Jump to content

Filipianëve - Kapitulli 2

Nga Wikibooks
Dhjata e Re
< FILIPIANËVE >
Kapitulli 2
1 | 2 | 3 | 4


1 Pra, në qoftë se ka ndonjë ngushëllim në Krishtin, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim e dhembshuri,

2 atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njejtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme.

3 Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten.

4 Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.

5 Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin,

6 i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,

7 por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit;

8 dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.

9 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër,

10 që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore,

11 dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.

12 Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje,

13 sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.

14 Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime,

15 që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës,

16 që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot.

17 Por, edhe sikur unë të jem derdhur si flijim dhe shërbesë të besimit tuaj, gëzohem dhe ngazëlloj me ju të gjithë.

18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe ngazëllohuni me mua.

19 Por shpresoj, në Zotin Jezus, t'ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë duke njohur kushtet tuaja të inkurajohem,

20 sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua, që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja.

21 Sepse në fakt të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit.

22 Por ju e njihni provën e tij se si shërbeu bashkë me mua për ungjillin, si një bir i shërben të atit.

23 Shpresoj, pra, t'jua dërgoj atë, posa të kem sistemuar kompletisht gjërat e mia.

24 Dhe kam besim te Zoti që edhe unë vetë do të vij së shpejti.

25 Por m'u duk e nevojshme t'ju dërgoj Epafroditin, vëllanë tim dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar si shërbenjës në nevojat e mia,

26 sepse kishte shumë mall për ju të gjithë dhe ishte shumë i vrarë sepse kishit dëgjuar se ishte i sëmurë.

27 Edhe vërtetë ai qe i sëmurë, gati për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim.

28 Për këtë arsye jua dërgova me aq më shumë ngut, që ju, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe unë të kem më pak trishtim.

29 Priteni, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai,

30 sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.