Jump to content

Elida, ëmbëlsia e këngës myzeqare

Nga Wikibooks

Nga Dhimitër Shtëmbari

E lindur në qytetin e artistëve të mëdhenj, Vaçe Zelës, Margarita Xhepës, Ilia Shytit, Pavlina Manit dhe e disa të tjerëve artistë të shquar, në atë të Lushnjes, Elida Korreshi do të bëhej një emër shumë i njohur që kur ishte nxënëse e shkollës tetëvjeçare.

Edhe pse trembëdhjetë a katërmbëdhjetëvjeçare, Elida do të ishte soliste e talentuar e estradës profesioniste. Falë talentit që manifestonte, që e shkëpuste ndjeshëm nga mjaft prej moshatareve të veta, ajo do të ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve Kombëtare të Fëmijëve që organizoheshin në Shkodër. E kujton me nostalgji pjesëmarrjen e saj të parë në Festivalin VIII Kombëtar të Fëmijëve, ku do të interpretonte me ndjenjë këngën “Bisedë me Heroin” të kompozitorit të shquar, Limos Dizdari. Këtë këngë ajo e interpretoi së bashku me solisten e shquar elbasanase, Suzana Qatipi.

Dhe që nga ky vit, kur ende ishte nxënëse në Shkollën e Mesme “18 Tetori” të Lushnjës, Elida do të ishte në preferencat e kompozitorëve të njohur. Në vitin 1970, katërmbëdhjetëvjeçare, është pjesëmarrëse në koncertin me artistë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Në Festivalin e 10 – të Kombëtar të Këngës në Radiotelevizion, organizuar në dhjetor të vitit 1971, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, kjo këngëtare e re do të interpretonte këngën “Të njoha ty”, dubluar nga solisti i shkëlqyer Tonin Tërshana, këngë e kompozitorit të madh Pjeter Gaci, si dhe këngën “Kërkoj një këngë”, dubluar nga këngëtari Nikolin Gjergji, këngë e kompozuar prej muzikantit të madh shqiptar, Tish Daija.

Elida Koreshi ftohet të marë pjesë edhe në Festivalin e 13 – të të Këngës në Radiotelevizion, organizuar në prag të Vitit të Ri 1976, për të interpretuar këngën “Tregimi i veteranit”, dubluar nga Suzana Qatipi. Në Fesivalin e 27 – të të Këngës në Radiotelevizion përshëndeti me këngën: “I dua poetët” me vargje të Dritëro Agollit.

Në këto vite kritika e kohës e cilësoi këtë këngëtare një zbulim të ri në fushën e interpretimit të këngës së muzikës së lehtë.

Në të gjitha interpretimet, vazhdimisht vetvetja

Ajo çka kishte vënë në dukje kritika e kohës, u vërejt edhe në vazhdim të karrierës së saj si këngëtare. E ftuar në Festivalin e dytë të Interpretuesve të Këngës në RTSH, Elida do të interpretonte këngën “Nënave shqiptare”, kompozuar nga muzikanti me personalitet, Nikolla Zoraqi. Kjo këngë u vlerësua me çmimin e tretë. Siç shihet, interpretuesja lushnjare ishte në preferencat e kompozitorëve të mëdhenj, Tish Dais, Pjetër Gacit, Nikolla Zoraqit, Limos Dizdarit e të tjerëve.

Kur ende nuk kishte hyrë në dyert e Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë, vajza lushnjare do të ishte pjesëmarrëse e rregullt e thuajse të gjitha veprimtarive kombëtare. Në Festivalin e Trete të Këngës në RTSH, ajo do të interpretonte këngën “Krojeve të vendit tim”, kompozuar nga Mark Kaftalli. Sakaq, do të ishte pjesëmarrëse edhe në dy festivale të Këngës Popullore në RTSH, ku shikuesit do t’i dilte me këngët myzeqare: “Laji sytë e zesë” dhe “Plot molla lule të bardha”.

Gjatë jetës studentore Elida Korreshi iu kushtua kryesisht studimeve si soprano lirike, duke mos u aktivizuar dëndur në veprimtari të ndryshme kombëtare. Më vonë, mbas mbarimit të Arsimit të lartë, karriera e saj si këngëtare erdhi në ngjitje. Dhe gjithmonë do të ishte vetvetja. Do të vazhdonte në linjën e një këngëtareje me ngjyrimin e veçantë të zërit të saj. E tillë do të ishte në Koncertet e Majit të vitit 1980, kur, si këngëtare e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore, interpretoi me shumë ndjenjë këngën e bukur popullore beratase: “Buze lumit ma kishe shtëpinë”

Në rrugën e ngritjes së personalitetit si këngëtare

Mbas mbarimit të Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve të Bukura) studentja e porsadiplomuar u mbajt në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore. Në mesin e artistëve të shquar të kësaj trupe të shkëlqyer, kjo këngëtare do t’i përsoste edhe më tej aftësitë e veta si interpretuese e këngës së popullit. Dhe nuk do të vononte të organizonte një koncert recital së bashku me dy këngëtarë të tjerë të talentuar, siç ishin Arif Vladi e Robert Kacaj. Ky koncert u dha në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë. Interpretimet e kësaj këngëtareje, sikundër edhe ato të dy shokëve të saj, u pritën me duartrokitje. Edhe shtypi i kohës nënvizonte aftësitë e spikatura vokale të këtyre interpretuesve të rinj. Elida Korreshit i vihej në dukje, aftësia për ta sjellë këngën popullore të pastër, muzikalisht – të padeformuar dhe, artistikisht – të ëmbël për veshin e dëgjuesit. Pesë vjet më vonë, në vitin 1985, Elida do të organizonte koncertin e saj të dytë recital, por tashmë në qytetin e lindjes, në Lushnje. Përpara spektatorëve të shumtë myzeqarë ajo interpretoi këngët e përzgjedhura popullore nga treva e Myzeqesë. Para se të vinte në këtë koncert asaj i qe dashur të shkonte sa më pranë këngëtarëve popullorë të Lushnjës, për të vjelë prej tyre vijën melodike të disa prej këngëve më të njohura myzeqare, tingëllimën e tyre, për t’ia dërguar spektatorit në mënyrë sa më joshëse. Dhe është fakt, se gjatë atyre ditëve që u shfaq ku recital salla e Kinoteatrit të qytetit qe mbushur me spektatorë të shumtë, ardhur edhe nga fshatrat.

Gjatë viteve 1980 – 2004 Elida do të ishte këngëtare profesioniste pranë Estradës së Lushnjës, tashmë me personalitet të konsoliduar si e tillë.

Përherë e dashuruar mbas këngës popullore

E pasionuar mbas këngës së muzikës së lehtë, por edhe të asaj popullore, Elida Korreshi i është afruar spektatorit me këngë përherë të reja dhe sa më të larmishme, për të mos përsëritur vetveten dhe për t’i shpëtuar rutinës. Kështu, gjatë tërë veprimtarisë së vetë të gjatë si këngëtare profesioniste ajo ka interpretuar rreth 250 këngë.

Si përfaqësuese e denjë e interpretuesve të këngës myzeqare, ka marë pjesë në disa festivale kombëtare e lokale. Mbresëlënës ka qënë për atë interpretimi në festivalin “Roja bregdetare”, organizuar në Durrës. Këtu ajo meritoi çertifikatë nderi, duke u cilësuar si një ndër më të dalluarat në këtë veprimtari.

Edhe në Festivalin e Këngës Popullore, organizuar në Fier, kjo këngëtare meritoi cilësim të lartë nga ana e jurisë, kuptohet për interpretim me nivel të lartë të këngës së mirëfilltë popullore.

Gjatë jetës së saj artistike, kjo këngëtare e talentuar lushnjare ka qënë pjesëmarrëse edhe në Festivalin e Këngës Popullore Qytetare në Korçë.

E aftë që t’u përgjigjej melodive të këngëve të të gjitha krahinave, Elida mbetet e ngrohtë për të gjithë spektatorët e vendit; për ata shkodranë, por edhe pë ata korçarë, për spektatorët gjirokastritë, por dhe për ata dibranë, për ata të të mbarë Shqipërisë. Kudo është duartrokitur dhe, në mjaft raste, i është dashur ta përsërit këngën.

E duartrokitur edhe në skenat jashtë vendit

Nisur nga aftësitë e larta interpretative, Ministria e Arsimit dhe Kulturës e para vitit 1990 e pati aktivizuar Elida Korreshin edhe në trupat artistike që dërgoheshin jashtë vendit. Kështu, në vitin 1972, kur ishte nxënëse e shkollës së mesme të përgjithshme në Lushnje, përfshihet në përbërjen e Ansamblit Artistik “Labëria”’ dhe dërgohet për të dhënë shfaqje në Kosovë. Në vitin 1980 përfshihet në Ansamblin Artistik “Butrinti” dhe dërgohet për të dhënë shfaqje në Greqi.

Por ajo që Elidës i ka mbetur si një kujtim i paharruar në jetë, është përfshirja në vitin 1980 në Ansamblin Shtetëror të Këngëve e të Valleve Popullore për të dhënë shfaqje në Francë. Dhe dihet tashmë suksesi i jashtëzakonshëm i këtij Ansambli në këtë shtet të kulturës europiane.

Në mars të vitit 1980 një delegacion i Radiotelevizionit Shqiptar, i përfaqësuar nga pesë këngëtarë, shkon në Prishtinë. Ndër këta pesë këngëtarë, Tonin Tërshanës, Alida Hiskut, Zina Zdravës e Medi Zenës, ishte edhe këngëtarja lushnjare, Elida Korreshi. Radiotelevizioni i Prishtinës u rregjistroi nga 10 këngë secilit këngëtar. Pra, edhe Elidës. Ndërkohë, në Kosovë u organizuan tre koncerte me Orkestrën e Radiotelevizionit të Prishtinës. Në këto koncerte këngëtarja lushnjare u duartrokit gjatë për interpretimin e shkëlqyer të këngës së dashur kosovare, “Zambaku i Prizrenit”.


E martuar me Vladimir Gjermenin, një mësues i shkëlqyer matematike, bashkëshortët Gjermeni kanë krijuar një familje të shëndoshë. Mama e dhëmbshur e dy fëmijëve të mrekullueshëm, Elida mbetet një zonjë për t’u marë shëmbull për rritjen dhe edukimin e të vegjëlve.

Disa vite punoi në Qëndrën Kulturore të Fëmijëve të Bashkisë së Lushnjës, ku dha një ndihmesë shumë të madhe jo vetëm për zbulimin e talenteve në fushë të këngës, por edhe për formimin e tyre si këngëtarë të ardhshëm.

Para disa muajve në Lushnje u organizua 55 vjetori i krijimit të estradës profesioniste të Lushnjës dhe, me këtë rast, kësaj artisteje të nderuar iu dha një Çertifikatë Mirënjohjeje, plotësisht të merituar.

Veç si artiste e talentuar, si qytetare e nderuar, si bashkëshorte e denjë dhe si nënë e dhembshur, Elida Korreshi është edhe një përfaqësuese e denjë e atyre që e kanë votuar. Prej shtatë vjetësh ajo është kryetare e Këshillit Bashkiak të Lushnjes, e votuar në këtë detyrë të rëndësishme jo vetëm nga këshilltarët socialistë, në radhët e të cilëve ajo bën pjesë, por edhe nga mjaft të tjerë, përfaqësues të forcave të ndryshme politike.


18 Gusht 2018