Emri dhe historia e një delegati të Kongresit të Manastirit që u mbajt në hije

Nga Wikibooks

Dr. Marela Guga

Ndërsa mbërritën eshtrat e Mid’hat Frashërit në 110-vjetorine Kongresit të Manastirit, nuk mund të mos shkruash me një vlerësim të veçantë edhe për një prej delegatëve të Kongresit të Manastirit, delegatin e klubit “Bashkimi” të Beratit, mësuesin, publicistin dhe patriotin Nyz’het bej Vrionin. Për gati 70 vjet nuk u fol fare për kontributin atdhetar të tij. Kjo për faktin, se vinte nga familja Vrioni, pjesëtarët ë së cilës, u përndoqën dhe persekutuan gjatë diktaturës komuniste. Madje emri i Nyz’het Vrionit nuk figuronte në listën e patriotëve të rrethit të Beratit.

Lindi në qytetin e Beratit më 1878, ku kreu shkollën e ulët dhe shkollën e mesme dyklasëshe. Shkoi në Stamboll për të plotësuar studimet e mesme dhe për të vazhduar të lartat. Gjatë viteve studentore në Stamboll, shkruajti në disa gazeta që dilnin në Bullgari, Rumani e vende të tjera, nën pseudonimin Niko Vrapi.

Nyz’het Vrioni vinte prej familjes Vrioni, pronare e madhe tokash në Berat e Fier. Nëna e tij, Hatije Vila, vinte nga Frashëri i Përmetit. Familja Vrioni jetonte në një nga rajonet veriore të Stambollit, në zonën e quajtur Kë’zell’toprak, zonë ku jetonte dhe Naim bej Frashëri. Shtëpitë i kishin pranë njeri tjetrit. Aty jetonte edhe e motra e Nyz’hetit, Lalinur Janina (Vrioni), e martuar me nëndrejtorin e Universitetit të Stambollit Nazmi Janina. Nyz’heti ishte mjaft i lidhur me vëllezërit Frashëri, kjo sepse në shtëpinë e Naim Frashërit, Nyz’heti u mësonte të shkruanin dhe lexonin në gjuhën shqipe djemve shqiptarë. Si mësues i gjuhës shqipe do të vazhdonte të punonte edhe kur u kthye në Shqipëri, kohë kur Lëvizja Kombëtare ishte rritur. Në vitin 1900 konsulli Petroviç i relaton Vjenës se: “…lëvizja kombëtare po bën përparime të dukshme dhe sidomos ndër të rinjtë. Po shtohet numri u atyre që dinë të shkruajnë dhe lexojnë shqip, i atyre që lexojnë gazetat shqipe dhe të përhapjes ndër tyre të idesë autonomiste”, në një tjetër dokument Petroviç shkruante: “Ne Berat mund të takosh të rinj si Nyz’het Vrioni të cilët kanë lexuar Naim bej Frashërin dhe që shkruajnë e bëjnë vjersha në gjuhën shqipe. I krishteri Babë Dudë Karbunara një kofident i Naim bej Frashërit. Nyz’het Vrioni djalë i ri me talent dhe ideale së bashku me Islam Vrionin, kanë bërë me të vertetë shumë për përhapjen e shkrimit dhe librave shqip. Emrat e tyre njihen mirë prej të gjithë patriotëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.” [Raport i konsullit Petroviç në Vlorë, nr.25, nr.49, Muzeu Historik Berat]

Familja Vrioni e vendosur në krahun përparimtar dhe patriotik të Lëvizjes Kombëtare, u godit ashpër nga qeveria turke. I ati i Nyz’hetit, Hasan Vrioni internohet. Ky njoftim vjen nëpërmjet gazetës “Drita” e cila shkruante: “Hasan bej Vrionë nga Berati dhe të birë Nyz’het benë i nisnë për t’i dërguar në Sivas (Anadoll). Nyz’heti nuk është më shumë se 23 vjeç. Qëndron në burg që më 4 qershor 1909 nën akuzën pjesëmarrje në veprimtari patriotike dhe kombëtare, përhapje të librave dhe gazetave shqip. ”Hasan Vrioni kaloi 14 muaj në qelitë e errëta të burgut të Stambollit, dhe që këtej, së bashku me të birin e çojnë për punë të detyruar në kalanë e Sivasit. Pas disa kohësh, helmohet, ndërsa Nyz’heti mbeti në Sivas. Theksojmë se kur ishte në Sivas, me ndihmën e shqiptarit nga Tetova Reshit Akif Pasha, gjeti edhe punë si sekretar në spitalin francez të atjeshëm, sepse fliste frengjisht. [D. Papa “Intelektuali patriot Nyzhet Vrioni”]

Pas kthimit nga internimi Nyz’heti përfundon universitetin në shkencat politike dhe pas kësaj, largohet për në Francë. I thellon studimet në një prej universiteteve të Parisit. Gjuha shqipe cilësohej prej tij si “më e madhja mbulese e kujdo populli”, ndaj edhe kur ka qënë prefektë në Vlorë dhe nënprefekt në Kozhanë, jepte mësime në gjuhën shqipe. Në verën e vitit 1908 përfshihet intesivisht në lëvizjen politike, kulturore dhe arsimore të qytetit të Beratit. Klubi “Bashkimi” e mandatoi 30 vjeçarin Nyz’het Vrioni për t’a përfaqësuar në Kongresin e Manastirit. Ai mbështeti dhe votoi alfabetin e Stambollit, duke u bërë pjesë edhe e organizimeve në Berat më 28 shkurt dhe 3 mars 1910 në mbrojte të alfabetin latin. Në tubimin e organizuar u dogjën libra me shkronja arabe, si shprehje e kundërshtisë ndaj abetareve arabe të dërguara nga Stambolli.

Nyz’het Vrioni mbështeti kandidaturën e Ismail Qemalit, si deputet i Beratit në zgjedhjet për Parlamentin Osman. Gjatë kohës që Ismail Qemali ishte në Stamboll, e mbajti pranë, duke e vlerësuar si intelektual dhe atdhetar, njohës i disa gjuhëve lindore dhe perëndimore. Vazhdoi të punojë si nënpunës administrate në Stamboll deri në vitin 1912. Me shpalljen e pavarësisë vjen në Shqipëri dhe punon përkrah kryeministrit shqiptar në organizimin e shtetit. Pas largimit të Ismail Qemalit nga Shqipëria, largohet dhe ai për në Trieste e më pas në Vjenë.

Në Trieste punon me Faik Konicën dhe Sotir Kolenë për organizimin e Kongresit të Triestes, mbajtur më 1-4 mars 1913. Nga Triestja shkon në Vjenë, së bashku me Fan Nolin punojnë në mbrojtje të çështjes shqiptare. Me lejen e qeverisë austro-hungareze qëndron në qytetin Krems të Austrisë. Aty martohet me një vajzë austriake, madam Merin. Edhe në Austri, Nyz’heti ishte mjaft aktiv në mbështetje të kauzës shqiptare. Në Krems, hapi një shkollë shqipe për djemtë shqiptar, madje së bashku me konsullin austriak në Shkodër Kral, siguroi një kontigjen djemsh për të vazhduar studimet në Austri.

Shkollimin e fëmijëve shqiptarë në perëndim, Nyz’heti e shikonte si një mundësi për integrimin e Shqipërisë në Europë. Shpesh i vizitonte këta djem shqiptar, duke i shoqëruar në biblioteka dhe muzeumet e Vjenës.

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore kthehet në vendlindje. Berati në vitet 1916-1918 ishte i okupuar nga forcat austro-hungareze. Komanda e lartë ushtarake i kërkoi të merrte detyra të larta shtetërore. Por ai, që luftoi tërë jetën për një Shqipëri të pavarur, nuk mund të bënte kompromise me idealet për të cilat kishte luftuar aq shumë. Edhe pse refuzoi kërkesën e gjeneralit austriak Vajs, ky i fundit, vazhdon të konsultohet për emërime që duhet të kryenin në distriktin e Beratit, si rasti i prefektit Hajdar bej Kolonjës.

Me ardhjen e trupave italiane në Berat shtator 1918, Nyz’heti largohet dhe pas luftës rikthehet në qytetin e tij. Sëmundja e turbekolozit po e mundonte shumë, shkon për t’u kuruar në Itali. Edhe pse kalon një periudhë të veshtirë shëndetësore nuk i ndërpret kontaktet me miqtë e tij; Fan Nolin, Sotir Pecin dhe Luigj Gurakuqin.

Në fund të gushtit të vitit 1920, sëmundja e turbekolozit e mposht, duke u larguar nga kjo jetë në moshën 42 vjeçare. Vjen të prehet në qytetin e lindjes, ku përcillet me nderime e mirënjohje nga qytetarët dhe autoritet fetare dhe civile. U varros pranë xhamisë së lagjes “Murat Çelebi” në fillim të shtatorit.

Në 35 vjetorin e shpalljes së pavarësisë më 1937 prefektura e Beratit, i vendos shkollës së tregut emrin “Shkolla Nyz’het Vrioni”. Në 100 vjetorit e pavarësisë, Bashkia e dekoron me titullin “Nderi i Qytetit”.


23 nëntor 2018