Jump to content

Enigma e pazgjidhur e origjinalit të zhdukur të Aktit të Pavarësisë

Nga Wikibooks

Ndoshta jo të gjithë e dinë por dokumenti origjinal i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912 rezulton i zhdukur.

Versioni që qarkullon sot është një riprodhim i këtij dokumenti që u publikua në vitin 1937 nga Lef Nosi me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë.

Historiani Kristo Frashëri ka lënë ndoshta dëshminë më të vyer lidhur me vendndodhjen e origjinalit, por për fat të keq ai nuk përmendi emër gjatë kësaj dëshmie, – raporton Dita.

Në një intervistë për VOA, pak përpara se të ndërronte jetë, Frashëri tha se një person ia ka treguar këtë dokument në 1962, por nuk ka pranuar ta dorëzojë zyrtarisht:


“…Ky dokument doli në dritë në 1962. Ai që e kishte, pronari i saj, tha se ia kishte dorëzuar Ismail Qemali me dorën e vet. Ai kishte edhe një letër të Ismail Qemalit që i thoshte: “Ta kesh kujdes. Ky është dokument i madh, me rëndësi të jashtëzakonshme”. Ai e mbajti dhe nuk donte ta jepte. Më 1962 ndoshta kishte frikë…

Unë kam folur vetë me atë pronar, dhe jam munduar që ai t’ia dhuronte muzeumit kundrejt një shpërblimi. Pastaj u kalua ajo, dhe ai dorëzoi vetëm disa dokumenta. Kjo është historia e origjinalit. Unë nuk mund të them më shumë. Nuk mund të them më shumë.

Ai dokument ndoshta ekziston edhe sot, ndoshta ekziston edhe sot. Kushedi, ndonjë ditë mund të dalë befas, sepse është një dokument me vlera të rralla. Kushdo që e ka marrë, nuk ka mundësi ta ketë prishur. Do ta ketë ruajtur. Edhe nga ana materiale ai ka vlera kolosale…” – tha Frashëri, sipas DITA.

Dhe pas kësaj lidhur me personin ose personat që e posedojnë atë, Frashëri thotë:

“…Nuk janë këtu në Shqipëri. Nuk janë në Shqipëri. Më duket se nuk janë. Nuk e di mirë. Problemi është ky; që neve dokumentin, nëse nuk e kemi në origjinal, e kemi të riprodhuar…”


Edhe historian Paskal Milo pohon se dokumenti po kërkohet ende, por gjetja e tij ka rezultuar një proces i vështirë – raporton Dita

Gjatë një konference shkencore dy vjet më parë Milo tha se “po bëjmë kërkime edhe nëpër arkivat e huaja, por deri tani nuk ka ndonjë gjurmë konkrete se ku mund të gjendet ky dokument themelor i shpalljes së Pavarësisë”.

“Mundet dhe rastësia dhe fatkeqësia që mund të jetë zhdukur dhe që për fat të keq nuk do ta kemi. Ne nuk jemi dorëzuar, do vazhdojmë ta kërkojmë por gjithsesi është një proces i vështirë”, tha Milo.

Sipas tij, nga hulumtimet e deritanishme mendohet se ky dokument mund të ketë përfunduar në duart e familjarëve të Ismail Qemalit, konkretisht të një djali të tij që ka jetuar dhe ndërruar jetë në Strugë.

Historiani Ilirim Dervishi e mbështet këtë version. Ai thotë se viti i humbjes së gjurmëve të dokumentit të aktit të pavarësisë koinçidon me vitin kur Qazim bej Vlora, djali i dytë i Ismail Qemalit, është shpërngulur nga Shqipëria për në Strugë, ku jetoi 17 vitet e fundit të jetës së tij.

“Qazim bej Vlora ishte sekretar personal i Ismail Qemalit, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë ishte edhe shef i kabinetit të tij. Një pjesë të madhe të dokumentacionit të shtetit shqiptar, Qazim bej Vlora i solli në Strugë”, thotë Dervishi.


Nga dëshmitarët e kohës, pas vdekjes së Qazim beut, nga shtëpia janë nxjerrë një sasi e madhe librash e dokumentesh nga punëtorët e pastrimit komunal.

Në vitin 1975 shtëpia bëhet pronë e Ramazan Azizit, i cili bënë disa riparime të vogla, sidomos në çati.

“Nga biseda e zhvilluar me pronarin aktual, mësojmë se në çati janë gjetur një sasi librash me shkrim arab, të cilat i ka hedhur. Më pas vazhdon se në katin e parë ka prishur një mur të brendshëm me trashësi të madhe, në brendinë e të cilit ka gjetur libra dhe letra në gjuhën arabe të vendosura në një polisë brenda murit, të cilat poashtu i ka hedhur. Pronari i shtëpisë dyshon se në muret e trasha të shtëpisë ende mund të gjenden dokumente me vlerë, ndër to ndoshta edhe dokumenti i Aktit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit shqiptar”, ka thënë për median shqip në Maqedoni historiani Ilirim Dervishi, raporton DITA.

Akti i Pavarësisë së Shqipërisë u firmos nga rreth 40 delegatë nga të gjitha trojet e Shqipërisë më 27-28 Nëntor në Vlorë.

Por në versionin “Nosi” të deklaratës që qarkullon sot nuk janë të gjitha firmat.

Edhe këtë pohim e ka bërë historian Kristo Frashëri:

“…Ishte deklarata e pavarësisë e riprodhuar në zinkografinë e asaj kohe, shumë e pastër, shumë e qartë, veçse me një mungesë. Nuk e di për ç’arsye ndodhi ajo mungesë. Akti i shpalljes së pavarësisë mbushi dy faqet e letrës, përpara dhe prapashpinën e saj. Firmatarët nuk i nxuri të gjithë faqja e parë. Një pjesë e tyre kanë firmosur në prapashpinën e dokumentit. Këtë faqe nuk e botoi Lef Nosi. Për ç’arsye nuk e di…” – ka thënë ai gjatë intervistës, raporton Dita.


Ka edhe një tezë që thotë se dokumenti origjinal i Pavarësisë së Shqipërisë mund t’i jetë dhuruar ish-udhëheqësit jugosllav Josip Brzo Titos dhe akti të ndodhet në arkivat serbe. Një tjetër tezë e çon Aktin e Pavarësisë më larg, në perëndim, ku ai mund të jetë mbyllur në ndonjë nga arkivat e Evropës ose të jetë dhuruar.

Sipas historianëve dhe dokumenteve të kohës, Kuvendi Kombëtar që prodhoi Deklaratën e Pavarësisë i çeli punimet në orën 15.30 të 28 nëntorit. Në të morën pjesë 37 delegatëve, të cilët u shtuan më pas deri në 63 vetë dhe përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.

Në këtë kuvend u krijua Qeveria e Përkoshme, si dhe u emërua Pleqësia, ose Senati. Procedurat e mëtejshme vazhduan me nënshkrimin e aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.

Në orën 17.30 Ismail Qemali, doli në ballkonin e godinës duke ngritur flamurin. Kjo godinë ishte një nga dy sarajet e familjes së njohur të Vlorajve, pinjoll i së cilës ishte edhe Ismail Qemali. Këto saraje kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur u prishën, për t’ja lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e sotëm të Flamurit në Vlorë.