteve e i urave të hedhura në erë. Pastaj iu tek të hapnin shkolla e t’i shpallnin luftë analfabetizmit, të hapnin miniera e kantiere pune, të ndërtonin hekurudha e hidrocentrale, të thanin këneta e të bënin zap lumenjtë. Punët e tyre të mbrapshta arritën kulmin me hapjen e Universitetit dhe krijimin e Akademisë. Pastaj iu vunë edhe historisë, që e shkruan ashtu siç ua deshi qejfi!

Patriotët e Ballit të ikur në Jugosllavi, Greqi dhe në Perëndim u përpoqën t’i ndalonin këto punë të mbrapshta, duke dërguar nga kufiri e duke hedhur nga ajri desantë, të cilët luftuan trimërisht, duke vrarë gra e vajza. Defterët e CIA-s, që po botohen këto kohë në gazetat tona, janë dëshmitarë të planeve e të heroizmave të tyre.

Po komunistët bënë edhe ca punë të tjera. Veç armiqve të vërtetë, burgosën e dënuan mijëra nga të vetët dhe dënuan e pushkatuan qindra syresh; e shtrinë dënimin edhe mbi fëmijët dhe brezat e bashkëpunëtorëve të fashizmit, duke kaluar në hakmarrje primitive; hoqën pronën private dhe mbyllën vendin. Për të gjitha këto ata u ndëshkuan rëndë. Humbën pushtetin dhe partia e tyre, përgjegjëse për këto, u rrëzua.

U krijua një parti blu, e cila, pa çak e pa bam, e rrëzoi komunizmin që ditën e parë të themelimit të saj. Kjo parti, që e qeverisi vendin për nja 13 vjet, i vuri vetes si qëllim ta kthente çdo gjë – ekonominë, kulturën, historinë – në nivelin zero dhe pastaj t’i ngrinte nga e para. Po nuk arriti t’i përmbushte deri në fund qëllimet e saj. Për shembull, nuk mundi ta rishkruante historinë. Ca historianë kokëfortë, që i kishte dhe të vetët, i thanë: “Na jepni dokumente, ta rishkruajmë historinë.”

Po atë që nuk e bëri partia blu, e ka marrë përsipër ta bëjë partia mavi që i ka zënë vendin. Flamurin e ka marrë kryeministri i vendit nga kjo parti S’ka pak ditë që ky njeri i gjithëditur, pa pyetur për historianët, vendosi të hedhë edhe një hap tjetër në rishkrimin e historisë. Akti i tij radhës i rishkrimit ishte varrosja me ceremonial shtetëror e eshtrave të Mithat Frashërit, patriotit më të madh që ka pasur ky vend, i cili iu bë krah fashistëve e nazistëve. Aty kryeministri mbajti dhe një fjalim që i ngazëlloi ballistët e rinj, sidomos kur iu hakërrua kundërshtarëve të fashizmit e nazizmit të ulin kokat. Po, të ulin kokat, se flet historiani i madh, që nuk pyet për historianët me diploma. Komunistët e shkruan historinë sipas qejfit, si fitimtarë që ishin, po tani do ta shkruajnë sipas qejfit kryeministri mavi dhe Uran Butka e Adriatik Alimadhi, si fitimtarë që janë. Madje, ky i fundit jo vetëm që do ta rishkruajë historinë, po edhe do të marrë hak duke prerë koka!

Shpresojmë që kryeministri të mos ndalet me kaq. Të sjellë në Shqipëri edhe eshtrat e Ali bej Këlcyrës, Mustafa Krujës, Shefqet Vërlacit e Mehdi Frashërit e t’i varrosë në panteonin shqiptar me nderime e fjalime prekëse. Pastaj të kujtohet të varrosë po aty edhe eshtrat e Ibrahim Biçakut, të Anton Harapit e të patriotëve të tjerë që ndihmuan italianët e Musolinit e gjermanët e Hitlerit. Nuk mund të rishkruhet e plotë historia pa sjellë në atdhe eshtrat e të gjithë njerëzve që krah për krah me fashistët e nazistët luftuan heroikisht komunizmin.

Historinë e bëjnë fitimtarët! Fitimtar është edhe kryeministri i zgjedhur me votat e pasardhësve të atyre që e bënë Mithatin t’ia mbathte nga sytë këmbët. Po harron kryeministri ynë se kështu do ta bëjë Shqipërinë vend kolaboracionist me nazifashizmin dhe Greqisë do t’i japë arsye të mos e abrogojë Ligjin e Luftës!


24 nëntor 2018