E ardhmja politike dhe kufijtë e Shqipërisë së pasluftës në Versajë

Nga Wikibooks

Ksenofon Krisafi*

Në orën 5 e 19 të mëngjesit të 11 nëntorit të vitit 1918, kryetari i delegacionit gjerman, Matthias Erzberger, i ndodhur në vagonin e armëpushimit, në pyllin e Kompienjës, disa dhjetra kilometra në veri të Parisit, firmosi dokumentin e armëpushimit, të cilin e kishte nënshkruar më parë edhe kryetari i delegacionit dhe komandanti i ushtrive aleate, Mareshali Foch. Armëpushimi do të hynte në fuqi në orën 11.00. Kështu, 100 vjet më parë, në orën njëmbëdhjetë, të ditës së njëmbëdhjetë, të muajit të njëmbëdhjetë, të vitit 1918, disa breshëri artilerie do të njoftonin përfundimin e 1560 ditëve të përgjakshme, të asaj që u quajt Lufta e Madhe dhe që i solli njerëzimit disa milionë njerëz të vrarë e të plagosur, barbari e shkatërrime të padëgjuara.

Flakët e saj mbërritën shpejt edhe në Shqipëri, ku gjetën një shtet që sapo kishte nisur jetën e pavarur dhe që ishte përfshirë në procese strukturimi dhe institucionalizimi shtetëror. Përmes vështirësish të panumërta përpiqej të organizonte jetën e shtetasve të vet, të përballonte ambicjet aneksioniste të fqinjëve, si edhe pasojat e furtunës së luftës që do ta përfshinte vendin. Gjatë afro katër vjetëve, territori shqiptar u shndërrua në place d’armes të ushtrive të shteteve ndërluftuese. Lufta u shoqërua me viktima, shkatërrime, dëme, vuajtje të shumta. Ajo vuri përpara pothuajse gjithë arritjet modeste të shtetit të porsakrijuar duke pezulluar madje edhe personalitetin e tij juridiko-ndërkombëtar. Në vend të tij autoritetet pushtuese krijuan struktura të posaçme politiko-administrative, në shërbim të planeve të tyre të ardhme. Në qytetin e Korçës dhe rrethinat përreth, (kazaja e Korçës) francezët shpallën Republikën Franceze të Korçës si krahinë autonome.

Vjena, e cila, me sa duket, e kapur në befasi nga kjo lëvizje radikale e autoriteteve ushtarake franceze, shpejtoi të deklaronte se ushtritë e saj ndodheshin në Shqipëri për të ndihmuar luftën ndaj “armiqve të përbashkët serbë e italianë”. Kjo duhet të shërbente për krijimin e një shëmbulltyre të Republikës franceze të Korçës, në rajonet veriore. Prandaj themeluan në Shkodër një Këshill Administrativ Civil, i vendosur në krye të një administrate që kishte si hallka kryesore drejtoritë e përgjithshme të financave, të arsimit dhe të drejtësisë si dhe disa organe vendore. Dukej se Vjena, që nuk e dinte se do të dilte e humbur nga Lufta, po përgatiste në perspektivë terrenin për inkorporimin e Shqipërisë në kufijtë e Perandorisë së Habsburgëve, në një nga format e varësisë ndërkombëtare, ndër të cilat protektorati ishte ndoshta zgjidhja më e mundshme.

Ksenofon Krisafi

Italia gjithashtu do të ndiqte shembullin e francezëve dhe të austro-hungarezëve. Më 3 qershor 1917, gjenerali Ferrero, kryekomandant i trupave italiane, shpalli në Gjirokastër një Proklamatë (Shpallje), e cila konfirmonte unitetin dhe pavarësinë e gjithë Shqipërisë në miqësi, nën egjidën dhe mbrojtjen e Mbretërisë së Italisë, që do të thoshte, siç u shpreh Sonino, ministri i jashtëm, në parlamentin italian, më 21 qershor 1917, se zotërimi i sigurt dhe i drejtpërdrejtë i Vlorës bashkë me rrethinat paraqiste interes të posaçëm për Italinë dhe përfaqësonte një komponent thelbësor për rregullimin e çështjes Adriatikut pas lufte. Nisur nga zhvillimet e mësipërme, Jugosllavia dhe Greqia shpërthyen një ofensivë të gjerë intensive, diplomatike e propagandistike, për ndryshimin në favor të tyre të kufijve të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve e 1913.

Këto janë disa nga arsyet përse në mbarim të Luftës shqiptarët u gjendën sërish në syrin e ciklonit, edhe pse shpresonin se Konferenca e Paqes, do të rishqyrtonte në favor të tyre Londrën. Ata i përfshiu vorbulla e pazarllëqeve të Konferencës, ku disa nga fuqitë fituese të Antantës, që kishin nënshkruar edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës si dhe fqinjët, këmbëngulën për rishqyrtimin nga e para të të ardhmes politike të Shqipërisë dhe të kufijve të saj.

Nuk bëhej fjalë për rregullimin e padrejtësive historike, por për anekse të tjera.

Shqiptarët, duke e ndjerë realisht rrezikun, nisën reagimet e menjëhershme. Pjesë e tyre ishin organizimi i Kongresit të Durrësit, krijimi i qeverisë dhe dërgimi në Paris i delegacionit të saj të kryesuar nga kryeministri, Turhan Pashë Përmeti. Delegacioni nëpërmjet dy memorandumeve paraqitur Konferencës së Paqes, theksonte se pavarësia e Shqipërisë, e njohur nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, nuk mund të vihej në diskutim. Përkundrazi, ajo që duhej bërë ishte rikthimi i territoreve të shkëputura me vendimet e Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Ambasadorëve të Londrës.

Diskutimet për Shqipërinë dhe kufijtë e saj u bënë kryesisht në komisionin e “Çështjes së Adriatikut”, në fillim të prillit të vitit 1919. Ato u përshkuan nga rivaliteti midis Italisë dhe mbretërisë serbo-kroato-sllovene.

Italia kërkonte Vlorën dhe rrethinat si dhe mandatin për një shtet shqiptar me përmasa modeste, që mendohej të krijohej.

Beogradi insistonte për të drejta preferenciale në Shqipëri, për pjesëmarrjen së bashku me italianët në projektin e ndërtimit të një linje hekurudhore në Shqipërinë e Veriut ose për organizimin e saj si njësi autonome dhe bashkimin me shtetin jugosllav. Kërkonte gjithashtu zhvendosjen e kufijve të caktuar në Londër në 1913 etj.

Fqinjët i bazonin rivendikimet ndaj Shqipërisë në kontestimin e legjitimitetit të marrëveshjeve, në prevalencën e dispozitave të Traktatit të fshehtë të Londrës ndaj vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve si edhe në akuzën false se Shqipëria, me pjesëmarrjen në Luftën e Parë Botërore, kishte dhunuar neutralitetin dhe statusin e saj.

Në kuadrin e tentativave për zgjidhje radikale, një zhvillim i beftë dhe i dhimbshëm për shqiptarët ishte Marrëveshja Titoni-Venizellos, e korrikut 1919. Italia do të mbështeste pretendimet e Greqisë për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, si shpërblim i përkrahjes së saj për aneksimin e Vlorës dhe mandatit mbi një mikroshtet shqiptar. Pro marrëveshjes kishin dalë Anglia dhe Franca, por entuziazmi i tyre do të zbehej kur SHBA u rreshtuan përkrah Beogradit dhe ranë dakord me disa nga pretendimet e Jugosllavisë.

Ndërkaq shqiptarët vazhdonin të përpiqeshin të sensibilizonin qarqet më të larta të politikës ndërkombëtare. Në këtë kuadër delegacioni i qeverisë së Durrësit, në gushtin e vitit 1919, iu drejtua me një telegram kryetarit të Senatit të SHBA dhe senatorëve Lodge dhe Hitchcock, për mbështetjen e të drejtave të popullit shqiptar, për vendosjen e drejtësisë dhe mbrojtjen e kufijve të tij. Interesant ishte largpamësia për ta hedhur vështrimin drejt Amerikës për mbështetje politike. Telegrami i lartpërmendur thoshte se “britma fatkeqe e popullit shqiptar është mbytur nga imperializmi i fuqishëm i fqinjëve të saj. Shqiptarët i kanë ngulur sytë tek Amerika dhe shpresojnë se sërish ajo do t’i shpëtojë. Të gjithë shqiptarët pëlqejnë mbështetjen amerikane që t’i orientojë në jetën e tyre politike. Në emër të popullit martir, delegacioni shqiptar iu lutet të ngrini zërin tuaj që të shpëtoni vendin nga katastrofa dhe të siguroni pavarësinë e saj”.

Një ndërhyrje tjetër ishte takimi i imzot Luigj Bumçit me Papa Benediktin e XV, në Romë, në dhjetorin e vitit 1919. Ai i tha Atit të Shenjtë, “të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica âsht mysliman, më kan çue ktu perpara Shêjtnís s’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në boten marë, të na epni ndihmen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqyptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni-Venizelos.

Papa iu përgjigj se ishte në pamundësi të ndërhynte te autoritetet italiane për shkak të marrëdhënieve jo fort të mira midis Selisë së Shenjtë dhe Italisë. Ai nuk mund të vepronte as me Francën sepse marrëdhëniet me të ishin ndërprerë, por pranoi të ndërhynte te ambasadorët e SHBA dhe të Britanisë së Madhe. Bumçi shkruan se Papa i inkurajoi duke iu thënë që “Zoti ká m’e bâ mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e atý kû s’asht Zoti drejtsija s’mundet me kênë.”

Duke ndjekur më tej rrjedhën e ngjarjeve dhe zhvillimet e pasluftës së Parë Botërore në Shqipëri, Britania e Madhe, Franca dhe SHBA, unifikuan qëndrimet në një paketë zgjidhjesh me 6 pika, e cila njihet me emrin Memorandumi anglo-franko­-amerikan për “Çështjen e Adriatikut”. Më 9 dhjetor 1919 ia paraqitën qeverisë italiane. Për Shqipërinë Memorandumi riprodhonte një pjesë të dispozitave të Marrëveshjes Titoni-Venizellos, për pretendimet e njohura të Italisë, Greqisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven.

Për të kapërcyer qëndrimet kontradiktore të pretendentëve për trojet shqiptare, Anglia dhe Franca vendosën që ta sakrifikonin Shqipërinë për zgjidhjen e “Çështjes së Adriatikut”. “Me shumë paarsyeshmëri, thotë Margaret Macmillan, në “Paris 1919”, (Harold) Nikolsoni solli një plan absurd: Shqipëria të ndahej, me veriun të lidhur me Serbinë, një shtet myslyman në qendër nën mandatin italian, jugu nën sundimin grek dhe Korça do të ishte shtëpia e një Universiteti Qendror Shqiptar nën mbrojtjen amerikane.”

Vazhduan më tej debatet midis tyre, nëpërmjet korrespondencës midis Lloid Xhorxhit, Klemansoit dhe Nittit, të cilët avanconin alternativa të ndryshme zgjidhjeje. Në themel të tyre ishte copëtimi i territoreve shqiptare. Ato i formuluan sërish në trajtën e një Memorandumi, që mban datën 13 janar 1920, i cili gjithashtu parashikonte copëtimin e Shqipërisë. Në këtë mënyrë edhe një herë tjetër diplomacia e Fuqive të Mëdha dekretoi asgjësimin dhe flijimin e saj në altarin e interesave të shteteve fqinj.

Duke u nisur nga qëndrimet e mbajtura nga Fuqitë e Mëdha, është folur gjatë për qëndrimin e SHBA dhe rolin e presidentit Uillson. Disa nga qarqet politike shqiptare, shpëtimin e vendit e gjenin te zyrtarizimi juridiko-ndëkombëtar i një pranie permanente amerikane në Shqipëri, nëpërmjet vendosjes së Shqipërisë nën mandatin e ShBA, për të shmangur mandatin e Italisë që konsiderohej si sundim i mirëfilltë i saj. Preferohej ShBA, për shkak se gjeografikisht ndodhej shumë larg, nuk paraqiste rreziqe dhe konsiderohej një fuqi e madhe prestigjioze, e prezantuar si dashamirëse e shqiptarëve.

Për rolin e Konferencës së Paqes dhe të protogonistëve të saj kryesorë ndaj çështjeve që i ishin shtruar për zgjidhje, në përgjithësi, por edhe ndaj Shqipërisë, do të përmendja një dëshmi, që vjen nga Harold Nikolsoni. Duke folur për caktimin e kufirit shqiptar në rajonet jugore, i ndikuar nga realizmi, jo aq tipik për qëndrimet e tij të deriatëhershme, më 3 mars të vitit 1919, shkruante në ditarin e tij se “në drekë isha me Laroche. Ai pothuajse më bindi se grekët duhet të kenë Korçën, sepse andej kalon rruga jetësore e lidhjes me Thesalinë. Më shpjegoi se vendosja e Italisë përgjatë të vetmes vijë të komunikimit mes Manastirit dhe Sarandës do të çojë në një grindje të përhershme ndërmjet Serbisë dhe Greqisë. Është fat tmerrësisht i keq mbi Shqipërinë, që ka Italinë të vendosur si një fuqi mandatore dhe kështu kufijtë e saj të copëtohen thjesht se asnjë nga ne nuk e beson Italinë në Ballkan”.

Shqiptarët u përpoqën të shfrytëzonin për aq sa mundeshin zhvillimet komplekse në forumet e diplomacisë ndërkombëtare. Në situatat kaotike, tepër komplekse, gjithë rreziqe dhe të papritura, ata vendosën të bashkoheshin, të organizoheshin, rrëmbyen armët dhe i dolën zot atdheut të tyre. Kjo edhe sepse, sikurse thotë me të drejtë Robert Lari Uodëll, udhëheqësit shqiptarë, duke mos gjetur mbështetje tek paqebërësit e Parisit, në janar 1920, formuan një qeveri dhe u ngritën e dëbuan nga vendi të gjitha ushtritë e huaja, duke u bërë “faktori kryesor që e shpëtoi Shqipërinë nga coptimi përfundimtar.”

Mbarimi i LPB ishte fundi i një epoke në politikën dhe diplomacinë botërore. Lufta kishte zgjuar ëndrrën e disa prej Fuqive dhe disa prej satelitëve të tyre për t’u zgjeruar sa më shumë nga pikëpamja territoriale. Por për disa, zhgënjimet ishin të mëdha, sepse nuk u realizuan. Shkatërrimi i Koncertit Europian të Fuqive, rënia e sistemit të Vjenës, siç e quan atë Henri Kisinger, mbarimi i carizmit, shpërbërja e perandorisë Austro-Hungareze dhe i asaj Osmane, rënia e Gjermanisë, shfaqja e ShBA-së në Europë e në botë, si faktor i rëndësishëm global, dalja në skenën e historisë e një numri shtetesh të rinj, sollën reperkursione të ndjeshme në arkitekturën politike të marrëdhënieve ndërkombëtare. U prishën disa ekuilibra tradicionalë dhe u prek bipolarizimi politik e strategjik.

Parë në optikën e përgjithshme historike, në raport me të ardhmen politike të shqiptarëve, mund të thuhet se në një farë kuptimi Konferenca e Paqes, objektivisht u shndërrua në institucionin që prishi ëndrrat dhe planet aneksioniste të fqinjëve. Vërtetë që ajo nuk e rimori në shqyrtim Londrën dhe kufijtë e Shqipërisë të përcaktuara prej saj dhe nuk përmbushi shpresat e shqiptarëve për restaurimin e kufijve etnikë shqiptarë, por së paku, i dha fund frikës për të ardhmen politike të shtetit shqiptar. Versaja, nëpërmjet vendimit të 9 nëntorit 1921, të Konferencës së Ambasadorëve të Parisit, që ishte organ i Konferencës së Versajës i krijuar për zbatimin e vendimeve të saj, bëri rikonfirmimin zyrtar të njohjes së shtetit të pavarur shqiptar.

Kjo ishte sidoqoftë një fitore e rëndësishme për shqiptarët, për ruajtjen e së cilës ata do të duhej të përfshiheshin në beteja të tjera tepër të vështira. Sepse përfundimi i Konferencës së Paqes nuk do të thoshte se mbaruan rivendikimet territoriale të fqinjëve ndaj Shqipërisë as edhe akuzat false për shkeljen e neutralitetit. Ato do të zhvendoseshin tashmë në Gjenevë, në Lidhjen e Kombeve, ku përfaqësuesit shqiptarë do t’iu përgjigjeshin dhe do t’i përballonin me kacafytje të ashpra diplomatike, por edhe me argumente të qëndrueshme juridike.


  • Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhtar të Shqipërisë.


13 Nëntor 2018