Durrësi në dy gravura të vjetra

Nga Wikibooks

Moikom Zeqo

Në një gravurë (që është njëkohësisht edhe vizatim topografik) të shekullit 16, (autor i panjohur) kemi një pamje të përgjithshme të Durrësit e të hiterlanndit të tij gjeografik.

Qyteti ndodhet brenda mureve të kështjellës, mure që janë me bedena e që lidhin kulla të mëdha në formë katërkëndëshi. Në kullën e parë, që është më e madhe dhe e dyfishtë, dallohet qartë porta.

Një portë tjetër është në mur, mbas kullës së dytë, që s’ka portë.

Në pjesën më të sipërme të kodrës së qytetit ngrihet një kullë tjetër e madhe dhe e dyfishtë me bazament katërkëndësh, mbi të cilën duket shtiza e flamurit.

Në qendër bien në sy gjithashtu minaret e xhamive.

Qyteti ndodhet nën sundimin e osmanlinjve.

Ajo që ka rëndësi është se në gravurë ka edhe detaje të tjera që na informojnë për gjendjen e qytetit të Durrësit në shekullin 16.

Siç dihet, turqit, pasi pushtuan Durrësin, e mbyllën qytetin në një territor më të vogël, me muret e një kalaje në formë katërkëndëshi afërsisht, që e ndërtuan me materialet e monumenteve antike.

Popullsia e qytetit u pakësua deri në 1000 banorë.

Qyteti i madh i dikurshëm u shkatërrua dhe e humbi madhështinë e vet.

Jashtë mureve turke në gravurë duken ndërtesa të veçuara nëpër kodrat, kishat e shën-Marisë e shën Nikollës.

Në pjesën veri-perëndimore të qytetit duken gërmadhat e një kulle e muri kështjellë ku është edhe një portë.

Këto mund të identifikohen me Porto-Romanon, ku deri vonë ka ekzistuar porta, kurse muret me tullë janë akoma. Anash janë disa shtëpi, gjë që dëshmon faktin e ekzistencës së qytetit të vjetër të Durrësit më parë në pjesën veriore dhe zhvendosjen e tij më vonë për në jug e në juglindje.

Në pjesën e sipërme është lumi, dy degët e të cilit bashkohen në një, emri i të cilit shënohet Lodrin (Drini), që derdhet në gjirin me të njëjtin emër.

Siç shihet, përmasat e vërteta gjeografike s’janë respektuar ashtu si në hartat e sotshme.

Në det duken të vizatuara 6 anije me rrema e me vela të mbledhura.

Anash tyre është ky shkrim i shkruar italisht: “Durrësi, në antikitet i quajtur Epidamn, qytet i Shqipërisë në një gji të detit Adriatik…. forcuar me mure jo shumë larg Vlorës”.

Për të plotësuar kuadrin e informacionit të kësaj gravure le t’i drejtohemi një relacioni anonim të vitit 1570 që flet edhe për Durrësin: “Tek Bishti i Pallës, ku mbaron gjiri i Drinit, në jug, gjendet qyteti i vjetër i Durrësit dymbëdhjetë milje larg… e ky qytet tashti është i vogël në krahasim me madhësinë e parë e të moçme të rrethit të vet…

Anijet (galerat) nuk mund të ndalohen veçse duke qëndruar larg e do të ishte e nevojshme të nxirreshin njerëzit në tokë me barkë dhe as këto nuk mund të shkarkojnë aty poshtë tek këmbët e qytetit, por do t’u duhej të ecnin nëpër ujë më shumë se një të hedhur shigjete”.

Në këtë relacion flitet se kështjella është e rrethuar nga një hendek, se ndihet mungesa e ujit e se jashtë qytetit, në një të shtënë pushke larg, ka një pus me ujë ku mbush i tërë qyteti e se rreth e qark ka moçale të kriposura.

Gjithashtu në kështjellë ka mbi 700 forca turke etj.

Ky fakt i fundit flet për rezistencën shqiptare që plasi këto vite sidomos në veri.

Përforcimi i kaq forcave turke në qytetin e Durrësit (me 1000 banorë) tregon për frikën e madhe që i ka kapur pushtuesit dhe për marrjen e masave për të shtypur kundërshtimet e revoltën.

Kështu, në përfytyrimin tonë ne mund të rindërtojmë atmosferën e fytyrën e qytetit në këtë shekull.


Në tetor të vitit 1848 në qytetin e Durrësit erdhi piktori anglez shëtitës Eduard Lir.

Ai erdhi në Shqipëri nga ana e Ohrit më 27 shtator 1848 e u largua nga Shqipëria e Jugut më 6 maj 1849.

Në librin e tij “Journals of a Landscape Pointer in Albania” nga 20 gravura që i ka bërë vetë, 9 i përkasin Shqipërisë.

Midis tyre është edhe gravura për Durrësin.

Në fund të mureve të kështjellës me kulla katërkëndëshe (si ato të gravurës së vitit 1571) spikasin katër shqiptarë, njëri prej tyre i hipur në kalë.

Shqiptarët janë me veshje popullore me qeleshe në kokë. Nga toka ngrihen gurët e ngulur të një varreze turke e më tej duket një minare xhamie.

Pastaj deti dhe horizonti.

Përcaktimi i pozicionit prej ku e ka parë qytetin Eduard Liri ka rëndësinë e vet.

Sipas mendimit tonë piktori do ta ketë parë qytetin për ta vizatuar nga kodra e kuotës 98, me shikim nga juglindja.

Poshtë kuotës 98 janë me të vërtetë dhe sot kullat e fortesës turke, si dhe një mur me bedena që zbret anash pallatit “Rinia”, që ka qenë bashkuar me mbeturinat e një kulle katërkëndëshe që është në lulishten prapa Komitetit Ekzekutiv.

I njëjti drejtim i pjerrët për në pjesën e poshtme të qytetit i mureve duket edhe në gravurën e E. Lirit.

Studimi me hollësi e rigorozitet i të dy gravurave të mësipërme çon në konkluzione për topografinë e qytetit në shekuj, vijën e mureve të kështjellës së tij, të ndërtimeve të vjetra e relativisht më të reja.

Edhe dokumente të tjera të kësaj natyre për Durrësin duhet të studiohen për të rikonstruktuar fazat e hershme e përmasat e qytetit antik e mesjetar, të lëvizjeve të tij, të shtrirjes e tkurrjeve në kohë, të përcaktimit të trevës së banuar, planimetrisë, të parë në funksion e në dritën e ngjarjeve historike. (viti-1979)


Ç’DIHET PËR FILONID DYRRAHENIN

Në shekullin e 6-të të erës sonë dyndjet e gotëve të Lindjes kërcënuan tërë gadishullin e Ballkanit e tokat ilire.

Ata, kudo ku kaluan, shkatërruan e rrënuan gjithçka.

Gotët pushtuan edhe Durrësin dhe e kthyen këtë qytet të zhvilluar e të lulëzuar në gërmadhë.

Ata dogjën e zhdukën edhe bibliotekën publike të përmendur të Durrësit.

Kjo ishte një fatkeqësi e pallogaritshme, sepse humbën shumë libra dhe dorëshkrime të moçme e me vlera historike e kulturore, pergamenë lëkure, ku qenë fiksuar kronikat e qytetit e traditat e tij artistike.

Të gjitha këto nuk arritën dot deri në ditët tona.

Stefan Bizantinasi, leksikograf i famshëm i shekullit të 6-të të erës sonë, në veprën e tij “De urbibus et populis” (“Mbi qytetet e popujt”) dëshmon, sipas një burimi më të vjetër,- të Hereu Filonit nga Jatrika,- për një figurë të madhe dijetari të antikitetit nga Durrësi,- për mjekun e shquar Filonid Dyrraheni.

Ai shkruan: “Filonid Dyrraheni nga njëra anë mësoi tek Asklepiadi e nga ana tjetër duke mjekuar me sukses në atdhe shkroi 45 libra”.

Stefan Bizantinasi e jep këtë fakt kur shpjegon në veprën e tij emrin Dyrrah dhe në funksion të historikut të qytetit.

Filonid Dyrraheni është dijetari i parë i madh i përmendur në historikun e Durrësit, në historikun e qytetit që nxori figura të tilla të përmendura të kulturës e të artit si Jan Kukuzeli, Andrea Aleksi, Martin Firmono, Pal Engjëlli, Leonid Tomeo etj.


Dijetari mjek Filonid Dyrraheni ka punuar e jetuar në Atdhe, pra në Durrës, e këtu ka ushtruar profesionin e tij.

Këtu, ka përgjithësuar edhe përvojën e punës shumëvjeçare mjekësore, duke i shkruar në pergamenat e librave të tij të shumtë, të cilët patjetër u dogjën së bashku me bibliotekën antike nga gotët.

Që ai është vendas e thekson në mënyrë të veçantë edhe mbiemri i tij dallues e mjaft karakteristik.

Zakoni për të mbajtur si mbiemër emrin e qytetit të lindjes do të ndiqet edhe nga të tjerët.

Kështu një mbishkrim i shekullit të 2-të që ndodhet sot në Luvër të Francës na flet për Sur Epidamnin (emri Sur është ilir), që ishte mbrojtësi i Durrësit, i përkiste Urdhrit të Kaloresisë, kishte detyrën e flaminit, të Augurit, të Dunmvirit pesëvjetor dhe mbante gjithashtu titullin e Praefectus fabrum të kolegjit të “Fabri tignari” etj.


Në analet bizantine të shekullit të 5-të të erës sonë të kohës së perandorit Anastasi i parë (me origjinë nga Durrësi) përmendet Joan-Gjoni Epidamni), i njohur për drejtësi e dituri, kurse në shekullin e 15-të skulptori i madh rilindas Andrea Aleksi do t’i shtonte domosdoshmërisht emrit të tij pantronimikun mjaft kuptimplotë “Durrsaku” (për të theksuar krenarinë për origjinën e tij).

Filonid Dyrraheni jetoi e punoi në një qytet me tradita të mjekësisë.

Sipas mitologjisë klasike kulti popullor i Asklepit (Askulapis, qe i biri i Apolonit, hyu i mjekësisë antike) u bë i përhapur që në vitin 429 p.e.s. në tërë Ballkanin Jugor dhe në Iliri.


Ka shkencëtarë, si Milan Budimir, që emrin e Asklepit e konsiderojnë me prejardhje ilire.

Kurse Tomasheku, për faktin e njohur historik që një ushtarak ilir në Lambesian e largët, kamp romak në Namibi, i kushton dy vjersha hyut ilir Medaur, që u skalitën në muret e një tempulli të Asklepit, konkludon etimologjikisht duke e lidhur Medaurin ilir me kultin e Asklepit, duke e shpjeguar emrin Medaur nga një rrënjë fjale hipotetike “Med”, dmth “me mjekue”.


Të gjitha këto flasin se tek ilirët e vjetër ka pasur një mjekësi me tradita të zhvilluara, të cilat u trashëguan në shekuj. Edhe zbulimet arkeologjike e vërtetojnë këtë.

Në një gur mermeri të zbuluar në Durrës lexohet emri i mjekut Krotus, me gjendje shoqërore skllav i çliruar, i cili ka jetuar rreth shekullit të 2-të të erës sonë.


Emrin e një mjeku tjetër po të kësaj kohe e gjejmë në një gur funerar.

Ky është marrë më tepër me okulistikë e quhej Filolog. Kurse Ana Komnena, kronikhistoriane bizantine, përmend emrat e mjekëve të perandorit Aleks në Durrës: Nikolla Kalikliu, Mihal Pantekriu, Mihal Eunuku.

Në historikun e lashtë të mjekësisë ilire dhe asaj botërore ka hyrë edhe emri i mbretit ilir Gent i shekullit të 2-të para erës sonë, i cili kishte njohuri të thella mjekësore dhe e njihte mirë florën medicinale dhe emri i një bime shëruese të zbuluar prej tij quhet edhe sot Gentiana.


Filonid Dyrraheni është shkencëtari i dytë mjek i madh i antikitetit ilir.

Një bust i bukur i hyut të mjekësisë, Asklepit, i gjetur në Durrës, i ekspozuar në muzeumin arkeologjik, është për ne simbol artistik i tërë asaj tradite të lashtë, në bazën e së cilës qe mjekësia praktike popullore, që sot është evidentuar krahas mjekësisë së kultivuar. (viti-1980)


POPUJT E VJETËR NË GADISHULLIN ILIR

Ndër të gjitha viset e Evropës, Gadishulli Ballkanik, i quajtur si Hameus , apo Ilirik, ka pasur të kaluarën më të pazakonshme dhe më interesante.

Ai ka qenë gjithmonë portë e kontinentit evropian, nëpër të cilën kanë lëvizur pandërprerë, që nga parahistoria, grupe, popuj dhe ushtri, të gjithë ata që kërkonin toka më pjellore, të pasura në xehe, ose që vinin nga Veriu për fushata pushtuese në drejtim të Jugut, të Mesdheut, ose depërtonin që atje, nga Jugu, në Veri, për të pushtuar rrafshinat e pasura të Podunavles dhe të Europës së Mesme.

Por, ky gadishull ka qenë në kohën e njëjtë edhe një urë, e cila lidhte Evropën me Azinë dhe Afrikën.

Është e natyrshme që pozita e tillë e Ballkanit dhe roli, i cili i është destinuar me këtë, krijuan edhe kushtet e veçanta për jetë në këtë pjesë të botës së vjetër.


Në Ballkan është formuar një mozaik i tërë i larmishëm popujsh dhe kulturash.

Tokat e tij hyjnë të parat në periudhën historike në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.

Në të vërtetë, historia më e vjetër evropiane dhe fillon pikërisht në Ballkan: këtu regjistrohen dhe shënohen në pllakëza të vogla deltinore – të ngjashme me ato të Babilonit të lashtë dhe të qyteteve hitite – për herë të parë, dhe kjo me shkrimin evropian dhe me gjuhën e një populli evropian, qysh para 35 shekujve, ngjarje që ndodhnin atëherë.


Se kush, kur dhe ku ka jetuar në Ballkan – flasin dy lloje të monumenteve dhe të burimeve: burimet arkeologjike dhe burimet e shkruara greke dhe romake.

Monumentet arkeologjike rrjedhin nga e kaluara më e largët, në të cilën shpesh as nuk arrin drita e historisë.

Vetiu ato ndriçojnë edhe periudha parahistorike mbi jetën dhe formimin jo vetëm të shoqërisë njerëzore, por edhe të popujve të veçantë.

Kjo ka të bëjë para së gjithash me popujt e vjetër ballkanikë.

Në sajë të zbulimit, njohjes dhe studimit të monumenteve arkeologjike, ne dimë sot jo vetëm kur kanë jetuar ata “popuj”, por edhe se cilat pjesë të Gadishullit Ballkanik i mbanin, për të cilat do të bëhet fjalë pak më shumë pak më pas.

E dimë pikërisht në mbështetje të të dhënave që na japin dokumentet arkeologjike se ekzistonin në Ballkan që para jo plot 40 shekujve, përkatësisht dy mijë vjet para fillimit të epokës së re, disa popullata dhe të shumta, të cilat e kishin edhe gjuhën e vet, njëri nga tiparet etnike të bashkësive ca të mëdha ose ca të vogla.

Deshifrimi i atyre monumenteve, në të cilat bëjnë pjesë mbeturina edhe të kulturës materiale dhe shpirtërore, nuk është një punë aspak e lehtë dhe analiza, kuptimi dhe interpretimi i tyre i drejtë nuk varen vetë nga interesimi dhe dashuria ndaj arkeologjisë, por, para së gjithash, nga dija e veçantë, me themel dhe e gjerë, të cilin mund ta ketë vetëm arkeologu specialist.

Mundësitë për studimin e këtyre monumenteve janë pothuaj të pashtershme: Gadishulli Ballkanik është pjesa arkeologjikisht më interesante dhe më e pasur e Evropës.

Prandaj dhe është krejtësisht reale gjasa se edhe atë të kaluar parahistorike të popujve ballkanikë do ta mësojmë në mbështetje të monumenteve arkeologjike në mënyrë po aq të gjerë dhe të besueshme siç e mësojmë të kaluarën e një populli nga ato që janë ruajtur për atë popull në dokumentet e shkruara.


Arkeologjia na njofton se në Ballkan jetonin që në shekujt e hershëm të mijëvjeçarit të dytë para epokës sonë, në Jug, kretasit dhe mikenasit, në rajonet e mesme të Greqisë fiset thesaliote, epirote dhe maqedonase, të cilat nuk mund të përcaktohen ende me siguri nga aspekti etnik.

Në rajonet perëndimore dhe qendrore të Gadishullit Ballkanik, ato që i zë sot vendi ynë, jetonin ilirët.

Në lindje ishin trakasit, të cilët janë zhvilluar, me gjasë, nga trungu etnik dhe kulturor i njëjtë, të cilët i takojnë edhe ilirët. Shumë më vonë, në kohën e re të hekurit, fare nga mbarimi i mijëvjeçarit të parë, u formua në rajonin e Karpate-Ballkanit edhe një grup i ballkanasve të vjetër, i njohur me emrin dakët. Por, as deri më sot nuk e kemi ende fare të qartë se a ishin ata dakët një popull i veçantë, ose gjë që ka shumë të ngjarë, janë një grup etnik iliro-trakas.

Sidomos në mijëvjeçarin e parë kishte edhe popuj të tjerë në Ballkan, për të cilët janë ruajtur të dhëna ende jo mjaft të qarta dhe të sqaruara.

Mirëpo, ky numër i popujve të njohur për ne në aspektin arkeologjik, nuk e shteron listën e emrave të tyre.

Dokumentet historike, ndërsa në kohën e re sidomos gjuhësore, na thonë se larmia etnike e Ballkanit ishte shumë e madhe dhe më e gjallë.

Do theksuar që për ata popuj ballkanikë më të vjetër nuk flasin vetëm burimet e shkruara ballkanike, veçse ata përmendën, ngandonjëherë edhe emrat e tyre, edhe në tekste të papiruseve dhe pergamenave egjiptiane.

Ato përmendin qysh nga mesi i mijëvjeçarit të dytë të epokës së vjetër “Keftiu” – kretasit dhe “Ahiava” – për të cilët mendohet se janë akejtë, të cilët i përmend si grekë edhe Homeri.


Monumentet e shkruara ballkanike më të vjetra janë zbuluar në Greqi: në Kretë, Mikenë, Pilos dhe në vende të tjera.

Në Kretë, në Knosos, qyteti i mbretit legjendar Minos, në pallatin e të cilit – labirint – jetonte sipas legjendës përbindëshi mitologjik Minotaur, arkeologu anglez Artur Evans zbuloi, që në fillim të shekullit tonë, në vitin 1900 një thesar të vërtetë tabelash deltinore, 1600 copë.

Këto dokumente shkrimore ekzistojnë jo vetëm në Knosos, të shkruara me shenja vijëdrejta, të quajtura shkrimi vijëdrejtë A dhe shkrimi vijëdrejtë B.

Dokumente të tilla janë zbuluar edhe në Mikenë, në pallatin e mbretit Agamemnon, kryekomandant i ushtrisë akejase, përkatësisht greke, rrëzë Trojës, “njerëz barinj” – siç e quan Homeri.

Tabela të shkruara janë gjetur gjithashtu edhe në Pilos, qytet i plakut Nestor, të cilin Homeri e konsideron më i mençuri ndër të gjithë grekët.

Disa nga këto shkrime janë deshifruar dhe lexuar tashmë: dimë përmbajtjen e tyre dhe domethënien e teksteve të tyre, të cilat duken shpesh si arabeska të stërholla, të realizuara me vija dhe fije të holla, me lajle e lule e të lehta si qëndismat më të bukura persiane.

Nuk e dimë ende që a përmenden në to edhe emra të disa popujve ballkanik.

Por, janë lexuar emra njerëzish, antroponime që janë ballkanike dhe greke.

Në mbështetje të kësaj, u zbuluan dhe u përcaktuan elementet e para të nocioneve, me të cilat shënohen edhe pjesëtarët e një populli.

Sipas këtyre dokumenteve, duket sikur kretasit dhe mikenasit janë popujt ballkanikë më të vjetër, për të cilët di historia.

Mirëpo, edhe “Babai i Historisë, Herodoti,po edhe Homeri, shumë më i vjetër, sesa Herodoti , poet i madh, njëri nga emrat letrare më të mëdhenj, të të gjitha kohërave, dinë për një popull tjetër, që jetonte në Greqi, që para mikenasve.

Këta qenë pellazgët, për të cilët Herodoti thotë, se flisnin me gjuhë barbare dhe nga të cilët, sipas këtij autori, e kanë origjinën edhe vetë athinasit.

Për fat të keq, Herodoti nuk na thotë se cila gjuhë kishte qenë ajo.

Në të vërtetë, ai as nuk e di atë.

Por, këtë mundohet,reket ta dije shkenca bashkëkohore e gjuhës, linguistika.

Sipas disa shpjegimeve pellazgët, ose pelastët, – siç i quan akademik Milan Budimir, linguist,studiues dhe gjithsesi njëri nga ekspertët më të mirë dhe më kompetentë për ato çështje – janë një popull i vjetër ballkanik, “shumë i ngjashëm me ilirët për nga shumë veti të veta, sidomos për nga gjuha.”

Nëse është kjo kështu, ndërsa të gjitha arsyet do te flisnin në dobi të interpretimit të tillë, atëherë edhe ilirët, të cilët u mbajtën në Ballkan gjithë deri në ardhjen e sllavëve, me të cilët u shkrinë me kohë në një popull, janë një popull i stërlashtë ballkanik, vetiu dhe njëri nga popujt evropianë më të vjetër.

Shumë autorë antikë, edhe grekë, edhe romakë, japin njoftime për jetën dhe për zakonet e ilirëve të vjetër.

Paionët, një fis ilir i Maqedonisë, si luftëtarë të mirë dhe aleatë të trojanëve, i përmend edhe Homeri.

Herodoti di gjithashtu për peionët dhe përshkruan hollësisht një vendbanim të tyre mbi hunj buzë liqenit Prasias, për të cilin konsiderohet se është me gjasë Liqeni i Dojranit.

“Para se të martohej ndonjë paion i ri” – thotë Herodoti “duhej të mblidhte së pari qerestenë, që të ndërtonte për vete dhe për nusen e re një kasolle mbi liqen”.

Ilirët, si luftëtarë të mirë dhe malësorë të fuqishëm, munduan dhe u nxorën kokëçarje të mëdha edhe legjioneve romake, forca dhe pajisja ushtarake e të cilave nuk i pengonin ata për t’u hedhur në kryengritje dhe për të luftuar deri në shfarosje.

Për trakasit dhe dakët është ruajtur gjithashtu përmendja e tyre edhe në gjurmë të kulturës së tyre materiale dhe shpirtërore, të cilat i ka zbuluar arkeologjia, edhe në dokumente historike, të cilat i kanë shkruar historiografë grekë dhe romakë.

Fitoren mbi dakët perandori romak Trojan e shënoi jo vetëm me ndërtimin e urës së parë mbi Danubin, por edhe me një shtyllë triumfale, e cila qëndron edhe sot e padëmtuar në Forumin e Trojanit në Romë.


Për keltët, një popull roman, të cilët paraqiten në viset tona pikërisht në çastin, kur arrin në Podunavlen e Mesme edhe Leka i Madh, në vitin 335, jemi të njoftuar shumë gjerësisht.

Zbulimi i qytetit të fortifikuar kelt të Zhidovarit afër Vërshacit, i bërë në vitin 1948, ndërsa pak më vonë edhe i Gomolavës te Mitrovica e Sremit, na tregoi se si dukej një vendbanim i një populli që u hodh nga Galia e largët për një fushatë pushtuese kundër tërë Evropës dhe thyerjen e vetë ushtarake e pësoi pikërisht në Ballkan, i cili ishte edhe objektivi kryesor i pushtimeve kelte.


Këta janë popujt kryesorë që i gjetën sllavët e vjetër, por edhe gotet dhe visigotet, pas ardhjes në Ballkan.

Disa nga këta popuj në të vërtetë ishin zhdukur tashmë, edhe ata, edhe gjuhët e tyre, por u ruajtën gjurmë të pranisë së tyre në kulturën dhe në gjuhët e popujve të tjerë ballkanikë.

Të gjithë bashkë, ballkanasit e vjetër, nga të cilët ka pasur gjithsesi më shumë sesa që i përmendëm , krijuan një mendësi ballkanike dhe një tip ballkanik të veçantë njeriu, i cili për nga tiparet e veta është dalluar dhe dallohet ende nga grupet dhe kategoritë e tjera etnike dhe gjuhësore evropiane. (-viti 1989)