Jump to content

Fitimtarë në rrugën e heroizmit

Nga Wikibooks

Me rastin e 74-vjetorit të formimit të Brigadës së 15–të Sulmuese

Nga Dhimitër Shtëmbari

Në zbatim të vendimeve të Kongresit historik të Përmetit vazhdoi zgjerimi i pandërprerë i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare nëpërmjet shtimit dhe hedhjes në veprim të brigadave të reja partizane. Kështu, më 29 qershor 1944, sipas Urdhërit të lëshuar prej Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxha, u krijua Brigada XV Sulmuese Partizane.

Ndërsa ishte në fshatin Protopapë gjatë ceremonisë përuruese si njësi e re luftarake, vjen lajmi i rrufeshëm se nazisto – ballistët kishin nisur dhe vazhdonin të bënin reprezalje mbi popullatën e fshatrave të Oparit e të Mokrës. Ashtu e rreshtuar për inaugurim, Brigada u nis pa më të voglën vonesë për në frontin e luftimit. Dhe nuk qe e lehtë teksa duheshin të ishin bërë organizimet e plota, deri te nënrepartet. Por vetëdija e lartë atdhetare qëndronte mbi çdo gjë.

Mbas gati një muaj më vonë, konkretisht mbas plot 26 ditë e netë luftimesh të përgjakshme, pikërisht më 25 korrik u bë organizimi i plotë në Qafën e Panjës, afër Gurit të Kamjes së Pogradecit. Kësisoj, Brigada e 15 – të Sulmuese u përfshi në radhët e njësive të tjera të mëdha partizane tamam në kulmin e Operacionit të Qershorit dhe Mësymjes së Përgjithshme të Armatosur!

E formuar prej partizanëve trima të çetave e të batalioneve të Qarkut të Korçës: nga batalioni “Hakmarrja”, “Fuat Babani”, “Skënder Çaçi”, “Tomorri”, “Reshit Çollaku”, “Rinia” etj., kjo Brigadë fillimisht përbëhej nga 750 partizanë e partizane, prej të cilëve 53 ishin shoqe. Shumica e atyre që përbënin efektivin e njësisë së re të UNÇSH – së ishin luftëtarë me përvojë, të sprovuar në sa e sa luftime të mëparshme! Muaj më pas kjo njësi e lavdishme u zgjerua me shumë më tepër partizanë. Kështtu, në ditën e çlirimit të Tiranës kjo numronte një efektiv prej rreth 2000 partizanesh.

Në drejtimin e Brigadës së 15 – të Sulmuese u emëruan kuadro të aftë e guximtarë: Komandant – Teki Kolaneci (Hero i popullit), komisar – Shahin Ruka, zëvendëskomisar – Vaskë Koleci, përgjegjës i sektorit politik – Myftar Tare, përgjegjës i propagandës – Misto Treska, përgjegjës i Rinisë – Minella Trebicka, intendent i Brigadës – Gaqo Kollumbi e të tjerë.

Komandantë e komisarë batalionesh u caktuan Hamdi Babani, Petraq Titani, Meço Starja, Kiço Kasapi, Nexhip Hyseni, Vangjel Vithkuqi, Kristo Mushi, Sabri Ruçi dhe tjerë drejtues të nënreparteve. Të gjithë ishin njerëz të vendosur për çështjen e Atdheut. Ka sot disa pseudohistorianë, që orvaten të nënvleftësojnë personalitetin e këtyre kuadrove, duke i konsideruar të pashkollë (!), por e vërteta është krejt ndryshe: të gjithë këto kuadro kishin mbaruar “shkollën” e atdhetarisë, “shkollë” që u kishte ngulitur në ndërgjegje mësimin e madh, se pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre mund dhe duheshin shporrur vetëm me pushkë.

Këtu le të hapim një parantezë: Teki Kolaneci pat krijuar Çetën e Parë Partizane në Gorë që më 27 prill të vitit 1942. Pikërisht në pyllin e Kolanecit qenë bashkuan djem trima nga qyteti i Korçës, nga fshatrat e Fushës dhe nga Gora.Talenti i këtij komandanti patriot spikati sidomos në Gurin e Kamjes në luftimet e zhvilluara gjatë 10 -14 dhjetorit të vitit 1943 kundër gjermanëve e ballistëve. Në këto luftime, edhe pse i plagosur, Tekiu u bë shembull i gjallë heroizmi për tërë partizanët.

Komanda e Përgjithshme e UNÇSH – së i ngarkoi Brigadës së 15-të Sulmuese Partizane detyra të rëndësishme dhe me përgjegjësi operative, që, në kuadrin e planit strategjik të Shtabit të Përgjithshëm, të vazhdonte kundërmësymjen që kishte filluar Brigada e lV Sulmuese dhe Brigada l Sulmuese në qarkun e Korçës. Këto të fundit, të inkuadruara e në përbërje të Divizionit të Parë Sulmues, ishin larguar për në Veri të vendit, në plotësim të detyrave të tjera luftarake, sipas Urdhërit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH – së.

Detyra e afërt dhe e menjëhershme e Brigadës së 15 – të Sulmuese ishte mbyllja e rrugës automobilistike Korçë – Pogradec – Qafë – Thanë, si dhe organizimi i sulmeve të pandërprera kundër nazistëve në rrugën Strugë – Qafë Thanë – Qukës e kthim, detyra të cilat i realizoi plotësisht!

Pas çlirimit të qytetit të Pogradecit, Brigada e 15 – të Sulmuese Partizane kreu veprime të shumta e të guximshme luftarake në Shqipërinë e Mesme, kryesisht në Librazhd, Elbasan, Qafë Kërrabë e, më pas, i vazhdoi këto veprime duke ndjekur këmba – këmbës forcat armike që kalonin në drejtim të Peqinit.

Për t’u përmendur janë disa prita të organizuar nga kjo Brigadë, gjatë së cilës qenë zhvilluar luftime të përgjakshme kundër nazistëve gjermanë. Qëndresa stoike dhe, njëherësh, sulmi heroik partizan kundër pushtuesve nazistë përgjatë gjithë rrugës Korçë – Pogradec – Elbasan e Qafa Kërrabë, si dhe kundër forcave xhandaro – balliste që godisnin pas shpine kanë mbetur faqe lavdie në historikun e kësaj njësie të UNÇSH.

Është interesant të vihet në dukje, se të ashtuaquajturit nacionalistë hanin e pinin, por edhe marshonin e luftonin për llogari të nazistëve gjermanë. Të detyruar nga situata që kishin krijuar vet xhandaro – ballistët, edhe pse u qe bërë thirrje që të shkëputeshin prej gjermanëve, partizanët u vunë pushkën. Në këto kushte, gjatë kësaj lufte të rreptë partizanët arritën të të çarmatosnin mbi 2000 forca xhandarësh e ballistësh.

Theksojmë, se po gjatë këtyre luftimeve u bë e mundur që të kapeshin robër mbi 200 nazistë gjermanë. Armikut iu shkatërruan dhe iu dogjën mbi 180 makina transporti e mjete të blinduara, ndërkohë që iu zunë edhe shumë armë, municion dhe materiale të tjera ushtarake.

Përsa i përket përmasave të medha dhe, sidomos, dëmeve të shkaktuara armikut, ky aksion është vlerësuar si një nga pritat më të mëdha e më të rëndësishme që ka kryer UNÇSH gjatë tërë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Aq jehonë bëri kjo luftë atyre kohëve, sa që rezultatet e saj janë trajtuar edhe në një buletin të posaçëm luftarak të Komandës së Forcave Aleate të Mesdheut.

Kudo që luftoi e veproi, Brigada e 15 – të Sulmuese heroike kontribuoi konkretisht edhe për krijimin dhe organizimin e Këshillave NÇL, si baza të Pushtetit Popullor.

Fushave të luftës, në sulmet heroike kundër nazistëve gjermanë dhe, herë – herë, edhe kundër bashkëpunëtorëve të tyre të deklaruar – ballistëve, ranë për të mos vdekur asnjëherë 54 partizanë e partizane, mes të cilëve edhe komandantë e komisarë. Ndërkohë, u plagosën edhe 150 të tjerë.

Ndërsa kujtojmë me nderim përvjetorin e krijimit të Brigadës së 15 – të Sulmuese Partizane, nderimi më i parë shkon te ata që derdhën gjak e mbetën flamur të shpalosur lavdie. Do të mbeten të paharruar në breza dëshmorët Rrahman Beragozhdi, Ahmet Begolli, Dajlan Topçiu, Dhori Madhi, Estref Meka, Fejzulla Dinga, Gaqo Tereziu, Giuzeppe Caparani (italian), Gavril Pepllo, Haxhi Myrtezai, Hamit Dangoj, Hodo Skënderi, Hiqmet Tahirka, Hilmi Zaçe,Hysen Spaho, Ibrahim Sharka, Jovan Shegani, Koço Mele, Koli Kolemerko, Kosta Niço, Minash Vako, Nevruz Fejzullahi, Pandi Qirjazi, Piro Grazhdani, Sabri Pepoci, Selfo Xhuti, Shaniko Jupasi, Thomaidha Xhaçka, Veli Kreka, Xhafer Kodra e të tjerë.

Është e nevojshme t’i përsërisim brezit të ri, se partizanët e të gjitha brigadave sulmuese dolën vullnetarisht në luftën për çlirimin e atdheut, pa pretenduar asnjë lloj shpërblimi, me bindjen e patundur se do të mund të jepnin edhe jetën në shkëmbim të çlirimit të Atdheut. Se sa kanë qënë dimensionet e kësaj lufte vërtet heroike, që zhvillohej në kuadrin e luftës që zhvillonte Koalicioni i madh Antifashist Botëror, le të japim pak fakte nga Brigada e 15 – të Sulmuese: Veprimet luftarake të kësaj Brigade u kryen në një territor rreth 4000 km2. Ajo çliroi Pogradecin e Elbasanin dhe mori pjesë në çlirimin e Tiranës, duke dhënë një kontribut të madh në Betejën e Mushqetasë.

Po kështu, në luftime të ashpra kjo Brigadë asgjësoi rreth 800 ushtarë e oficerë armiq, zuri robër 205 gjermanë, shkatërroi dhe dogji mbi 180 makina të ndryshme e mjete te blinduara, zuri shumë armë e municione dhe materiale të tjera ushtarake. Shpartalloi dhe përzuri pushtuesit dhe tradhtarët e vendit nga një territor mjaft i gjerë, që përfshinte Gorën, Mokrën, Malin e Thatë, Fushën e Maliqit, rrethin e Pogradecit, Librazhdit dhe Elbasanit, me një siperfaqe me tepër se 4000 km2.

Historia e Brigadës së 15–të Sulmuese, si edhe ajo e të gjitha njësive të tjera të UNÇSH–së, rrezaton mësime të shumta atdhetare për sot e për të gjitha kohët: Atdheu – mbi të gjitha!


29 Qershor 2018