Eposi poetik për Skënderbeun nga Margarita Sarroki

Nga Wikibooks

Në kostelacionin e librave, që shumë autorë të huaj kanë shkruar mbi figurën e ndritur të Gjergj Kastriot Skënderbeut zë një vend të veçantë edhe libri i shkrimtares dhe dijetares italiane Margarita Sarroki (Margharita Sarrocchi).

Pak kush e di se libri i kësaj autore i quajtur “SCANDEBEIDE” është një epos poetik në vargje ndoshta libri më unik në këtë formë.

Margarita Sarroki ka lindur në Napoli në vitin 1560 dhe ka vdekur në Rome 1617. Ajo është një figurë letrare dhe intelektuale nga më të çuditshmet dhe më tërheqëse në periudhën kohore të shekullit të XVI dhe shekullit të XVII.

Poetesh me frymëzim të fortë, me një inteligjencë të madhe, ajo ishte një dijetare e një kulture të shumëfishtë. Kjo shpjegon se Margarita tregoi një interes shumë të gjallë për veprën shkencore dhe shpikjet e Galileo Galileit dhe ishte ndër të parat që e përkrahu, sepse u bind nga eksperimentet që shkencëtar i madh kishte bërë si dhe me teorinë e tij për lëvizjen e trupave qiellor, që Galileo kishte arritur ta kuptonte, ndërmjet vëzhgimeve me anë të teleskopit. Dihet letërkëmbimi dhe miqësia që Margarita Sarroki kishte me Galileo Galilei, gjë që shihej me dyshim dhe me vërejtje edhe nga Inkuizicioni.

Margarita Sarroki pati lidhje dashurore dhe jo thjesht platonike me një tjetër poet të jashtëzakonshëm italian të quajtur Giovan Battista Marino. Edhe ky i lindur në Napoli 1569, pra ishte 9 vjet më i ri sesa Margarita dhe vdekur në Romë 1625.

Dashuria midis tyre ishte e furishme por dhe me shumë përplasje, pati gjithashtu pas prishjes së kësaj dashurie edhe shprehje të urrejtjes dhe polemikave, që shprehin edhe paradokset dhe klimën intelektuale të kohës.

Për Giovan Battista Morinon dhe the Cambridge History of Italian Literatura e quan Marinon “Një nga poetët më të mëdhenj të të gjitha kohërave”. Marino është shpikësi i një stili të stolisur poetik, të ngjashëm me stilin Barok por i njohur në kritikën letrare si stili “Marinist”, një stil që pati ndikim dhe u imitua nga shumë poet të njohur në Spanjë, Portugali, Gjermani, Poloni etj.

Sidomos admirues “i marinizmit” ishte poeti i madh gjerman Christian Offman Von Offmannswaldau.

Për poetin Marino dhe stilin e tij të imituar gjatë shekujve XVII deri në fund të shekullit XIX ka shkruar edhe Benedetto Croce.

Por çfarë përfaqëson vepra poetike e Margarita Sarrokit. Variantin e parë të eposit të saj për Skënderbeun ai e botoi në formën e një poeme tëgjatë me 11 këngë në vitin 1606.

Kurse varianti i plotë me 23 këngë u botua pas vdekjes së saj 1623.

Eposi poetik i Margarita Sarrokit njihet si vepra kryesore e saj. Ky epos është tepër interesant dhe për kohën kur është shkruar pati një njohje të madhe, u komentua dhe për të u shkrua shumë.

Eposi “Skanderbejde” është i stilit dhe poezisë tipologjike klasike, si të gjitha poemat heroike, apo dhe Sagat Epike fillon me një thirrje drejtuar Muzës, që të këndoj trimëritë e pashoqe të Skënderbeut në luftërat e përgjakshme kundër turqve.

Subjekti i shkruar nga Margarita Sarroki ka edhe element historikë të marra nga kronikat dhe nga librat e historianëve, nga Marin Barleti etj, por janë dhe shumë elemente fantazmorik pasojë e imagjinatës dhe të trillit letrar. Pak a shumë ky subjekt është rrëfimtar.

Skënderbeu pasi mori qytetin kështjellar të Krujës, dërgon ambasadorët e tij tek shumë shtete europiane, për ti vënë në dijeni sundimtarët e tyre mbi ngjarjen.

Kështunjë ambasador i Skënderbeut me Emrin Suart shkoi tek Mbreti Alfonsi V i Aragonës dhe në të tri këngët e para të këtij eposi artikulohet tregimi që Suarti bën përpara Alfonsit të V dhe bujarëve Napolitan, ku paraqitet figura e Skënderbeut me karakteristikat e spikatura të një heroi, trim, mendjemprehtë, bujarë dhe kampion i Lirisë.

Ndër të tjerat tregohet sesi Skënderbeun e kishin helmuar në një gosti të bërë nga sulltan Murati, përshkruhet gjendja e rëndë e Skënderbeut të helmuar, luhatjet midis jetës dhe vdekjes për mjaft ditë por për mrekulli Skënderbeu më në fund shpëton.

Mbas kësaj Skënderbeu e braktis Sulltanin dhe ushtrinë turke, dhe Qatip i Padishahut rrëmben një Ferman perandorak që e emëron gurventor të Krujës.

Ky është varianti kryesor i kthimit të Skënderbeut që e përshkruan të gjithë burimet historike.

Më pas tek këngët e tjera të këtij eposi flitet për inatin e sulltan Muratit, dhe dërgimin e ekspeditave turke për rrethimin e Krujës me plotë imazhe heronjsh siç janë edhe figura të tjera, bashkë shok të Skënderbeut si Kont Urani, Topia, Vrani, Marashi etj.

Skenat homerike të betejave janë ato që i përshtaten më shumë mjeshtërisë poetike për Margarita Sarroki.

Por interesante është edhe paraqitja e figurës femërore me një bukuri mahnitëse të vajzës së quajtur Dorina Silveria, për të cilën Margarita Sarroki ka pasur parasysh si model figurën e Donikës, të dashuruar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Eposi poetik për Skënderbeun ka 22 mijë vargje, në 11 rrokësh të ndara në strofa me tetë vargje të quajtura “ottava” .

Për heroin Skënderbe poetesha italiane mendon dhe shprehet se është jo vetëm kampioni i bukurisë mashkullore, një luftëtar dhe trim që nuk ka shok as midis heronjve të lashtësisë por është krejt i pastër, “Panjollë dhe ligësi, pa intriga dhe pa prapaskena”.

Në mendjen e Margarita Sarrokit Skënderbeu është një Hero i humanizmit.

Veç të tjerave Skënderbeu i jep rëndësi të madhe diturisë e cila është “shpata e Shpirtit”.

Skënderbeu është i rrethuar nga dashuria popullore. Të gjithë e admirojnë dhe e çmojnë.

Ja një përshkrim poetik që tregon Skënderbeun mes popullit:


Ai përpara u del fytyrë qeshur,

Por gjithashtu me madhështi mbretërore,

Po me atëmadhështi e nur i veshur

Nga goja fjala i rrjedh e ëmbël prore:

“O popull’ im! Kam mjaft mjerime ndeshur,

“Por kush më jepte dhembjet më mizore

“Ish zgjedha që mbi qafën tënde rrinte,

“Aq shum’ të doja e keq për ty më vinte.


“Dhe tash me krahun tim t’ju jem mburojë

“E sigurt kundër turkut, do mundohem;

T’ju jem përndihmë bir, prind që t’ju dojë,

‘Për ktë kuror’, për shpirtin tim betohem!

“Errësirën larg jush që të largojë,

“Jetë të qetë e diell t’ju jap’, zotohem.

“Por ju siç keni qen’ besnik’ më jini,

“Për skllavëri më frikë të mos kini.


Tha dhe heshti. Pastaj gjëmoi, buçiti

Me duartrokitjet kënga popullore.

Me bujë e gaz Heroin Kruja priti

Si Jul Qezarin Roma në fitore.

“Rroftë, rroftë Skënderbeu! – kushdo bërtiti, –

“Rroftë mbreti i kësaj toke arbërore!


Në shumë këngë tregohen dhe histori të ndryshme dashurie të luftëtarëve arbër pra fantazia e Margarita Sarrokit “arratiset” në skaje nga më të pabesueshmet edhe të rrëfenjave poetike që ngjajnë me rrëfenja erotike, madje të frymëzuara nga stili i Petrarkës.

Veç të tjerave në skenat e betejave luftëtarët arbër, udhëhequr nga Skënderbeu tregohet sesi qëllojnë me heshta elefantët e mëdhenj që hinse kishin sjell turqit për të sulmuar kështjellat ose madje sesi i sulmonin këto elefantë edhe me anë të disa derrave të egjër, që ushqeheshin me mishin e elefantëve etj etj.

Eposi poetik i Margarita Sarrokit ka njohur dhe një botim të kohëve të fundit në anglisht, është përkthyer nga Rinaldina Russent në 2006 në Cikago të Amerikës.


Skënderbeu në Gdanckë të Polonisë

Gdancku është qyteti që ka portin mëtë madh në Poloni. Ky qytet ka një shesh të famshëm që ndodhet në qendër të tij. Sheshi quhet “Dluci Tarc” që në shqip do të thotë “Pazari i Gjatë”.

Konsiderohet si një nga sheshet më të bukur të europës, i ngjashëm me sheshin e Shën Markut në Venedik dhe me sheshin “Grand Plaza” të Brukselit.

E vlerësuam sheshin e Gdanckut për të thënë se aty është dhe një pallat, i njohur si “Godina e Artë”, e ndërtuar në vitin 1509, në fasadën kryesore që ndodhet pikërisht në anën e sheshit ka dhe një numër skulpturash dhe basoreliev që paraqesin figurat më të shquara të historisë. Në qendër të fasadës kryesore të “Godina e Artë” është edhe figura e skulpturuar e Skënderbeut mbi kalë dhe përballë tij po mbi kalë dhe figura e Huniadit, heroit Hungarez, që ishte aleat i Skënderbeut në luftërat kundër perandorisë Osmane . Këta dy kalorës janë vendosur përballë njeri tjetrit, të veshur me pajimet luftarake. Në pozicione luftimi dhe me shpata në duar.

Në shekullin e XV Polonia përbente me Hungarinë një Mbretëri të përbashkët që kishte në krye Mbretin polak Vladislav i III, me një moshë shumë të re, 20 vjeçare ai u bë mbreti i këtij shteti të dyfishtë. Ishin hungarezët që i ofruan kurorën e Hungarisë mbretërit polak për tu mbrojtur dhe për të bashkuar forcat kundër pushtimit turk. Tek vepra e Marin Barletit ka dhe një letërkëmbim të Gjergj Kastriot Skënderbeut me Vladislavin e III.

Aleanca midis tyre tregon vetëdijen që kishin kundër rrezikut dhe sulmeve turke.

Vepra e Marin Barletit për Skënderbeun menjëherë mbas përkthimit në gjermanisht, frëngjisht dhe italisht u përkthye edhe në polonisht në vitin 1567 nga dijetari Ciprian Baziliku.

Por edhe përpara përkthimit nga Ciprian Baziliku, një humanist i njohur Polak Marcin Bielsi. Në vitin 1554 shkroi veprën e tij “Për Skënderbeun e Maqedonisë, Princin Arbëror”.

Ky libër ishte një përmbledhje me fragmente rrëfenjash për heroin kombëtar të Arbërisë, Skënderbeun që Marcin Bielsi i kishte përmbledhur në formë fragmentare për të krijuar një unitet.

Në veprën e Marin Barletit ka të dhëna për luftëtar, polak dhe Hungarez të ardhur për të luftuar në ushtrinë e Skënderbeut.

Një ish Jenicev Serb, Kostandin Mihajllovici nga Ostrica, bashkëkohës i Skënderbeut në shekullin e XV, mbasi u arratisë nga ushtria osmane, u vendos në Poloni dhe këtu, shkroi midis viteve 1496-1501 kujtimet e veta në Polonisht.

Në këto kujtime ai përmend si dëshmitar edhe faktin që Skënderbeu ishte marr peng në oborrin e sulltanit dhe se atë “e kishin futur që në moshë të re midis Jeniçerëve të Sulltan Muratit”.

Me të drejtë historiani Kristo Frashëri shënon se “ky është i vetmi njoftim që kemi për Skënderbeun e rekortuar si Jeniçer”. E dhëna e Kostandin Mihajlovicit është shkruar rreth 15 vjet më përpara sesa të botohej vepra e Marin Barletin për Skënderbeun 1508-1510. Kjo e dhënë vërteton faktin se Skënderbeu ka qenë në mënyrë reale si peng në Oborrin Osman.

Historiani i Francës Andre Mason 1934 ka botuar një libër me titull Historia dhe Këngët sllave në Shqipërinë e Jugut” ai thotë se në disa fshatra si në Bogoshticë dhe në Drenovë janë instaluar pakicat polake që në shekujt e mesjetës, se në disa nga këto familje mbijeton legjenda që e konsideron origjinën e tyre polake dhe se në të folurën e tyre kanë mbartur disa fjalë në gjuhën polake siç është psh fjala “listopad”, që në gjuhën shqipe është muaji “nëntor” etj.

Jehona e Skënderbeut tek Polakët ka qenë ajo e një kalorësi trim që luftoi edhe për lirinë e europës.

Pallati i quajtur “Godina e Artë” ne Gdanckë u ndërtua në vitin 1509 nga një ndërtues dhe skulptor Holandez i quajtur Habraham van den Bloche. Kurse pjesën më të madhe të skulpturave dhe basorelieve u përfunduan në vitin 1615-1618 nga mjeshtri Johan Voigt.

Nismëtarët dhe porositës i ndërtimit të këtij pallati ka qenë kryebashkiaku i Gdanckut Jan Speyman. Ai ishte dhe një tregtarë i pasur dhe u shty për ndërtimin e pallatit edhe nga gruaja e tij e ditur Judita Speyman. Ka një legjendë urbane në Gdanckë që thotë se në korridoret dhe sallonet e pallatit “Godina e Artë” shpesh qarkullon hijeja dhe fryma e shenjtë e Juditës e cila mbahet mend edhe për thënien e saj proverbiale “vepro me drejtësi, askujt mos u nënshtro”.

Ne fasadën e këtij pallati duke filluar nga portiku dhe deri në çati lartë ngjiten vertikalisht katër kolona. Në majën e këtyre kolonave janë vendosur dhe katër skulptura të mëdha që paraqesin Kleopatrën, Edipin, Akilin dhe Antigonë.

Në fasadën e katit të sipërm, që është kati i katërt ndërmjet hapësirave që krijohen mes Katër kolonave nga e majta në të djathtë janë vendosur basorelievet e Themistokliut në hapësirën e parë, të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe të Huniadit në hapësirën e dytë dhe të Scavitles në hapësirën e tretë.

Ne basorelievet e tjerë të vendosur në hapësirat mes kolonave të katit të dytë dhe të tretë janë dhe figurat e Brutit, Horatit, Scolonit, Catonit, Fabriciusit, Sigismundit, si dhe mbretërve polake Jarciello dhe Sigmundit të tretë.

Në shumë vepra historiografive të dijetarëve në Europë gjatë shekujve janë shkruar për të dyja figurat si për Gjergj Kastriot Skënderbeut ashtu dhe për Huniadin të cilët përbëjnë dyshenë e heronjve më të spikatur dhe më të dashur të shekullit XV, luftëtarë të paepur dhe fitimtar në betejat kundër sulmeve të Perandorisë Osmane.

Edhe në territoret shqiptare gjendet ndonjë vepër arti që i paraqet së bashku të dyja këto figura. Në një kishë katolike të ndërtuar në Prizren në Kosovë në shekullin e XIX me stimulimin dhe financimin e Franc Jozefit perandorin e Austro-Hungarisë janë bërë dhe dy afreske pranë njëra tjetrës që paraqesin edhe figurën e Skënderbeut edhe atë të Huniatit. Në një farë mënyre të dy këto figura janë si simbole të së njëjtës tipologji, janë po të shprehin në mënyrë metaforike si dy binjak të historisë e Vëllezërve Dioskurë.


Moikom Zeqo

3 Nëntor 2018